top of page

Ina Kosturi është violiniste, krijuese – interpretuese dhe publiciste. Profesor i asociuar i violinës në Universitetin e Arteve në Tiranë.




Profili i Ina Kosturit.

Pergatiti:Liliana Pere


Ina Kosturi është violiniste, krijuese – interpretuese dhe publiciste. Profesor i asociuar i violinës në Universitetin e Arteve në Tiranë, pedagoge e përkushtuar dhe intelektuale që ka dhënë kontribut në promovimin e kulturës muzikore. Karriera e saj është një shembull i talentit, pasionit dhe përkushtimit që tejkalon kufijtë. 



Pas përfundimit të studimeve me rezultate të shkëlqyera në violinë dhe gjithë lëndët në Liceun Artistik në Tiranë, vijoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, nën drejtimin e violinistëve,  të njohur Pandush dhe Pirro Gjezi. Ndjekja e shkollës së gjuhës dhe kulturës italiane “Lorenzo de Medici” në Firence, realizimi i një audicioni të suksesshëm në Konservatorin “Luigi Cherubini” mundësuan vazhdimin e studimeve dhe diplomimin në Konservatorin “Umberto Giordano” në  Foggia -s. Cilësuar si një violiniste sensibël në  interpretim nga violinistë e pedagogë të njohur si Giovanni Tanzini, Yvette Gregorian, Enzo Mastromatteo, Gazzeta del Mezzogiorno do botonte shkrimin “Giovane albanese si e diplomata al Conservatorio”…  



Karriera artistike

Pas diplomimit i përkushtohet aktivitetit si soliste duke interpretuar në skenat më të rëndësishme shqiptare repertorin bazë violinistik dhe mjaft vepra premierë, nga Koncerti nr 2 i Prokofievit, Duot e Stravinskij, Copland, Elgar, Ravel, Svendsen etj. Realizuese e numri të madh recitalesh me një repertor të pasur nga klasikët tek modernët, me bashkëpunime në skenën italiane me artistë të njohur si Gianna Fratta, inauguron sezone artistike si ai i 17-të i Lucerës, vlerësuar me pergamen nga Kryetari Bashkisë. Fituese e Cmimit të tretë të konkursit “Giovanni Astarita” në Monopoli, Interpreton si soliste me orkestrat e TKOB, RTSH, orkestrat e harqeve të TKOB, UA nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si Ermir Krantja, Eno Koço, Gianna Fratta etj.  Aktiviteti koncertor i mëvonshwm spikat me rolin si krijuese dhe interpretuese vlerësuar me çmime ndërkombëtare në konkurse të rëndësishme, shpesh si shqiptarja e parë dhe e vetme si fituese. Nderohet me Golden Award dhe çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar” Oskar Rieding” ( Slloveni Celje 2022) ( kategoria pedagog ), me çmimin e tretë në “Amadeus Composition Competition” në Vjenë në shtator 2023, me çmimin e parë në “Composition Competition” në Central Academy në Maltë në 2023,me çmimin e parë në “5 Swiss International Music Competition” në Lugano, Zvicër, në dhjetor 2023. Është përzgjedhur dhe ka marrë pjesë si krijuese dhe interpretuese në Music Marathon në “Women Composers Festival of Hartford” edicioni i 23 në Connecticut, USA in 2024. Në librin e këtij festivali të rëndësishëm që promovon  krijmtarinw e femrave kompozitore nga gjithë bota, krijimet dhe cv e saj qëndrojnë  krah personaliteteve muzikore që drejtojnë departamente kompozicioni në universitete muzikore në mbarë botën. 

  


Kontributi akademik dhe pedagogjik

Eshtë pedagoge e violinës në Universitetin e Arteve. Nga viti 2011 mban titullin Profesor i asociuar, udheheqëse e diplomave, bashkëhartuese e programeve të violinës, me kontribut në  pasurimin e repertorit violinistik, organizatore e aktiviteteve për studentët si “Ditët e hapura të  violinës”, “To be the best”etj .Krijmtaria e saj për violinë, Caprici për violinë solo nr 1 është 

bërë pjesë e koncertit të studios së pedagoges së famshme, violinistes Ida Bieler në University of North Caroline, USA krahas pjesëve të kompozitoreve të famshme Lily Boulanger, Grazina Bawcevic . 



