FJALA E ISMAIL QEMALIT – 28 NËNTOR 1912, VLORË
- Founding Publisher.LP

- Nov 27
- 2 min read

FJALA E ISMAIL QEMALIT – 28 NËNTOR 1912, VLORË
“Oh! Sa të lumtur që e ndiej veten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaq burra shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.
Plot me gaz e me lot ndër sy nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesinë e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë së Lirë.
Porsi ëndërr më duket ky ndryshim i madh i vendit tonë, që hoqi e vuajti të zezat pesëqind vjet me radhë nën sundimin turk, por që tani në kohët e fundit ishte gati të jepte shpirt përgjithmonë, të shuhej e të zhdukej krejtësisht nga faqja e dheut.
Kjo Shqipëri, që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri që, kur kërcënohej Europa nga pushtimet e Turqisë, nën kryetrimin e pavdekshëm Skënderbeun, u bë porta e hekurt kundrejt sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më të egër që ka pasur Turqia.
Mirëpo deshi Zoti që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë, sepse këtej e tutje jemi të LIRË, të PAVARUR dhe MË VETE. Prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’i arritur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëve dhe puna e vlefshme e patriotëve tanë dhe e të gjithë shokëve që morën pjesë në këtë mbledhje, si edhe e gjithë juve, që tani po ju gufon zemra nga gëzimi i madh që ndieni.
Mbledhja, si më plak që jam, ma ngarkoi mua ngritjen e shenjtë të shenjës sonë kombëtare, të flamurit tonë të ëndërruar e të dashur.”
(Ismail Qemali nxjerr Flamurin e kuq me shqiponjë dykrenare dhe e ngul në shtyllat e ballkonit. Turma brohoret: “Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria e Lirë!”)
“Ja pra, ky është Flamuri Ynë i kuq me shqiponjën dykrenare të zezë në mes.
Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta mburuar, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije Atdheut tonë të Lirë.
Të përfundoj, s’më mbetet gjë veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që bashkë me bekimet e Tij që i lypi të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i lirë Flamuri ynë në Atdheun tonë të lirë.
Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria!”


