top of page

Rrugëtimi i butësisë, historia e Dr. Silvana Loka që ktheu psikologjinë në mision jete. Shkenca e mendjes, për të, mbetet mbi të gjitha mision i shpirtit.

  • Mar 4
  • 11 min read



Rrugëtimi i butësisë,  historia e Dr. Silvana Loka që ktheu psikologjinë në mision jete. Shkenca e mendjes, për të, mbetet mbi të gjitha mision i shpirtit.

Dr. Silvana Loka është Doktore e Shkencave në Psikologji, psikologe klinike e licencuar në SHBA, me aktivitet profesional në Ilinois dhe  Pensilvani. Rrugëtimi i saj nisi në Shqipëri, ku ndërtoi themelet e një karriere të pasur në praktikën klinike dhe në auditorët universitarë si pedagoge e përkushtuar në disa universitete.

Me një formim të thellë akademik dhe përvojë shumëvjeçare në punë me fëmijë, të rritur dhe familje, ajo e ka parë gjithmonë psikologjinë si një mision në shërbim të dinjitetit njerëzor. Çdo rast klinik për të ka qenë një univers më vete, një proces i kujdesshëm drejt ndërgjegjësimit dhe shërimit.

Sot, në Shtetet e Bashkuara, Dr. Silvana Loka ushtron profesionin si psikologe klinike e licencuar. Ajo ka themeluar praktikën e saj private Mudita Counseling and Consulting si dhe bashkëpunon me qendrën e shëndetit mendor WES Health Systems në Filadelfia sj dhe me klinikën e njohur në Çikago Sejdaras Psy.D. & Associates Inc.

Në këtë dimension ndërkombëtar, ajo përfaqëson profesionalizëm, etikë dhe standarde të larta klinike. Midis Shqipërisë dhe SHBA-së, Dr. Loka mbetet një figurë e konsoliduar profesionale dhe humane, një urë dijesh dhe vlerash që dëshmon se shkenca e mendjes është, mbi të gjitha, shkencë e shpirtit njerëzor

Njè jete qe meson shërimin 

Intervistë – Rrëfim intim mbi rrënjët, sfidat dhe misionin e një psikologeje klinike

Sinops

Ka histori që tregojnë suksesin. Ka histori që tregojnë forcën. Por ka edhe histori që tregojnë butësinë – dhe pikërisht aty qëndron transformimi i vërtetë.

Kjo intervistë rrëfen udhëtimin personal dhe profesional të një psikologeje klinike për të cilën shërimi nuk është vetëm profesion, por mënyrë jetese. E formuar nga rrënjët familjare, nga përvoja e amësisë, nga sfida e përballjes me kancerin e gjirit dhe nga procesi i rindërtimit të jetës si emigrante, ajo fton lexuesin në një reflektim të thellë mbi rëndësinë e vetëdijes, butësisë ndaj vetes dhe pranisë në marrëdhëniet tona.

Silva e fton lexuesin të ndalet dhe të mendojë për veten.

Sepse ndonjëherë, historia e tjetrit bëhet pasqyrë për jetën tonë.

---------------------

Intervista

E dashur Silva. Kush jeni ju përtej titullit profesional?


Përtej titullit “psikologe klinike”, jam një grua që ka mësuar të dëgjojë – veten dhe të tjerët.

Kam kaluar vite duke studiuar mendjen njerëzore, por mësimet më të thella nuk erdhën as nga auditorët dhe as nga librat. Erdhën nga heshtjet. Nga frikërat. Nga netët pa gjumë si nënë. Nga pritja në korridoret e spitalit. Nga momentet kur duhej të filloja nga e para në një vend të ri.

Unë nuk e ndaj jetën personale nga ajo profesionale. Gjithçka që kam jetuar është bërë pjesë e mënyrës si ulem përballë një personi në terapi. Nuk jam aty vetëm si eksperte. Jam aty si njeri.


Cfare kujtinesh ruan Silva nga femijria dhe sa e rendesishme ka qene në formimin tuaj?


Fëmijëria ime është rrënja e sigurisë sime të brendshme.

