top of page

Artikulli i Aristotel Spiros ngre një çështje të rëndësishme:


Hyrje nga Revista Prestige, me pas artikulli origjinal i Prof A.Spiro


Artikulli i Aristotel Spiros ngre një çështje të rëndësishme: si përdoret gjuha e integrimit evropian nga institucionet shqiptare dhe sa e kuptueshm.

e është ajo për qytetarin. Spiro ndalet veçanërisht te përdorimi institucional i termit acquis, i cili është bërë pjesë e përditshme e dokumenteve, raporteve dhe komunikimeve zyrtare për procesin e anëtarësimit në BE.


Por çfarë nënkupton “acquis” në gjuhën institucionale?


Acquis communautaire është termi teknik me të cilin institucionet evropiane dhe vendet kandidate i referohen tërësisë së legjislacionit, rregullave, parimeve, politikave dhe detyrimeve të Bashkimit Evropian që një vend kandidat duhet të përafrojë, përvetësojë dhe zbatojë.


Prandaj, në dokumentet zyrtare shqiptare hasim shprehje si “përafrimi i acquis-it”, “përmbushja e kërkesave të acquis-it” apo “harmonizimi me acquis-in e BE-së”.


Pikërisht këtë përdorim institucional vë në diskutim Spiro: jo nevojën për termin teknik, por faktin që ai shpesh përdoret si një fjalë e pashpjeguar, sikur kuptimi i saj të ishte i vetëkuptueshëm për çdo qytetar.

Për Spiron, një administratë që i drejtohet publikut duhet ta japë termin edhe në shqip, në mënyrë që qytetari të kuptojë se çfarë ligjesh, rregullash dhe standardesh po përshtaten dhe si lidhen ato me jetën e tij. Në këtë kuptim, shqipërimi i termit nuk është thjesht çështje fjalori, por çështje transparence dhe demokracie.


Përmes analizës së këtij termi, autori ngre një pyetje më të gjerë: a mund të jetë qytetari pjesë e një procesi që nuk e kupton gjuhën me të cilën i komunikohet?

Spiro argumenton se shqipërimi i terminologjisë evropiane nuk është thjesht çështje gjuhësore, por lidhet drejtpërdrejt me qartësinë, pjesëmarrjen qytetare, demokracinë dhe dinjitetin me të cilin Shqipëria duhet të hyjë në Evropë.

ACQUIS, OSE GJUHA ME TË CILËN HYJMË NË EVROPË

nga Aristotel Spiro

Botuar fillimisht në blogun personal “Veritas et Virtus”, më 26 gusht 2026.

Pastaj vendoset i gjithë teksti që më dërgove, fjalë për fjalë, deri te shënimi i autorit dhe kushti i pronësisë intelektuale.


VERITAS ET VIRTUS

Wednesday, August 26, 2026

Acquis, ose gjuha me të cilën hyjmë në Evropë

nga Aristotel Spiro

Para pak kohësh më erdhi një e-mail zyrtar, ku më priste një fjali që aq me kujdes dukej e ndërtuar, sa mezi munda ta kuptoja:


«Nga Përafrimi i A**cquis-së te Përmbushja e Kushteve për Mbylljen e Përkohshme të Kapitullit.»


E lexova një herë dhe prapë e lexova dhe më mbeti ajo ndjesi e turpshme se isha me faj, meqenëse nuk qenkam aq i shkolluar për të hyrë në Evropë (apo Europë!).


Shkronja e madhe nistore e çdo fjale në mes të fjalisë i ngjante një marshimi të pandalshëm brenda receptorëve të mi semantikë. E megjithatë, më dukej sikur nuk isha unë ai që s’e kuptoja fjalinë, por ishte vetë fjalia që nuk donte të kuptohej. Në zemër të saj rrinte fjala-kyç e gjithë kësaj ftohtësie: acquis.


Çdo profesion i mbyllur ka fjalëkalimin e vet. Është ajo fjalë që, sapo e shqipton saktë, të hap derën për t’u bërë pjesë e kastës, por, nëse e ngatërron, të nxjerr zbuluar dhe rri si i huaj para portës. Acquis i ngjan pikërisht këtij fjalëkalimi. Duke e ndarë botën më dysh:

më një anë «të lëçiturit», ata pak që «e dinë», që e flasin gjuhën e brendshme të procesit; më tjetër anë gjindja, e lënë të hamendësojë së jashtmi se çfarë po vendoset mbi shpinën e saj.

