At Antonio Bellusci, një lutje për Shqipërinë
At Antonio Bellusci, një lutje për Shqipërinë
Kjo intervistë është bërë në vitin 2017, ndërsa Shqipëria po kalonte një moment përplasjeje politike të fortë. Rudina Xhunga shkoi në Kalabri dhe solli lutjet e një prifti atdhetar, për vendin amë. Sot po e ribotojmë të plotë në Dritare.net duke i uruar ditëlindjen At Antonios. Edhe 100, At!/Dritare .net
Nga Himara në Kalabri
Në Frashineto, Kalabri jeton një studiues, një filozof, një atdhetar, një prift. At Antonio Bellusci, një burrë, si një gur i çmuar. Një shtëpi-bibliotekë, ku ruhet shqipja e të gjitha kohërave, e gjithë shkrimtarëve shqiptarë. Një libër miqsh ku kishte lënë firmën Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Veton Surroi, Nasho Jorgaqi, Ylli Polovona, Gjovalin Shkurtaj, Visar Zhiti, Eda Derhemi, Floresha Dado, Valdete Sala, etj. Foto takimesh me Ismail Kadarenë, Alfred Moisiun, Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, Rexhep Meidanin. Ishin aty edhe pikturat e Ibrahim Kodrës dhe përqafimi me Nënë Terezën. Në atë shtëpi, mes atyre librave bindesh sa e pavërtetë është shprehja: Ky vend nuk bëhet kurrë. Aty gjen pohimin që ky vend nuk humb kurrë. At Antonio Bellusci me shqipen dhe dashurinë për Shqipërinë, është dëshmia.
Rudina Xhunga:
Jam këtu në shtëpinë e atë Antonio Bellusci-t në Frascineto, Kalabri. Unë jam jo vetëm e nderuar, por edhe shumë e gëzuar, atë Antonio, që jam këtu sot me ju.
At Antonio Bellusci:
Gëzimi është edhe i imi, se me ardhjen tuaj këtu është tamam vërtet Shqipëria e gjallë dhe e pavdekshme.
Rudina Xhunga
: Çfarë do të thotë Frascineto? Është një emër që ka të bëjë me Shqipërinë?
At Antonio Bellusci:
Po, ka një lidhje të madhe me Shqipërinë pasi etërit tanë që kanë ardhur këtu kanë nënshkruar kapitolacionet, siç i themi ne, më 1490-n me Episkopin e vendit. Duhet thënë se ky dokument thotë zyrtarisht, kur janë vendosur etërit tanë shqiptarë këtu në Frasnitë dhe kur kanë qenë të njohur me këtë dokument të kapitulacionit, pra në vitin 1490. Por me siguri ata kanë ardhur disa vite përpara. Familjet e para që kanë ardhur këtu, pra një ndër familjet më të nderuara, ishte familja Frascino, Frashëri, që kanë nxjerrë priftërinj dhe njerëz me kulturë në këtë katund. Disa studiues, si edhe Vincenzo Dorsa që ishte një shkrimtar i madh, prift, nga ky katund, Frasnita, që është i njohur në letërsinë shqiptare. Frascino në italisht u shkrua Frascineto në Bashki. Por, Frashëri, si me thënë Sami Frashëri, Naim Frashëri jetuan në shpirtrat e frasnjotëve dhe jetojnë edhe sot.
Rudina Xhunga:
Po vetë mbiemri juaj, Bellusci?
At Antonio Bellusci
: Edhe familja Belushi ishte ndër familjet e para që erdhën këtu, një familje e madhe që gëzonte shumë privilegje dhe kjo familje vjen nga jugu i Shqipërisë, nga Himara, nga Korça. Mbiemri ka qenë Blushi, por këtu në Itali u bë Bellusci. Jemi shumë të nderuar se kemi familje me mbiemrin Gropa ose Dorsa, pra dora, dhe kjo tregon se të gjithë mbiemrat tanë kanë rrënjë shqiptare. Kur një njeri thotë unë jam shqiptar, kjo e tregon edhe vetë rrënja, pra mbiemri. Familja Luci ka mbiemrin Toshku-Toshkrat, domethënë ka prejardhje nga toskërishtja.
Rudina Xhunga:
Tani në Himarë njerëzit thonë që janë grekë. Çdo t’u thotë atyre një himarjot, prej 500 vjetësh?
At Antonio Bellusci:
Kam bërë një poezi ku thuhet se lidhja e sotshme e arbëreshëve është me atë Shqipëri, dhe thosha gjithashtu se edhe gurët e katundit të thonë se je arbëresh. Këtë gjë do t’i thosha edhe atij himarjoti, i cili thotë se ndihet grek. Pra, edhe gurët e vendit të shenjtë të Shqipërisë tregojnë rrënjën shqiptare të Himarës e të gjithë truallit shqiptar, si për ne arbëreshët ashtu edhe për çdo njeri. Por fjalët i merr era, e rëndësishme është ajo çka ndien njeriu në shpirtin e tij. Këto janë vlera që trashëgohen në shekuj të shekujve. Ne nuk kemi frikë nga fjalët që njeriu thotë, pasi jemi të gjithë vëllezër dhe neve na bashkon gjuha, na bashkon zemra, na bashkojnë këto ndjenja. Për këtë, Himarë e dashur, dhe unë e them me krenari, më duket sikur jam himarjot. Ma tregon si fytyra ashtu edhe e folura ime. Pse ai vend i shenjtë ka Epirin, dhe këtë e thotë historia, dhe gjithë Gadishullin Ballkanik në kohën që erdhën këtu, pra në një kohë ku nuk ekzistonte as Shqipëria, as Greqia dhe as Italia. Këto erdhën më vonë. Ne jemi dëshmi e gjallë, e vjetër dhe e bukur.
