Prof. Arben Baboçi kardio-kirurg i shquar, humanist, yll i mjekësisë shqiptare.
- Founding Publisher.LP

- Nov 18
- 21 min read
Updated: Nov 19

Prof. Arben Baboci kardio-kirurg i shquar, yll i mjekesise shqiptare.
1.Portret reflektiv
2. Intervista me Prof.Kardio- kururgun e shquar
Prof. Dr. Arben Baboçi është një dritë e mjekësisë shqiptare, ku humanizmi i tij i lartë dhe shkenca bashkohen në çdo veprim. Si kardiokirurg, ai transformon e shëron zemrat e pacientëve, duke hapur shtigje të sigurta ku të tjerët ecin me besim.
Si profesor dhe mentor, ai ndricon breza të rinj me dijen dhe përkujdesjen e tij, duke e kthyer mësimdhënien në art. Figura e tij monumentale eshtë mhaft e dashur e respektuar në publik, ndriçon jo vetëm mjekësinë, por gjithë historinë dhe të ardhmen e kujdesit shëndetësor.
✨️✨️✨️
Rruga profesionale e Prof. Dr. Arben Baboçit është një udhëtim ku shkenca e mjekësisë shndërrohet në art të precizionit dhe humanizmit; çdo hap i tij, nga diplomimi si Mjek i Përgjithshëm më 31 Maj 1980, specializimi në Kirurgji të Përgjithshme më 25 Dhjetor 1982 dhe më pas në Kirurgji Kardiovaskulare më 14 Tetor 1988, deri te eksperiencat ndërkombëtare në Hôpital Laënnec në Paris dhe në Kardiokirurgjinë Pediatrike në Itali, tregon përkushtimin ndaj pacientëve dhe studentëve, duke kthyer secilën ndërveprim në një përvojë të ndjeshme dhe mësimore, një reflektim i përkushtimit të Louis Pasteur ndaj të panjohurës dhe zbulimeve që kërkojnë guxim dhe rigorozitet.
Doktoratura më 1997 mbi mjekimin kirurgjikal të Tetralogjisë Fallot dhe emërimet si Profesor i Asociuar më 2010 dhe Profesor më 2015, si dhe anëtarësimi në Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave më 2012, janë stacione ku titujt bëhen dëshmi të një mendjeje që qëndron më gjatë me problemet; në këto momente, krahasimi me René Laënnec duket i natyrshëm: ashtu si ai revolucionarizoi dëgjimin e zemrës, Prof. Baboçi transformon trajtimin kirurgjikal, duke bashkuar precizionin teknik me humanizmin dhe kujdesin për individin.
Si pedagog, ai ka shtrirë ndikimin e tij në Kirurgjinë e Përgjithshme dhe Kardiovaskulare, duke qenë profesor i ftuar në Ancona, Rotary Club Chieti/Ancona dhe Universitetin e Kosovës, si dhe lektor në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë” gjatë viteve 2015–2024, ku çdo lekse dhe demonstrim praktik është një akt i përjetësimit të dijes, një rezonancë intelektuale ku formimi i mendjeve të reja shoqërohet me përkujdesje dhe vëmendje ndaj studentëve. Përvoja e gjatë në reformën e shëndetësisë, nga 1999 deri në 2024, ku ka drejtuar struktura spitalore, ka koordinuar projekte kombëtare dhe ka udhëhequr
Kardiokirurgjinë Pediatrike dhe të Rriturve, është si të rishkruash një ekuacion kompleks, ku çdo vendim i vogël forcon sistemin dhe përmirëson jetën e pacientëve; krahasimi me
Michael DeBakey duket i natyrshëm, pasi si ai hapi rrugë të reja në kirurgjinë vaskulare, Prof. Baboçi ka hapur shtigje ku të tjerët ecin me siguri.


✨️✨️
Si studiues dhe figurë shkencore, bashkëautorësia në libra mbi kirurgjinë mitrale dhe kardiokirurgjinë pediatrike dhe adulte, 214 prezantime në kongrese, 29 artikuj me Impact Factor dhe 30 publikime kombëtare e bëjnë çdo botim një grimcë drite që sfidon harresën, një pasqyrim i vizionit dhe rigorozitetit
Prof Baboçi ngjason me Louis Pasteur ku shfaqet në momentet e sfidës: ashtu si ai u përball me të panjohurën dhe zbulimet e rrezikshme me guxim dhe disiplinë shkencore, edhe Prof. Baboçi hyn në kompleksitetin e zemrës njerëzore me precizion, humanizëm dhe vizion, duke e kthyer shkencën në instrument për të shërbyer jetës dhe për të edukuar breza të rinj.
Familja e Dr Baboçit.
Familja e Prof. Dr. Babocit është një familje jashtëzakonisht e veçantë dhe e respektuar. Bashkëshortja e tij është një mjeke stomatologe e njohur për profesionalizmin dhe përkushtimin e saj. Dy vajzat, të cilat kanë ndjekur të njëjtën rrugë, janë gjithashtu mjeke stomatologe, duke e bërë familjen një model të shkëlqyer të traditës akademike dhe humane.

Projeketet ndërkombëtare me Itali, SHBA dhe Izrael, si dhe themelimi i strukturave të reja mjekësore si Telemedicina dhe Kardiokirurgjia Pediatrike, dëshmojnë se veprimi i tij ndërton jo vetëm për të tashmen, por për brezat që vijnë.