Të rritesh me dy prindër që ishin gjithmonë aty për mua dhe vëllanë tim, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht, krijoi tek unë një ndjenjë të brendshme sigurie. Kjo siguri më mësoi besimin, qëndrueshmërinë emocionale dhe rëndësinë e të qënurit e pranishme– vlera që sot përpiqem t’i sjell në çdo marrëdhënie, personale apo profesionale.

Sot jeta është bërë e vrullshme, për prindërit janë shtuar presionet financiare për të përballuar jetesën me dinjitet dhe teknologjia e sfidon vazhdimisht vëmendjen dhe praninë e tyre në jetët e fëmijëve. Unë e konsideroj veten me shumë fat që çdo ditë,  prindërit ishin aty për mua dhe vëllanë tim dhe na nxisnin të tregonim për ditën tonë. Ata arrinin të na shikonin tejpërtej dhe ne bënim biseda të vogla ose të mëdha (deri në biseda për moralin, filozofinë e jetës dhe rëndësinë e njerëzores) luanim me letra apo domino (që shpesh mbylleshin me të qeshurat e fituesit dhe lotët e nervat e humbësit) apo bënim punët tona duke u përplasur në apartamenin e vogël një dhomë e kuzhinë prej 48m katror. Në familje pashë se një burrë mund të gatuajë dhe të kujdeset më së miri për fëmijët dhe punët e shtëpisë ashtu sikurse pashë se një grua mund të ulet në tavolinë me të njëjtën peshë fjale si çdo burrë. Dhe këto janë mësime për jetën që unë nuk i kam marrë asnjëherë për të mirëqena. 

Ata nuk ishin aspak të përkryer. Kishin frikërat, lodhjet, kufizimet e tyre. Por ishin aty, si dy njerëz për të cilët bota vërtitej rreth dy fëmijëve të tyre. Dhe për një fëmijë, kjo krijon një ndjenjë themelore: “Unë jam e mbrojtur. Unë jam e rëndësishme.”

Kjo ndjenjë më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës dhe për këtë iu jam mirënjohëse.


Perveç dashurise se madhe si cdo femije, cfare keni fituar ne formimin e karakterit nga nëna juaj?


Mamaja ime, mësuese e ciklit fillor, më mësoi se edukimi nuk është vetëm dije, por mbi të gjitha është dashuri.

Ajo ishte po aq e fokusuar në mbështetjen emocionale të nxënësve sa edhe në suksesin e tyre akademik. E shikoj me sytë e mendjes se si iu korrigjonte detyrat ndërsa përgatiste ca pëlhura për t’i vendosur në kurrizet e djersitura të nxënësve. Prej saj mësova se çdo njeri ka nevojë të ndihet i parë dhe i dëgjuar – dhe se një fjalë e butë ka më shumë ndikim se çdo notë.

Nga ana tjetër më duhet ta pranoj se mamaja ime, si shumë gra shqiptare, ishte rritur nën presionin për të marrë sa më shumë gjëra përsipër, për të qenë e gatshme për t’iu gjendur gjithkujt që i kërkonte ndihmë dhe për të qenë më e mira në gjithçka bënte. Dhe të gjitha këto ngarkesa përtej të arsyeshmes, jo vetëm që kishin krijuar tek ajo tendencën për t’u konsumuar kaq shumë për të tjerët, por edhe sensin e lartë të kritikës ndaj vetes dhe ndaj meje sigurisht. Sot unë kam mësuar të them “Jo!”, t’i kujtoj vetes vazhdimisht se perfeksionizmi është forma më e rëndë e dhunës ndaj vetes dhe të mos e kritikoj më veten si të jetë armiku im më i keq. Mbi të gjitha bëj çmos t’ua kultivoj këtë formë dashurie për veten vajzave të mia. Ndonjëherë, më duhet ta pranoj, janë ato që ma mësojnë mua këtë gjë.  


Cfare vetish ka trasheguar Silva nga babai ?

Babai im ishte inxhinier në aviacionin ushtarak. Disiplina ishte pjesë e natyrës së tij. Gjithçka kishte rend, përgjegjësi, standard.