Rudina Xhunga
: Edhe gjuha që ju flisni atë, është një dëshmi e gjallë, e vjetër, e bukur dhe shumë emocionuese. Ç’është kjo shqipe kaq e bukur që flisni ju atë Bellusci?
Atë Antonio Bellusci:
Është gjuha e mëmës sime që këtu në vatrën tonë gjithmonë është folur arbërisht ashtu si dhe tata im që flet në arbërisht. Mund të themi edhe ndonjë fjalë në italisht, i dimë të gjitha fjalët italiane, por në shtëpi është tempulli i shqiptarizmit, atje ku shikohet shpirti, zakonet, gjuha dhe gjithë Kanuni, atë kanun që prindërit tanë nuk e dinin se ç’ishte Kanuni i Dukagjinit apo Kanuni i Skënderbeut, se ne jemi në diasporë, pak të shkolluar, nga ta dinim ne se ç’ishte Kanuni. Por ajo vjen nga një rrënjë e thellë, nga dashuria për atdheun, nga dashuria për gjuhën etj. E mbi këtë gjuhën që më mësoi mëma ime nga arbërishtja pastaj pata dëshirën dhe fatin e madh të shkoja më 1977-n në Prishtinë tek Universiteti i Prishtinës dhe atje mësova gjuhën letrare shqipe. Ky mishërim, i gjuhës arbëreshe që tingëllon bashkë me shqipen mëmë që kemi në Shqipëri që më 1972-shin, që na nderon të gjithëve kjo gjuha letrare e sotme pse na bashkon si komb të gjithëve, këto janë të gjitha bukuri që Zoti na dha si një dhuratë e çmuar dhe ne e kemi të shtrenjtë në zemër.
Rudina Xhunga
: Po a keni dëgjuar këto kohë, ndërsa flitet për ta ndryshuar gjuhën e njësuar letrare vetëm pse ajo i përket kohës së Enver Hoxhës dhe i një gabimi rrjedhimisht?
At Antonio Bellusci:
Jo, jo, kombi është një, gjuha letrare është një, një dhuratë e fitim i madh që ka ardhur me djersën e të gjithëve dhe kjo bibliotekë i zbukuron të gjithë librat, gjuha letrare shqipe ashtu siç zbukuron të gjithë të folurat arbëreshe si motra me motrën, por sot është gjuha letrare ajo që na bën të ndihemi krenarë dhe na jep mundësi të bisedojmë mirë e me shëndet. Është një gabim i madh të krijojmë akoma kopshte me gardhe për të kufizuar lidhjet tona e të mos kuptohemi më njëri me tjetrin.
Rudina Xhunga
: Por jo ta prishim dhe të bëjmë një fytyrë tjetër, një gjuhë tjetër.
At Antonio Bellusci
: Jo, ajo është një gjë pa tru, i themi ne. Duhet të jemi konstruktivë, jo të kemi inate personale njëri me tjetrin. Gjuha nuk është as e Hoxhës dhe as e ndonjë njeriu tjetër, gjuha është e të gjithëve. Gjuha është e popullit shqiptar. Ne e kemi sot një gjuhë letrare shqipe që për shekuj e shekuj e kanë ëndërruar ata që kanë krijuar alfabetin shqip. Alfabeti i Manastirit 1908 e pastaj në 1972 që u bë Kuvendi për drejtshkrimin e gjuhës letrare shqipe, ai ishte një fitim i madh për gjithë kombin tonë. Dhe për këtë gjuha letrare shqipe nuk duhet të harrohet kurrë se për ne që jemi në diasporë nuk na intereson toskërishtja apo gegërishtja, gjithë këto luftëra, pasi kështu do të qëndrojmë gjithmonë te një baltë që njeriu nuk shkulet kurrë. Ne duhet të fluturojmë se kultura është një shqipe, si një zog që fluturon lart, lart, lart dhe shikon nga lart. Pse duhet ta lëmë këtë shqipe në llucë, në baltë, ajo duhet të fluturojë. Ne duhet të kemi qëllime të larta të përbashkëta. Shqipëria është një dhe ajo sot ka një gjuhë letrare që e nderon.
Rudina Xhunga
: Edhe një tjetër qëllim i përbashkët që është flamuri, dhe ai është një për të gjithë, edhe atë po e bëjmë pis ne shqiptarët. Shume flamuj kemi, por a na duhen kaq shumë flamuj?
