Teuta Hoxha Imeri : Artin e kthen ne edukim dhe dija bëhet fisnikëri.
- Feb 2
- 5 min read


Teuta Hoxha Imeri : Artin e kthen ne edukim dhe edukimi bëhet fisnikëri.
Në panoramën bashkëkohore të artit dhe arsimit, emri i Teuta Hoxha Imeri spikat si një figurë e plotë, e ndërtuar me durim, kulturë dhe integritet. Mësuese e shkëlqyer, drejtuese e aftë, artiste e ndjeshme dhe qytetare e përkushtuar, ajo përfaqëson modelin e rrallë të një gruaje që udhëheq me dije, korrektësi dhe elegancë shpirtërore.
Në çdo rol që mban, Teuta ruan një qasje të butë, por të sigurt, duke dëshmuar se autoriteti më i fortë buron nga vlera dhe përkushtimi.
E lindur më 17 shkurt 1986 në Strugë, qytet ku uji dhe drita krijojnë një poezi të përhershme, Teuta u formua herët në një ambient që ushqen ndjeshmërinë dhe vëzhgimin artistik. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje, duke ndërtuar themelet e karakterit të saj të qëndrueshëm dhe të dashur për dijen.
Familja e ngushtë e Teutes është zemra e çdo rruge që ndjek. Në Strugë është më e vogla e shtëpisë, ndërsa në Shkup ështe mbretëresha e saj, dy role që i jetoj me krenari, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar.
Është nënë krenare e dy djemve , Lisit dhe Artit, të cilët janë drita e jetës se daj, shpresa e përditshme dhe motivi që e shtyn gjithmonë përpara. Çdo buzëqeshje e tyre i kujton pse forca e një nëne nuk shteron kurrë.
Ajo ështe bashkëshorte e Mustafa Imerit, tenor me profesion dhe shpirt artist.
Ai është shtylla ime kryesore në rrugëtimin profesional dhe jetësor. Përveçse i bashkon dashuria dhe martesa, ata i lidh edhe arti , gjuhë e përbashkët që frymëzon, forcon dhe i bën të ecin së bashku, krah për krah, në çdo sfidë e sukses.
Familja për Teuten nuk është vetëm strehë, por burim force, frymëzimi dhe harmonie.
Rrugëtimi akademik e çoi në Shkup, në Fakultetin e Arteve, dega Grafikë, ku u përball seriozisht me disiplinën dhe kërkesën e artit profesionist. Studimet master në Prishtinë shënuan një fazë pjekurie intelektuale, duke e orientuar drejt një arti reflektues, ku forma dhe mendimi bashkëjetojnë.
Prej vitesh, Shkupi është hapësira ku ajo jeton dhe vepron, duke u shndërruar në një pikë referimi në edukimin artistik.
Për 14 vite, Teuta Hoxha Imeri ka qenë mësimdhënëse në shkollën fillore “Ismail Qemali”, ku u dallua si mësuese e sjellshme, e drejtë, e aftë për të zbuluar talentin dhe për të nxitur kreativitetin tek fëmijët. Sot, në rolin e drejtoreshës së këtij institucioni, ajo vazhdon ta shohë arsimin si mision dhe jo si funksion, duke ndërtuar ura besimi mes nxënësve, prindërve dhe stafit pedagogjik.
Angazhimi i saj shtrihet edhe përtej mureve të shkollës. Që nga viti 2018, ajo është pjesë e stafit organizativ të Simpoziumit Ndërkombëtar të Artit – Strugë, ndërsa gjatë viteve 2017–2022 ka organizuar koloni arti figurativ në kuadër të manifestimit “Tingujt e Çarshisë”, Shkup.
Përmes projekteve dhe punëtorive të shumta me nxënës brenda dhe jashtë vendit, ajo e ka shndërruar artin në mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi shoqëror.
Si artiste, Teuta Hoxha Imeri shfaqet përmes një veprimtarie të gjerë ekspozuese, me ekspozita personale dhe kolektive në Shkup, Strugë, Sofje, Tiranë, SHBA, Poloni, Stamboll, Tetovë dhe më gjerë. Paleta e saj shumëngjyrëshe, e shoqëruar gjithnjë nga prania domethënëse e së zezës, krijon një gjuhë vizuale ku emocionet, kujtesa dhe përvoja njerëzore bashkohen në një rrëfim të thellë artistik.
Për Teutën, arti shëron shpirtrat dhe krijimi është një dhuratë që duhet ruajtur e ushqyer vazhdimisht. Ajo beson se vetëm ata që punojnë mbi veten, si artistë dhe si mësues, janë të aftë të ndezin dritë tek të tjerët. Dhe pikërisht këtë dritë ajo vazhdon ta shpërndajë, me qetësi, dinjitet dhe besim në bukurinë e njeriut.
-‐-------------
E dashur Teuta jeni e mireseardhur ne Prestige.
Fillojme intervistën
Pyetje 1:
Znj. Hoxha Imeri, si e përkufizoni sot veten: më shumë si artiste apo si edukatore, apo këto dy role janë tashmë të pandashme për ju?
Përgjigje.
