Edhe familja mbretërore bën “school run” Nga Kate Middleton te Princesha Diana
- Revista Prestige
- 1 day ago
- 4 min read


Rubrika: Familja mbreterore frymezon.
Edhe familja mbretërore bën “school run”
Nga Kate Middleton te Princesha Diana dhe Meghan Markle, si e përjetojnë nënat mbretërore një nga ritualet më të zakonshme të prindërimit.
Për familjet mbretërore, jeta e përditshme rrallëherë është vërtet e zakonshme.
Megjithatë, pas titujve, protokollit dhe angazhimeve zyrtare, ekziston një ritual që i afron me miliona prindër në mbarë botën: rruga e mëngjesit për në shkollë.
Këtë shtator, vëmendja është veçanërisht te familja e Princit dhe Princeshës së Uellsit. Ndërsa Charlotte dhe Louis përgatiten të rikthehen në Lambrook për vitin e ri shkollor, vëllai i tyre i madh, Princi George, po nis një kapitull të ri. Në moshën 13-vjeçare, ai do të fillojë Year 7 në prestigjiozen Eton College, shkollën ku ka studiuar edhe babai i tij, Princi William.
Pallati Kensington e konfirmoi zgjedhjen pas muajsh spekulimesh. William, i cili dikur ka thënë se e shijonte faktin që në Eton mund të sillej “si çdo nxënës tjetër”, duket se do t’ia përcjellë të njëjtën përvojë edhe djalit të tij.
Por për William dhe Kate, përpjekja për t’u dhënë fëmijëve një fëmijëri sa më normale nuk është thjesht një deklaratë
Ajo është parë edhe në mënyrën se si ata janë përfshirë në jetën e përditshme të George, Charlotte dhe Louis.
Kate Middleton, një nënë e pranishme
Në vitin 2019, Kate dhe William u shfaqën të buzëqeshur në portat e Thomas’s Battersea në Londër, në ditën e parë të shkollës së Princeshës Charlotte.
Charlotte, e kapur për dore nga e ëma, hyri në shkollë së bashku me vëllain e saj George. Kate, elegante si gjithmonë, kishte zgjedhur për këtë moment një fustan floral Michael Kors dhe taka blu të errëta.
Tre vjet më vonë, familja u zhvendos nga Kensington Palace në Adelaide Cottage, në Windsor, dhe fëmijët nisën të frekuentonin Lambrook School pranë Ascot.
George, Charlotte dhe Louis u fotografuan së bashku me prindërit e tyre, dorë për dore, gjatë një pasditeje njohjeje në shkollën e re.
Sipas HELLO!, William dhe Kate janë të pranishëm rregullisht në shoqërimin e fëmijëve në shkollë. Madje, gjatë periudhës kur Kate po kryente trajtimin për kancerin, William thuhet se organizonte axhendën e angazhimeve të tij duke marrë parasysh oraret e marrjes dhe dërgimit të fëmijëve në shkollë.
Një tjetër nënë nga komuniteti i shkollës, Panthea Parker, ka folur me admirim për Kate, duke treguar se e sheh shpesh në aktivitetet sportive të fëmijëve.
“Është kaq elegante, kaq e këndshme dhe nuk mungon kurrë në asnjë nga ndeshjet e fëmijëve të saj”, është shprehur ajo.
Diana, princesha që ishte gjithmonë pranë djemve të saj
Shumë përpara Kate, ishte Princesha Diana ajo që e bëri të dukshme një anë më të afërt dhe më njerëzore të prindërimit mbretëror.
Diana njihej për marrëdhënien e ngrohtë me William dhe Harry dhe ishte fotografuar në disa raste duke i shoqëruar djemtë në shkollë.
Një nga fotografitë më të ëmbla daton në prill të vitit 1990, kur Diana u fotografua me dy princat jashtë Wetherby School. William dhe Harry shfaqen me uniformat e shkollës, ndërsa Diana, me një fustan me printime dhe një xhaketë bomber prej kamoshi në ngjyrë kafe çokollatë, dukej si një nënë moderne e kohës.
Ishte pikërisht kjo anë e saj, më pak formale dhe më e afërt, që e bëri Dianën një figurë kaq të dashur për publikun.
Sarah Ferguson dhe vajzat e saj
Edhe Sarah Ferguson, Dukesha e Jorkut, është fotografuar në një nga ato momente të zakonshme, por të paharrueshme të fëmijërisë.
Në vitin 1994, ajo shoqëroi vajzën e saj më të vogël, Princeshën Eugenie, në ditën e parë në Upton School në Windsor.
Eugenie, me uniformën blu të errët, një xhaketë të vogël dhe kapelën boater, shfaqej e buzëqeshur, ndërsa pranë saj ishte motra e madhe, Princesha Beatrice, me një çantë shpine rozë.
Një fotografi që sot duket si një kujtim i vogël familjar, por që dokumenton një tjetër brez të familjes mbretërore duke nisur ditët e para të shkollës.
Meghan Markle: “Është një qark i madh”
Në anën tjetër të Atlantikut, edhe Meghan Markle ka folur hapur për rutinën e mëngjesit me fëmijët e saj, Archie dhe Lilibet.
Gjatë një interviste në podcast-in The Jamie Kern Lima Show, Meghan tregoi se përpiqet t’i çojë vetë fëmijët në shkollë kur nuk ka takime në mëngjes.
“Janë në dy shkolla të ndryshme, kështu që është një qark i madh”, shpjegoi ajo.
Meghan tregoi se, në ditët kur e bën vetë “school run”, dita e saj nis që në orën 6:30 të mëngjesit dhe ajo nuk kthehet në shtëpi deri rreth orës 9:00.
Në ditët kur ka angazhime të tjera, detyrën e merr përsipër dadoja e familjes, e cila, sipas Meghan, ka qenë pranë tyre prej pesë vitesh.
Megjithatë, jeta familjare e Sussex-ëve ka marrë një tjetër kthesë pas rikthimit të tyre në Britani muajin e kaluar.
Meghan ka pranuar më parë se një “school run” në Britani mund të shndërrohej në një “frenzy” – një situatë kaotike për shkak të vëmendjes së publikut dhe medias.
Pavarësisht kësaj, thuhet se Harry dhe Meghan janë të vendosur që, sa herë të jetë e mundur, ta bëjnë vetë këtë pjesë të rutinës së fëmijëve të tyre.
Një ritual i zakonshëm, edhe për familjet mbretërore
Nga Diana te Kate, nga Sarah Ferguson te Meghan Markle, fotografitë dhe rrëfimet tregojnë të njëjtën gjë: pas kurorave dhe titujve, edhe familjet mbretërore përballen me ato momente të vogla që përbëjnë jetën familjare.
Një dorë e vogël që mbahet fort. Një uniformë e re. Një ditë e parë në shkollë. Një prind që nxiton të kthehet në shtëpi përpara takimit të radhës.
Në një jetë ku pothuajse çdo hap është pjesë e protokollit, “school run” mbetet një nga ato rituale që i bëjnë familjet mbretërore të duken, për një çast, thjesht si familje.
Pergatiti: Rrevista Prestige