At Antonio Bellusci
: Çdo zemër është një flamur. Ne jemi këtu në këtë bibliotekë dhe unë, ti, dhe miqtë këtu kanë flamurin në zemër, kemi një qëllim, një mendim, por kur dalim përjashta në rrugë jemi tek universi, kozmosi dhe erën që ndiejmë në rrugë nuk është as e imja dhe as e jotja dhe e askujt tjetër. Ajo era që na frymëzon është e të gjithëve. Sa për flamurin, kur kam qenë në Melburn më 20 korrik 1997, të gjithë shqiptarët që ishin në Australi, nga Sidnei, Adelaide, Melburn dolëm në rrugë për çështjen maqedonase në atë kohë ose po ashtu në Uashington dhe në Nju Jork për çështjen e Kosovës. Të shikoje shqiptarët me flamuj në duar, ai flamur të lartëson shpirtin, të shikosh flamurin i lëviz zemrat e shqiptarëve. Kjo është e rëndësishme për ata që jetojnë larg Shqipërisë, por më duket sikur, megjithatë shpresoj të mos jetë kështu, që nuk ka rëndësi dhe domethënie të plotë në Shqipëri. Edhe këtu, për shembull, e kemi vendosur flamurin shqiptar në ballkon dhe po më thoshte motra që po bie shi dhe kishte frikë se do prishej flamuri i dashur. Unë i thashë ta linte aty, pasi ai flamur na nderon neve, bibliotekën dhe Italinë. Flamuri është një gjë e shenjtë dhe aq më tepër sot, ku jemi në paqe dhe jo në luftë kundër armikut.
Pa ndjenja njeriu bëhet kafshë, prandaj duhen këto ndjenja të larta. E flamuri e ka këtë domethënie të madhe.
Rudina Xhunga
: Ndjenja kërkon kulturë, e ne kemi probleme me kulturën sidomos këto 20 vjet.
At Antonio Bellusci
: Duhet të mos shuhet kjo dritë, drita e kulturës është shumë e bukur. Ne me kulturën italiane kemi fituar shumë, kemi marrë diploma dhe të gjithë gjërat e tjera për rritjen fetare ortodokse, pavarësisht se nuk jemi ortodoksë nga pikëpamja juridike; kemi ritin lindor të etërve tanë të ardhur këtu nga Shqipëria dhe jemi nën juridiksionin e Papës së Romës prej 500 vjetësh, që na ndihmoi të jemi edhe sot me ritin bizantin ashtu si në Himarë e në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Ne arbëreshët jemi si bijtë e Concilit të Florensisë ku u bë Bashkimi i Kishave (1436-1439). Me gjithë këtë, ne kemi mbajtur të gjallë kulturën për çështjet tona si shqiptarë, si dhe me ritin bizantin. Edhe kjo bibliotekë ka këtë fytyrë shumëkulturore dhe njerëzit në Shqipëri duhet të mendojnë për këto institucione kulturore që kemi ne arbëreshët, siç është kjo bibliotekë. Kur shqiptarët, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë vijnë këtu fillojnë të qajnë. Këto emocione e pika loti duket sikur tregojnë të gjithë historinë e madhe të një populli që vjen nga shumë shekuj dhe këtu duket sikur të plotësohet zemra. Dhe të gjitha këto vijnë nga flamuri, vijnë nga librat, nga kultura që është këtu. Këtu janë të gjitha librat dhe revistat shqipe si Dielli i Bostonit, Drita, Zgjimi, revistat arbëreshe të Italisë nga Sicilia, Kalabria, Pulia etj., që kanë shkruar poezi, histori, kanë shkruar në dy gjuhë që i kanë djersitur. Pastaj kemi libra të tjera nga Shqipëria, Kosova, që vijnë çdo vit. Në këtë bibliotekë kemi historinë, gjuhësinë, historinë e Skënderbeut. Kjo është një bibliotekë tërësisht shqiptare që nderon Shqipërinë, nderon arbëreshët dhe gjithmonë tregon lidhjen e ngushtë midis diasporës dhe arbëreshëve me atdheun, këtë atdhe që De Rada gjithmonë e ka ëndërruar, një ëndërr që nuk e pa dot kurrë. Ai sot është këtu gjallë ashtu si Vincenzo Dorsa, Jul Variboba.
Rudina Xhunga
: Atë, si u bëtë prift?
