“Universi në Sytë e Një Shkencëtareje: Prof. Dr. Mimoza Hafizi”
- Autor LP

- 1 day ago
- 7 min read

Hyrje.Portret.Prof.Dr.Mimoza Hafizi
“Universi në Sytë e Një Shkencëtareje: Prof. Dr. Mimoza Hafizi”
🌟Në qiellin e dijes shqiptare, ku yjet dhe mendimi bashkohen në një simfoni të pafund, lind figura e një gruaje që ka ndriçuar shkencën, arsimin dhe politikën me një pasion të rrallë: Prof. Dr. Mimoza Hafizi (Universiteti i Tiranës, Departamenti i Fizikës).
Ajo është jo vetem një astrofizikane por edhe një filozofe e universit, një pedagoge e përkushtuar, një politikane vizionare, dhe mbi të gjitha, një njeri me shpirt human dhe fisnik.
Mimoza Hafizi mori doktoraturën në Universitetin Paris 7, Francë, me punimin “Fushat komplekse skalarë në afërsinë Gausiane. Yjet Boson”, duke treguar që nga fillimi fuqinë e saj intelektuale dhe aftësinë për të ndërthurur matematikën me misterin e yjeve.
✨️Në fushën e saj shkencore, ajo ka hulumtuar Shpërthimet Gama dhe ekzoplanetët përmes mikrolensimit gravitacional, duke bashkëpunuar me institucionet më të mëdha ndërkombëtare, si Instituti i Astrofizikës në Paris dhe Universiteti i Leçes, Itali.
✨️Punimet e saj shkencore, që nga “Precarious stars—a variety of boson stars” (1998) deri tek shfrytëzimi i kapacitetit të IRT-THESEUS (2021), janë shembuj të mendimit rigoroz dhe vizionar, ku çdo artikull shndërrohet në një udhëtim poetik drejt së panjohurës.
Libri i saj universitar “Bazat e Astrofizikës” (1999) dhe më vonë “Bazat e Mekanikës Kuantike” (2012), kanë formuar breza të tërë studentësh, duke i dhënë gjuhës shqipe elegancën dhe forcën e dijes ndërkombëtare.
✨️Por Mimoza Hafizi nuk është vetëm shkencëtare; ajo është një figurë ndriçuese në politikë dhe shoqëri. Si Zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës (1997–2000) dhe Sekretare e Përgjithshme e Presidencës (2000–2002), ajo solli vizionin e dijes në politikë, duke e bërë arsimimin dhe shkencën një prioritet kombëtar.
✨️Si Deputete e Kuvendit të Shqipërisë (2013–2017), ndikimi i saj ishte i qartë: arsim, shkencë dhe etikë në shërbim të qytetarit, duke treguar se fuqia politike mund të jetë një dritare për mirësi dhe njohuri.
✨️Mimoza Hafizi është gjithashtu autore
e katër romaneve shkencore
“Pika e Trëndafilit (2018)”, fituese e Çmimit Kombëtar për Letërsinë Rinore, 2019,
“Infiniti Blu (2020)”,
"Duke pritur Supernovën"
dhe së fundmi "Drita",
ku ajo bashkon shkencën me filozofinë dhe estetikën, duke e kthyer dijen në art dhe artin në urtësi.
Ajo krijon një botë ku yjet flasin përmes gjuhës së shpirtit, ku universi nuk është thjesht hapësirë, por reflektim i njeriut që kërkon kuptim.
Si akademike, ajo është një univers në lëvizje, një udhërrëfyese për studentët dhe kolegët, duke i inspiruar të mendojnë thellë dhe të ndriçojnë dijen me pasion.


🌟Si politikane, ajo tregoi se përgjegjësia dhe vizioni i pastër mund të formojnë shoqëri më të ndriçuar, duke lidhur arsimimin, shkencën dhe etikën me shërbimin publik.
Ndikimi i saj shtrihet si një rreze e fortë dritë në gjithë komunitetin akademik dhe shoqëror shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në çdo fushë që preku.
Prof. Dr. Mimoza Hafizi është një emër i nderuar; është simbol i dijes që ndriçon, filozofisë që frymëzon, dhe humanizmit që bashkon.
Një krahasim i gjetur dhe i përshtatshëm për Mizen mund të jetë:
✨️✨️
“Prof. Dr. Mimoza Hafizi është si Vera Rubin për Shqipërinë: ashtu si Rubin revolucionarizoi kuptimin tonë për materien e errët, Mimoza ndriçon horizontet e dijes dhe të mendimit në Shqipëri, duke bashkuar shkencën, arsimin dhe filozofinë në një vizion të jashtëzakonshëm.”✨️✨️
Elita e konsideron Prof. Dr. Mimoza Hafizin si shkencëtaren më të ndritur të astrofizikës shqiptare, një mendje brilante që shkon përtej kufijve të zakonshëm të dijes.
🌟Ajo është si një yll i rrallë, që nuk ndriçon vetëm hapësirën rreth tij, por edhe shpirtin e njeriut që e sheh.