✨️Titujt dhe dekorimet, përfshirë “Qytetar Nderi” në Gjirokastër, dhe njohuritë e gjuhëve të huaja — Frëngjisht, Anglisht dhe Italisht — shërbejnë si ura dhe dritare për të kuptuar botën dhe për të ndarë dijen me të tjerët, ndërsa pjesëmarrja në shoqata profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare e lidh me komunitetin global, duke i dhënë formë një galaktike mendimesh ku çdo kontribut ndriçon tërësinë.
✨️Çdo hap i Prof. Baboçit tregon se identiteti profesional është pikënisje, ndërsa veprimi, humanizmi dhe ndikimi shkencor e shndërrojnë emrin në institucion dhe përjetësi.

✨️✨️✨️✨️✨️✨️✨️✨️✨️
Intervista me Prof Arben Baboçin.
I nderuar Prof Baboçi
Për njohje më te thellë nga publiku i gjerë, dhe bota akademike të figurës tuaj.
Si dhe të benim një kujtesë te viteve të arta të eksperiencave tuaja, do tu lutesha të pergjigjeshit këtyre pyetjeve:
1. Pyetje
Si ka formuar mjedisi juaj familjar, dhe aspiratat e babait tuaj për mjekësi në Paris, vizionin tuaj mbi jetën dhe trupin njerëzor? Cilët aspekte të biologjisë së zemrës ju kanë intriguar më shumë dhe pse?
Përgjigje : Në rrethin tim familjar ka patur disa mjekë të njohur por asnjë prej tyre nuk më ka nxitur për të ndjekur studimet në Mjekësi. Xhaxhai im, Hysen Baboçi, një nga neurologët më të njohur në vënd, më thoshte në atë kohë, që të mos zgjidhja mjekësinë, mesa duket për ta kursyer nipin nga jeta e vështirë, plot stres, sakrifica e privacione e një mjeku. Ishte babai im, që e dëshironte megjithë shpirt që unë të bëhesha mjek, ndoshta si për të plotësuar një ëndër të parealizuar të rinisë së tij. Besoj se ai është nisur edhe nga natyra e karakteri im si dhe nga dëshira dhe vullneti, që kisha për të lexuar e studiuar. Më pas, gjatë jetës studentore dhe asaj profesionale, kam pasur një ikurajim dhe mbështetje të plotë nga prindërit e mi të mrekullueshëm, nga vëllai im dhe sidomos nga Eva, shoqja ime e jetës, e cila i përballoi pa u ankuar privacionet, që lindnin nga natyra e punës time.
Në rininë time të herëshme më tërhiqte shumë biologjia, më ngjallte shumë kërshëri bota e kafshëve, sidomos organizmi i njeriut si krijesa më perfekte e botës së gjallë. Sigurisht, në atë kohë nuk mund të kishe “preferenca” për organe të veçantë për vetë stadin e njohurive në atë moshë. Vetëm truri mund të veçohej për natyrën e tij thuajse mistike. Për zemrën dhe rrahjet e saj, më shumë na binte në mënd gjatë veprimtarive sportive apo në mbrëmjet e vallzimit. Sigurisht, që studimet gjatë viteve në Fakultetin e Mjekësisë ndikuan në kristalizimin e preferencave për disa specialitete, ndër të cilët zemra zinte padyshim vëndin e nderit për mua.
2. Pyetje
Cilat momente të hershme gjatë specializimit tuaj në Kirurgji të Përgjithshme dhe Kardiovaskulare ju bënë të kuptoni se donit të jepnit kontribut në fushën e zemrës, dhe si ka ndikuar kjo në vizionin tuaj profesional?
Përgjigje: Në fillimet e veprimtarisë time profesionale kishin nisur të kristalizoheshin mirë mjaft specialitete të rëndësishëm të mjekësisë, duke u shkëputur nga specialiteti mëmë, për tu zhvilluar e thelluar në mënyrë të pavarur. Tashmë funksiononin një pjesë e shkollave të specializimit pasuniversitar. Ne vitin 1981, kur unë fillova punën, në atë pavion funksiononte kirurgjia e përgjithëshme, kirurgjia kardio-vaskulare dhe ajo e urgjencës. Kjo periudhë ka qënë një shkollë e madhe ku unë u specializova në këto fusha deri në vitin 1987 dhe u bëra pjesë e ekipit të parë të plotë të kardiokirurgjisë, i cili ngriti dhe zhvilloi kardiokirurgjinë moderne shqipëtare. Prof. Petrit Gaçja e kish filluar këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm rreth një dekadë më parë me dy ndihmësit e tij të hershëm, V. Zogu dhe A. Alushani. Ka qënë një udhëtim i vështirë, plot mund e sakrifica, ku kalohej shumë më tepër kohë në punë sesa pranë familjes. U hapën dhe u përshkuan shtigje të pashkelur më parë, duke ndërthurur punën në klinikë me atë në laboratorin eksperimental të Fakultetit të Mjekësisë. Mundësitë ishin të kufizuara dhe literatura e pakët. Punohej duke mësuar dhe mësohej duke punuar. Oscar Wilde thotë diku: “Përvoja është mësuesi më i pazakontë, në fillim të merr në provim e pastaj të spjegon leksionin”.
