top of page

KASEM HOXHA – FIGURË E NJË SUKSESI SHQIPTAR NË SKENËN EVROPIANE.


KASEM HOXHA – FIGURË E NJË SUKSESI SHQIPTAR NË SKENËN EVROPIANE.


Rrugëtimi i Kasem Hoxhës është historia e një aktori që e ndërtoi emrin e tij mes dy botëve, duke kthyer jetën në material artistik dhe përvojën në forcë krijuese. Është rrëfimi i një njeriu që kaloi përmes epokave, sistemeve dhe kulturave të ndryshme, duke i shndërruar sfidat në energji skenike dhe përvojën në art.

I lindur në Tiranë më 12 gusht 1968, ai u rrit në Shqipërinë e izoluar të diktaturës komuniste, në një kohë kur kufijtë nuk ndanin vetëm shtete, por edhe ëndrra. Ishte një realitet ku arti ekzistonte, por fliste me zë të ulët. Megjithatë, pikërisht aty nisi të formësohej ndjeshmëria e tij ndaj njeriut dhe historive njerëzore. Teatri, filmi dhe sinjalet e largëta të televizioneve italiane u bënë dritaret e para drejt një bote më të madhe.

Vitet 1988–1990 e gjejnë në shërbimin ushtarak si telegrafist, në një Shqipëri që po lëkundej në prag të ndryshimit historik. Ndërsa sistemi plasaritej, bashkë me të hapej edhe horizonti i shpresës.

Kthesa vendimtare erdhi në korrik 1990, kur ai ishte ndër të rinjtë që hynë në Ambasadën Gjermane në Tiranë – një nga simbolet më të forta të atij tranzicioni historik. Ditët e mbyllura brenda ambasadës mbetën një pikë e thellë graviteti në jetën e tij.

Kur u largua nga Shqipëria, nuk la pas vetëm vendin, por një epokë të tërë. Gjermania u bë hapësira ku do të rindërtonte veten nga e para. Vitet e para ishin të ashpra, të përbëra nga punë, gjuhë e re dhe përpjekje për integrim – një proces më shumë i mbijetesës sesa i ëndrrës.

Por pikërisht aty, ëndrra e fëmijërisë për aktrim filloi të marrë formë. Midis viteve 1999–2002 ai studioi dramë, teatër klasik dhe modern në Actor’s Company në Aschaffenburg. Më pas ndoqi seminare intensive në aktrim para kamerës, improvizim dhe metoda të ndryshme si Method Acting, Meisner Technique, Stella Adler dhe Sense Memory. Ndër ndikimet e tij u përfshinë John Costopoulos dhe Jerry Coyle, të cilët i zgjeruan qasjen ndaj lojës aktoriale.

Por mësimi më i thellë erdhi nga vetë jeta: emocionet e përjetuara nuk ishin thjesht kujtime, por lëndë e parë e artit.

Karriera e tij nisi në teatër, ku interpretoi në vepra si Death of a Salesman, Faithful, Die Kaktusblüte, Minna von Barnhelm dhe Die unsichtbare Sammlung. 

Në skenë ai ndërtoi një identitet që lëvizte natyrshëm mes dramës dhe komedisë, mes klasikës dhe bashkëkohores.

Në vitin 2004 u shfaq për herë të parë në televizionin gjerman.

 Kalimi nga skena te kamera ishte një transformim estetik: nga madhështia e gjestit te fuqia e detajit.

Një pikë kthese erdhi me pjesëmarrjen në Tatort, një nga serialet më ikonike të televizionit gjerman. 

Për publikun, ky projekt është si një “Champions League” e ekranit. Aty, emri i tij filloi të zërë vend në industrinë profesionale.

Më pas erdhën  role në filma dhe seriale të njohura si Nicht mein Tag, Honig im Kopf, Stadtlandliebe, Krom dhe Das Programm. Gradualisht, ai u profilizua si një aktor që kalon natyrshëm nga drama te komedia, nga kriminalja te filmi social.


Periudha 2015–2020 shënoi konsolidimin e tij artistik. Në Der Kroatien-Krimi ai krijoi figurën e Komisar Borkos, një rol që e ka shoqëruar për më shumë se një dekadë dhe që është bërë pjesë e identitetit të tij ekranik.


Paralelisht, ai u shfaq në projekte si Skylines (Netflix), Bonnie & Bonnie, Achtsam Morden (fitues i Deutscher Fernsehpreis) dhe Maxton Hall (Amazon Prime), ku arriti audienca globale. Në këto projekte, prania e tij nuk ishte thjesht interpretim, por autenticitet i gjallë.