At Antonio Bellusci:
Kur isha i vogël shkoja gjithmonë në këto malet afër Frasnitës dhe rrija me dhentë, lopët, pasi ishte kohë lufte. Babai im ishte i zënë rob në Afrikë dhe kur ai u kthye në vitin 1946 unë isha 12 vjeç. Gjatë kësaj kohë rrija me tatëmadhin tim, gjyshin tim. Pra, kur babai im u kthye më tha, biri im, ti duhet të ecësh përpara, duhet të studiosh. Por në zemrën time ishte gjithmonë dëshira për një jetë të hapur, jo të kufizuar. Ashtu si çobani që ecën çdo ditë për të kullotur dhentë, ai nuk shkon vetëm në një vend, por endet në vende të ndryshme në kërkim të ushqimit për dhentë e tij. Nga pikëpamja fetare, imzot më ka zgjedhur dhe pastaj episkopi më ka emëruar famullitar. Kreva studimet në Romë për filozofi dhe teologji në Universitetin Gregoriana, i mora të gjitha gradat akademike në 1962. Dhe atje në Romë ishte edhe profesor Ernest Koliqi që më futi si bashkëpunëtor në revistën e njohur Shejzat e kështu fillova të shkruaja mbi blegtorinë, mbi tekstilin, mbi kulturën popullore arbëreshe dhe nisa të shkruaj arbërisht-shqip. Ai më mësoi për herë të parë kush ishte Jeronim de Rada, pasi nuk dija asgjë. Në këtë kolegj grek njoha në vitin 1960 edhe Vincenzo Malajn, që ishte nga Tuzi dhe që shkroi libra shumë të bukur. Dhe gjithmonë kisha ëndrra të shkoja në Tuz, në Prishtinë, pasi Malaj më tregoi se në Prishtinë, Kosovë, kishte shqiptarë. Kush e dinte në atë kohë? Prandaj kisha këtë dëshirë të madhe të shkoja t’i takoja këta vëllezër, t’i puthja ata dhe tokën. Tjetër gjë ishte në katundet arbëreshe kur isha prift. Unë kam qenë famullitar për tetë vjet në Shën Kostandin Arbëresh (1965-1973), pastaj famullitar për gjashtë vjet në Falconara Albanese (1973-1979), një nga katundet arbëreshe me pamje nga deti. Pastaj më dërgoi peshkopi si famullitar në Kozencë (1979-2000). Atje vinin shumë profesorë dhe emigrantë nga Shqipëria dhe nga Kosova dhe shtëpia ime ishte e hapur për të gjithë. Në 13 korrik 1990 dhe në mars të vitit 1991 isha në Brindisi, i dërguar si përkthyes, për të ndihmuar vëllezërit shqiptarë. Tani jam famullitar këtu në Frasnitë, katundi i lindjes, ku themelova dhe drejtoj bibliotekën. Gjatë gjithë kohës kemi pasur programe me ftesa për kumtesa në Australi, në Amerikë për çështjen e Kosovës, po kështu në Kosovë kam ardhur për herë të parë në 1970 dhe në Shqipëria në shtator 1972 kur u bë Kuvendi i parë për Ilirët. Kam shkuar atje me makinën time. Ky udhëtim ka qenë i jashtëzakonshëm. Bisedat me E.Çabej, Shaban Demirajn, Mahir Domin, Dhimitër Shuteriqin etj., pastaj udhëtimet e mia të shumta gjatë viteve 1965-2000 në krahinat të Elladhës për kërkime etnografike që janë të botuara në dy libra: Kërkime dhe studime ndër arbëroret të Elladhës – Tekste dhe dokumente, Frasnita 1994, dhe Arbëroret-Arvanit - Një popull i padukshëm – Tekste dhe dokumente, Frasnita 2004. Kam shënuar të gjitha udhëtimet e mia të shumta, që në vitin 1989, në Nju Jork për çështjen e Kosovës, duke bashkëpunuar ngushtë me Joseph Dioguardin dhe, si anëtar nderi, me gjithë anëtarët e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, si edhe me anëtarët e Lidhjes së Prizrenit dhe të Lidhjes Demokratike për Kosovën në Nju Jork, Detroit, Filadelfia, Boston. Më 1997-n kam qenë i ftuar në Melburn për një kumtesë dhe pastaj gjithë shqiptarë mërgimtarë në Melburn, Sidnei dhe Adelaide më kanë ftuar dhe nderuar në shtëpitë e tyre, ku në vatër, gëzonte fotografia e Ibrahim Rugovës me këngën: “Ti, Kosova, je nëna ime”, që dëgjohej në makinë, rrugë, shtëpi e në qiell.
Dikur pashë një herë në ëndërr sikur De Rada më zgjoi nga gjumi dhe më tha: “Çfarë bën këtu Belushi që rri e fle”? Çfarë kam bërë, i them unë?! Ngrehu, më tha, shko bashkoi vëllezërit tanë që janë të shpërndarë në boshtin e tokës. Po si t’ia bëj, i thashë unë. Unë jam i vogël, nuk kam fuqinë, nuk kam energjinë. Ai më tha, mos ki frikë biri im, të jap unë fuqinë. Do të të jap këtë flamur më tha, merre këtë flamur dhe ec kudo. Dhe kështu ndodhi që ky flamur ishte si i fatosur, i magjepsur. Ai flamur bëri bashkimin. Ajo që pashë ishte një ëndërr, por që vinte nga zemra. Nga një zemër e pjekur, e butë, e mirë që ishte pasuruar nga takimet me këta vëllezër shqiptarë kudo në botë si në Çikago, Nju Jork. 3 milionë vëllezërit që jetojnë në krahinat e Greqisë si në Korinthi, në Argolidhë, në Peloponez, në Beoti, në Evja. Listën e plotë të krahinave dhe katundeve arbërore-arvanite në Elladhë, studiuesit mund t’i lexojnë në librin tim “Kërkime dhe studime” në faqet 31-42. Është një mrekulli që të gjithë vëllezërit tanë janë në këtë vend ku kanë ruajtur punimet, këngët, 3 milionë shqiptarë me 900 katunde. Ai është një popull i padukshëm dhe i panjohur. Disa njerëz, që punojnë në institucionet shqiptare, e kanë shitur me shpirt kombin dhe janë frikësuar nga ky libri im, që sjell vetëm të dhëna dhe dokumente etnografike dhe nuk lidhen kurrë me politikën. Kur flasin njerëzit për çështjen e Himarës, është një gjë qesharake që nuk ka kuptim me problemet që kemi sot. Pse duhet? Gjaku nuk bëhet ujë! Një gjak, një shpirt, një histori. Çudia e madhe është se Greqia krijon zhurmë për Himarën, e cila gjendet në Shqipëri, dhe Shqipëria s’thotë dhe s’bën asgjë, por që me turp mbyll gojën për të drejtat minimale të pakicës historike dhe gjuhësore arbërore-arvanite në Greqi, duke shkelur qëndrimet e Parlamentit Evropian. Botimet e mia etnografike mbi vëllezërit arbërorë-arvanitë në Greqi kanë qëllimin të lartësojnë Greqinë homerike dhe të afrojnë dhe bashkëpunojnë me vëllezërit tanë arbërorë-arvanitë, që jetojnë prej shekujsh në Elladhë dhe një pjesë e së cilës (siç dihet nga Korova e Methona në vitet 1512-1520), kanë ardhur mërgimtarë në katundet tona.