Këto momente më bënë të kuptoja se sa e rëndësishme dhe e bukur është kirurgjia e zemrës, sa shumë dije, punë e përpjekje kërkon, sa e rreptë e jo tolerante ndaj çdo gabimi, sado i vogël qoftë. Më mësoi, po ashtu, të kuptoja se sa e domosdoshme dhe frutdhënëse është puna në ekip, si dhe marrëdhëniet miqësore e harmonia brënda tij. Nga ana tjetër, kjo periudhë më edukoi me dëshirën për të kërkuar gjithmonë sfida të reja dhe për të eksploruar fusha të pashkelura, për ta zhvilluar sa më tepër këtë specialitet.
3.Pyetje
Si ndryshoi perceptimi juaj për kirurgjinë kardiake pas eksperiencave në Francë (1984–1985) dhe Itali (1995), dhe cilat parime apo filozofi të pionierëve të kirurgjisë së zemrës, si Alfred Blalock dhe Christiaan Barnard, ndihmuan në formimin e qasjes suaj kirurgjikale?
Përgjigje: Specializimi im afatgjatë në Francë, në një nga qëndrat më të njohura të Parisit e të Europës, ishte padyshim periudha më e rëndësishme e formimit tim profesional, e cila skaliti gjithë rrugëtimin tim të ardhshëm, klinik dhe shkencor. Atje u pajisa me dijet bashkëkohore në kardiokirurgji, të cilat i kisha të mangëta edhe për shkak të përvojës së pakët klinike. Isha vetëm 29 vjeç. Veprimtaria e dëndur në sallat e operacionit më ndihmoi shumë për të krijuar një bagazh klinik mjat të gjërë si dhe për ti sistemuar dijet e fituara në mënyrën e duhur. Qasja moderne ndaj kërkimit shkencor ishte gjithashtu një mësim shumë i vlefshëm. Në këtë periudhë e kuptova plotësisht se sa vendimtare është puna harmonike në ekip dhe ekspertiza e çdo hallke përbërëse të këtij ekipi. Në shërbimin ku punova kryheshin të gjitha llojet e ndërhyrjeve në zemër, në enët e gjakut dhe në mushkëri por sektorin më të zhvilluar, që i bënte një pikë referimi në Francë, kishin kirurgjinë e keqformimeve të lindur të zemrës. U dashurova me të dhe fillova, pak nga pak, të projektoja të ardhmen time në këtë lloj kirurgjie. Nga ana tjetër, të jetuarit gjatë në Paris ishte edhe një investim i jashtëzakonshë dhe unik në formimin e gjithëanshëm kulturor e human.
Dhjetëvjeçari, që pasoi, ishte një periudhë e ndritur, gjatë së cilës kardiokirurgjia moderne shqipëtare bëri hapa cilësorë, vendimtarë në të gjithë komponentët e saj. Bashkë me të u rrita profesionalisht edhe unë, duke krijuar një bagazh të pasur klinik, që ndikoi mjaft edhe në punimet shkencore në të cilët u përfshiva gjërësisht, kryesisht mbi keqformimet e lindur të zemrës.
Gjatë vitin 1995 punova në një qëndër të kardiokirurgjisë pediatrike në Itali. Tashmë isha i përgatitur dhe me një përvojë të mirë. Atje u përditësova me arritjet më të fundit të fushës, duke i rafinuar, sistemuar e përmirësuar dijet e mbledhura në vite. Po ashtu, eksperienca në bllokun operator ishte shumë frytdhënëse dhe nxitëse për më tej. Lidhjet e shkëlqyera, që krijova me drejtuesit dhe me personelin e kësaj klinike, më shërbyen mjaft në realizimin e projekteve, që ndërtova për krijimin e kardiokirurgjisë pediatrike moderne shqiptare, brënda vitit 2005, e cila bëri të mundur trajtimin me sukses të qindra foshnjave, që në muajt e parë të jetës, gjë që ishte e pamundur më parë.
Pionierët dhe personazhet e shquar të kardiokirurgjisë botërore kanë, padyshim, një ndikim të fortë tek të rinjtë që aspirojnë të ecin në rrugën e tyre. Kam patur fatin të njoh shumë prej tyre në evente të ndryshëm shkencorë e të bisedoj me ta. Të tjerë i kam parë duke punuar në sallën e operacionit. Emocionet e provuara kanë qënë të veçantë dhe po aq edhe përfitimi nga këto përvoja. Një përshtypje të madhe më ka bërë fakti, që këta lloj njerzish sa më të shquar e të njohur të jenë po aq të thjeshtë e miqësorë janë. Sidoqoftë, figura më frymëzuese, që më inspiroi nga fillimi e deri sot është ajo e Prof. Petrit Gaçes, ideatorit, krijuesit e zhvilluesit të kirurgjisë së zemrës në vëndi tonë, në kushtet aq të vështira të kohës, në një vënd të varfër e me mjaft probleme në shërbimet mjekësore. Vizioni, erudicioni, kultura, puna e palodhur, shpirti i sakrificës dhe thjeshtësia e tij u bënë udhërrëfyesi më i mirë për të gjithë mjekët e rinj, që patën fatin të punonin me të e të mësonin prej tij. Në takimin e parë prezantues në punë me të, në Janar 1981, ai na kërkoi të mblidhnim material e të përgatiteshim për të diskutuar për transplantin e veshkës. U çuditëm dhe pamë njëri tjetrin pa guxuar të flasim. Më pas, kolegët më të vjetër na bënë të njohur, që profesori po punonte prej kohësh edhe për këtë projekt, që në atë kohë dukej si fantashkencë. Ai kish realizuar me sukses transplantin renal në shumë kafshë, në laboratorin eksperimental. Ky ishte një nga episodet, që më nxiti dëshirën dhe nevojën për të parë larg e për të guxuar të mendosh e të punosh për të realizuar në të ardhmen projekte, që dukeshin të largët, siç ishte kardiokirurgjia pediatrike brënda vitit të parë të jetës.