Përtej aktrimit, ai ka zhvilluar edhe punën si skenarist, duke kontribuar në episode si Split vergisst nie dhe duke shkruar projektin BARBAR-ROSA, i vendosur në Köln. Dhe karriera rritej ..behej me e rendesishme ne syte e autoriteteve.


Në vitin 2022 u bë anëtar i Jurisë Ndërkombëtare të FilmFestival Cottbus, ndërsa u ftua nga Presidenti Federal i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier në delegacionin zyrtar gjatë vizitës në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. 




Më vonë, ai prezantoi një projekt edhe në Schlos Bellevue, rezidencën presidenciale.

Ne të njëjtën kohë, ai vazhdoi bashkëpunimet me kinemanë shqiptare, në filma si Krom, Virgjëresha Shqiptare, Daybreak dhe Një prej Nesh. Filmi i shkurtër The Sons of Ilir arriti deri në finalen e First Steps në Berlin.


Përtej ekranit, Kasem Hoxha është i angazhuar në kauza humanitare, duke mbështetur fëmijët e sëmurë, jetimët dhe viktimat e dhunës. Për të, arti nuk është vetëm profesion, por përgjegjësi njerëzore. Dimesioni  human dhe njerezor është i dallueshem tek portreti i Kasemit.

 Për të, arti nuk është vetëm profesion, por përgjegjësi njerëzore.

 Ai eshtë  i angazhuar edhe në kauzën kunder Dhunes ndaj Grave“ 

Duke dhene mbeshtetje  dhe shprehet i keqardhur per dhunen ndaj grave ne Shqiperi. 


Një fotografi e tij nga viti 1990 u publikua nga Til Schweiger si simbol i integrimit të suksesshëm përmes punës dhe dinjitetit.

Sot, ai përfaqëson një urë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, mes kujtesës dhe së ardhmes. Karriera e tij nuk është ndërtuar mbi një shpërthim të vetëm suksesi, por mbi një rrugë të gjatë, të qetë dhe të qëndrueshme – rol pas roli, skenë pas skene.


Në thelb të këtij rrugëtimi qëndron një parim i pandryshuar: lidhja me njeriun. Sepse për të, aktori nuk është vetëm ai që interpreton jetë, por ai që e mban jetën gjallë në art dhe e jeton rolin dhe mbetet nje njeri i mirë.

-----        ------      -------       -------

 Fillon Intervista.

Z.Kasem jeni i miresesardhur ne Prestige.


Pyetje-Pergjige intervistë me  Kasem Hoxhën:

Pyetje 1

 Ne çdo epoke,  identiteti  reduktohet në pasaportë, profesion apo origjinë, si do ta përkufizonit sot pyetjen: “Kush është Kasem Hoxha ne detajet e pasaportes?”

 Çfarë mbart ai në vetvete?


Pergjigje 1. Kasemi:

"Në pasaportë shkruan Kasem Hoxha. Në jetë mbart historinë e një djali që lindi në një vend të mbyllur, u rrit mes dy kulturave dhe mësoi se identiteti nuk është vendi nga vjen, por vlerat që zgjedh të mbash me vete kudo që shkon.“


Unë jam produkt i dy botëve që në pamje të parë duken të ndryshme, por që brenda meje kanë gjetur një ekuilibër të natyrshëm. Mbart kujtesën e një fëmijërie në Shqipërinë e izoluar të viteve të diktaturës, por edhe përvojën e lirisë, përgjegjësisë dhe mundësive që gjeta më vonë në Gjermani. Mirnjohje per gjithshka.


Pyetje 2

 Kur u larguat nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe më pas u formuat artistikisht standart të admirueshèm  çfarë krijoji  Kasem Hoxha në këtë udhëtim mes  botëve që flasin gjuhë të ndryshme, por kërkojnë nivel ? 


Përgjigje 2. Kasemi:

Sepse në fund të fundit, arti nuk pyet nga vjen. Arti pyet vetëm sa e vërtetë është ajo që ke për të treguar.

Formimi im artistik ka ndodhur kryesisht në Gjermani, ndërsa kam pasur fatin të punoj dhe të trajnohem me pedagogë dhe artistë ndërkombëtarë, mes tyre edhe përfaqësues të Actor's Studio nga New York-u.

