top of page

Cilët ishin 83 delegatët firmëtarët që shpallën Pavarësinë e Shqipërisë

Updated: Nov 26, 2024

Cilët ishin 83 delegatët firmëtarët që shpallën Pavarësinë e Shqipërisë





26 janari është një ditë e shënuar për tërë bashkëkombasit sepse nderojmë dhe respektojmë një nga figurat më madhore pas Kryeheroit Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemal bej Vlorën (Vlorë, 24.01.1844 – Peruxhia, Itali, 26.01.1919). Ismail Qemali është një figurë emblematike, ai që shpalli Pavarësinë kombëtare dhe themeloi shtetin demokratik shqiptar.


- Publicitet -


Edhe pse kanë kaluar një shekull e ca, figura poliedrike e Ismail Qemalit frymëzon shqiptarët në dritësimin e kombit dhe udhët e vështira për integrimin europian. Është e veçantë këtu të citoj fjalët e tij në intervistën e dhënë më 1 Maj 1900 me shqiptarët e Egjiptit, ku thotë: “Shqiptarët e kanë vendin e tyre në gjirin e popujve të Europës”. Me këtë vizon të qartë politik dhe diplomatik, ai punoi në tërë fillimshekullin e XX, duke mëkuar tek shqiptarët frymën e Rilindjes Kombëtare. Lufta çlirimtare me kryengritjet e mëdha 1911-1912 në tërë trojet shqiptare, kulmuan me aksionin e shpalljes së Pavarësisë shqiptare, që u kurorëzua nga shteti i tij, 1912-1914, i cili vendosi gurë themeli në jetën shqiptare.


Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe shoqata “Labëria” përherë kanë bërë kujdes, që jo vetëm ta përkujtojnë këtë figurë të madhe të kombit, por edhe ta ringjallin atë, pasi mesazhet e tij edhe sot i shërbejnë çështjes së madhe të integrimit europian.


Me këtë rast falënderoj deputetët e Parlamentit shqiptar Vullnet Sina e Pranvera Resulaj, rektorin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, prof.dr. Roland Zisi, kryetarin e shoqatës “Labëria”, dega Vlorë Ahmet Demaj dhe të gjithë juve të nderuar pjesëmarrës në këtë veprimtari domethënëse e simbolike për Paharrimin e Shenjtorit të Flamurit Kombëtar.


E ku më mirë se në Bibliotekën shkencore të Universitetit që mban emrin e Tij shkon përurimi i librit kushtuar Plakut të Bardhë dhe firmëtarëve të Deklaratës epokale të Pavarësisë?! Duke lexuar librin e prof.dr. Bardhosh Gaçe “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”, një vepër e rrallë historiografike, universiteti ynë i bën një shërbim të veçantë kësaj ngjarjeje historike.


Më lejoni të kujtoj vetëm një cast se Shpallja e Pavarësisë kishte 83 delegatë, nga të cilët 74 me universitet dhe vetëm 9 delegatë me shkollë të mesme. Ata ishin juristë, ekonomistë, ushtarakë, mësues, klerikë, astronomë me përvojë në drejtimin e shtetit.


Ndër delegatët, Senatin dhe Qeverinë e Ismail Qemalit përfshiheshin përfaqësues të të katër komuniteteve fetare: katolikë, muhamedanë, ortodoksë e bektashinj.


Edhe ky është një mesazh i veçantë, pasi Nënkryetar i Qeverisë ishte Dom Nikollë Kaçorri dhe Kryetar Senati Myfti Vehbi Dibra. Kjo ishte Shqipëria e të gjithëve, Shqipëria e Ismail Qemalit.


Monografia “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare” me 391 faqe, me dokumente origjinale, të panjohura deri më sot e që shohin dritën e botimit për herë të parë, me faksimile, fotografi, portrete, shkrime, gjykime etj., shikon dritën e botimit falë deputetit bujar të Vlorës në Parlamentin shqiptar, z. Vullnet Sina. Ky libër është botimi i tretë i plotësuar i albanologut të njohur prof. dr. Bardhosh Gaçe, ndërkohë, nuk mendoj se mund të jetë botim shterues për Pavarësinë Kombëtare nga ky studiues me vullnet balzakian. Nëse tre skulptorët e mëdhenj Kristaq Rama, Muntaz Dhrami e Shaban Hadëri, realizuan në bronz Monumentin e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit, Vlorë, 17 m të lartë, në vitin 1972; nëse meraku i madh i themeluesit të skulpturës shqiptare Odhise Paskali, shprehur autorit, ishte që monumenti të kishte formën e një obelisku, ku të gdhendeshin tërë fytyrat e atyre që Shpallën Pavarësinë dhe themeluan shtetin shqiptar e përbri tyre të ishin firmat e tyre si në aktin historik, prof. Gaçe na ka dhënë një monument shkronjor, një ansambël monumental me gërma të arta, që shquan për vlera të veçanta historike, kulturore e shkencore.


Autori, tekstin që na dhuron sot në nderim të Dy Ditëve të Shenjtorit të Flamurit të Kombit shqiptar, e quan me modesti libër publicistiko-historik. Ky libër e tejkalon këtë klasifikim dhe është Enciklopedia e Pavarësisë Kombëtare, kësaj faqeje të ndritur të historisë shqiptare, që u shkrua dhe u shpall nga 83 apostujt e shqiptarizmës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që u mblodh në qytetin e Vlorës më 28 Nëntor 1912 dhe zhvilloi punimet me 7 mbledhje historike deri më 7 Dhjetor 1912, nën drejtimin e Ismail Qemal Bej Vlorës, këtij personaliteti të shquar të politikës dhe diplomacisë shqiptare.


