Shprehim hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, udhëheqësit të shquar shpirtëror.
- Jan 25
- 3 min read

Shprehim hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, udhëheqësit të shquar shpirtëror që për dekada i shërbeu me devotshmëri besimit ortodoks, promovimit të paqes dhe harmonisë ndërfetare dhe ndërnjerëzore, duke u bërë shembulli i gjallë i përçimit "nga zemra në zemër i dritës së shpresës".
Kryepeshkopi Anastas luajti një rol vendimtar në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pas një periudhe të vështirë, duke përkushtuar jetën e tij forcimit të besimit dhe edukimit shpirtëror. Përmes vizionit dhe përulësisë së tij, ai mbeti një simbol shprese dhe një udhërrëfyes për bashkëjetesën paqësore dhe një botë më të mirë.
Jo vetëm një misionar shpirtëror, Kryepeshkopi Anastas ishte gjithashtu një kontributor i zhvillimit të Shqipërisë dhe sidomos një promotor i palodhur në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke dëshmuar gjithnjë frymën e Tij të lartë shpirtërore dhe përkushtimin ndaj vlerave të dashurisë, bashkëjetesës dhe solidaritetit njerëzor.
Në këtë moment zie, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, besimtarët ortodoksë dhe të gjithë ata që e vlerësuan trashëgiminë e tij të vyer shpirtërore dhe humanitare.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i Tij në jetë të jetëve! 🕊️
JETËSHKRIMI
Kryepiskopi i ndjerë i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë (1992-2025) Anastas Janullatos, ishte Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1991-2024) dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës (2005-2024). Doktor Nderi i Teologjisë dhe i Filozofisë nga 19 universitete, fakultete ose degë universitare (në Greqi, SHBA, Qipro, Rumani, Gjeorgji, Shqipëri, Itali). Anëtar Nderi i Senatit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (Austri 2019-2024). President Nderi i "Konferencës Botërore të Feve për Paqen" (2006-2024). Profesor Nderi i Departamentit të Administrimit të Biznesit të Universitetit të Atikës Perëndimore (2020-2024).
Lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire. Ka qenë student i shkëlqyer dhe doktor i Fakultetit Teologjik të Universitetit të Athinës. Studioi Historinë e Feve, Misionarizëm dhe Etnologji në Universitetet e Hamburgut dhe Marburgut në Gjermani si bursist pasuniversitar i Institutit Alexander von Humboldt. Fliste anglisht, frëngjisht, gjermanisht; lexonte në latinisht, italisht, spanjisht, shqip.
Profesor i Historisë së Feve në Universitetin e Athinës (1972-91), Dekan i Fakultetit Teologjik (1982-86) dhe Anëtar Korrespondent i Akademisë së Athinës (1993-2005).
Studioi fetë e ndryshme në vendet ku ato lulëzuan. Studioi besimin afrikan me mision kërkimor në Ugandë në 1967 dhe me udhëtime në Nigeri (1973), Kamerun (1977), Ganë (1983), Kenia, Tanzani (1964, 1967, 1981-1990). Vizitoi disa herë Indinë (1973-1974, 1979, 1988). Udhëtoi në vendet budiste: Tajlandë (1972-1973, 1977, 1979), Cejlon, Sri Lanka (1974), Mianmar (1979), Kore (1973, 1977, 1981), Japoni (1973,1981), Kinë (1979-1980, 1986). Studioi Taoizmin dhe Konfucianizmin në Singapor, Taipei, Hong Kong (1973,1980) dhe Kinë (1986), si dhe Islamin me udhëtime në Liban, Siri, Jordani, Egjipt, Turqi, Pakistan, Afrikën Perëndimore (1961-1975), Iran (1974) dhe qëndrimin në Shqipëri (1991-2024).
Është autor i 24 librave (kërkime në fushën e feve, ese misionare etj.) dhe mbi 240 studimeve dhe artikujve teologjikë dhe fetarë. Veprat e tij janë përkthyer në 17 gjuhë.
U hirotonis dhjak (1960), prift (1964) dhe Episkop i Andrusës (1972) për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të "Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë" (1972-1991).
Luajti rol parësor në ringjalljen bashkëkohore të Misionarizmit Orthodhoks të Jashtëm. Si Kryepiskop mëkëmbës i Mitropolisë së Irinupolit (Kenia, Tanzani, Ugandë), gjatë periudhës 1981-1990, zhvilloi veprimtari të gjerë misionare dhe sociale. U njoh si "Bamirës i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë" (2009).
Si Kryepiskop i Shqipërisë (1992-2024), arriti, pavarësisht vështirësive të mëdha, të rindërtonte nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që ishte shpërbërë për 23 vjet, duke zhvilluar veprimtari të shumanshme në fushat e shëndetësisë, arsimit, përkujdesjes sociale, zhvillimit rural, mjedisit dhe kulturës. Njëkohësisht u përpoq për zbutjen e kundërshtive në Ballkan.
Në vitin 2000, pas propozimit të tridhjetë e tre (33) Anëtarëve të Rregullt të Akademisë së Athinës dhe shumë personaliteteve nga Shqipëria, ishte kandidat për Çmimin Nobel për Paqen.
Ka shërbyer në pozicione të shquara në organizma ndërkombëtarë, si anëtar i komitetit teologjik "Dialogu me njerëz të Besimeve dhe Ideologjive të tjera" (1975-1983). President i Komitetit për Misionarizmin dhe Ungjillëzimin Botëror (1984-91). Anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (2001-2012). Zëvendëspresident i Asamblesë së Kishave Evropiane (2003-09). President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013).
Ka qenë nderuar me (30) çmime dhe dekorata - vlerësime nga vende dhe Kisha Orthodhokse të ndryshme, ndër të cilat Kryqin e Madh të Urdhrit të Nderit të Republikës së Greqisë (1997), çmimin Athenagoras për të Drejtat e Njeriut (Nju Jork 2001), çmimin "për veprimtari të shquar për unitetin e Kombeve Orthodhokse" (Moskë 2006), dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu". Çmimin Klaus Hemmerle (Gjermani 2020).
Kontributi i tij në shkencën e Historisë së Feve, dëshminë e krishterë bashkëkohore, afrimin ndërkrishterë, dialogun ndërfetar dhe bashkekzistencën paqësore të popujve dhe feve është njohur ndërkombëtarisht.