--Sot nuk i shoh më këto dy role si të ndara. Arti dhe edukimi për mua janë dy anë të së njëjtës përgjegjësi njerëzore. Si artiste, mësoj të dëgjoj ndjeshmëritë e brendshme, ndërsa si edukatore përpiqem t’i kultivoj ato tek të tjerët. Njëri rol e ushqen tjetrin dhe bashkë më kanë ndërtuar si njeri dhe profesioniste.
Pyetje 2:
Sa ka ndikuar Struga, si hapësirë kulturore dhe shpirtërore, në formimin e ndjeshmërisë suaj artistike?
Përgjigje.
--Struga është rrënja ime shpirtërore. Qetësia e ujit, drita, ritmi i ngadaltë i jetës dhe bashkëjetesa kulturore kanë ndikuar thellë në mënyrën se si e perceptoj botën. Ajo më ka mësuar të vëzhgoj, të hesht, të jem këmgulëse dhe të ndiej elemente që janë thelbësore në artin tim.
Pyetje 3:
Çfarë ju ka dhënë formimi akademik në Shkup dhe Prishtinë në ndërtimin e vizionit tuaj profesional?
Përgjigje.
--Studimet në Shkup më dhanë disiplinën, rigorozitetin dhe respektin për strukturën artistike, ndërsa Prishtina më hapi hapësirën për reflektim, për mendim kritik dhe për një qasje më konceptuale ndaj artit. Ky kombinim më ndihmoi të ndërtoj një vizion ku forma nuk është kurrë e ndarë nga ideja.
Pyetje 4:
Për 14 vite keni qenë mësuese arti dhe sot jeni drejtoreshë shkolle. Si ndryshon përgjegjësia, por edhe kënaqësia, mes këtyre dy roleve?
Përgjigje.
--Si mësuese, kënaqësia ishte e drejtpërdrejtë , kontakti me nxënësin dhe procesi krijues. Si drejtoreshë, përgjegjësia është më e gjerë dhe më komplekse, por kënaqësia vjen nga ndërtimi i një ambienti të shëndetshëm ku secili mund të zhvillohet. Në të dy rastet, qëllimi mbetet i njëjtë: të krijosh vlerë njerëzore.
Pyetje 5:
Si e shihni sot edukimin artistik në shkollat fillore dhe çfarë mendoni se i mungon më së shumti atij?
Përgjigje.
--Edukimi artistik shpesh nënvlerësohet, megjithëse është thelbësor për zhvillimin emocional dhe kritik të fëmijëve. Ajo që i mungon më së shumti është koha, hapësira dhe qasja serioze – arti nuk duhet parë si zbukurim i programit, por si bazë e formimit të personalitetit.
Pyetje 6:
Në veprat tuaja vërehet prania e qëndrueshme e së zezës krahas ngjyrave të gjalla. Çfarë simbolizon kjo për ju?
Përgjigje.
--E zeza për mua është bazë thelbësore e grafikës dhe pjesë e identitetit tim si grafiste. Ajo nuk përfaqëson errësirë, por strukturë, thellësi dhe qartësi mendimi. Mbi këtë bazë ndërtohen ngjyrat, të cilat për mua janë gjithmonë shprehje e pozitivitetit. Unë e shoh jetën me shumë ngjyra dhe çdo ngjyrë, qoftë në telajo, në letër apo në përditshmëri, mbart energji, shpresë dhe dritë. Në bashkëjetesë me të zezën, ato krijojnë ekuilibër – ashtu si në jetë, ku kontrasti i jep kuptim harmonisë.
Pyetje 7:
Çfarë roli luajnë simpoziumet, kolonitë e artit dhe ekspozitat kolektive në zhvillimin e një artisti bashkëkohor?
Përgjigje.
--Ato janë hapësira dialogu dhe rritjeje. Artistët nuk zhvillohen në izolim – ballafaqimi me ide, kultura dhe qasje të ndryshme pasuron jo vetëm gjuhën vizuale, por edhe mendimin kritik dhe ndjeshmërinë njerëzore.
Pyetje 8:
A mendoni se arti ka ende fuqinë për të shëruar shoqërinë në kohë të pasigurta dhe të fragmentuara?
Përgjigje.
--Po, absolutisht. Arti nuk i zgjidh problemet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ai krijon hapësirë për reflektim, empati dhe dialog. Në kohë pasigurie, arti na rikujton njerëzoren dhe na lidh përtej dallimeve.
Pyetje 9:
Cila ka qenë sfida më e madhe në rrugëtimin tuaj profesional dhe çfarë ju ka mbajtur të qëndrueshme?
Përgjigje.
--Sfida më e madhe ka qenë balancimi mes roleve të shumta dhe pritjeve të ndryshme. Ajo që më ka mbajtur të qëndrueshme është besimi në punën e ndershme, në zhvillimin e vazhdueshëm dhe në vlerat që nuk ndryshojnë me kohën.
Pyetje 10:
Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve që sot hezitojnë mes artit dhe një rruge “më të sigurt” profesionale?
Përgjigje.
--Do t’u thosha të mos e braktisin zërin e brendshëm. Arti kërkon guxim, por ai jep kuptim. Edhe nëse zgjedhin një rrugë tjetër, arti mund të mbetet pjesë e jetës së tyre. Pa krijimtari, çdo profesion mbetet i thatë.

© 2023–2026 Liliana Pere – Founder. Publisher. Researcher. Author
Prestige Magazine














