Dorshkrimet e Lasgush Poradecit: Himni i Flamurit drejt udhëtimit të tij kombëtar panshqiptar
- Founding Publisher.LP

- Nov 26
- 3 min read

Dorshkrimet e Lasgush Poradecit: Himni i Flamurit drejt udhëtimit të tij kombëtar panshqiptar
Pse zgjedhja e Korçës si qyteti kryesor ku duhej bërë i njohur dhe përhapur himni, kishte domethënien e saj
Kur u bë himni shqip në rrethanat që treguam më sipër, rronte dhe zotëronte me plot fuqitë e tij sulltan Abdul Hamiti në Stambollin e famshëm; nuk mendonin shqiptarët se do krijohet dhe aq shpejt Shqipëria, as shqiptarët as udhëheqësit veteranë të tyre nëpër kolonitë e ndryshme të mërgimit. I këtij mendimi qe dhe kolonia e madhe e Bukureshtit, e cila çquhej me të drejtë si qendra e gjithë kolonive të tjera të jashtme, si veteranja e veteraneve nga shoqet e saj.
Kryetarët shqiptarë e filluan lëvizjen e çlirimit me një perspektivë kohe mjaft të gjatë — perspektivë prej dhjetëvjeçarësh — derisa populli të ishte përgatitur nga kultura dhe nga drita historike për t’u ngritur me themele në ndjenjën e domosdoshme dhe të përgjithshme të vetëdijes së tij kombëtare. Vetëm rëkëllimi i shpejtë i ngjarjeve e nxitoi arritjen e vetëqeverimit dhe të mëkëmbjes shtetërore të dëshiruar.
“Ku e dinim ne,” — më thoshte gjithnjë veterani Asdren — “se do bëhet aq shpejt Shqipëria me një Turqi të fortë!” Dhe fjala e tij e urtë pa pretendime përforcohet vetiu nga e vërteta e fakteve të mbaruara.
Duke mos qenë Shqipëria mëvetëshe, kuptohet se himni nuk u shqipërua prej Asdrenit me qëllim panshqiptar, me paramendimin që ta mbante peshën e rëndë të një himni kombëtar zyrtar. Ai grup djaloshësh të Bukureshtit e përvetësoi himnin ashtu siç e gjeti dhe nëse kopja e larguar prej origjinalit u ngrit sipër bazës nga e cila mori fluturimin, kjo i detyrohet me mirënjohje vjershëtorit Asdren.
Ashtu si fjalët, edhe melodinë e himnit — të kompozuar nga muzikanti rumun Ciprian Porumbescu — e përvetësuan pa ndryshime, duke menduar se çdo lëvizje do t’i prishte efektin në këndim për shqiptarët e Rumanisë. Dhe himni, i shqipëruar e ngjitur në krahët e lehtë të muzikës fluturuese, u vendos të shpihej për përhapje në Korçë — zemra e kolonive shqiptare.
---
Pse Korça?
Zgjedhja e Korçës si qyteti kryesor për përhapjen e himnit kishte domethënie të thellë në veprimtarinë atdhetare të kolonive, sidomos të Bukureshtit, ku lindi vetë kjo këngë flakëronjëse.
Të mërguarit shqiptarë në Rumani, Egjipt, Bullgari, Europë, Amerikë e Rusi, pavarësisht vendlindjes, krenoheshin të quheshin korçarë për shumë arsye — por kryesisht sepse Korça ishte në krye të rretheve të Toskërisë, qendra e Rilindjes kombëtare.
Nga figura të mëdha nga Pogradeci, Mokra e Gorica te patriotët e njohur në diasporë, shumë prej tyre mbanin me krenari mbiemrin a përkatësinë Korça:
— Nikoll Naço – Korça
— Dr. Spiro Maçuka – korçar
— Jan Danga – korçar
— Kristo Luarasi – korçar
— Sotir Peci – korçar
— Thanas Tashko – korçar
Drita e kësaj qendre shpirtërore i rrezatonte gjithë jugut shqiptar dhe edhe më larg.
Edhe vetë Naim Frashëri e ka përshkruar Korçën me adhurim në vargjet e tij:
Lumja ti, moj Korça-lule,
Q’i le pas shoqet e tua;
Si trimi në ballë-u sule,
T’a paçim përjetë hua!
---
Dërgimi i himnit në Korçë (1908)
Ishte viti 1908. Në Korçë gjendej patrioti Tashko Ilo dhe poeti kryengritës Hil Mosi, të cilët morën me vete partiturat e përgatitura të himnit. Hil Mosi, që kishte miqësi të ngushtë me Asdrenin, bartte me vete tekstet e sakta të shqipëruara.
Hil Mosi ishte njeriu i duhur për këtë mision: me zë të mirë, atdhedashuri të zjarrtë, natyrë të hapur e gazmore, i aftë të tërhiqte masat dhe të fitonte simpatinë e tyre. Ai futi në qarkullim edhe shumë këngë të tjera patriotike, mes tyre:
“Male dhe fusha ushtojnë sot,
Zëri i atdheut po dëgjohet”
si dhe këngën Drenova, kushtuar Asdrenit.
Meloditë shpesh huazoheshin nga këngë të tjera ballkanike, sipas fenomenit të natyrshëm popullor të kohës. Po kështu ndodhi dhe me vargjet e himnit:
“Rreth flamurit të përbashkuar”
u këndua nga populli me disa variante:
— “Pranë flamurit të bashkuar”
— “Flamurit pranë të bashkuar”
Populli mori atë që i vinte më lehtë, ndaj të gjitha variantet u bënë njëvleftëshe.
---
Hil Mosi – misionari i himnit
Hil Mosi ishte i vetmi njeri në atë periudhë që mund ta përhapte himnin me sukses. Ai kishte lidhje me kolonitë, njihte natyrën e popullit, këndonte vetë dhe kishte një karakter që ndezte entuziazmin e turmave. Atdhedashuria e tij është përjetësuar edhe nga At Gjergj Fishta në Lahutën e Malcis, ku e paraqet me pushkë dhe flamur në dorë gjatë kryengritjes së Deçiqit.
Përhapja e himnit ishte një veprim i madh i kolonisë së Bukureshtit dhe një hap i rëndësishëm drejt bashkimit kombëtar. Ai u përhap në tërë Shqipërinë, duke pushtuar zemrat e shqiptarëve.


