top of page

Kur nata me ditën ndahen Poezi nga Prof Shefkije Islamaj.

  • Jan 26
  • 1 min read




KUR NATA ME DITËN NDAHEN


Kur nata me ditën heshtazi

ndahen

e kufijtë e tyre vështirë dallohen,

kur perdet e territ mezi

mbahen

e ëndrrat, pa “fjalë”,

zhgjëndrrës i dorëzohen,

unë hap sytë e mendohem.


Por, sakaq drita feks mashtrueshëm

me plot naze,

mbi të shumtat pullaze,

atëherë unë hap pa u ndier

dritaren,

që mushkëritë të më ajrohen

e mendja e shpirti të m’qetohen.


Besoni, s'm'u dhimbs fare kjo

e mbrëmshmja natë e qetë,

që braktisi paqësisht pushtetin

aq lehtë,

as pse trupi e mendja ime u pajtuan

pa hatërmbetje aq shpejt,

por u bëra helm pse pamëshirë

ëndrrës e zhgjëndrrës

u hyri ndërmjet.


Nata u nda lehtë nga dita në të lemë,

e ajo me vrap sakaq mori dhenë,

e grisi dhe e fërfëlloi rrëmbyeshëm

pëlhurën e errët,

pa dëshmitarë, pa yje e hanë

nisi të shpërndajë dritë anëpëranë

arave, fushave e lumenjve

të kthjellët.


Dita zbardhi qetas, e ftohtë,

me mjegull, erë thëngjilli

e plumb qielli,

askund s'duket farë gjurmë dielli.

E pritshtme,

është dimër fundjanar

e janari ushtron palëkundshëm

të vetin pushtet me acar.


Nata m’i mori me vete peng

do grimca e fije kujtimesh

të simes jetë,

që firuan e u përplasën në theqafje

mbi retë,

vrik u kthyen plagosshëm

si në funddet.

U pajtova, ç’të bëja?


Dita, si përherë e si moti,

çdo gjë hesht e zbardh,

po kush mund të luftojë

me ligjet e shkruara

në fillesën e parë?

Mua s'më mbetet sot gjë tjetër

pos t'i dorëzohem zakonit tim të vjetër:

të qes shkronja e fjalë në të bardhën

e të drunjtën letër.


24.1.2026

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page