Kujtimet e Elizabeth Taylor Nëpër fushat e fëmijërisë, reflektorët e lavdisë dhe hapat e shpirtit njerëzorr
- Apr 16
- 4 min read

Kujtimet e Elizabeth Taylor
Nëpër fushat e fëmijërisë, reflektorët e lavdisë dhe hapat e shpirtit njerëzorr
"Fëmijëria në Angli: ëndrra nën mjegull"
Elizabeth Rosemond Taylor lindi më 27 shkurt 1932 në Hampstead të Londrës. Ishte një fëmijë me sy të thellë purpur dhe një shpirt që dukej sikur e dinte që herët se do të jetonte shumë jetë përnjëherë. Prindërit e saj, Francis, një tregtar arti nga Amerika, dhe Sara, një ish-aktore që kishte braktisur skenën për t'u përkushtuar familjes, i dhanë një fëmijëri të butë, plot dashuri dhe ëndrra.
Shtëpia e tyre në Angli ishte e mbuluar me trëndafila dhe e mbushur me art, muzikë dhe aromën e çajit të pasdites. Nëna e vishte me fustane pambuku të qepura me dorë dhe i lexonte Shakespeare me zë të lartë, sikur të ishte një princeshë e vogël e teatrit.
Kur nisi Lufta e Dytë Botërore, familja Taylor u shpërngul në Los Anxhelos. Elizabeth atëherë nuk e dinte, por me atë udhëtim la pas jo vetëm lodrat dhe kopshtin me trëndafila, por edhe fundin e fëmijërisë. Amerika do t’i jepte lavdi, por jo më paqe.
"Filmat që e bënë legjendë: kinemaja si fat"
Ishte vetëm nëntë vjeçe kur studioja Universal i hapi derën. Pas disa roleve të vogla, erdhi National Velvet, një film që do ta bënte yll. Në atë histori, ajo nuk ishte thjesht një vajzë që donte të ngiste kalin në garë — ajo ishte vetë Velvet, e guximshme, e ndjeshme, e pangopur për jetë.
Më pas, suksesi shpërtheu si një stuhi. A Place in the Sun, Giant, Cat on a Hot Tin Roof, Butterfield 8, Cleopatra… Në çdo film, ajo nuk luante thjesht një personazh — ajo i jetonte ata. E sidomos në Cleopatra, aty ku shkëlqimi i skenës u përzie me pasionin e jetës reale. Atje filloi historia e saj me Richard Burton-in, një dashuri që do ta ndiqte gjatë gjithë jetës, me shpërthime dhe ndarje, me puthje të zjarrta dhe heshtje të dhimbshme.
"Për dashurinë dhe martesat"
Ajo nuk dashuronte lehtë. Çdo ndjenjë e përjetonte thellë, plot zjarr, pa frikë. Martesat e saj ishin të shumta, por jo të lehta. “Nuk ishte tipi që ndjen dhe ikën,” thoshin për të — sepse ajo e donte dashurinë si art, si betejë, si jetë. Për të, çdo burrë që dashuroi kishte qenë një univers më vete.
"Për diamantet"
Elizabeth nuk kishte kërkuar kurrë një diamant, por nuk i kishte thënë asnjëherë jo kur vinin me zemër. Ai 33.19 karatëshi i famshëm? Nuk ishte vetëm gur — ishte histori, premtim, dhe njëfarë mënyre, mburojë. Shpesh e përqeshnin për këtë pasion, por ajo i shihte diamantët si kujtime të pakthyeshme, të ngrira në shkëlqim.
"Për Hollywood-in"
Hollywood-i i dha shumë, por i mori edhe më shumë. E rriti, e bëri të famshme, por edhe e detyroi të piqej shpejt. Që fëmijë, i tregonin si të qeshte, si të qante, kur të ishte e bukur dhe kur të rrinte në hije. Ishte një botë e shkëlqyer, por jo gjithmonë e ndritshme.
