Pesë ngjarje reale, një ndërgjegje që formohet hap pas hapi që e motivuan Dotojevskin të behet shkrimtar i madh
- Founding Publisher Author.LP

- Jan 17
- 4 min read

Rrevista Prestige
Pesë ngjarje reale, një ndërgjegje që formohet hap pas hapi që e motivuan Dotojevskin të behet shkrimtar i madh.
Analizë.
Vdekja e babait: zbuloi përgjegjësinë e mendimeve dhe trashëgiminë e fajit.
Skela: tregoi vlerën absolute të jetës dhe ndërgjegjësinë për vdekjen e afërt.
Siberia: shpalosi brishtësinë e njeriut dhe forcën që lind nga durimi dhe integriteti në vuajtje.
Ungjilli: zhvilloi besimin tragjik, ku shpëtimi vjen nga pranimi i vuajtëëjes dhe reflektimi mbi vetveten.
Bixhozi: ilustroi rrezikun e lirisë pa disiplinë dhe nevojën për të mësuar nga gabimet.
Secila ngjarje formon ndërgjegjen dhe dijen e brendshme, duke treguar se zhvillimi dhe përparimi i njeriut lindin nga përballja me kufijtë, errësirën, gabimet dhe vuajtjen.
Pershkrimi interesant i ngjarjeve.
1 Ngjarja e pare.
Gjithçka nis me figurën e babit, sepse aty lind për herë të parë ideja e krimit pa dorë dhe e fajit pa gjykatë. Në vitin 1839, Dostoevsky ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç kur i ati, Mikhail Andreevich Dostoevsky, vdiq në rrethana të paqarta.
Zyrtarisht u tha se ishte goditje në tru; jozyrtarisht, u përfol se ishte vrarë nga fshatarët e tij, të shtypur prej mizorisë, alkoolizmit dhe dhunës së një pronari tokash që kishte humbur çdo masë njerëzore.
Askush nuk e vërtetoi kurrë këtë version. Por për Dostoevskyn, fakti ishte dytësor. Vendimtare ishte ideja. Besimi se një njeri mund të vritet nga urrejtja që ka mbjellë.
Besimi se dëshira kolektive për vdekje është tashmë krim. Kjo ngjarje shënoi edhe shfaqjen e krizave të para epileptike dhe mbolli pyetjen që do të përshkojë gjithë veprën e tij: a jemi fajtorë vetëm për atë që bëjmë, apo edhe për atë që dëshirojmë në heshtje?
Vëllezërit Karamazov janë jehona e drejtpërdrejtë e kësaj plage: parricidi si krim shpirtëror i ndarë mes shumë vetëdijesh.
2.Ngjarja e dytë është skela, momenti kur jeta i hiqet dhe i kthehet brenda të njëjtit frymëmarrje.
Më 22 dhjetor 1849, në Shën Petersburg, Dostoevsky qëndronte përballë pushkëve, i veshur me tunikën e bardhë të të dënuarve për vdekje. Dënimi ishte lexuar, shtyllat ishin gati, koha ishte shndërruar në sekonda të zhveshura nga çdo iluzion.
Ai nuk mendoi për lavdi, as për ide – mendoi vetëm për vëllanë e tij. Dhe pikërisht atëherë, në çastin e fundit, mbërriti urdhri i carit: falje.
Por kjo nuk ishte falje njerëzore. Ishte një ekzekutim psikologjik i plotë. Cari e lejoi të vdiste brenda vetes përpara se ta linte të jetonte.
Që nga ajo ditë, Dostoevsky e dinte se dënimi me vdekje nuk është vrasje e trupit, por përdhunim i shpirtit. Kjo përvojë u bë boshti moral i gjithë veprës së tij dhe u shndërrua në një akuzë të përhershme ndaj çdo forme drejtësie që shkel jetën në emër të rendit.
3.Ngjarja e tretë është Siberia, ku teoria vdes dhe njeriu mbetet. Katër vjet burg i rëndë në Omsk, mes kriminelëve të zakonshëm, vrasësve dhe të dënuarve të harruar nga shoqëria, e zhveshën Dostoevskyn nga çdo romantizëm intelektual.
Aty ai mësoi se njeriu nuk është ide, por kontradiktë e gjallë; se e keqja nuk është abstrakte, por konkrete, e përditshme, banale dhe e frikshme.
Pas burgut, shërbimi ushtarak i detyruar si ushtar i thjeshtë, pa të drejtë ngritjeje, e thelloi poshtërimin.