4. Pyetje
Si e keni integruar mësimdhënien në Fakultetin e Mjekësisë me praktikat klinike, dhe cilat filozofi pedagogjike i keni përdorur për të frymëzuar brezat e rinj të mjekëve të Shqipërisë?
Përgjigje: Unë kam një përvojë të gjatë 44 vjeçare në mësimdhënie dhe sigurisht, me grumbullimin e eksperiencës, me përmirësimin e kushteve dhe me teknologjinë gjithmonë në evolucion, ky proces është bërë gjithnjë e më efektiv. Praktikat klinike pranë të sëmurëve, krahas leksioneve, janë një përparësi e madhe dhe e veçantë në përgatitjen e studentëve dhe të mjekëve të rinj. Të prekësh, të ndjesh dhimbjen e atyre që vuajnë, është kontakti që ndikon fort në përgatitjen shpirtërore dhe në mentalitetin e një mjeku. Ajo që jam munduar tu përcjell studentëve të mi, përtej dijeve shkencore, është empatia kundrejt të sëmurëve dhe familjarëve të tyre. Duhet të vihesh në pozitat e tyre, të përjetosh vështirësitë e tyre për të arritur tu shërbesh plotësisht dhe për të përftuar rezultatet, që të gjithë urojmë e shpresojmë. Cilido mjek, sado i aftë e i përgatitur qoftë, kurrë nuk mund të jetë një figurë e besueshme e plotësisht rezultative, pa qënë NJERI në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Personalitetet e shquar të mjekësisë shqiptare dhe asaj botërore kanë qënë kurdoherë një burim frymëzimi, i cili u është ofruar studentëve për tu ndjekur gjatë formimit profesional e më tej, në jetë. Veprimtaria e këtyre njerëzve të mëdhenj, gjurmët që lanë në jetë, përpjekjet, sakrificat, atdhedashuria dhe ndershmëria e tyre kanë qënë vazhdimisht një nga “ushqimet” më të shëndetëshëm, që jam përpjekur ti shërbej brezit të ri.
Formimi solid multidisiplinor është i domosdoshëm për përgatitjen e një mjeku. Ai krijon logjikën mjekësore dhe figurën e klinicistit të kompletuar. Specializimet e shpejtë dhe nënspecializimet e kane zbehur këtë rol, prandaj insistimi në përgatitjen sa më të mirë në shkollë mbetet vendimtar e përcaktues. Studentët e sotëm duhet të kuptojnë, që formimi i tyre kalon detyrimisht nga auditorët e leksioneve dhe pranë shtratit të të sëmurit. Inteligjenca artificiale është vërtet një burim i madh informacioni por ajo nuk mund të shfrytëzohet saktë pa formimin e mësipërm dhe as mund ta zëvëndësojë mjekun e aftë, nuhatjen dhe sensin analitik të tij. Shprehja e mëposhtëme është mjaft kuptimplotë: “Nëqoftëse doktori juaj i ardhshëm po përdor ChatGPT për të kaluar në provimet e shkollës mjekësore, do të bënit mirë të filloni të ushqeheni shëndetshëm”……pra që të mos keni nevojë për të.
5. Pyetje
Në drejtimin e departamenteve të ndryshme dhe të Shkollës së Specializimit Afatgjatë në Kardioirurgji, si e keni arritur të balanconi inovacionin shkencor me menaxhimin institucional, dhe cilat mësime lidershipi mendoni se mund të jenë të vlefshme për studentët tuaj?
Përgjigje: Ndërthurja e funksioneve drejtuese në department, në shërbim, në angazhime institucionale etj. me punën e përditëshme në klinikë e në bllokun operator kërkon, pa dyshim, zhdërvjellësi, njohje të mirë të problemeve, zgjedhje prioritetesh dhe kohën e nevojshme. Çdo akt duhet kryer në kohën e duhur, pa u ngutur dhe duke u mbështetur në kushtet ekzistuese. Unë kam një eksperiencë të pasur në ideimin dhe realizimin e projekteve, që kanë shërbyer në zhvillimin e kardiokirurgjisë në përgjithësi dhe në atë pediatrike në veçanti. Inovacioni shkencor lind fillimisht në trurin e specialistit dhe më pas natyrshëm implementohet në praktikën klinike, pasi të jenë krijuar kushtet. Asgjë nuk vjen vetëvetiu, pa një mëndje të ditur, pa një plan të qartë dhe pa një përkushtim e punë të kujdesëshme. Këto koncepte e parime jam përpjekur ti përcjell tek studentët e tek specializantët. Nga ana tjetër, ata duhen nxitur, angazhuar e drejtuar vazhdimisht në kërkimin shkencor sipas tematikave të përcaktuara nga departamenti dhe shërbimi. Udhëheqja e studentëve, në përgatitjen e diplomës në fund të studimeve, është gjithashtu një mënyrë shumë efikase për të nxitur kurshtjen e tyre shkencore, për edukimin me punën e pavarur, për ti mësuar të hedhin hapat e parë në rrugën e duhur e aq të bukur të kërkimit shkencor.
6.Pyetje
Cila ndërhyrje pediatrike kardiake ka qenë më sfiduese, dhe si e kuptoni ndikimin e saj mbi shëndetin publik dhe mbi shpirtin e pacientëve? Si lidhet kjo përvoja me konceptin filozofik të përgjegjësisë për jetën tjetër?