Nuk ishte e lehtë të bëja mësimet me tim atë, sepse unë jam fëmija e parë ndaj edhe pritshmëria për të qenë “fëmijë i mbarë në çdo drejtim” ishte e konsiderueshme; sidomos të isha nxënëse model në të gjitha lëndët dhe çdo drejtim. Kushedi sa lot janë derdhur mbi fletoret e matematikës!

Por babai im është gjithashtu një natyrë e butë. Ai e ka të vështirë të të përkëdhelë me fjalë apo të bëjë biseda intime pa u emocionuar, e megjithatë ia ka dalë të më tregojë sa shumë më do duke më siguruar vazhdimisht se është krenar për mua.

Personalisht e kuptoj sa e vështirë është për tim atë si për shumë të tjerë (sidomos burra) që ta shprehin dashurinë me fjalë, por nga ana tjetër, tani që jam e rritur dhe prind gjithashtu, e kam ndihmuar tim atë të pranojë se gjëja më e rëndësishme ka qenë se më ka dashur, pa e përfshirë në këtë mes krenarinë për arritjet e mia, sepse dashuria nuk është diçka që duhet të meritohet. 

Kompleksiteti i nënës dhe babait tim kanë krijuar brenda meje një ekuilibër që sot më ndihmon të jem më empatike dhe pranuese ndaj vetes dhe të tjerëve.


Cilat përvoja ju kanë transformuar më thellë?

Amësia më mësoi përulësinë. Fëmijët na vendosin përballë vetes sonë; me durimin, me irritimin, me dashurinë e pakushtëzuar. Vajzat e mia më mësojnë çdo ditë gjëra për veten, herë duke më bërë objekt të shpotive të tyre, herë duke më vënë në pah kufizimet e mia (edhe pse jam psikologe) dhe herë duke më përqafuar në heshtje sepse dashuria ka nevojë thjesht për prani.

Por përvoja që më mësoi vërtet të ngadalësohem dhe të dëgjoj veten ishte përballja me kancerin e gjirit. Mbaj mend një moment shumë të qartë: ulur në një dhomë të bardhë, duke dëgjuar fjalë mjekësore që papritur kishin të bënin me trupin tim. Në atë moment koha u ngadalësua. Aty truri im u godit prerë me idenë se jeta nuk është e garantuar. Dhe se nuk mund ta jetojmë gjithmonë me ngut.

Nga ana tjetër, në moshën 40-vjeçare, emigrimi më sfidoi të rindërtoj identitetin tim, me besim dhe përulësi. Çdo përvojë këtu ku jetoj tanimë prej disa

Vitesh, më afroi më shumë me thelbin tim. 



Cfare do te shprehni per mardhenjen me vajzat tuaja si nene e psikologe dhe ne cfare mase reflektojne tek ju?


Vajzat e mia janë pasqyra ime më e sinqertë. Kanë humor, më shpotisin pa mëshirë dhe jo rrallë, për faktin që jam psikologe. Sa herë që bëjmë biseda kur unë jam “pacienti që po ekzaminohet”, Abi nuk harron të më thotë: “Jepi Silva, gërrmo akoma nën lëkurë, se sa më shumë të zbulosh për veten, aq më shumë do na kursesh lekët për terapi mua dhe Korinës!” (qesh). 

Ato më kanë mësuar se fëmijët nuk kanë nëvojë për prindër të përkryer, por për prindër që punojnë me veten, që reflektojnë, që kërkojnë falje, që rriten bashkë me ta. Dhe sipas vajzave të mia, unë kam akoma shumë punë për të bërë me veten (qesh). Ato janë natyra të pavarura, më sfidojnë, më mësojnë përulësinë dhe më kujtojnë çdo ditë se dashuria nuk është kontroll, është prani dhe shoqërim.

Si nënë dhe si grua, ato më kanë mësuar se rritja personale nuk duhet konsideruar as si dëshirë dhe as si luks, por si përgjegjësi ndaj fëmijëve tanë.


Si ndikoi tek ju neëe gjendjen shpirterore sëmundja Ju dobesoi, ju forcoi?