Ajo ka marrë pjesë në shumë transmetime muzikore, ka drejtuar cikle emisionesh në Radio Tirana si dhe ciklin e emisioneve televizive “Metronom” duke interpretuar dhe komentuar muzikën violinistike.



Veprimtaria publicistike dhe letrare



Përtej skenës muzikore, Ina Kosturi ka ndriçuar me penën e saj të mprehtë si publiciste me mbi 200 artikuj në shtypin e shkruar nga viti 2003. Artikujt kritikë dhe analizat i referohen problemeve të  artit e muzikës, arsimit dhe historisë  duke zbuluar ngjarje si recitali i parë  shqiptar i vitit 1926. Është autore e pesë librave si “Përtej Personales” (2006), “Talente të heshtur” (2007) “Pak mall për socializmin” në 2009, “Rrëfim në Tre Kohë” (2012), “31 Capriccio artistike” në 2022 ku kritika muzikore i lë vendin herë pas here  letërsisë. Artikulli i saj për barazinë gjinore u nderua në vitin 2012 me çmimin prestigjioz të Unionit të Gazetarëve.



Vizioni dhe ndikimi në kulturën shqiptare



Në prill të vitit 2024 është pranuar unanimisht nga Këshilli Artistik dhe ka publikuar krijmtarinë me shtëpinë e famshme muzikore vjeneze “Universal Edition”. “ Kosturi e shikon kompozimin si një mundësi unike për të shprehur ndjenjat, për të krijuar melodi të ndërthurura me teknikë të lartë violinistike përmes fantazisë dhe intuitës “. Është ky përshkrimi që i bëhet në katalogun e dimrit (Winter Catalogue 2024 – 2025), ku Kosturi është  përzgjedhur mes 12 kompozitorësh që  botojnë me Universal Edition për të promovuar krijmtarinë muzikore. Kështu kompozimet e saj” Violin Concerto “, “7 Capriccio” për violinë solo ,“Improvisation” ,” Duo Capriccio” për violin and cello, promovohen për tu interpretuar nga muzikantë e orkestrat prestigjioze në mbarë botën. Ky është  padyshim sukses dhe për muzikën shqiptare, Kosturi është e vetmja shqiptare që  publikon krijmtarinë me “Universal Edition”.  Zyrat e kësaj shtëpie muzikore dhe katalogu ndodhen në ndërtesën historike Musikverein, Vjenë, një simbol i kulturës muzikore globale.


Si drejtuese e shoqatës “Bota e Artit”realizon 12 edicione të festivalit “Violinistic greetings”, ( Violinistic Marathon Festival Albania) me pjesëmarrjen e muzikantëve nga mbarë bota. Edicionet e këtij festivali kanë zbuluar e interpretuar premiera të veprave të vjetra të panjohura të muzikës shqiptare si Noli, Nasi, Papajorgji, Kurti, kanë përkujtuar e nderuar figura historike si Lef Nosi.  Dy dvd gjenden në “Biblioteken Noliane” në Boston. “Violinistic greeting” synon ndë rkombëtarizimin e muzikës shqiptare. Është i vetmi festival në Shqipëri që i kushtohet violinës.



Ina Kosturi është një ambasadore e shkëlqyer e kulturës shqiptare, një artiste që ndërthur mjeshtërinë, inteligjencën dhe ndjeshmërinë për t’u bërë frymëzim për brezat e ardhshëm. Titujt, çmimet dhe vlerësimet që ka marrë janë dëshmi e ndikimit të saj në art, arsim dhe shoqëri.





Ina Kosturi është padyshim një yll në ngjitje, një artiste që bashkon në mënyrë harmonike talentin si violiniste dhe kompozitore. Aftësia e saj për të krijuar dhe interpretuar vepra muzikore unike, të cilat tashmë kanë fituar vlerësim ndërkombëtar, e bën një krenari të kulturës shqiptare.


Pergatiti.Dr. Liliana Pere


Albumi fotografik .

Ina Kosturi ne koncert.

    


Me studentet








bottom of page