Përgjigje: Në kardiokirurgjinë pediatrike nuk është vështirësia e ndërhyrjes ajo që përbën thelbin. Problemi është shumë më kompleks. Vështirësinë nuk e përcaktojnë thjesht përmasat aq të vogla të një fëmije. Fëmija nuk është një burrë i vogël. Organizmi i tij është krej i veçantë. Në muajin apo muajt e parë të jetës organet dhe indet, sidomos truri, nuk kanë arritur ende pjekurinë e plotë. Ky fakt e bën kaq delikate ndërhyrjen kirurgjikale mbi ta. Kuadri plotësohet pasi të kemi shtuar në të edhe mozaikun mjaft të larmishëm të keqformimeve të lindur të zemrës. Menaxhimi i një organizmi të tillë kërkon një ekip tërësisht të dedikuar e të mirëpërgatitur kardiopediatrish, kirurgësh, anestezist-reanimatorësh, infermierësh etj. Ky ekip duhet të funksionojë në harmoni e në sinkronizim të plotë, si një mekanizëm perfekt. Pasojat e mosndërhyrjes në kohë tek këta fëmijë janë fatale. Edhe kur mbijetojnë, dëmtimet e shkaktuar nga sëmundja mbi trurin dhe gjithë organet janë të rëndë, duke e invalidizuar fëmijën fizikisht dhe psiqikisht, duke e ulur shumë cilësinë e jetës dhe jetëgjatësinë e tij. Po ashtu, barra për familjen dhe shoqërinë bëhet e rëndë.
Këto arësye më shtynë për të guxuar të ndërtoja kardiokirurgjinë moderne pediatrike duke filluar nga përmirësimi i strukturës spitalore ekzistuese sipas normave europiane e duke vazhduar me krijimin dhe perfeksionimin e ekipit, nëpërmjet disa projekteve të njëpasnjëshëm. U arrit kështu, që brënda një pesëvjeçari, të bëhej plotësisht e mundur ndërhyrja në zemër, që në muajin apo muajt e parë të jetës tek fëmijët, me rezultate shumë të mirë. Në këtë mënyrë plotësuam standartet ndërkombëtarë të trajtimit të këtyre patologjive sipas udhërrëfyesve të kohës.
Trajtimi kirurgjikal, mjaft cilësor dhe në momentin e duhur, bëri të mundur për qindra fëmijë, jo vetëm nga vëndi ynë por edhe nga Kosova, të gëzojnë një jetë normale pa kufizime fizike dhe intelektuale, ashtu si bashkëmoshatarët e tyre. Sigurisht, që efekti i gjithë kësaj ndërmarrjeje shtrihet po aq edhe në familjet e tyre e në gjithë shoqërinë. Për ne mjekët, që i kemi kuruar, është e jashtëzakonëshme kënaqësia që provojmë kur shohim këta fëmijë se si reagojnë e ndryshojnë me hapa prej gjiganti, si për të na treguar se sa të fortë bëhen kur u shërbehet me dashuri e profesionalizëm.
7. Pyetje
Cilat pyetje ju motivuan të zhvilloni kërkimet mbi keqformimet e lindur të zemrës , dhe si mund të krahasohen këto studime me kërkimet e mëdha ndërkombëtare në funksionimin e zemrës dhe integritetin e saj mekanik?
Përgjigje: Ndryshe nga sëmundjet e fituara të zemrës, ku njeriu lind me struktura kardiake normale, të cilat mund të dëmtohen prej sëmundjeve të ndryshme gjatë jetës, në keqformimet e lindur çdo gjë ndodh gjatë tremujorit të parë të shtatzanisë (nga java III-VII) dhe fëmija lind me këto defekte. Ata janë të shumtë, të izoluar apo të kombinuar mes tyre duke krijuar një variacion, një mozaik të madh. Anatomia anormale e tyre më tërhoqi që në fillim dhe shërbeu si nxitje për ti studiuar, për tu thelluar e për ti kuptuar sa më saktë. Pa këtë përgatitje paraprake është e pamundur ti korrigjosh këto sëmundje në sallën e operacionit. Deri në vitin 2000, në qëndrën tonë operoheshin vetëm fëmijë të rritur, mbi 4-5 vjeç, kur dihet që këto defekte duhen korrigjuar në muajt e parë të jetës për të mos i lënë vënd seleksionit natyral dhe dëmeve të pakthyeshëm në organizëm. Realizimi i këtij objektivi u bë sfida e jetës time profesionale. Përvoja e fituar në qëndrat kirurgjikale jashtë vëndit, puna e përditëshme në spital dhe konfrontimi i rezultateve me literaturën bashkëkohore kanë qënë elementët, që shënjuan ecurinë time dhe të ekipit në trajtimin gjithnjë e më të sigurtë të keqformimeve të lindur të zemrës. Edhe teza ime e doktoraturës, e mbrojtur në mesin e viteve ‘90, ishte një studim i plotë mbi korrigjimin kirurgjikal të një prej sëmundjeve të lindura komplekse, më të shpeshta.