Rudina Xhunga
: Aktiviteti juaj kulturor shprehet sot në këtë bibliotekë, ku kanë ardhur akademikë dhe profesorë nga Tirana, Prishtina e Tetova, si edhe në revistën Lidhja dhe në veprat tuaja. Cilat janë botimet tuaja dhe çfarë ndihmese kërkoni nga institucionet shqiptare?
At Antonio Bellusci
: Botimet e mia fillojnë në vitin 1966 në Shën Kostandin Arbëresh (Potenza) ku themelova revistën e parë Vatra Jonë (1965-1972). Botimet e mia kryesore që lidhen me kërkime etnologjike në katundet arbëreshe në Itali, si edhe në katundet arbërorë-arvanitë në Greqi janë: “Argalia/Veku ndër tekstet origjinale arbëreshë” (1977); “Magjia, mite dhe besime popullore – Kërkime etnografike ndë arbëreshët” (1983); “Fjalori frazeologjik të shqiptarëve t’Italisë dhe të Greqisë” (1989); “Blegtoria në Frasnitë” (1991); “Kërkime dhe Studime ndër Arbëroret të Elladhës” (1994), hyrja nga Aristidhi Kolljas dhe Gjovalin Shkurtaj; “Antologji Arbëreshe” (2003); “Arbëroret-Arvanitë-Një popull i padukshëm” – Kërkime etnografike në Elladhë - Tekste dhe dokumente - Hyrja nga A.Xhagolli, Z.Neziri, V.Ljapi (2004).
Studiuesit i njohin mirë këta libra. I kanë studiuar dhe kanë shkruar recensione shumë të holla në disa revista shqiptare, kosovare dhe arbëreshe. Dëshira ime është që Departamenti i Diasporës, Ministria e Arsimit dhe institucione të tjera të më ndihmojnë për të shpërndarë këto libra në të gjitha bibliotekat shqiptare dhe kosovare, në mënyrë që të njohin më mirë kulturën popullore arbëreshe-arbërore që ekziston edhe sot në katundet e diasporës shqiptare në Itali dhe Greqi. Njohja e arbëreshëve për shqiptarët nuk mbaron te De Rada, por duhet të vazhdojë edhe në ditët e sotme. Shqipëria e sotme nuk duhet të mjaftohet vetëm me mistifikimin e arbëreshëve.
Rudina Xhunga
: Kush kanë qenë personalitetet nga Shqipëria, Kosova dhe Greqia që kanë ardhur në bibliotekën tuaj? Cilat kanë qenë përshtypjet e tyre?
Atë Antonio Bellusci: Këtu kanë ardhur e më kanë nderuar shumë akademikë dhe profesorë nga Tirana, Prishtina, Tetova dhe gjithë bota. Dua të kujtoj vetëm disa prej tyre pasi katalogu i emrave është shumë i gjatë: Dhimitër Shuteriqi, Ali Xhiku, Jup Kastrati, Esad Myftari, Alfred Xhullima, Pjerin Dedaj, Jorgo Bulo, Nasho Jorgaqi, Pëllumb Xhufi, Floresha Dado, Gjovalin Shkurtaj, Anastas Dodi, Kristaq Filipi, Jorgo Gjinari, Eqrem Çabej, Niko Ketgri, Zana Karapici, Hysen Kordha, Sert Mansaku, Thomas Qendro, Dritëro Agolli, Alfred Uçi, Mariana Semiri, Agim Sinani, Afërdita Surrexhi, Ramazan Vozga, Llesh Kola, Flamur Gashi, Polovina, Hamil Xhaferi, Ejup Aidini, Vehbi Bexheti, Zeqir Kadriu, Agim Vinca, Rexhep Ismaili, Edmond Islami, Ardian Visha, Ilirjan Celibashi, Agron Gaxho, Arben Hasani, Përparim Golli, Laureta Sinani, Ekrem Bardha, Rexha Xhakli, Sabit Bitiçi, Aristidhi Kolljas, Vangjeli Ljapis, Jorgo Gerou, Jorgo Marougas dhe shumë të tjerë. Në bibliotekë kanë ardhur më se 5000 njerëz për të studiuar. Për këtë falënderoj gjithë ata që dërgojnë në bibliotekë time, në Via Pollino, 84 - 87010 Frascineto (CS), librat dhe botimet e tyre.
Rudina Xhunga
: Dua të kthehem sërish te Himara. Si i duhet t’i thuash një njeriu në Himarë, i cili thotë unë jam grek, gjuha ime është greke, gjyshërit e mi janë grekë?
