top of page

Mossanga dhe kujtesa e qytetit

Updated: Nov 11, 2024


Nga Alda Bardhyli

ree

Mossanga dhe kujtesa e qytetit

22/10/2024


Nga Alda Bardhyli


“Në fundjave, kur nga dritarja pamë se koha ishte e bukur, u kujtuam për idenë e kahershme të një udhëtimi nëpër Wachau, luginë buzë lumit të Danubit, ku në muajin maj shpërthejnë sythat e pemëve të kajsive, duke i dhënë gjithë zonës një festival ngjyrash bardhë e rozë”.


Me këto rreshta nis historia e romanit më të ri të autorit Fate Velaj, një skaner social të Vlorës dhe Shqipërisë së epokës së komunizmit.


Në të paraqitet historia e një grupi kongolezësh që zbritën në Vlorë në vitin 1966, deri në 1991, kur u larguan nga Shqipëria.


Romani është një përshkrim i zhdërvjelltë i vendeve e peizazheve të qytetit të Vlorës, ndër vite, historive dhe ngjarjeve që lidhen me fatin e 9 fëmijëve kongoleze, që u vendosen në qytetin bregdetar, për t’i shpëtuar represionit në vendin e tyre, përfshirë nga konfliktet e armatosura.


Velaj edhe në krijimtarinë letrare risjell piktorin, vëmendjen e tij për të paraqitur në mënyre detajiste, si në një telajo, jo vetëm vendet e ndryshme në qytetin e Vlorës, por edhe personazhe të larmishëm, që janë një galeri e gjerë në libër.


Ngjarjet e kohës përshkruhen imtësisht, të lidhura me kontekstin e mirëpritjes së fëmijëve kongoleze, përshtatjes së tyre, deri në shndërrimin në “vlonjate”. Kjo është metamorfoza e këtij grupi, që sillet nga autori me vëmendje dhe dukshëm me fanatizëm për të mos shmangur asnjë detaj.


Ashtu si autorë të njohur në historinë e letërsisë botërore, ai e bën Vlorën pjesë të një hapësire letrare, përmes historive të treguara bukur, që i nxjerr nga kujtesa. Roli i kujtesës si një element ndërtues në psikikën e shkrimit, është një tjetër vecori e kësaj vepre. Ndryshe nga Carlos Zafon i cili shprehej se ne mbajmë mënd atë që nuk ka ndodhur kurrë, historitë e Velajt janë histori që jetojnë ende në botën e padukshme të qytetit, trashëguar në breza bashkë me forcën e familjes, duke sjellë historinë e një qyteti që ka jetuar izolimin e gjatë nën komunizëm. Hera-herës duket sikur është mëshiruar te Joseph Mossanga, personazhi kryesor, që nga një fëmijë i ndrojtur, arrin të shndërrohet në shqiptar, në një “vlonjat” të devotshem, që perlotet, kur duhet të largohet, ta lërë qytetin e tij.


“Mossanga” fokusohet në rritje psikologjike dhe morale të protagonistit, që nga fëmijëria, deri në moshë madhore. Në të, fantazia shkrihet me realitetin dhe fshihen kufijtë mes tyre. Velaj e thotë edhe vetë: “fantazia dhe realizmi mund të bashkëjetojnë mirë” Metafora përdoret shpesh, duke ofruar një perspektivë të thellë dhe të pasur, për të kuptuar realitetin. Leximi i romanit të merr me vete dhe të çon aty ku autori dëshiron të çojë edhe personazhet. Velaj thotë vet se librat e tij janë thuajse në 80 përqind të tyre fiction, por i shkrirë me realitetin, çka mund të quhet një cilësi e spikatur e letërsisë së F.V. Si shihet rëndom tek krijimet e Veliajt, “Mossanga” është një krijim mes autobiografisë dhe trillimet, rrëfimit dhe eksplorimit, realizmit magjik dhe studimit social. Romani është shkruar si një rrëfenjë në vetën e tretë, ndryshe nga romanet e tjera të autorit. Ai ngjan me një pikturë abstrakto-ekspresioniste, zhanër ku autori vetë identifikohet.


Shqiptarizimi, i Josephit duket sikur është qëllim për Velajn, në trajtimin gjatë faqeve të librit, ku gjuha e lehtë, e ndërlikuar, por edhe e larmishme vihen në funksion të qëllimit. Syri i piktorit ndjehet dhe në rreshat e romanit, ku fjalët shëndrrohen në penela, që ilustrojnë gjithcka, mbi karnavacën e Vlorës ndër vite.

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page