Figura e saj është një urë midis shkencës, artit, filozofisë dhe jetës publike, një shembull i rrallë i integritetit, pasionit dhe mendimit të lartë.

Mimoza Hafizi është një univers në vetvete: shkencëtare, pedagoge e përkushtuar, politikane e vizionit të pastër dhe njeri human. Ndikimi i saj shtrihet nga yjet e universit deri tek zemrat e studentëve dhe qytetarëve – një dritë e rrallë që nuk shuhet kurrë.
Intervista me Prof.Dr. Mimoza Hafizi nga Liliana Pere.
Pyetje:LP
1. Cila është rrënja e dritës suaj — a vjen nga origjina, nga familja, apo nga një thirrje e brendshme që ju ka udhëhequr drejt dijes dhe universit?
Pergjigje:
Njeriu është qënie komplekse dhe drita që rrezaton në jetën e vet e ka burimin te origjina, te rrethanat ku është krijuar, te familja e mjedisi ku është zhvilluar, të cilët herë përkojnë e herë jo me mundësitë që lëvrijnë brenda vetes. Këto përputhje apo mospërputhje i japin njeriut rrugëtimin e vet me zigzake të paparashikueshme, deri në moshë madhore, kur ai e merr vetë në dorë fatin e tij.
Kështu më ka ndodhur edhe mua. Familja me ka shtyrë drejt dijes, dhe kjo linjë ka përkuar, herë natyrshëm e herë rastësisht, me thirrjet e brendshme. E tillë jam bërë kjo që jam.
2. Në një univers të pafund, ku çdo yll ka dritën e vet, si mund të gjejë njeriu drejtimin e tij pa humbur në madhështinë e pafundësisë?
Pergjigje:
Këtë pyetje mjaft filozofike dëshiroj ta shoqëroj me një copë teksti nga romani im "Infiniti Blu": "Për ku është nisur vallë Hommo Sapiens, kjo qenie e brishtë, krijesë e një trupi të vogël kozmik që quhet Tokë? Po tenton të kapë infinitin! A nuk po kryen mëkatin e mendjemadhësisë, duke hyrë në konkurencë me natyrën unike dhe absolutisht të pafundme të Zotit? Ja tek kërkon të kapërcejë mbi pikën e prerjes së elipsave të zgjatur, që formojnë simbolin e infinitit ... ndonëse i vetëdijshëm që ajo pikë mban në barazpeshë të lejuarën me të ndaluarën! E ndodh që peshorja të përmbyset në mëkat".
3. A është dija një mënyrë për të gjetur të vërtetën, apo për të mësuar të jetojmë me misterin?
Pergjigje:
Dija është mënyra jonë për të gjetur të vërtetën. Rendja pas saj prej mijra vitesh ka treguar se ne nuk pajtohemi me misterin.
4. Kur vëzhgoni yjet që vdesin për t’i dhënë dritë botës, çfarë mësoni për vetë natyrën e njeriut dhe të jetës?
Pergjigje:
Yjet lindin e vdesin, por këtë të vërtetë ne e kemi mësuar vetëm para një shekulli. Sot njerëzit ndodhen përballë një universi që gëlon nga një miriadë procesesh, të cilat nisin e mbarojnë. Ai mban një miriadë objektesh, të cilat lindin e vdesin. Deri para një shekulli, universi përballë nesh shfaqej i përjetshëm e i pandryshueshëm, duke na injektuar iluzionin e përjetësisë. Sot ky iluzion është shembur për ata që janë pranë shkencës apo tronditur për të tjerët. Vdekja tashmë është pjesë e pashmangshme e ekzistencës sonë. Në këtë raport të ri, edhe vetë njeriu dhe jeta marrin një natyrë tjetër.
5. A ekziston një kufi midis shkencës dhe poezisë, apo janë të dyja gjuhë të ndryshme që përpiqen të përshkruajnë të njëjtën bukuri?
Për mua të dyja janë lartësitë ku pasioni e çon njeriun. Por, jo të gjithë fizikanët e kanë këtë raport me poezinë. Një nga shkencëtarët më të mëdhenj të shekullit ë shkuar, Pol Dirak, nobelist, besonte që ekuacionet janë më mahnitëse se poezia, me argumentin se përpos të bukura, ato e bëjnë të vështirën të duket e thjeshtë. Kurse poezia, këmbëngulte Dirak, i bën gjërat e thjeshta të duken të pakuptueshme.
6. Kërkimi juaj për ekzoplanetë — a është më shumë një kërkim për jetë në hapësirë, apo një kërkim për kuptim në shpirtin njerëzor?
Pergjigje:
Të dyja. Kërkimi për ekzoplanetë është një sfidë shkencore dhe teknologjike. Imagjinoni se si mund të guxosh të shohësh një pikë të errët, që është planeti, pranë një ylli vezullues, vite e vite dritë larg. Por ja, pra, kemi mundur t'i gjejmë. Sot kemi gati 8 mijë ekzoplanetë të zbuluar. Një projekt europian ku bëjmë pjesë bashkë me observatorin e Parisit, është i destinuar edhe për publikun, që njerëzit të gjejnë aty informacione nga më të shumëllojshmet për këto botë interesante.