At Antonio Bellusci:
Shqipëria është në zemrën tonë në shekuj të shekujve. Historia është me gjuhën e saj, me kulturën e saj, me zakonet e saja bashkë me trashëgimin që vjen nga etërit tanë. Ai himarjot që thotë se është grek e jo shqiptar, më vjen të them se ai njeri nuk ka dashuri në zemër, është një pjesë dashurie që nuk ekziston në zemrën e tij. Prandaj duhet të kemi dashuri në jetë. Mrekullia e diasporës dhe e katundeve këtu rreth vjen nga kjo dashuri që është e ndezur jo për diçka që është larg, por për prindërit tanë, për nënën, babanë dhe gjyshërit tanë. Sot jemi bërë si kafshët se nuk kemi më dashuri në zemër. Ne duhet të punojmë që të mos shuhet kjo dashuri në zemër. Për këtë diaspora gjithmonë e ka të gjallë Shqipërinë si komb, si atdhe, e dëshiron dhe i lutet Perëndisë që Shqipëria të përparojë.
Rudina Xhunga
: Po ju atë, keni punuar gjithmonë për këtë. Mendoni ndonjëherë që nuk ia vlen, që është kohë e çuar dëm, që këta njerëz nuk bëhen?
At Antonio Bellusci
: Mendoj se njerëzit që sot punojnë në politikë në Shqipëri dhe kudo, bëjnë një shërbim të shenjtë, pasi koha në të cilën jetojmë është e ngatërruar në shumë pikëpamje, nga pikëpamja ekonomike, nga pikëpamja politike njerëzore botërore. Për këtë, ne duhet të ndihmojmë, të themi kështu, politikanët që janë në Shqipëri e kudo, sepse bëjnë shërbesën e shenjtë të tyre me gjithë problemet e përditshme që popullsia ka atje, këtu dhe kudo. Nëse çdo njeri, ashtu si dhe politikani, ka në shpirt të tij këtë ndjenjë dashurie për një shërbim në kulturën e popullit, lirinë e popullit, për të mirën dhe përparimin e popullit, kjo dashuri duhet të mbahet fort dhe e bashkuar. Në qoftë se janë dhjetë njerëz që kërkojnë të shuajnë këtë dritë dashurie, duhen njëzet të tjerë që ta mbajnë të gjallë këtë dritë dashurie. Mua nuk më duket e drejtë që partitë të turpërojnë çdo ditë njëri-tjetrin, duke harruar ndjenjat e tyre dhe vlerat kulturore që kanë në ndërgjegje dhe që populli i shpreh atyre çdo ditë që t’i shërbejnë me humanizëm.
Rudina Xhunga
: Ne kemi edhe diçka tjetër atë, padurimin. Nuk durojmë dot më. U lodhëm, njëzet vjet.
At Antonio Bellusci:
Jo, jo, e dimë mund të lodhet një njeri, por shqiptari nuk lodhet kurrë. Nëse një njeri ka një makinë, do të ketë dhjetë të tjera, nëse një njeri ka një celular, do të ketë edhe dhjetë të tjera. Njeriu nuk është kurrë i kënaqur me atë që ka, kërkon gjithmonë një lumturi që nuk e gjen kurrë jashtë kopshtit të shpirtit të tij. Pra, lumturinë çdo njeri e ka përpara syve, por shkon dhe e kërkon atje përtej. Kjo është pjesë e natyrës sonë. Filozofia të ndihmon shumë në gjetjen e zgjidhjeve, ashtu si dhe feja dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit e i Skënderbeut pra, nderi, besa dhe mikpritja. Këto janë të kodifikuara dhe japin dritë në çdo shtëpi e çdo njeri. Pra, besa, nderi, burrëria, mikpritja, por nëse Kanunin e Lekë Dukagjinit ne shqiptarët e kemi akoma në zemër, këto na japin dritë dhe na afrojnë me Zotin, me njeriun, me politikën. Për këtë duhet një edukatë e përditshme. Ne duhet të bisedojmë për këto gjëra, pasi nëse grindemi gjithmonë, atëherë argumentet nuk kanë më vend.
Rudina Xhunga
: Mund t’ju pyes për diçka që po ndodh sot në Shqipëri atë, siç është regjistrimi i popullsisë në bazë të fesë? Ju jeni prift, jeni edhe shqiptar, jeni edhe filozof. Si mendoni ju, si është regjistrimi i shqiptarëve në bazë të fesë?
