Një portret i përkushtimit dhe integritetit në bujqësi, kërkim shkencor dhe shoqeri civile.
- 5 days ago
- 11 min read
Rrevista Prestige
Një portret i përkushtimit dhe integritetit në bujqësi, kërkim shkencor dhe shoqëri civile.
Portret Intervistè
Hyrje
Prof. Dr. Tatjana Dishnica është një figurë emblematike e bujqësisë shqiptare. Bujqësia praktike, kërkimi shkencor, menaxhimi institucional dhe mentorimi, përcaktojnë një karrierë të plotësuar në të gjithë dimensionet e saj. Udhëtimi i saj profesional, nuk ka qënë një rrugë lineare, por një ekuilibër dinamik midis këtyre pozicioneve. Ajo reflekton thelbin e pasionit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në çdo fushë të angazhimit të saj..
Karriera Akademike
1978: Diplomuar në Agronomi të përgjithshme, Instituti i Lartë Bujqësor, Tiranë.
Ky diplomim shënon fillimin e një udhëtimi, ku praktikë dhe teoria do të bashkëjetojnë.
1991: Doktoraturë në Shkencat Bujqësore.
Kurajo për të sfiduar kohën, një rast mjaft i rrallë- një agronome kooperative, që arrin të mbrojë doktoraturën në shkencat bujqësore.
1995: Profesor i Asociuar; 2002: Profesor.
Dyert e hapura, pas viteve’90, shpalosen investimin e akumuluar ndër vite dhe një vullnet për të arritur atje, ku ajo e meritonte.
Eksperienca Profesionale
1978–1990: Agronome në kooperativat bujqësore Berat (Paftal dhe Perondi).
13 vite në terren, udhëtim i vështirë, por bazë e fortë për të ecur pa ngrurrim në fushën e kërkimit, drejtimit institucional dhe arsimit.
1990–1992: Pedagoge në Universitetin Bujqësor Tiranë.
Pas një konkursi rigoroz, fiton pozicionin e pedagoges në Universitetin Bujqësor, ku shpaloset edhe pasioni për mësim dhënien.
1992–1993: Drejtuese e projekteve shkencore të bujqësisë (Komiteti i Shkencës & Teknologjisë). Angazhimi në hartimin e Ligjit për shkencën dhe Programeve Kombëtare për Kërkim e Zhvillim, eksperiencë dhe vizion, për zhvillimet e ardhëshme
1993–1995: Drejtore e Institutit të Studimit të Tokave, Tiranë.
Menaxhimi- të kuptosh kompleksitetin e natyrës dhe të bashkosh njerëzit drejt qëllimeve.
1995–2013: Drejtore e Kërkimit Shkencor dhe Ekstensionit Bujqësor, Ministria e Bujqësisë.
Strategjia dhe politika janë rrjetë ku lidhim vizionin e të sotmes me nevojat e së ardhmes.
1992–2013: Pedagoge part-time në UBT; 2013–2024: Pedagoge me kohë të plotë.
Pedagogjia është reflektim i përvojës, pasion dhe përgjegjësi njëkohësisht.
Aktiviteti Shkencor
Aktiviteti shkencor përmbledh botime, si studime, libra, raporte dhe artikuj shkencorë. referime në konferenca e aktivitete brënda e jashtë vëndit, bashkëpunime me ekspertë vëndas dhe të huaj, ekspertiza e trajnime, në fushën e kërkimit, këshillimit, informacionit bujqësor etj. Pjesmarrëse e grupeve ndërministrore për reformimin e kërkimit shkencor ne vend, përfaqësuese e vëndit gjatë dy mandateve, në Këshillin Shkencor Konsultativ të CIHEAM dhe pjesë e Grupit të punës. Bashkëpunime me organizata ndërkombëtare FAO, GIZ, USAID, UNDP, SNV, JICA si dhe me Programe të Qeverisë hollandeze, kooperacionin italian dhe spanjoll.