Më bëri më të butë me veten. Para saj, si shumë gra profesioniste, isha tejet kërkuese ndaj vetes. Doja të arrija, të isha e fortë, të vazhdoja të isha modeli i gruas që ishte instaluar në kokën time qysh prej fëmijërisë.

Sëmundja më mësoi se të jesh e fortë nuk është të mos rrëzohesh. Të jesh e fortë do të thotë të lejosh veten të ndjesh frikën, të pranosh ndihmën, të qash kur duhet.

Ajo më lidhi edhe me shumë gra të tjera. Në sytë e tyre pashë të njëjtën pyetje që kisha edhe unë: “Si vazhdohet përpara?” Dhe përgjigjja ishte gjithmonë e njëjtë: “Çdo ditë bëj një hap të vogël, me vetëdije, e lumtur që je ende mes të gjallëve”.

Si ishte të fillonit nga e para si emigrante?

Ishte përzierje emocionesh – entuziazëm dhe pasiguri.

Të rindërtosh identitetin profesional në një vend të ri do të thotë të pranosh që për një kohë do të ndihesh e padukshme. Do të dyshosh tek vetja dhe tek gjithçka tjetër. Do të pyesësh veten nëse do t’ia dalësh.

Por çdo fillim i ri zbulon brenda nesh fuqi që nuk e dinim se i kishim. Emigrimi më mësoi fleksibilitetin dhe besimin tek procesi. Dhe sigurisht më dha mundësinë të mbështetesha tek vetja dhe tek familja dhe të besoja se gjithçka kisha mësuar dhe bërë në Shqipëri nuk kishin shkuar kot. Jam përpjekur të jem modeli i gruas që dua që vajzat e mia të bëhen; të kenë besim tek vetja dhe t’i presin sfidat e jetës me zemrën dhe mendjen e hapur. Jeta do ta tregojë sa ia kam dalë në këtë drejtim.


Disa mbresa ju lutem, çfarë keni mësuar nga puna me njerëzit?


Kam mësuar se shumica e njerëzve janë shumë më të fortë nga sa mendojnë. Por janë edhe shumë më të ashpër me veten nga sa e meritojnë. Kam mësuar se njerëzit i kushtojnë pak kohë eksplorimit të vetes dhe, sapo ndihen të sfiduar, nxitojnë të kritikojnë ashpër gjithkënd, duke i mohuar vetes mundësinë të rriten dhe evoluojnë.  

Ne jetojmë kaq shumë për të tjerët dhe jepemi kaq shumë pas dukjes dhe kotësive duke harruar se ne jemi përgjegjësit e vetëm për të vendosur se ç’kuptim duam t’i japim jetës sonë.

Ne e quajmë ankthin dobësi. E quajmë lodhjen dështim. E quajmë ndjeshmërinë problem.

Në të vërtetë, emocionet janë mesazhe. Ato kërkojnë të dëgjohen, jo të shtypen. Dhe ne dëgjojmë pak, shumë pak.

Si e përkufizoni një jetë të shëndetshme?

Një jetë e shëndetshme është një jetë me vetëdije dhe ekuilibër.

Është aftësia për të ndaluar vrapin e të përditshmes dhe për të pyetur: “A po e respektoj veten?”, “A po i dëgjoj dhe respektoj kufijtë e mi?”

Jeta e shëndetshme nuk është të vrapojmë drejt të përkryerës dhe produktivitetit; është të bëjmë vend për të papërkryerën, për dështimin, për humbjen, për dhimbjen ashtu sikurse për çdo gjë tjetër që na e mbush zemrën me gëzim. Jeta e shëndetshme është harmonia e brendshme, ajo që sipas një gruaje që kam njohur dikur do të thotë që ‘të jetosh në mënyrë të tillë që të mos duash të jetosh jetën e askujt tjetër’.


Cila është fjala që ju përfaqëson më shumë?


Vetëdije.