At Antonio Bellusci
: Ju e dini se Parlamenti Europian pretendon nga të gjithë anëtarët që bëjnë pjesë në të, respektin për fenë dhe për gjuhën. Sipas këtij koncepti dhe sipas Kushtetutës italiane që respekton të gjitha pakicat, ne si pakicë historike që kemi gjuhën shqipe, nëse zbatojmë atë koncept aut-aut, o kështu o ashtu, kjo bibliotekë shqiptare këtu në Itali, në provincën e Kozencës, në Frasnita, nuk do të kishte kuptim. Perëndia dashuron njeriun që do me zemër, jo me buzë apo me etiketa të tjera. Kjo është kohë e bjerrë, le të themi kështu, nuk ka asnjë rëndësi dhe asnjë kuptim të numërosh popullsinë sipas fesë. Ç’më intereson mua se çfarë feje ke ti, apo ç’të intereson ty se e cilës fe jam unë. Kjo është një gjë personale. Unë kam për detyrë, me jetesën dhe veprimtarinë time, të bëj të bukur dhe të shkëlqyer fenë që kam pranuar, por jo t’i imponoj fenë time tjetrit, për ligj. Perëndia do njerëz të lirë dhe të gëzuar në shpirt. Nuk fitohet asgjë kështu, është një kohë e bjerrë, një përçarje dhe një gabim. Është jashtë kuptimit tim dhe jashtë kuptimit të Evropës që kërkon respektin. Në Shqipëri kërkohet kjo gjë? Po atëherë ku shkuan të gjitha shkrimet filozofike të Naim Frashërit, Sami Frashërit, të bektashianëve etj? Ku është bukuria e thënies sonë kombëtare se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”? Fjala “shqiptari” mban dhe zbukuron të gjitha vlerat shpirtërore kanunore shqiptare.
Rudina Xhunga
: Po Shqipëria është e sëmurë atë...
At Antonio Bellusci
: Kur shkova në Australi, vajta dhe në Sidnei më 1997-n dhe atje po flisnim për Shqipërinë, kishin ardhur njerëz mërgimtarë edhe nga Shqipëria, të cilët tregonin për gjithë ato gjëra të këqija që po ndodhnin në Shqipëri. Ishte edhe një plak atje, i cili nisi të qante dhe thoshte “Ah moj nënë, Shqipëria është e sëmurë” e nuk pushonte se qari. Ai thoshte: “Na ndihmo o Zot se Shqipëria nuk është e keqe, është e sëmurë”. M’u kujtua kjo nga fjala që sapo the, pra nëse një vend është i sëmurë, atëherë ka nevojë për ilaçe të buta, të mira. Ky është një moment që jo vetëm Shqipëria po e kalon, por edhe ne këtu dhe e gjithë Europa. E shikon ç’po ndodh me bombat në Libi, Siri, ajo që ndodhi në Egjipt? Është si një vullkan. Por ne duhet të kemi besë te Perëndia dhe shpresë e të mos e humbim rrugën e drejtë, rrugën me dritë, rrugën e njerëzimit.
Rudina Xhunga
: Të gjitha këto libra që kam mbi tryezë, janë libra që i keni shkruar për këtë, se nuk humbët shpresën te drita?
At Antonio Bellusci
: Për shembull, libri “Arbëroret-Arvanitë-Një popull i padukshëm” e bëra që të mos i shuhej shpresa arbëreshëve, shqiptarëve dhe arvanitëve. Por kërkova edhe rrënjët tona në Gadishullin Ballkanik ku ndodhej dhe ndodhet Elladha në shekullin XV. Në këtë libër, arbërisht dhe italisht, ti gjen një popull shqiptar në mërgim, i harruar dhe i shkelur, i cili këndon arbërisht dhe tregon përralla, emrat e vendeve dhe mban zakonet etj. Këtu ke njerëz që, për herë të parë, fillojnë e me shkruajnë arbërisht ashtu siç e ndjenë në zemrën e tyre. Një thesar me mrekulli. Një histori e panjohur! Shumë më kanë thënë se na zgjove nga gjumi, shumë njerëz nuk dinë bukuritë që kemi ne. Ndërsa librin tjetër e bëra për 40 vjet udhëtim, duke punuar nëpër rrugë, katund më katund duke filluar nga Peloponezi etj., mora fotografi, tekste dhe e ndezëm këtë zjarr sa u zgjuan edhe ata. Filluam të kishim këmbime, ata vinin këtu e ne shkonim atje. Me Aristidh Koljan kemi krijuar një urë, por pastaj na e prishën.
Rudina Xhunga:
E prishën sepse e helmuan Aristidh Kolën.
At Antonio Bellusc
i: Historia e Aristidhit mund të kuptohet shumë mirë edhe në letrat që ai më ka shkruar dhe që janë botuar në revistën time “Lidhja”. Në maj 2000 unë kam shkuar në Athinë për promovimin e librit të fundit të Aristidhit: “Antonio Bellusci dhe magjia e traditës popullore” Adoni, Athina 2000. Kur shkova në Athinë ai kishte shkuar në spitalin e Athinës një ditë më parë. Promovimi u bë. Ishe edhe ambasadori i Shqipërisë dhe shumë gazetarë të huaj. Në tetor Aristidhi vdiq. Vëllazërimi mes nesh ishte shumë i fortë, sepse kishim krijuar një lëvizje popullore midis arbërorë në Greqi dhe arbëreshëve në Itali. Revista ime “Lidhja” dhe revista e tij “Arvanon” ishin shumë të forta dhe të përhapura në vatrat e arbërorëve dhe arbëreshëve. “Ne i themi arbërorë, jo arvanitë”, kështu më kanë treguar shumë njerëz kudo shkoja në Elladhë për të mbledhur të dhënat etnografike. Si vdiq Aristidh Kolas? Ashtu siç vdiq edhe Jorgo Marougas, drejtori i revistës “Dialogoi”, në një operacion për apandesitin? Vetëm Perëndia i di këto. Ata që kanë kundërshtuar shumë ashpër njerëz si Aristidh Kolën, Jorgo Marougasin dhe mua, janë njerëz pa sy, pa tru e pa ndërgjegje, të cilët kanë menduar t’i bëjnë një shërbim Greqisë për çështjen politike por kanë dëmtuar Greqinë nga pikëpamja kulturore, shpirtërore, njerëzore dhe evropiane. Botimet tona mbi arbërorët janë si një himn dhe një lavdi për Greqinë. Por fanatizmi i verbër frikësohet edhe nga hija e vet.