Angazhimi në shoqërinë civile, pjesë e forumeve drejtuese të Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural (ANRD), duke advokuar për fuqizimin e grave rurale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Arritje të Përzgjedhura
Libri “Memorja Shqiptare – Një shekull kërkime dhe institucione bujqësore” (AIIS, 2025). Libri është urë midis së kaluarës dhe së ardhmes së bujqësisë shqiptare. Mbështetur në qindra dokumente arkivore dhe në përvojën shumëvjeçare në administratën publike, ndërthurret rrëfimin historik me një analizë kritike të politikave, duke qartësuar evolucionin e institucioneve kërkimore dhe këshilluese deri në ditët e sotme
Libri “Kërkimi Shkencor dhe Këshillimi Bujqësor Shqiptar ndër vite” (ALBAS, 2022).
Dokumentimi i dijes është akt i kujdesit dhe përgjegjësisë.
Përfundim
Ecuria e Prof. Dr. Tatjana Dishnica ndërthur terrenin, institucionin dhe arsimin në një rrugëtim të harmonizuar. Kontributi i saj në botime, konferenca dhe projekte ndërkombëtare reflekton pasionin dhe vizionin për bujqësinë shqiptare dhe zhvillimin rural. Doktore Shkencash Bujqësore (1991), Profesore e Asociuar (1995) dhe Profesore (2002), ajo mbetet inspirim për studentët, kolegët dhe komunitetin rural.
Prof.Tatjana jeni e mireseardhur ne Prestige.
Fillojmë intervistën.
Liliana Pere-Prof.dr Tatjana Dishnica.
Pyetja 1. Edukata familjare dhe arsimimi
“Si ndikoi familja dhe arsimi i hershëm në Institutin e Lartë Bujqësor në nisjen tuaj si agronome, dhe cilët mentorë ose bashkëpunëtorë të parë formuan rrugëtimin tuaj profesional?”
Përgjigje:
U rrita në një familje, ku libri ishte “Lodra” ime e parë e fëminisë. Kujdesi në sjellje dhe fjalë, ka qënë në mënyrë metaforike: “Abetarja ime e dytë”, pasi për një sërë rrethanash, sapo linda, isha paracaktuar të kisha dy identitete, vajza e doktorit të njohur dhe vajza e armikut.
Tim atë, e quaja shpesh “Enciklopedia ime e gjallë”, pasi i gjeja përgjigje gjithë pyetjeve të mia. Një kulturë e gjërë, (falë kjo, Liceut francez si dhe studimeve për mjekësi në Francë), që rezonoi gjatë gjithë jetës tek mua, vllai dhe motra ime. Ndërsa për nënën time katolike shkodrane, mund të them vetëm një fakt interesant: Edhe në moshën 94 vjecare vazhdonte të mos flinte asnjë natë pa lexuar, bile së fundmi përdorte edhe një lupë të madhe, për të zmadhuar gërmat.
Në adoleshencën time, kur ëndëroja për “ bashkëshortin” e ardhshëm, pamja që më çfaqej ishte “Një personi i panjohur”, në një shtëpi me një bibliotekë të stërmadhe me libra dhe albume. Gjithashtu u rrita me dashurinë e madhe për lulet, në kopshtin tonë të vogël, por gjithë ngjyra.
Vitet e gjimnazit, u shoqëruan me një ëndër të parealizueshme, për rrethanat mia: Dëshira për t’u bërë mjeke. Kisha jo vetem pasionin, por edhe një ‘trashëgimi” emri në këtë fushë, shtuar këtu bibliotekën e tim eti si dhe angazhimin për të mësuar frëngjishten. Por, jeta me detyroi të kaloj, nga pasioni për shëndetin e njeriut, tek kujdesja për bimët. Gjithmonë, në botën time virtuale, e shihja vehten, të veshur bukur, me një cantë në dorë, duke ngjitur shkallet e Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Instituti i Lartë Bujqësor, i vendosur në një oaz gjelbërimi, ndonëse me konvikte të sakatosura dhe menca me ushqim mjeran, ishte një “Masiv arsimor” që buronte dije , rregulla të forta dhe respekt të veçante për pedagogët. Një trup akademik, një pjesë e të cilëve, personalitete të tilla, që ne i shikonim si Perendi. Kisha “Uri” të mësoja dhe të thithja me të gjithë forcën që më jepte rinia dhe edukata ime, kulturë, në gjithë diapazonin, që përfshin kjo fjalë. Edhe nëpërmjet rreshtave, përpija çdo gjë të bukur që ata shprehnin, sepse u duhej të vetkontrolloheshin
Dëshira për të hyrë në “civilizimin kryeqytetas”, ishte tejet e madhe, ndonëse distanca dhe transporti, nga kodër Kamza, me pengonin.