Po ju jap lidhjen në shqip:
E kemi përgatitur ne, ekipi shqiptar. Mos hezitoni të hyni!
Njerëzit e meritojnë të dinë gjithçka njohim për ekzoplanetët, sepse janë pikërisht njerëzit që e kanë shtyrë shkencën në këta kufij. Është kureshtja mijravjeçare për ta ditur nëse jemi vetëm në këtë univers marramendës, apo ka diku tjetër qënie të ngjashme. Është ai kërkimi në shpirtin njerëzor që ju përmendni. Ky shekull i përket njerëzve që po njohin botë të tjera.
7. Si mundet njeriu të qëndrojë i përulur përballë kozmosit, kur vetë është krijesë që di të mendojë për pafundësinë?
Pergjigje:
Çuditërisht nuk është përulur. Megjithë përmasat e tij tmerrësisht të vogla, ka guxuar e po guxon ta pushtojë këtë strukturë gjigande në kufijtë e pafundësisë, që është kozmosi. Po e pushton dalëngadalë, në fillim me mendje e me dije, e më pas me prani fizike. Në shekullin e shkuar zbriti në Hënë, brenda këtij shekulli do të shkojë në Mars, sondat e ndërtuara prej tij po kapërcejnë kufijtë e sistemit diellor. Çfarë do të sjellin shekujt e ardhshëm? Vështirë të parashikohet, por diçka dihet me siguri: progresi është i pashmangshëm.
8. Çfarë është koha për ju: një rrjedhë fizike që matet, apo një përjetim shpirtëror që ndjehet?
Pergjigje:
Si fizikane i përmbahem përkufizimit të Ajnshtajnit: koha është një madhësi që matet përmes orës. Çdo ngjarje që ndodh i përgjigjet një çasti të caktuar në kërcitjen e akrepave. Dhe ne shënojmë çastin kur ndodh, kështu përcaktojmë kohën. Kjo është koha fizike, element thelbësor i Teorisë së Relativitetit.
Para një shekulli ka patur një debat historik mes Albert Ajnshtajnit dhe njërit prej filozofëve më të mëdhenj të kohës, që këmbëngulte se koha nuk mund të përmblidhet vetëm në kuptimin e saj fizik: Koha nuk është fizike, por filozofike.
Koha e filozofëve nuk ekziston! - Kjo frazë e Ajnshtajnit ka mbetur në histori. Dhe çdo vrojtim e konfirmon pikëpamjen e tij.
9. Si ka mundur Prof. Mimoza Hafizi të bashkojë në një jetë të vetme tri dimensione të mëdha — akademiken, politikën dhe njerëzoren — duke mbetur model i integritetit dhe urtësisë?
Pergjigje:
Duke ju falenderuar për konsideratën e lartë që shprehni, dua të them se njeriu i ka të gjitha kapacitetet për të zhvilluar shumë dimensione në jetë. Ka edhe raste kur zhvillon vetëm një dimension, por në mënyrë të përkryer, si Pol Dirak që e përmenda më parë. Për të vlente vetëm shkenca. Por, në limitet e një vendi të vogël, ne shqiptarët e kemi të vështirë të mbyllemi në një dimension. Ai është i pamjaftueshëm për kapacitetet që na ka falur natyra. Prandaj te ne nuk çuditesh kur sheh fizikanë që shkruajnë romane, poetë që ligjërojnë në parlament, sportistë që ngrenë biznese apo kryeministra që pikturojnë.
10. Në fund të çdo përpjekjeje për ta kuptuar universin, a është përgjigjja gjithmonë njeriu vetë — me gjithë dritën, dyshimin dhe dashurinë.
Pergjigje:
Njeriu vetë, me gjithë dritën, dyshimin e dashurinë është po aq i vështirë për t'u kuptuar sa një univers i tërë.
Më vjen mirë që në këtë dialog fjala kyçe ishte drita. Ajo përkon me romanin tim më të ri, që sapo ka dalë e mban titullin Drita. I kushtohet dritës, kësaj dhurate bujare të natyrës, që s'rreshtim t'i falemi e ta ndjekim nga pas si të magjepsur, për ta njohur e për ta kuptuar. Drita është një krijesë tekanjoze e universit. Ajo na befason pikërisht kur mendojmë se e kemi kuptuar. Por ja që enigmat e saj nuk ndalen së shfaquri. Në ethen e kërkimit, ndokush hamend se këto enigma kanë ndërhyrë dhe në jetën tonë e po ndërthurin histori djemsh e vajzash qindra kilometra larg, ... dhe të një gruaje me emrin DRITA.
Ju faleminderit për intervistën e dashur e nderuar Mimoza.
Faleminderit ju per intervisten e bukur, zn.jLiliana