Rudina Xhunga:
Kush u frikësua nga Aristidh Kola?
At Antonio Bellusc
i: Është Perëndia që e di se si shkuan gjërat. Thonë fjalë të ndryshme, por unë nuk mund të them se cila është e vërteta. Ai ishte një njeri i ri, i fortë, i butë, i shenjtë, e donte gjuhën dhe ka luftuar e bërë shumë. Edhe libri i tij për arvanitët është si Bibla te të gjitha shtëpitë e arvanitëve, të arbërorëve siç i them unë. Kjo punë e begatëson Greqinë, fakti se janë 3 milionë me origjinë shqiptare, nuk ka pse i shqetëson ata. Edhe ne arbëreshët këtu jemi si një lulishte për shtetin italian, por prapë ne nuk luftohemi nga ata, nuk sulmohemi.
Rudina Xhunga
: Por atëherë çfarë kanë grekët ndryshe nga italianët që nuk e kuptojnë?
At Antonio Bellusci:
Gjithmonë është fanatizmi që u fut edhe te qeveritarët, pasi problem është edhe Turqia për grekët. Marrëdhëniet jo të mira të grekëve me turqit, futën edhe Shqipërinë, pra pikërisht për çështje feje dhe këto bëhen për të përçarë. Nga kjo vjen pastaj lufta, sulmet dhe vrasjet. Zoti i madh nuk i do këto gjëra. Vetëm me dashuri rregullohen gjërat. Si thotë Perëndia “unë jam drita, unë jam paqja, unë jam rruga”. Ashtu dhe njeriu, sa më shumë mbyllet në veten e tij aq më i egër bëhet, aq më i keq bëhet, nuk shikon dritën. Kështu është edhe një komb, kur mbyllet bëhet i egër. Mëkati është një nga dobësitë që ka natyra njerëzore dhe këto dobësi, këto pengesa duhet të kapërcehen me fenë personale dhe shoqërore, me kulturën, me filozofinë. Kur shkova një herë në Boston ishte një shqiptar i madh atje, Anthony Athanas, i cili më thoshte se ne shqiptarët fluturojmë si një zog. Zogu ka dy krahë, njëri krah është gjuha ndërsa krahu tjetër është feja. Nëse ti i pret një krah zogu bie. Kështu që feja, çdo fe, si katolike, ashtu edhe ortodokse dhe myslimane, bektashiane ose asnjë fe e kodifikuar, është një krah që ndihmon krahun tjetër për të fluturuar. Idetë e Naim Frashërit janë këto, janë ide të bukura që sot në shkollën italiane dhe Europë thuhet multikulturë, multilinguizëm. Çfarë do të thotë multi? Do të thotë se janë shumë gjuhë, shumë kulturë për të pasuruar njëri-tjetrin, jo për t’i përçarë. Kjo është rruga që Europa na jep sot. Pra këto grindje për fenë nuk kanë kuptim dhe nuk ecin përpara pikërisht pse janë të gabuara, janë të kalbura që në rrënjë.
Rudina Xhunga
: Atë, në fund të kësaj interviste do të doja ta mbyllnim me një lutje për Shqipërinë, një lutje që nuk vjen nga feja, por nga besimi. Një lutje jo për Shqipërinë nga unë vij, por për Shqipërinë që gjeta edhe këtu, Shqipërinë që është kudo që ka shqiptarë.
At Antonio Bellusci:
O Perëndi, çdo dhuratë vjen prej Teje, prej së largëti që në fillim të kohëve. Dhurata më e madhe o Perëndi, neve na vjen nga ndihma Jote gjatë shekujve që të mbajmë gjallë këtu në Itali, në Kalabri, në disa katunde, ritin bizantin me fenë ortodokse, dhe të mbajmë të gjallë gjuhën arbëreshe shqiptare dhe zakonet tona që kanë ardhur, siç kam thënë më parë, o Perëndi e madhe, nga jugu i Shqipërisë, nga Himara, Dibra, Epiri dhe krahina të tjera të Gadishullit Ballkanik. O Perëndi, gjatë shekujve këtu në Itali Ti na ndihmove çdo herë të mbajmë të gjallë këtë burim që na vinte nga besa dhe nga shpirti i etërve tanë të cilët na e kanë trashëguar si qumësht nga sisa e tyre në shpirtin tonë. O Perëndi, ne jemi dëshmi e gjallë, ne arbëreshët këtu, se kjo Shqipëri është e gjallë e kjo dhuratë erdhi kur gjithë gjërat ishin si të humbura. Edhe sot kur të gjitha gjërat duket sikur kanë humbur, ato janë të gjalla, si ardhja jote këtu. O Perëndi, Ti e shpëtove gjithmonë nga humbjet dhe nga e këqija atdheun tonë e me lutjet tona, me veprimtarinë tonë, o Perëndi, do të shpëtosh prapë, atdheun tonë dhe gjithë popujt e botës nga çdo e keqe. Amin!/Dritare.net