Trupi u dobësua, epilepsia u përkeqësua, por vetëdija u mpreh. Nga kjo përvojë lind koncepti i tij radikal: vuajtja nuk e pastron njeriun automatikisht, por ia heq maskat.
Shënime nga Shtëpia e të Vdekurve nuk janë dëshmi sociale; janë antropologji morale.
4.Ngjarja e katërt është takimi me Ungjillin, po në Siberi, dhe është çelësi që lidh gjithçka. I privuar nga librat, Dostoevsky kishte vetëm Dhjatën e Re, dhuratë nga gratë e Dekabristëve. Ky tekst nuk i solli paqe, por një besim tragjik, të lindur jo nga siguria, por nga fundi.
Ai pa se edhe në njeriun më të rënë ekziston një shkëndijë që nuk shuhet plotësisht.
Këtu lind bindja e tij më e rrezikshme për modernitetin: shpëtimi nuk vjen nga drejtësia, por nga vuajtja e pranuar lirisht.
Jo ligji, por mëshira. Jo forca, por përulësia. Ky besim e bëri skeptik ndaj utopive, ndaj socializmit ateist, ndaj çdo projekti që premton parajsë pa kryq.
Nga ky moment lind Dostoevsky metafizik: ai që beson se një botë pa Zotin nuk e zhduk krimin, por ia heq kuptimin fajit.
Këto katër ngjarje nuk janë episode biografike. Janë katër shkallë zbritjeje në thellësinë njerëzore.
Babai i dha idenë e fajit. Skela i dha njohjen e vdekjes. Siberia i dha njeriun real. Ungjilli i dha kuptimin e vuajtjes. Dhe prej këtij kombinimi lindi një letërsi që nuk ngushëllon, por zgjon; që nuk shpëton, por detyron të shohësh.
5.Ngjarja e peste.
Ngjarja e varësisë së tij nga bixhozi, e cila është një tjetër përvojë vendimtare që e formoi jo vetëm karakterin, por edhe vizionin moral dhe psikologjik të Dostoevskit:
Gjatë viteve pas lirimit nga Siberia, kur jeta e tij ishte ende e paqëndrueshme dhe shëndeti i tij fizik dhe nervor i brishtë, Dostoevsky ra në një varësi të fortë nga bixhozi.
Fillimisht e nisi si lojë, një përpjekje për të shlyer borxhet dhe për të rifituar njëfarë kontrolli mbi jetën e tij ekonomike, por shumë shpejt loja u shndërrua në një makineri shpirtërore që e konsumonte.
Ai humbiste, fitoi pak, humbiste përsëri, por çdo humbje ishte një torturë morale, një konfrontim i drejtpërdrejtë me dëshirën, fajtimin dhe vetëvlerësimin.
Në këtë përvojë, bixhozi nuk ishte thjesht problem financiar, por laborator psikologjik.
Ai zbuloi se njeriu, edhe kur ka tërë arsyen dhe njohuritë për të shmangur gabimet, mund të vetë-shkatërrohet për t’i dhënë lirinë epsheve dhe pasioneve të tij. Këtu u formua gjithashtu aftësia e tij e jashtëzakonshme për të portretizuar psikologjinë e skajshme të personazheve, si Raskolnikovi në Krim dhe Ndëshkim apo Aleksei në Lojtari.
Humbjet, turpi dhe shkatërrimi i vetëdijshëm i vetes i dhanë material të papërsëritshëm për të kuptuar moralin e brishtë, kontradiktën midis arsye-së dhe dëshirës, dhe natyrën tragjike të lirive të pavetëdijshme.
Kjo përvojë e hapi përpara një të vërtetë thelbësore: liria pa disiplinë shpirtërore është vetë-destruktive, dhe njeriu shpesh e mëson këtë vetëm duke u përballur me humbjen ekstreme.
Për Dostoevskyn, bixhozi u bë simboli i konfliktit të brendshëm të çdo njeriu: dëshira për të kontrolluar fatin e tij dhe fuqinë e përkohshme e lumturisë, përballë pasojave të pashmangshme morale dhe ekzistenciale.
Në këtë mënyrë, ngjarja e bixhozit nuk është vetëm episod biografik i dhimbshëm, por kornizë filozofike dhe morale: ajo ilustron se shpëtimi nuk është gjithmonë jashtë, në shoqëri apo ligj, por brenda vetëdijes, në vetëdijen që duhet të përballesh me pasionet dhe të pranosh kufijtë e vetes.
Autor.
Liliana Pere