A nuk qenka e çuditshme që rrugëtimin më të madh kolektiv të këtij brezi po ua përshkruajmë qytetarëve me një fjalë që ata vetë nuk e marrin vesh?


Le ta zbulojmë, pra, misterin, sepse mister nuk paska! Acquis nuk është ndonjë koncept ezoterik i zbritur nga Brukseli si tabelat e Moisiut. Është thjesht pjesorja e foljes frënge acquérir ‘fitoj’: fjalë për fjalë, ‘e fituara’, ‘çka është arritur’. Acquis communautaire domethënë ‘e fituara komunitare’, tërësia e ligjeve, parimeve, politikave dhe detyrimeve të Bashkimit Evropian që vendet kandidate duhet të përvetësojnë. Në terma praktikë janë në fakt 35 kapitujt e negociatave të acquis communautaire, dhe jo vetë “arritjet komunitare”, pra:


lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e punëtorëve, e drejta e vendosjes dhe liria e ofrimit të shërbimeve, lëvizja e lirë e kapitalit, prokurimi publik, e drejta tregtare dhe e drejta e shoqërive tregtare, mbrojtja e pronësisë intelektuale, politika e konkurrencës, shërbimet financiare, shoqëria e informacionit dhe mediat, bujqësia dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare, peshkimi, politika e transportit, energjia, tatimet, politika ekonomike dhe monetare, statistikat, politika sociale dhe punësimi, politika e ndërmarrjeve dhe industria, rrjetet transevropiane, politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, shkenca dhe kërkimi shkencor, arsimi dhe kultura, mjedisi, mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit publik, bashkimi doganor, marrëdhëniet e jashtme, politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes, kontrolli financiar, dispozitat financiare dhe buxhetore, institucionet dhe çështje të tjera.


Ja, pra, që mbreti semantik na paska dalë lakuriq! Fjala që na paraqitet si e paprekshme dhe teknike, qenka aq e rëndomtë në prejardhje! Terri i saj semantik nuk vjen nga përmbajtja, por nga fakti i thjeshtë se nuk i kemi hyrë mundimit për ta përkthyer.

Mund të thoshte ndokush: «E po mirë, le të mbetet kështu e papërkthyer, ç’të keqe ka?». Por këtu çështja nuk është thjesht filologjike. Gjuha nuk është zbukurim i jashtëm i një procesi. Gjuha është vetë dera prej së cilës hyn ose mbetesh jashtë.


Qytetari që nuk i ka të qarta fjalët me të cilat i përvijohet e ardhmja e vet si mund të ndihet pjesë e kësaj të ardhmeje?


Në vend që ta përjetojë integrimin si diçka që e bën bashkë me shtetin, e përjeton si diçka që i bëhet, si një operacion në të cilin ai është i shtrirë në tavolinë dhe nuk kupton asgjë nga fjalët që shkëmbejnë mbi kokën e tij ata që mbajnë thikën.


Por a mund të quhet kjo pjesëmarrje?


A mund të quhet kjo gjë pëlqim i qytetarit? Apo nuk qenka asgjë përveçse një reformë që i serviret një populli të heshtur?


Mënyra se si një institucion e përdor gjuhën zbulon mënyrën se si e ka konceptuar punën e vet. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi. Kur organet shtetërore e servirin acquis-në si fjalë të huaj të pandryshuar, dashur pa dashur tradhtojnë filozofinë e tyre të vërtetë ndaj integrimit: atë të stilit të «kopjo-ngjit»-it («copy-paste»-it) legjislativ, të një liste me kutiçka që duhen markuar një nga një.


⁸Kapitujt «hapen» e «mbyllen përkohësisht» si liturgjia e një feje ku besimtari nuk e kupton latinishten e priftit. Dhe ndoshta pikërisht kjo duket e leverdisshme, meqenëse besimtari që nuk kupton nuk ka pse të pyesë.


Dhe nga besimtari që nuk pyet nuk pritet ta thotë fjalën e vet. Mediumi është mesazhi. Procesin që synohet të mbetet teknik, i mbyllur, në duart e të paktëve, e tradhton një term i patejdukshëm.


