top of page

Kujtime nga Mevlan Shanaj për Xhanfize Keko. Xhanfize Keko – një regjisore e madhe, jo vetëm e kinematografisë shqiptare, por

  • 6 days ago
  • 2 min read




Kujtime nga Mevlan Shanaj për Xhanfize Keko.


Xhanfize Keko – një regjisore e madhe, jo vetëm e kinematografisë shqiptare, por e artit botëror.

Me filmat e saj të paharrueshëm si “Kur xhirohej një film”, “Beni ecën vet” dhe “Tomka dhe shokët e tij”, ajo mahniti jo vetëm publikun shqiptar, por edhe kritikën ndërkombëtare.

Dhe megjithatë, në jetën e përditshme, Xhanfizja ishte një nga gratë më të zakonshme të Tiranës.


Për mua, me të cilën kishim një miqësi të afërt, ajo mbeti gjithmonë një “grua e çuditshme”.


Në të gjitha takimet tona, kryesisht familjare, ajo nuk e “luajti” kurrë rolin e regjisores. Kjo thjeshtësi më bënte gjithmonë përshtypje.

Në ato vite, Xhanfize Keko u bë mbretëresha e filmit për fëmijë.


Ajo ndërtoi, film pas filmi, një model të rrallë madhështie krijuese, në një kohë kur konkurronte denjësisht me emrat më të zëshëm të ekranit shqiptar.

Kur fliste për filmat e saj, e bënte me një natyrshmëri të jashtëzakonshme.


Sikur të tregonte për një shëtitje, për mbjelljen e një peme, për një drekë mes miqsh apo për një libër që sapo kishte lexuar.


Por mënyra e saj e të treguarit ishte aq e ngrohtë dhe e gjallë, sa çdo detaj të mbetej përgjithmonë në kujtesë.

Kujtoj miqësinë e saj me Natashën.


I shihja si dy mike të thjeshta, pa asnjë pompozitet artistesh, por si dy gra të zakonshme që ndanin mendime, kujtime dhe halle.


Xhanua tregonte me të njëjtën ndjeshmëri për jetën e saj si nënë, grua, nuse dhe vjehrrë.


Magjia e saj qëndronte te sinqeriteti dhe thjeshtësia.

Në dokumentarin “Koha e Pelikulës”, patëm privilegjin ta përjetësonim këtë personalitet të jashtëzakonshëm.


Pak e dinë se vajza me gërshërë në dorë në inaugurimin e Kinostudios në vitin 1952 ishte pikërisht Xhanfize Çipi Keko.

Dhe kur Xhanua u largua nga Kinostudio, dukej sikur bashkë me të u largua edhe vetë pelikulа.


Por filmat e saj vazhdojnë të jetojnë.


Edhe sot, veprat e Xhanfize Kekos shfaqen në kinematekat botërore si një zbulim artistik.


Në fund të jetës, pas humbjes së dhimbshme të Dorit, ajo na ftonte në vendet ku kishte shkuar me të.

Një ditë na tha:


“Kur vij në këto vende ku më sillte Dori, sikur çmallem me të.”

Po, Xhano…


Edhe ne, teksa punonim për dokumentarin tënd, njëkohësisht çmalleshim dhe përmalleshim.


Sot, shumë shqiptarë të kujtojnë me mall.


Sepse filmat e tu vazhdojnë të jenë qielli dhe toka e ëndrrave të fëmijëve.


Me veprën tënde, i ngrite gruas regjisore monumentin më të bukur të përjetësisë.


Ti ishe dhe mbetesh përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë artistike dhe njerëzore.

 
 

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page