Vetë përmasat mjaft të vogla të zemrës dhe të enëve të gjakut si dhe fraxhiliteti indor tek këta fëmijë, krijojnë një shkallë të lartë vështirësie kirurgjikale, që nuk toleron as pasaktësinë më të vogël. Qëllimi i operacionit është, që në fund të tij, të arrish të përftosh një zemër ku strukturat defektoze të korrigjohen, duke krijuar kushte anatomike e fiziologjike normale. Vetëm ky rezultat u jep mundësi fëmijëve të operuar të zhvillohen normalisht dhe të bëjnë një jetë pa kufizime në të ardhmen. Tashmë, në qëndrën tonë, këto rezultate janë të konsoliduar. Artikujt dhe punimet tona shkencore, të botuar në revistat dhe periodikët nga më prestigjiozet në botë, në SHBA, Europë, Australi e Azi, janë mbështetur në rezultatet tona klinike dhe pasqyrojnë më së miri punën e madhe dhe cilësore të ekipit ndër vite.
8.Pyetje
Si interpretoni anëtarësimin tuaj në Akademinë Shqipëtare të Arteve e të Shkencave dhe pjesëmarrjen aktive në organizata kombëtare e ndërkombëtare si reflektim i një karriere që ndërthur shkencën, artin dhe humanizmin?
Përgjigje: Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave u themelua në vitin 2011 si një alternativë më shumë në mjedisin publik shoqëror e shkencor të vëndit. Nisma e një grupi intelektualësh të shquar u bë promotori për lindjen e kësaj akademie e cila u zgjerua me afrimin e mjaft figurave të tjera me kontribute të spikatur në fusha të ndryshme. Unë u ftova të bëhem pjesë e saj pak muaj pas themelimit. Akademia jonë mbështetet mbi vullnetarizmin dhe mbi ballafaqimin e lirë të mendimeve e ideve. Ajo funksionon me kontributin modest financiar të anëtarëve dhe ka botimet e saj, të cilët pasqyrojnë punimet e mbajtur në forumet e simpoziumet e shumtë të organizuar në vite, ku Seksioni i Mjekësisë ka qënë mjaft aktiv. Jeta, në një mjdis plot me shkencëtarë e personalitete nga më të njohurit në vënd e jashtë tij, ka qënë dhe është një shkollë më vete dhe një nder e privilegj për mua.
Pjesëmarrja në shoqata e organizata të ndryshme profesionale ka qënë një tjetër mundësi për të rrahur mendimet e idetë, për të ballafaquar rezultatet dhe për të krijuar kontakte të panumurt në shërbim të kujdesit shëndetësor. Falë këtyre kontakteve, u mundësua lindja dhe realizimi i mjaft projekteve të mëdhenj, me ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kirurgjisë së zemrës.
9. Pyetje
Si e përshkruani filozofinë tuaj personale në trajtimin e pacientëve, dhe si lidhet kjo me përkushtimin tuaj ndaj hulumtimit shkencor dhe mësimdhënies në universitet?
Përgjigje: Trajtimi mjekësor i pacientit përbën një procedurë të gjatë e komplekse. Ajo fillon që në kontaktin e parë me të dhe kërkon durim dhe mirëkuptim nga ana e mjekut. Dr. William Osler, një emër i madh i shkencës mjekësore, thoshte: “Dëgjojeni me vëmëndje pacientin tuaj, ai është duke ju treguar diagnozën”. Për fat të keq, sot kudo në botë, është zbehur mjaft marrëdhënia humane e drejtpërdrejtë mjek-pacient. Kjo falë teknologjisë së përparuar,që kemi në dispozicion. Kontakti i ngushtë midis tyre është zëvëndësuar nga ekrani i kompjuterit me të dhënat imazherike dhe analizat e të sëmurit. Sot në mbarë botën gjen plot punime, që e trajtojnë këtë problem. Teknologjia është vërtet një ndihmë e madhe për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve por e ka larguar mjekun nga pacienti. I sëmuri ka shumë nevojë për fjalën dhe durimin e mjekut, i cili e informon hollësisht, i krijon besimin dhe e përgatit psikologjikisht për atë që do të ndodhë. Po aq nevojë ka edhe mjeku për të fituar besimin e pacientit. Një marrëdhënie e tillë e shëndetëshme dhe e ndërsjelltë ka padyshim një ndikim të fuqishëm në rezultatin e trajtimit. E kam patur gjithmonë këtë parim pune dhe ja u kam përcjellë me insistim studentëve dhe mjekëve të rinj. Siç e kam theksuar edhe më lart, qëndrimi human, durimi dhe sjellja e ngrohtë, përtej aftësive profesionale, përbëjnë një hallkë kyçe në trajtimin e sukseshëm të patologjive. Me këtë bindje jam munduar ti edukoj edhe dy vajzat e mia, të cilat kontribuojnë në fushën akademike dhe në atë klinike, por në sektorin e stomatologjisë.
10. Pyetje
Cilat mesazhe dhe parime dëshironi t’i lini brezave të rinj të mjekëve, dhe si mendoni se kontributi juaj në kirurgjinë kardiake do të ndikojë në zhvillimin e sistemit shëndetësor dhe edukimin e mjekëve të rinj?
Pergjigje.
Përveç atyre, që u thanë më lart, do të doja tu këshilloja brezave të rinj që ti kushtohen pa u lodhur punës në klinikë dhe të ballafaqojnë për ditë çdo gjetje e përvojë të fituar me literaturën mjekësore të kohës. Mangësia në dijet teorike është një handikap i madh, që lë mjaft boshllëqe, shumë të vështirë për tu mbushur me kohën.