Mbaj mënd një mbasdite dimri, në mes të shiut shkova vetëm, në Universitetin e Arteve, për të parë një dokumentar për Mikelanxhelon. U ktheva duke u dridhur, në atë dhome të ftohtë (ku ngrohja ishte rreptësisht e ndaluar). Jetonim 8 veta në krevate marinari, në kushte minimale higjenike. Mezi munda të ngrohesha, nën ato batanije të ashpra, por fjeta e lumtur. Këto “tollona” ushqimi shpirtëror, më jepnin shpresë.
Në moshën 21 vjecare, u përballa me profesionin e vështirë të agronomit në kooperativa. Lidhja me tokën dhe bimët, u bë pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe konsultat me agronome të vjetër, për proceset në terren u bënë domosdoshmëri. Fshati, vec formëzimit tim si agronome terreni, më dha thjeshtësi dhe aftësi të tilla komunikuese, të cilat më shërbyen më së miri në gjithë karrieren time pas- ardhëse. Vitet e gjata, si agronome në terren, u shoqëruan me përpjekje 10 vjecare, për të mbrojtur disertacionin, të cilin arrita të mbroj, vetëm në vitet ’90. Mirënjohja e veçantë mbetet, për njeriun që më drejtoi në këtë disertacion, - agronomin-shkencëtar, modest dhe shpirtgjërë, Arjan Babo. Ky ishte rast i rrallë, që një agronome kooperative, të mbronte para 11 antarëve të Komisionit, tezën e doktoraturës. Ata ishin figurat më të njohura të bujqësisë së asaj kohe, pjesa më e madhe, antarë partie. Ruaj respekt, që nuk u stepën në vlerësimin e disertacionit tim.
Rrugëtimi im profesional, pas terrenit, vazhdon me angazhimin në drejtimin insitucional, jetën akademike, aktivitetin shkencor në publikime si dhe angazhim në shoqërine civile.
Pyetja 2. Integrimi i kërkimit shkencor në praktikat bujqësore në terren
Si mendoni se mund të arrihet një qasje më e integruar mes strukturave kërkimore dhe këshilluese, në shërbim të komunitetit te fermerëve, duke përdorur teknologjitë digjitale dhe informacionin në kohë reale?
Përgjigje:
Kërkimi bujqësor publik në vendin tonë u përball me sfidën e transformimit nga një sistem i projektuar për një ekonomi të centralizuar, në një të tillë, të orientuar drejt tregut – një proces kompleks, i ndërlikuar nga mungesa e përvojës dhe nevoja për ristrukturim të thellë. Për këtë sistem, me një numër të madh, institutesh e stacionesh, me gjithë kontributin e dhënë para viteve ‘90, reduktimi i njësive të vogla, nevoja për kërkime të orientuara nga tregu, efiçienca, kostot, ripozicionimi në skenën e re të zhvillimit, ishin ndërhyrjet kryesore që vetë koha i kërkonte.
Analiza e reformave të këtyre tri dekadave tregon domosdoshmërinë e disa vendimeve, por edhe mangësitë e të tjerave. Disa prej tyre plotësuan pritshmëritë, disa mbetën në letër dhe të tjera krijuan sfida të reja në zbatim.