Por nëse flasim për botët që më kanë formuar, atëherë ato janë Shqipëria dhe Gjermania.


Si aktor, unë përpiqem të sjell në ekran emocionalitetin, autencitetin dhe intuitën që kam marrë nga jeta, por edhe përpikmërinë dhe seriozitetin profesional që kam mësuar në Gjermani. Ndoshta pikërisht ky kombinim më ka ndihmuar të ndërtoj një identitet artistik timin midis dy kulturave.


Pyetje 3. 

Integrimi zakonisht përshkruhet si përshtatje me një shoqëri të re. Për ju, a ishte ai një proces për t’u bërë pjesë e Gjermanisë apo për të ruajtur të paprekur shqiptarin brenda vetes?

Sa i veshtirë ka qëne adoptimi midis kulturave ? 


Pergjigje 3.Kasemi:

Kur erdha në Gjermani, e kuptova shumë shpejt se integrimi nuk do të thotë të harrosh nga vjen. Përkundrazi. Sa më i qartë të jesh me rrënjët e tua, aq më i sigurt je për t'u hapur ndaj një kulture të re.

Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Në fillim ishte gjuha, mentaliteti, mënyra e komunikimit, rregullat e pashkruara të shoqërisë. Duhej të mësoja gjithçka nga e para. Kishte momente kur ndihesha mes dy botëve, pa ju përkasur plotësisht as njërës dhe as tjetrës.

Ndoshta pikërisht aty fshihej pasuria ime më e madhe.

 Pata mundësinë të jetoj mes dy kulturave dhe të mësoj nga të dyja. Kjo më ka pasuruar jo vetëm si njeri, por edhe si aktor.


Pyetje 4. Shoqëritë perëndimore flasin shpesh për diversitetin. Nga përvoja juaj, kur fillon pranimi i vërtetë i tjetrit: kur ai përshtatet me shumicën apo kur shumica mëson të shohë dallimin si vlerë?


Pergjigje 4.Kasemi:

Pranimi i vërtetë ndodh kur njeriu nuk reduktohet më në prejardhjen e tij, por gjykohet për karakterin, veprat dhe vlerat e tij.1

Mendoj se shoqëritë më të forta nuk janë ato ku të gjithë bëhen njësoj. Janë ato ku njerëz me histori, kultura dhe përvoja të ndryshme arrijnë të ndërtojnë diçka të përbashkët pa humbur individualitetin e tyre.

Për mua, diversiteti nuk është një slogan politik. Është një realitet njerëzor. Nuk jemi njesoj: 

Sepse në fund, ajo që na bashkon është gjithmonë më e madhe se ajo që na dallon.


Pyetje 5.

 Në sa filma dhe projekte keni interpretuar deri tani gjatë karrierës suaj, dhe cilat prej tyre i konsideroni më të afërta me ju apo më të dashurat në aspektin artistik dhe emocional?


 Pergjigje 5. Kasemi:

Në fund, nuk janë rolet që mbeten në kujtesën time. Janë emocionet që kam jetuar përmes roleve.

Sigurisht, ka projekte që kanë shënuar etapa të rëndësishme në karrierën time. "Tatortet" mbeten një prej tyre. Për çdo aktor në Gjermani, të bëhesh pjesë e atij universi është një moment i veçantë. Unë e kam krahasuar shpesh me një futbollist që luan në Champions League.


Një vend të veçantë zë edhe "Der Kroatien-Krimi". Për më shumë se një dekadë kam jetuar artistikisht me personazhin e Komisarit Borko. Është një privilegj i rrallë që një aktor të ketë mundësinë të zhvillojë një figurë për kaq shumë vite dhe ta shohë atë të rritet bashkë me veten.


Nga ana emocionale, shumë pranë zemrës sime mbetet roli i Shpëtimit në filmin "One of Us" të Ergys Metës. Ishte një nga ato role ku ndjen se personazhi të shoqëron edhe pasi xhirimet kanë mbaruar. Ku shesh xhirimim dhe realiteti shkrihen me njëra tjetrën. Ka personazhe që i luan dhe i lë pas. Ka të tjerë që mbeten me ty për një kohë të gjatë. Shpëtimi i përket kësaj kategorie.


Po aq i rëndësishëm ka qenë edhe bashkëpunimi me Bujar Alimanin në filma si "Krom", "Delegacioni" dhe "Virgjëresha Shqiptare". Që pasojn gjithashtu edhe me Gentin Koçin tek „Daybreak“. Këto projekte më dhanë mundësinë të lidhem artistikisht me kinematografinë shqiptare dhe të kontribuoj në histori që më prekën jo vetëm si aktor, por edhe si shqiptar.