Mjekët e rinj nuk duhen të nguten për të arritur çdo nivel menjëherë. Sot vërehet një prirje për të përfunduar sa më shpejt shkallët e ndryshme të kualifikimit. Ky është një gabim i madh, që do të paguhet më vonë. Në mjekësi grumbullimi i përvojës është vendimtar por kërkon kohën e nevojshme. Përpara se të kërkosh grada e tituj shkencorë duhet të bësh në fillim “gavetën”, pra të ecësh me kujdes, gradualisht, me durim e me përkushtim gjatë praktikës mjekësore, të respektosh e të nderosh mësuesit dhe paraardhësit, të cilët ta shtruan rrugën për të ecur i sigurtë. Nuk të bëjnë gradat dhe titujt shkencorë mjek më të aftë por rezultatet, përherë e më të mirë, në trajtimin e të sëmurëve. E rëndësishme është, që çdo arritje të vijë sa më natyrshëm.
Jam përpjekur në vite, bashkë me kolegët e mi, ta zhvilloj sa më shumë e sa më mirë kirurgjinë e zemrës në vëndin tonë. Sëbashku kemi hapur shtigje e fusha të reja dhe uroj, që ata që vijnë pas nesh, ti çojnë këto arritje gjithnjë e më përpara. Ti ndihmojnë më të rinjtë pa u kursyer, ashtu siç janë ndihmuar ata vetë nga mjekët e gjeneratës time. Jam krenar, që i përkas kësaj gjenerate, e cila ka lënë gjurmë të jashtëzakonëshme e të pashlyeshme në historinë e mjekësisë shqiptare.
Ju faleminderit Prof.Baboci
Faleminderit ju znj. Liliana.
© 2024–2025 Liliana Pere – Founder. Publisher. Researcher. Author
Prestige Magazine
All rights reserved.
LISTA E PUNIMEVE
Prof. ARBEN BABOCI
Artikuj në shtypin e huaj (autor ose bashkëautor)
1. Strategies of surgical management in patient with severe porcelain aorta undergoing cardiac operations. B/autor, Cor Europaeum, 2000;8:161–164.
2. Myocardial revascularization in chronic renal failure: 10-year experience. B/autor, Asian Annals of Cardiovascular & Thoracic Surgery, 2001;9(3):Sept.
3. The first case with double aortic arch diagnosed and operated in Albania. B/autor, Medicus, 2013;18(1):150–153.
4. Early and mid-term outcome in terms of functional and hemodynamic performance of the St. Jude Regent 19-mm aortic mechanical prosthesis versus 19-mm Carpentier Edwards aortic biological prosthesis. J Cardiothorac Surg., 2015;10:154.
5. Does the St. Jude Regent 17-mm offer better outcomes than the Hemodynamic Plus 17-mm aortic valve mechanical prosthesis?. J Card Surg., 2015;30(11):787–795.
6. Acquired Gerbode defect following endocarditis of the tricuspid valve: a case report and literature review. J Cardiothorac Surg., 2015;10:115.
7. Hemodynamics of 17-mm vs. 19-mm St. Jude Medical Regent and annulus enlargement. Asian Cardiovasc Thorac Ann., 2015;23(6):670–683.
8. A giant myxoma originating from the aortic valve causing severe left ventricular tract obstruction: a case report and literature review. World J Surg Oncol., 2015;13:151.
9. Coil embolization of an anomalous bronchial artery originating from the left subclavian artery following arterial switch operation: a case report. J Med Case Rep., 2015;9:55.
10. Surgical treatment of a massive bilateral pulmonary embolus due to an entrapped thrombus in a patent foramen ovale: a case report. J Med Case Rep., 2015;9:51.
11. Huge ascending aortic aneurysm with an intraluminal thrombus in an embolic event-free patient. Interv Med Appl Sci., 2015;7(1):30–32.
12. The peacock tail technique: a modified reconstruction technique for tricuspid valve repair in Ebstein's malformation. Ann Thorac Surg., 2014;97(6):e183–e185.
13. Early and mid-term functional and hemodynamic evaluation of the St. Jude Medical Regent 17 mm aortic valve mechanical prosthesis. J Heart Valve Dis., 2014;23(1):112–121.
14. One and a half ventricle repair in association with tricuspid valve repair according to "peacock tail" technique in patients with Ebstein's malformation and failing right ventricle. J Card Surg., 2014;29(3):383–389.
15. Perventricular device closure of a large residual perimembranous interventricular septal defect after previous surgical correction. J Cardiothorac Surg., 2014;9:12.
16. A giant cardiac malignant peripheral nerve sheath tumor presenting with total obstruction of the superior vena cava. Ann Thorac Surg., 2014;97(1):e7–e9.
17. Surgical outcome of reoperation due to left atrioventricular valve regurgitation after previous correction of complete atrioventricular septal defect. J Card Surg., 2013;28(6):756–763.
18. Surgical removal of an intravenous leiomyoma with intracardiac extension and pulmonary benign metastases. Heart Lung Circ., 2014;23(2):174–176.
19. Aortic origin of the right pulmonary artery: surgical techniques and outcome. Ann Thorac Surg., 2009;87(2):677–678.
20. A rare coronary anomaly consisting in a single right coronary ostium, in an adult undergoing surgical coronary revascularization. Annals of Medicine and Surgery (In press).
21. Surgical treatment of a giant unruptured aneurysm of the noncoronary sinus of Valsalva. J Cardiothorac Surgery (In press).
22. “Extroverted Cuff", a modified elephant trunk technique for distal anastomosis of ragged descending aorta. J Cardiothorac Surgery (In press).
23. Severe aortic coarctation with left ventricular failure disguising an anomalous origin of the left coronary artery. Heart Surgery Forum (In press).