Në të vërtetë, e kundërta duhet synuar. Integrimi duhet të jetë përvetësim i normave dhe i vlerave nga një popull i tërë, që të jetë i vetëdijshëm dhe të ndihet i përfshirë.


«Po saktësia?», do të kundërshtonte teknokrati, i fyer që dikush guxuaka t’ia prekë zhargonin.


«Ky është term ndërkombëtar!


Edhe anglishtja e përdor acquis-në të papërkthyer.»


Po, i themi ne, vërtet e përdor!


Por vëreni hollësinë që teknokrati ynë e harron: anglishtja vërtet e mban fjalën e huazuar nga frëngjishtja,


" por e shpjegon në po atë fjali si «tërësia e së drejtës së BE-së»."


Zgjidhja, pra, nuk ka qenë kurrë mes saktësisë dhe kuptueshmërisë. Kjo është një dilemë e rreme, ose ndryshe alibia e dembelit.


Termi është mirë të tingëllojë shqip, të jetë i motivuar dhe i kapshëm, me origjinalin në kllapa kur e imponon saktësia.


Shqipja ia ka arritur të shqipërojë me sukses shkenca të tëra, që nga fizika e deri te mjekësia, pa e humbur saktësinë.


A do të dorëzohet vallë pikërisht atje ku bëhet fjalë për fjalët e së ardhmes së vet? Jo, jo, nuk është kjo saktësia. Në rastin më të mirë do të quhej përtaci. Në rastin më të keq, komoditet i largësisë që fjala e huaj vendos mes shtetit dhe qytetarit.


Dhe ka një zgjidhje aq të thjeshtë, sa na vjen keq që duhet ta mbrojmë.

Thuaje, pra, shqip: «arritjet»! Fjala e ka brenda vetes origjinalin acquis ‘çka është arritur’, por bën edhe diçka më shumë, diçka që teknokrati nuk e sheh dot, ngaqë fjalori i tij nuk e ka. Fjala shqipe rikthen pronësinë. Acquis*-ja* e origjinalit është e fituara e tjetrit, a**rritja e tjetrit .


Bashkimi Evropian e ka fituar, kandidati le të adoptojë. Fjala ngërthen njëkahësí ose marrje pa dhënie apo dorëzim.


Po ta quajmë shqip «arritje», e riklasifikojmë heshturazi si arritje ku edhe ne kemi hise, ku edhe ne marrim pjesë dhe jo vetëm e pranojmë në mënyrë pasive.


Nga një përvetësim pasiv në një arritje të përbashkët. Kjo është e gjithë distanca midis një populli që i nënshtrohet Evropës dhe një populli që hyn në të me dinjitet, si të ishte vërtet zot shtëpie.


Në fund të fundit, këtu qëndron e gjithë çështja. Një populli nuk i ka hije të hyjë në Evropë duke e lënë gjuhën si një valixhe të tepërt në doganë, por hyn me gjuhën e vet.


Përndryshe hyn vetëm me trup, ndërsa me mendje mbetet jashtë.

Prandaj le t’ua kthejmë shqiptarëve fjalët me të cilat po u ndërtohet e ardhmja.


Le ta shqipërojë institucioni termin e huaj dhe të pakuptueshëm, le ta shqipërojë përkthyesi, le ta ketë kujdes Akademia jonë dhe sidomos hartuesit e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

Dua të sqaroj se këtu nuk nisem nga pozitat e purizmit, sepse nuk mund të identifikohem kurrsesi si purist, por nga pozitat e lirisë dhe demokracisë. Shqipërimi i acquis-së nuk është një tekë filologësh, por një akt i vogël demokracie.


Është mënyra për t’i thënë qytetarit: «Kjo e ardhme për të cilën flitet është edhe e jotja dhe çka po «arrihet», është duke u arritur edhe prej teje.» Ndoshta për të parën herë Evropa mund t’i flasë në gjuhën e tij.


© Aristotel Spiro

© Pronë intelektuale. Lejohet kopjimi vetëm në shtypin elektronik

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

© Revista Prestige 2023 - 2026

  • Facebook
  • Instagram
  • Pinterest
  • Twitter
  • LinkedIn
  • Whatsapp
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • Pinterest
bottom of page