Në vitet e fundit, projekte si "Maxton Hall", "A Better Place", "Achtsam Morden" apo "The Sons of Ilir" më kanë ofruar mundësinë të eksploroj dimensione të ndryshme të profesionit tim dhe të jem pjesë e produksioneve që kanë arritur publikun ndërkombëtar.


Kur interpreton një personazh të bazuar në një histori të vërtetë, nuk mjafton vetëm të krijosh një figurë bindëse artistikisht. Duhet t'i qëndrosh besnik së vërtetës njerëzore që fshihet pas saj. Duhet të respektosh kujtesën, dhimbjen dhe përvojën e atyre që e kanë jetuar realisht atë histori.


Një përvojë e tillë ishte për mua roli i shefit të komisariatit në filmin e shkurtër "Fëmijët" të regjisorit Edurart Grishaj. Filmi bazohej në një ngjarje të vërtetë dhe kjo e bënte procesin e interpretimit edhe më delikat. Në role të tilla ndien se nuk po luan vetëm një personazh, në një farë mënyre po bëhesh zëri i një historie që ka ekzistuar vërtet.


Pikërisht këto role më kujtojnë vazhdimisht se aktrimi nuk është vetëm profesion apo art interpretimi. Është edhe përgjegjësi ndaj historive që tregojmë dhe ndaj njerëzve që ato histori përfaqësojnë.

Me e rendesishmha per mua mbetet:

Do të ishte takimi me njeriun.

Sepse çdo personazh që kam interpretuar më ka mësuar diçka për jetën, për njerëzit dhe për vetveten.

Në fund, nuk janë rolet që mbeten në kujtesën time. Janë emocionet që kam jetuar përmes tyre.


Pyetje 6. Kur shikoni rrugëtimin tuaj nga një shqiptar i sapoardhur në Gjermani deri te projektet në Netflix, Amazon Prime dhe kinemanë europiane, çfarë ju duket më e vërtetë: suksesi i jashtëm apo rezistenca e brendshme për të mos u thyer?


Pergjigje 6.

Suksesi është një moment. Rezistenca është një karakteri


Kur shikoj rrugëtimin tim, më e vërtetë më duket rezistenca sesa suksesi.

Kur mbërrita në Gjermani, nuk kisha asnjë garanci se gjërat do të funksiononin. Nuk e njihja vendin, nuk e njihja gjuhën dhe nuk e dija nëse ëndrra ime do të kishte ndonjëherë një shans real. Kishte momente pasigurie, zhgënjimi, pritjeje dhe sakrifice, siç ka për çdo emigrant që fillon gjithçka nga e para.

Mendoj se ajo që më ka ndihmuar me shume ka aë qenë këmbëngulja për të vazhduar. Ka qenë aftësia për të mos hequr dorë nga ëndrra, edhe kur jeta të kërkon të mendosh fillimisht për mbijetesën.


Sot, kur njerëzit përmendin Netflix, Amazon Prime apo projekte të tjera ndërkombëtare, sigurisht që ndihem mirënjohës. 


Ajo që më bën krenar është fakti që nuk u dorëzova në momentet me te veshtira.

Sepse në fund, suksesi është një moment. Rezistenca është një karakter.


 Pyetje7. 

A mendoni se arti mund të bëhet një atdhe i dytë për ata që janë larguar nga vendlindja, një hapësirë ku kufijtë, gjuha dhe kombësia humbin peshën e tyre?


Pergjigje 7.Kasemi:

Shqipëria është vendi ku kam rrënjët. Gjermania është vendi ku ndërtova jetën time. Por arti është vendi ku këto dy botë flasin me njëra-tjetrën.

Po, besoj se arti mund të bëhet një lloj atdheu i dytë. Ndoshta jo në kuptimin gjeografik të fjalës, por në kuptimin më të thellë njerëzor.

Kur largohesh nga vendlindja, merr me vete kujtime, gjuhën e fëmijërisë, njerëzit që do dhe një pjesë të identitetit tënd. Por me kalimin e viteve kupton se njeriu nuk jeton vetëm në një vend fizik. Ai jeton edhe në botën e kujtimeve, të emocioneve dhe të ëndrrave të tij

Në skenë apo para kamerës, kombësia e një personazhi ka rëndësinë e saj. Por emocionet që ai përjeton janë universale. Dashuria, humbja, frika, shpresa, zhgënjimi apo falja kuptohen njësoj në Tiranë, në Berlin, Paris, Londër në New York apo në Tokio. Pikërisht aty arti fillon të kapërcejë kufijtë.