24. Calcified Amorphous Tumor of the Right Ventricle, Complicated with Thrombosis of the Right Pulmonary Artery in Adult Male: Surgical Treatment. J Med Case Reports (In press).
25. Surgical treatment of post-infarction left ventricular pseudoaneurysm: Case series highlighting various surgical strategies. Annals of Medicine and Surgery, 2017;16:44–51.
26. Early and mid-term outcome of the St. Jude Medical Regent 19mm aortic valve mechanical prosthesis: Functional and hemodynamic evaluation. Heart Lung Circ., 2017;28:S1443–S1450.
27. Perioperative management of a child with hypoplastic left heart syndrome undergoing cryptorchidism surgery. Journal of Medical Sciences, 2022;10(C):272–275.
28. Multidrug-resistant Acinetobacter Baumannii Mediastinitis: Case report and short view. The Journal of Infection in Developing Countries, 2024 (in press).
29. Calcified amorphous tumor of the mitral valve causing stroke: a rare case of heart tumor. Heart and Mind, 2025;9(2):165–168.
----
Artikuj në shtypin e vendit (autor ose bashkëautor)
1. Infarkti akut eksperimental i miokardit. B/autor, Buletin i U.T., Seria Shkencat Mjekësore, nr.3, 1984.
2. Operimet e përsëritura në zemër të hapur gjatë veseve të fituara. B/autor, Buletin i U.T., Seria Shkencat Mjekësore, nr.4, 1987.
3. Pervoja jonë në mjekimin kirurgjikal të sëmundjes së valvulës trikuspidale. B/autor, Buletin i U.T., Seria Shkencat Mjekësore, nr.4, 1987.
4. Vlerësimi hemodinamik i sipërfaqes së orificiumit dhe i kalcifikimeve në vesin mitral. B/autor, Semundjet e Zemrës dhe të Enëve të Gjakut, nr.2.
5. Pervoja e Klinikës I të Kirurgjisë në mjekimin e Tetralogjisë Fallot. Autor, Buletin i U.T., Seria Shkencat Mjekësore, nr.1, 1989.
6. Roli i anuloplastikës mitrale me unazë Carpentier në përmirësimin e rezultateve të kirurgjisë rekonstruktive mitrale. B/autor, Buletin i U.T., Seria Shkencat Mjekësore, nr.1, 1990.
7. Obstruksioni i traktit të defluksionit të ventrikulit të djathtë nga metastaza kardiake, carcinoma tiroide folikulare. B/autor, Buletini i Shkencave Mjekësore, 2007;38:41.
8. Tromboza e atriumit të djathtë. B/autor, Buletini i Shkencave Mjekësore, 2007;38:45.
9. Trajtimi i suksesshëm kirurgjikal i një aneurizme gjigande ekstrakardiake të parupturuar të sinusit jo-koronar të Valsalvës. Autor, Buletini i Shkencave Mjekësore, 2008;39(2):112–116.
10. Korrigjimi kirurgjikal i hershëm i Tetralogjisë Fallot: Eksperienca jonë. Autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2008;7(2):25–29.
11. Koleksion periprostetik pas interventit Bentall. B/autor, Buletini i Shoqatës Shqiptare të Ekokardiografisë, nr.5, Mars 2012:35–37.
12. Mini-torakotomia si teknikë e re për korrigjimin e difektit interatrial. B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2012;XI(1):15–18.
13. Riparimi i suksesshëm i kanalit atrio-ventrikular të pjesshëm të një paciente 50-vjeçare. B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2012;XI(1):39–42.
14. Trajtimi i anomalise Ebstein me plastike të valvulës trikuspidale dhe shunt bidireksional Glenn, sipas korrigjimit 1,5 ventrikular, në paciente me disfunksion të ventrikulit të djathtë. B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2012;XI(2):13–22.
15. Trajtimi i suksesshëm kardiokirurgjikal i tromboembolisë pulmonare akute dhe heqja e trombeve të vendosur në atriumin e majtë dhe të djathtë. B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2012;XI(2):56–59.
16. Mix blood cardioplegia (MBC) in redo patients undergoing mitral valve replacement surgery. B/autor, Buletin of Medical Sciences, 2013;45(1):34–38.
17. Epidemiological data of congenital heart disease in our center. B/autor, Buletin of Medical Sciences, 2013;45(1):101–105.
18. Diagnostikimi dhe korrigjimi kirurgjikal i Koarktacionit të Aortës tek neonatet: eksperienca trevjeçare e QSUT. B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2013;XII(1):24–28.
19. Rezultatet e afërta në paciente që i janë nënshtruar zëvendësimit të rrënjës së aortës sipas teknikes Bentall. B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2013;XII(1):80.
20. Surgical correction of a pulmonary artery branch originating abnormally from aorta. Autor, Buletin of Medical Sciences, 2013;44(3):25–32.
21. Zemra triatriale (Cor triatriatum). B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2013;XII(2):46–48.
22. Implantimi i protezës së parë aortale “suturless” në vendin tonë: Vështrim i shkurtër panoramic mbi përdorimin e këtyre lloj protezash. B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2021;XX(3):82–86.
23. Riparimi i difektit të septumit interventricular dhe rimodelimi i ventrikulit të majtë post IAM dhe post Covid 2019. B/autor, Revista Shqiptare e Kardiologjisë, 2022;XXI(2):60–68.
24. Cardiac trauma: Management strategies short panoramic view. B/autor, Albanian Journal of Trauma and Emergency Surgery, 2023;7(1):1189–1195.




