top of page

Prozè nga Fan Noli. Sufleri i madh



Prozè nga Fan Noli.

Sufleri i madh

Heshtja mbretëron kur flet ai.

Me një shenjë të tij ngrihet shtrëngata dhe bie rrufeja përpara kalimtarëve të tmerruar - gjithësia kthen shikimin.

Heshtje varri. Sufleri i madh farkëton një tragjedi të re.

Spektatorët e vuajtur përgatiten me një padurim nervoz. Libri i fateve njerëzore hapet. Dëgjohet fëshfërima e faqeve të kthyera.

Befas kryhen dy vrasje: nëna vret të birin dhe bashkëshorti nënën. Sufleri bëri gabim. Fillon nga mesi. Pse aktorët nuk e kuptuan gabimin? Mos mund të vepronin ndryshe? Sufleri i tha dhe çdo gjë që thotë ai, duhet të zbatohet.

Ai është i fuqishëm, sepse zëri i tij është prej balte. Ka fuqinë e Anteut. Disa e kanë përvetësuar aq mirë rolin e tyre, sa nuk ia kanë më nevojën suflerit. Sufleri rishtaz hesht.

Ai ndodhet aty dhe mbikëqyr. Sa të harrojë ndokush ndonjë fjalë a lëvizje, ia kujton. Perëndia e caktoi aty që të drejtojë njerëzimin, po kurrë nuk është gjetur një sufler i perëndishëm.

Është dhe vetë njeri, përderisa u takon njerëzve. Është dashuri për të dashuruarit, xhelozi për xhelozët, hakmarrje e tërbuar për të dënuarit e mjerë të shoqërisë.


Sufleri, pra, mund të bëhet herë-herë smirëzi dhe nga ligësia ose nga dobësia njerëzore dikton keq, dhe atëherë vajmedet për botën, vdekja mbërrin në çastin që ndalet. Për këtë Perëndia ndërron shpesh, kurse njerëzia i sheh të gjitha këto gjëra të çuditshme dhe nuk kupton se ç'po ndodh.


Nuk ka mundësi të shpjegojë harmoninë që ekziston në kontradikta të mëdha. Befas dëgjohet zëri i ngjirur i suflerit, i cili thotë fjalët thatë, po ashtu aktorët i përsëritin me pasion. E fshehta shpjegohet, e megjithatë populli bërtet: "Heshtje, heshtje suflerit!"

Bota kënaqet me gënjeshtrën, që shëtit nëpër skenë, dhe jo me të vërtetën, që rri në prapaskenë... me zërin e tharë ndër shekuj... Me fytin prej balte.


Fan Noli

Prozë poetike (

1903)

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

© Revista Prestige 2023 - 2026

  • Facebook
  • Instagram
  • Pinterest
  • Twitter
  • LinkedIn
  • Whatsapp
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • Pinterest
bottom of page