Si aktor, kam pasur fatin të interpretoj personazhe nga botë të ndryshme.¹

Për mua, Shqipëria do të mbetet gjithmonë vendi ku kam rrënjët. Gjermania është vendi ku ndërtova jetën time. Por arti është vendi ku këto dy botë flasin me njëra-tjetrën.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk e kam ndier kurrë veten plotësisht larg.


Pyetje 8. 

A ju ka ndodhur që një rol të zgjojë kujtime të hershme të emigrimit, duke rikthyer frikën, shpresën apo vetminë e atyre viteve të para?


Pergjigje 8 Kasemi:

Po më ka rastisur deri tani në tre filma të ndryshme „ZELLE“, „Vermisst in Berlin“, „Toter Winkel“ ku në rolet nuk takova vetëm personazhin. Takova edhe një pjesë të vetes që kishte udhëtuar bashkë me mua që nga ditët e para.

Po, më ka ndodhur. Dhe mendoj se kjo është një nga arsyet pse vazhdoj ta dua kaq shumë këtë profesion.


Ka role që i ndërton me teknikë, me përgatitje dhe me imagjinatë. Por ka edhe role që hapin papritur dyer të vjetra brenda teje dhe të rikthejnë në emocione që mendon se i ke lënë pas prej kohësh.


Për mua, kjo ka ndodhur në disa projekte të rëndësishme të karrierës sime. Njëri prej tyre ishte roli kryesor i Sarajevos në filmin kinematografik "Zelle". Gjatë punës me këtë personazh u përballa me emocione që më rikthyen tek vitet e para të emigrimit. Jo tek ngjarjet konkrete, por tek gjendjet shpirtërore: pasiguria, ndjenja e të qenit mes dy botëve, vetmia dhe njëkohësisht shpresa për të vazhduar përpara edhe pse ka humbur familjen.


Diçka e ngjashme më ndodhi edhe në filmat "Vermisst in Berlin" dhe "Toter Winkel". Edhe pse bëhej fjalë për histori krejt të ndryshme, personazhet përballeshin me humbje, kërkim identiteti, konflikte të brendshme dhe situata ku njeriu vihet përballë vetvetes. Por më e fortë ndeshja me nazizmin, ku të huajt nuk janë të mirëpritur.  Në momente të tilla, është e pamundur të mos prekësh edhe pjesë të historisë sate personale.

Kur një rol arrin të prekë diçka reale brenda teje, interpretimi ndryshon. Nuk je më vetëm duke luajtur një personazh. Po ndan me publikun një pjesë të së vërtetës sate.


Ndoshta për këtë arsye rolet e Sarajevos në "Zelle", por edhe personazhet e mi në "Vermisst in Berlin" dhe "Toter Winkel", mbeten ndër përvojat më personale të karrierës sime. Sepse në to nuk takova vetëm personazhet. Takova edhe pjesë të vetes që kishin udhëtuar me mua që nga ditët e para të emigrimit, ku kuptoj dhe ndjej.


Pyetje 9.

 Nëse do t’i flisnit vetes suaj të dikurshme, djaloshit që u nis me një valixhe ëndrrash dhe pasiguri, cili do të ishte mësimi i vetëm që do t’i jepnit sot?


Pergjigje 9. Kasemi:

Mos ki frikë nga rruga e gjatë. Sepse disa ëndrra kanë nevojë për kohë që të piqen.

Nëse do të mund t'i flisja atij djaloshi që një ditë të nxehtë korriku la Shqipërinë laskuriq, me shumë pasiguri dhe me më shumë ëndrra sesa siguri, nuk do t'i jepja shumë këshilla.


Do t'i thosha vetëm:

"Mos ki frikë nga rruga e gjatë. Aty fillon dhe zhvillohet ëndërra e jote.

Do t'i thosha të ketë durim me veten.


Sepse disa ëndrra kanë nevojë për kohë që të piqen.

Do t'i thosha gjithashtu të mos turpërohet kurrë nga origjina e tij. Nga gjuha, nga rrënjët apo nga historia e tij. 

Sepse një ditë do të kuptojë se pikërisht ato gjëra që dikur i konsideronte pengesë, do të bëhen forca e tij më e madhe.


