top of page

Në poezitë e Kadaresë vjeshta është e pranishme si simbol i kalimit të kohës, melankolisë dhe bukuri





ree


Rrevista Prestige :

Ju uron nje Tetor dhe vjeshtè te mbarè me Poezitè e shkrimtarit tè madh Ismail Kadare


Në këto poezi, vjeshta është e pranishme si simbol i kalimit të kohës, melankolisë dhe bukurisë që tretet. Ajo shfaqet me imazhe të gjalla: fletë që mbulojnë parkun, hëna e vonë, dritat e qytetit dhe ngjyrat “krifëverdhë” që ruajnë ditët e fundit përpara dimrit. Vjeshta ndihmon të përçojë ndjesinë e nostalgjisë, të pritjes dhe mallëngjimit.


Ismail Kadare/ Poezi


Në parkun që mbuluan fletët


Në parkun që mbuluan fletët

Të dy ne ecim qetësisht,

Pas shijes saj ka shtruar vjeshta

Qilim të verdhë natyrisht.


Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë

Ju fanit një muzg i vonë

Ky park që e kan’ mbuluar fletët

Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.


Nga vagabondët me cigare

Ti mos u tremb e dashur kot

Imazhin tënd as dinosaurët

Shekuj më parë s’e shtypën dot.


Që ti të vije kaq e bukur

Me këta flokë, me këtë hap,

Toka të egrën klimë e zbuti

Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.


Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe

Të ndodhte ndryshe s’kish se si.

U desh të zhdukeshin përbindëshat

Që te kjo botë të vije ti.


Ti dhe hëna


Kësaj nate me hënë të vjeshtës

Dola fushës të bredh kuturu.

Retë shtohen me vrap pa reshtur,

Hëna duket aty-këtu.


Porsi vetë mendimet e mia

Po më shtyhen ndër mend më shpesh

dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti

si kjo hënë që duket mes resh.


Hëna shpejt do të zhduket dhe netët

do të mbeten pa të, kurse ti

në ëndërrimet e mia pa jetë

perëndim s’do të kesh kurrsesi.


DITE VJESHTE


Autobusët urbanë nga periferitë

Drejt qendrës mbi xhama bien brymën

Vjeshta si luaneshë krifëverdhë

Ruan ditët e fundit nga dimri.


Te vitrinat, tek xhamat e kafeve

Kalimtare të shumtë ka

Në reflekset e flokëve të tua

Një nuancë e kuqërremtë ra.


Pranë ditëve të tua të bardha

Kalova sot rastësisht

Ti u trembe…unë ujk nuk jam

Po as dele nuk jam natyrisht.


Po ti eja andej të shkojmë

Pa i përfillur fjalët e botës

Ku nga avulli xhamat e kafeneve

Ngjajnë si pamje që s’janë në fokus


Në autobusët urbane eja

Të kalojmë periferive me brymë

Të shohim se si vjeshta krifëverdhë

Ruan ditët e fundit nga dimri.


Ismail Kadare/ Poezi


Ca pika shiu ranë mbi qelq.

Për ty unë befas ndjeva mall.

Jetojmë të dy në një qytet,

Dhe rrallë shihemi sa rrallë.


Edhe m’u duk pak e çuditshme

Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.

Qiejt e ngrysur pa lejlekë

Dhe shirat pa ylber në mes.


Dhe thënia e vjetër e Heraklitit

Seç m’u kujtua sot për dreq:

“Të zgjuarit janë bashkë në botë,

Kurse të fjeturit janë veç”.


Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,

Që dot s’po zgjohemi vallë?…

Ca pika shiu ranë mbi qelq

Dhe unë për ty seç ndjeva mall


Revista Prestige

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page