Në këtë enciklopedi, autori na njeh me profilin e 83 delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë:


“Sipas saktësimeve të mëtejshme që bëmë në procesverbalin e Kuvendit Kombëtar të botuar në gazetën “Përlindja e Shqipniës” të Qeverisë së Vlorës, botimit “Dokumente historike” të Lef Nosit, gjurmimeve të Teki Selenicës dhe materialeve të Arkivit Qendror të Shtetit, në Kuvendin e Vlorës morën pjesë këta delegatë:



Berati [përfaqësuar me 4 delegatë, shën. im: A. H]:


Sami Vrioni


Iljaz Vrioni


Raq Tutulani


Babë Dudë Karbunara



Skrapari [përfaqësuar me 1 delegat, shën. im: A. H]:


Xhelal Koprencka



Mallakastra [me 1 delegat]:


Hajredin Cakrani



Lushnja [me 3 delegatë]:


Qemal Bej Mullai


Ferid Vokopola


Nebi Sefa



Dibra [me 2 delegatë]:


Myfti Vehbi Dibra


Sherif Lëngu



Ohri dhe Struga [me 6 delegatë]:


Zyhdi bej Ohri


Dr. H. Myrteza [Myrteza Ali Struga]


Nuri Sojlliu


Hamdi bej Ohri


Mustafa Baruti


Dervish Hima



Mati [me 3 delegatë]:


Ahmet Miftar Beu [Ahmet Zogu]


Riza Bej [Çela]


Kurt Bej [Aga Kadiu]



Durrësi [me 4 delegatë]:


Abaz Efendi Çelkupa


Mustafa Agë Hanxhiu


Jahja Ballhysa


Dom Nikollë Kaçorri



Tirana [me 2 delegatë]:


Abdi bej Toptani


Murat bej Toptani



Shijaku [me 3 delegatë]:


Xhelal Deliallisi


Ymer bej Deliallisi


Ibrahim Efendiu



Kruja [me 1 delegat]:


Mustafa Kruja



Elbasani [me 4 delegatë]:


Shefqet Daiu


Lef Nosi


Qemal Karaosmani


Dervish bej Biçaku



Peqini [me 1 delegat]:


Mahmut Kaziu



Gramsh-Tomorricë [me 1 delegat]:


Ismail Qemali



Gjirokastra [me 7 delegatë]:


Azis Efendi Gjirokastra


Elmas Boçe


Veli Harxhi


Myfyd Libohova


Petro Goga


Jani Papadhopulli


Hysen Hoxha



Përmeti [me 2 delegatë]:


Veli bej Këlcyra


Syrja bej Vlora



Tepelena [me 3 delegatë]:


Fehim bej Mezhgorani


Kristo Meksi


Aristidh Ruçi



Çamëria [me 4 delegatë]:


Veli Gerra


Jakup Veiseli


Rexhep Demi


Azis Tahir Ajdonati



Delvina [me 1 delegat]:


Avni bej Delvina



Korça [me 3 delegatë]:


Pandeli Cale


Thanas Floqi


Spiro Ilo



Pogradeci [me 1 delegat]:


Hajdar Blloshmi



Kosova [me 11 delegatë]:


Rexhep bej Mitrovica


Bedri Pejani


Sali Gjuka


Mitat Frashëri


Mehmet Pashë Deralla


Isa Boletini


Riza Bej Gjakova


Hajdin Draga


Dervish bej Ipeku


Zeejnel Begolli


Qerim Begolli



Shkodra [me 1 delegat]:


Luigj Gurakuqi



Vlora [me 6 delegatë]:


Ismail Qemali


Zihni Abaz Kanina


Aristidh Ruci


Qazim Kokoshi


Jani Minga


Eqerem bej Vlora



Kolonia Shqiptare e Bukureshtit [me 4 delegatë, 4 Dhimitër]:


Dhimitër Zografi


Dhimitër Mborja


Dhimitër Berati


Dhimitër Ilo



Ndrisin sot dhe gjithë jetën do të ndrisin ndër shqiptarë Fjalët e Arta që u shkruan e u gdhendën në faqet e gazetës “Përlindja e Shqipniës”, sipas procesverbalit hyjnor për ne të atyre burrave të rëndë të kombit atë mbasdite lavdimadhe të 28 Nëntorit 1912: “Të gjithë delegatët me një zë i pëlqyen fjalët e z. Ismail Qemal Beut dhe vendosën që: Shqipëria të bëhet që sot më vete, e lirë, e mosvarme nën një Qeveri të Përkohshme. Të përplasura duarsh të panumërta e papushim, e pritën këtë vendim. Mbledhja u dërgua për të nesërmen dhe delegatët dolën jashtë të përshëndeti Flamurin që u ngrit në orën 25:30 pas dreke”.


Ky vendim i asaj dite ka hyrë në Historinë e Popullit shqiptar si Akti i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.


Ata që shpallën Pavarësinë për kombin shqiptar janë apostuj të shqiptarizmës, Shenjtorët e Pavarësisë së Shqipërisë.

bottom of page