Dhe mbi të gjitha do t'i thosha të mos harrojë të jetojë, ndërsa ndjek ëndrrat e tij,mardhenjet me njerëzit që takojmë, humbjet që përjetojmë, gabimet që bëjmë, rrëzimet nga të cilat ngrihemi përsëri.

Do t'i thosha diçka shumë më të rëndësishme:

„Që do të ketë ditë kur do të doje të dorëzoheshe, ta hidhje gjithshka pas. 

Mos e bëj!! Vazhdo të ecësh.

 Sepse një ditë do të kthesh kokën pas dhe do të kuptosh se gjërat më të bukura të jetës tënde nuk erdhën sepse ishe më i forti, por sepse nuk pushove së besuari."

Dhe ndoshta, në fund të bisedës, do ta përqafoja dhe do t'i thosha:

"Qëndroi besnik zemrës tënde. Ajo e di rrugën shumë më herët se sa mendja."


Pyetje 10.

Pas gjithë këtij udhëtimi mes vendeve, gjuhëve dhe roleve, ku e ndjeni sot më fort praninë tuaj: në kujtesë, dhe cili do te ishte  mesazhi juaj per artistet e rinj e filmit shqiptar ?


Pergjigje 10. Kasemi:

Sepse në fund të fundit, arritja më e madhe nuk është të luash një personazh në një film që mund të katapultoj brënda natës në anën tjetër të suksesit.  Por Arti më i madh është të mbetesh vetvetja.

Me kalimin e viteve kam kuptuar se njeriu jeton në kujtesën e atyre që ka takuar, në punën që ka lënë pas dhe në gjurmët që ka lënë tek të tjerët.


Sigurisht që jam krenar për filmat, serialet, veprat dhe projektet ku kam qenë pjesë. Por kur shikoj pas, nuk më vijnë ndër mend premierat apo duartrokitjet. Më vijnë ndër mend njerëzit. Familja ime. Miqtë. Kolegët. Regjisorët që më besuan. Publiku që më ka ndjekur për vite me radhë. Janë ata që i japin kuptim rrugëtimit.


Sot e ndiej praninë time më fort në historitë që kam pasur fatin të tregoj dhe në njerëzit që kam takuar gjatë rrugës. Sepse rolet mbarojnë, filmat mbeten, por ajo që mbetet edhe më gjatë është mënyra se si i ke prekur njerëzit.


Për artistët e rinj shqiptarë do të kisha vetëm një mesazh:


Mos u përpiqni të bëheni të famshëm. Përpiquni të bëheni të mirë në atë që bëni dhe ndjeni.  

Fama është e përkohshme.

 Profesioni mbetet.

Mos kërkoni rrugën më të shkurtër, sepse arti nuk i shpërblen gjithmonë ata që vrapojnë më shpejt. Shpesh shpërblen ata që rezistojnë më gjatë.


Lexoni. Vëzhgoni njerëzit. Dëgjoni historitë e tyre. Jetoni. Sepse një aktor nuk ushqehet vetëm me teknikë, por me përvojë njerëzore.


Dhe mos harroni kurrë nga vini. Jo për të jetuar në të kaluarën, por sepse rrënjët janë ato që ju mbajnë në këmbë kur fryjnë erërat më të forta.


Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë talente të jashtëzakonshme. Ajo që duhet është besim, disiplinë dhe durim. Shumë durim. 


Nëse historia ime ka ndonjë kuptim, atëherë ndoshta është ky: nuk ka rëndësi sa larg nis udhëtimi apo sa e pamundur duket ëndrra në fillim. Nëse e doni vërtet atë që bëni dhe jeni gati të punoni për të për vite me radhë, rruga do t'ju çojë më larg sesa mund ta imagjinoni sot.

Dhe kur të arrini atje ku keni ëndërruar të shkoni, mos harroni të mbeteni njerëz.


Sepse në fund të fundit, arti më i madh nuk është të luash një personazh. Arti më i madh është të mbetesh vetvetja. Artisti gjenial mund të gjendet në rrugë, artistët mund të dalin në çdo kohë dhe nga çdo vend!


Faleminderit për intervistën znj.Liliana.


Ju falendeminderit ju i nderuar aktor i mirenjohur Kasëm Hoxha.


Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

© Revista Prestige 2023 - 2026

  • Facebook
  • Instagram
  • Pinterest
  • Twitter
  • LinkedIn
  • Whatsapp
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • Pinterest
bottom of page