15 Gusht 2024, dita e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë
Shkruar nga Liberale
15 Gushti, dita e Shën Marisë, një nga festat më të
15 gushti është një nga ditët më të kremtuara për besimtarët e krishterë. Dita e Shën Marisë, ose sic njihet ndryshe “Fjetja e Hyjlindëses”, dita kur shenjtorja ju bashkua birit të saj, në botën e përjetshme.
Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi (kreshme). Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.
“Fjetja e Hyjlindëses” është paraqitur në afresket e kishave të ndryshme orthodhokse, anembanë vendit, ashtu sikurse edhe “Lindja e Virgjëreshës” apo “Hyrja e saj në Tempull”.
15 gushti kremtohet edhe nga besimtarët katolikë në të gjithë botën.
Festë e madhe e krishtërimit, e festojnë të gjithë: orthodhoksë, katolikë, protestantë, etj. GËZUAR!
Nuk ka kishë që mos ketë një ikonë të Shën Marisë, ose si i themi ne Shën Mërisë, nuk ka besimtar që mos i jetë lutur Nënës së Zotit, Shën Mërisë, nuk ka familje të krishtere mos ketë për rreth një Maria.
Janë pa fund emrat, mbiemrat, cilësimet, atributet që janë thënë në shekuj prej popullit për të.
Cesarios Daponte (1713 - 1784) poeti dhe kronogarfi i njohur grek, tek Hymni i tij për Shën Marinë, sjell mbi 200 cilësime për Nënën e Zotit, të mbledhura në popull, ja një pjesë e vogël prej tyre:
ZONJA, Qiellore, Udhërëfyese, Që puth ëmbël, Më e kthjelltë, Më e pastër, E përsosur, Më e bukur mbi dhè;
ZONJA, Më e Ëmbël, Gjithëfrymëzuese, Mbretëreshë, E Artë, E Gjithëshënjtë, Bijë e Diellit, Trajtëdiellore, E gjithëdhemshur;
ZONJA, Më e drejtë, E bekuar, Bekonjëse, Dritë, Dritë mbi Dritën, Dritësjellëse, Dritëlindëse;
ZONJA, Tempull, Më e lartë, Më e hymnizuar, Më e fortë, Mbrojtëse;
ZONJA, Zonjë, Që Shfaqet, Trajtë Hyjnore, Jetëdrejtuese, Nimfë, Shpirtshëruese, Lotëtharëse, Shkallë drejt qiellit, etj etj, etj,…
Mes kishave të shumta të Shën Mërisë në zonën e Korçës, po përmend këtu dy: Shën Marinë e qytetit tonë që është kisha më e vjetër në gjithë zonën, si dhe Shën Mërinë e Voskopojës (katedralja dikur e qytetit të djegur).
Shën Maria e Korçës, ose si quhej dikur me emrin e plotë të saj, “Fjetjes së Hyjëlindëses së Përmbishënjtë”, e cila ka pasur për rreth një manastir të vajzave, dhe që ka ngjitur kishën me katakombin paleokristian të Shën e Premtes, sipas Thimi Mitkos është faltorja më e vjetër në trevën e Korçës dhe ka mbajtur datën 1225, pas djegjeve të njëpasnjëshme, në vitin 1844 u rindërtua për së treti, për tu zhdukur nga faqja e dheut dhe për tu kthyer në shesh prej rregjimit të kuq. Sot në atë vënd është ngritur një kishëzë, ku në çdo çast gjen besimtarë me qirinj në dorë.
Edhe më. Mbi 30 vjet përpara, kur ndëroheshin sistemet, kur sistemi i çizmes, ishte ende i frikshëm por në horizont dukej dritë, kur fillun fshehurazi të shfaqen shkëndijat e besimit, në truallin e kishës së Shën Marisë ku nuk kish asgjë, që ishte vetëm një shesh, njerëzit vinin natën dhe ndisnin fshehur qirinj, e mes tyre edhe unë me vëllezërit e mi. Mbaj mënd një grua e ish sistemit, thëriste në atë kohë nga ballkoni i apartamentit, “Turp të kini që ndisni qirinj! (?) … …”
Të kesh turp që të ndezësh qirinj (?) dhe të mos kesh turp që të rafshosh historinë, traditën dhe veprat në shekuj të popullit. Dhe thëriste dhe thëriste, do njoftoj policinë, etj, etj.
O Zot mëshëshiroi një pjesë nga këta, disa kanë qënë të paditur por disa edhe të liq!
Në Voskopojë kisha e parë e Shën e Premtes pra më e vjetra, bërthama rreth së cilës filloi pastaj të rritet qyteti është ndërtuar në shek. 14-të; pas saj u ndërtua manastiri i Shën Prodhromit në shek. 17-të; dhe pak më vonë, është ndërtuar kisha e Shën Marisë e cila ka luajtur në Voskopojë gjithmonë, rolin e katedrales, pra të mitropolisë. Shën Maria e Voskopojës sipas një mbishkrimi mbi portën perëndimore të kishës datohet më 1712. Ajo u përfundua me kontributin të një sërë arkondëve dhe qytetarëve të shumënderuar, mes të cilëve i pari, shkruhet një Adham, i Papa Dhimitri Predos. Ndërsa kambanaria sipas një mbishkrimi në të që ekziston edhe sot, u ndërtua në vitin 1888 (kur edhe u lejua prej osmanëve ndërtimi i saj) nën kujdesin e epitropërve, Naum Stirja dhe Efthim Dh. Ballauri.
SHËN MARIA, 15 GUSHT!
SHËN MARIA, 15 GUSHT!
SHËN MARIA, 15 GUSHT!
ILIA V. BALLAURI