"Michael Jackson: shpirtra që njohën vetminë"
Ndër miqtë më të afërt, Michael Jackson kishte një vend të veçantë. Ai ishte një shpirt i brishtë, i pasur me ndjenja, i mbrojtur pas një bote imagjinare. Midis tyre kishte diçka të rrallë — një ndjeshmëri e përbashkët, një gjuhë që nuk kishte nevojë për fjalë. Elizabeth ishte drita për të kur ai e humbiste veten në errësirë, dhe ai e kthente buzëqeshjen e saj në një përqafim të qetë.
"Sëmundja: trupi e tradhtonte, por shpirti jo"
Ajo kaloi më shumë operacione se ç’mund të mbante mend. Trupi i saj u lodh, por asnjëherë nuk u dorëzua. Kishte dhimbje, kishte frikë, por nuk lejonte që ta shihnin si të dobët. Përtej bukurisë, ajo ishte qëndrueshmëri. Një grua që sfidoi vdekjen me buzëqeshje, dhe mbijetoi atje ku të tjerët do të kishin rënë.
"Bamirësia: dashuri që bëhet veprim"
Kur bota heshti për AIDS-in, Elizabeth nuk mund të rrinte pa folur. Pa frikë, pa dorashka, ajo ngriti zërin për ata që nuk kishin më zë. Themeloi fonde, mbajti fjalime, sfidoi paragjykimet. Nuk e bëri për kamerat — e bëri sepse dhimbja e të tjerëve i lëndonte shpirtin.
"Për bukurinë"
Të gjithë flisnin për sytë e saj — ata sy të rrallë, që ndryshonin ngjyrë me dritën. Por rrallëkush e kuptonte sa herë kishte qarë me ta. Bukuria mund të ishte dhuratë, por edhe burg. Ajo nuk donte të ishte thjesht një imazh; donte të ishte një njeri që mbante botën mbi supe dhe sërish ecte
Elizabeth Taylor nuk ishte vetëm ajo që u shfaq në ekran. Ishte një vajzë që vinte nga Londra me ëndrra, një bijë e prindërve të ndershëm, një grua që kishte dashuruar me zjarr, luftuar me krenari dhe dhënë më shumë dashuri sesa kishte marrë. Një ikonë, po, por mbi të gjitha: një njeri që jetoi çdo ditë me gjithë zemrën.
"Familja: Dashuritë e para dhe të përjetshme"
Elizabeth nuk ishte vetëm yll i ekranit — ajo ishte edhe një motër, një bijë dhe, mbi të gjitha, një nënë. Vëllai i saj më i madh, Howard, kishte qenë shoku i parë i jetës. Ai ishte mbështetja e saj e heshtur, ai që e njihte përtej famës dhe lenteve të kamerës. Me të ndante kujtimet nga fëmijëria në Angli, të fshehtat e para, dhe ato të qeshurat që vetëm një fëmijëri e vërtetë mund të dhurojë.
Por lidhja më e thellë ishte ajo me fëmijët e saj — Michael, Christopher, Liza dhe Maria. Secili prej tyre kishte një vend të veçantë në zemrën e saj, që nuk mund të zëvendësohej nga askush. Në mes të xhirimeve, turneve, skandaleve mediatike, ishte nëna që kthehej në shtëpi dhe lexonte përralla, puthte ballët e tyre dhe thoshte "Mami është këtu."
I donte me një dashuri të pakushtëzuar, ndonjëherë të frikshme për nga intensiteti. “Fëmijët e mi janë trofetë e mi më të mëdhenj,” kishte thënë njëherë. Nuk kishte rol që të kishte vlerë nëse nuk ishte e pranishme për ta. Ata ishin jeta e saj përtej skenës, motivimi për të luftuar, për të jetuar më gjatë dhe për të gjetur paqen kur gjithçka dukej si stuhi.
Pergatiti:
Liliana Pere.