Sepse gjithçka që transformon jetën tonë fillon nga momenti kur bëhemi të vetëdijshëm për mendimet, emocionet dhe zgjedhjet tona. Nuk është e lehtë të bëhesh e ndërgjegjshme për veten, as për mua si psikologe. Vite të tëra si terapiste dhe kliente në terapi, e kanë bërë pak më të lehtë zbulimin e vetes, por jo edhe aq pranimin e atyre që të kam zbuluar për veten. Nuk ka qenë e lehtë të kuptoja dhe të pranoja burimin e ndjenjave të turpit dhe frikës, arsyen përse për vite të tëra jam përpjekur të jem më e mira në atë që bëj edhe kur nuk kam patur pikë fuqie në trup prej pagjumësisë si nënë apo efekteve të kemioterapisë apo edhe tendencën time për të parë me sy kritik gjithkënd dhe gjithçka. Vetëdijësimi më ka ndihmuar të shquaj traumat, humbjet, kufizimet ashtu si edhe forcën, kurajon dhe aftësitë. Sokrati thotë se “Një jetë e pashqyrtuar nuk vlen të jetohet” dhe unë e kam vendosur se jeta ime vlen. 


Çfarë do të thotë për ju lumturia?

Lumturia për mua është qetësi.

Unë kam mësuar të mos e kërkoj lumturinë. Gjykoj se kërkimi i lumturisë është si të duash të kapësh hijen tënde.

Për mua lumturia është të jetosh në përputhje me vlerat e tua dhe të mos jesh në luftë me veten. Është të pranosh papërsosmërinë tënde pa u ndjerë më pak i vlefshëm. Është një bisedë e sinqertë, një përqafim i gjatë, një moment heshtjeje pa ankth. Lumturia është të zgjohesh, të ndjesh se je gjallë dhe të mos duash asgjë më shumë.


Cilin tipar tek të tjerët vlerësoni më shumë?


Autenticitetin, të jesh vetja pa frikën se do të gjykohesh dhe se do të mbetesh vetëm. 

Sigurisht që autenticiteti kërkon si parakusht që ta njohim veten dhe ky, jo vetëm që është mision i vështirë, por është edhe mision që nuk ka një fund. E megjithatë unë besoj se të qënurit autentik (unik dhe të papërsëritshëm) është detyrimi më i madh që i kemi borxh jetës; kush do jetë ne, nëse jo ne vetë?!

Për më tepër, vetëm njerëzit që kanë guximin të jenë vetja krijojnë hapësira ku edhe të tjerët guxojnë të jenë të vërtetë. Dhe unë shikoj me dhimbje se shoqëria jonë po e vuan humbjen e këtyre hapësirave ditë pas dite. 

Kur ndiheni më autentike?

Kur jam plotësisht e pranishme dhe nuk ngutem të bëj njëqind gjëra njëkohësisht për hir të të ndjerit produktive apo për të mos humbur ritmin e kohës.

Kur dëgjoj pa gjykim. Kur flas me zemër të hapur. Kur nuk përpiqem të dukem e fortë, por thjesht të jem e pranishme për veten dhe për të tjerët.

Autenticiteti për mua është përputhje mes asaj që ndiej dhe asaj që shpreh. Nuk është gjithmonë e lehtë të arrihet, por ka ditë kur i kujtoj vetes se edhe thjesht të përpiqem është arritje.

Çfarë do të dëshironit që lexuesi të marrë me vete nga kjo bisedë?

Do të doja që, pasi ta mbyllë këtë intervistë, të ndalet për një moment.

Të pyesë veten: “A po e dëgjoj trupin tim?”; “A po sillem me dhembshuri me veten?”; “A po jetoj sipas vlerave të mia?”; 

Sepse ndryshimi i vërtetë nuk fillon me vendime të mëdha. Fillon me një akt të vogël vetëdijeje. Dhe ndoshta me një zgjedhje të thjeshtë: të jemi pak më të butë – me veten dhe me njëri-tjetrin.


Ju faleminderit znj.Liliana për intervisten.


Faleminderit ju e dashur Silva.



© Liliana Pere

Founder. Publisher. Author.

Idepedent Researcher.

Prestige Magazine.2023-2026




 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page