Kërkimi bujqësor, është tashmë, pjesë substanciale e universiteteve ndërsa transferimi i teknologjive bujqësore dhe këshillimi publik, përkatësisht, detyrë e QTTB-ve dhe AREB ve. Për një sërë arsyesh, këto tre struktura, nuk kanë arritur ndër shumë vite, të kenë një bashkëpunim të qëndrueshëm, me përgjegjësi dhe llogari dhënie, gjë që e bën të vështirë ndërtimin e një zinxhiri të fortë kërkim-këshillim-ferme
Universitetet kanë rol parësor në kërkimin strategjik dhe në bioekonomi, për të rekomanduar modele ekonomikisht të qëndrueshme, roli i QTTB-ve është kërkimi aplikativo adaptiv dhe transferimi i teknologjive.
Në këtë kontekst, ritheksohet nevoja për një reformë të thellë, për gjetjen e rrugës më optimale, në mbështetje të kërkimit dhe këshillimit bujqësor, qoftë në institute, qendra apo universitete.
Në rrugëtimin drejt antarësimit në BE, modelet e strukturave kërkimore dhe ato këshillimore do të jenë të përcaktuara. Gjithsesi, në konsideratat e mia modeste, të paraqitura edhe në botimin tim të fundit, vizioni afatgjatë ka qënë dhe mbetet krijimi i një Agjencie të Kërkimit të Aplikuar dhe Këshillimit Bujqësor (AKKKB), me statusin e një Trupe Menaxhuese, me 5 Institute ose Qendra, që marrin fort në konsideratë zhvillimet rajonale. Pranohet që kjo ide, kërkon një reformë të thellë konceptuale, deri diku radikale dhe përballet me sfida të vështira politike- institucionale. Në shumë vënde, sistemet ekzistuese të shërbimeve publike, kanë tendencë të jenë "me rezistencë të fortë ndaj ndryshimeve sistemike", gjë që e bën të vështirë, arritjen e tyre. Në këto rrethana, nisur edhe nga situata reale, e cila “thërret”, nevojën imediate për ndërhyrje, gjykoj një qasje më praktike, në afat shkurtër: - Ngritjen e Qendrave Demonstrative Rajonale (QDR). Këto Qendra, mund të merren në konsideratë si një model fleksibël, që lidh praktikisht, kërkimin aplikativo-adaptiv, me nevojat e fermerëve, duke shfrytëzuar strukturat ekzistuese, të QTTB-ve dhe AREB-ve. Mbështetja modeste nga buxheti e kombinuar me angazhimin e donatorëve në infrastrukturë, mund të shfrytëzohet për të financuar projekte pilot, në mënyrë, që QDR-të, të bëhen realisht Qëndra model Bujqësie “Smart”.
Me një shërbim këshillimor publik që ka zbehur ndjeshëm detyrën e tij kryesore, për arsye të ngarkesave administrative: Me një sistem informacioni bujqësor, të fragmentuar dhe akoma të munguar në shkallë kombëtare si dhe, Me një sistem kërkimi dhe transferim tekonologjie, me nevojë imediate për gjetjen e rrugës më optimale të ristrukturimit, përshtatur me kushtet e tanishme, sfidat janë të vështira.
Bujqësia shqiptare ndodhet në prag të një transformimi digjital, me shembuj premtues të fermave që kanë adoptuar teknologji moderne. Vendi ynë, përballet me një sërë pengesash që frenojnë potencialin e bujqësisë digjitale, me terren të thyer, mbi 85 % të fermave të vogla dhe zona rurale të shpopulluara, ky tranzicion, përballet me sfida unike. Platformat dixhitale si ato për këshillim online dhe tregjet virtuale bujqësore po fitojnë terren globalisht dhe mund të përshtaten për kontekstin shqiptar. Por, kapërcimi i pengesave kryesore si infrastruktura e dobët dhe aftësitë e kufizuara digjitale të fermereve, kërkojnë investime dhe trajnime. Platforma të ndryshme digitale që operojnë tek ne, ndonëse lehtësojnë qasjen në informacion dhe tregje, janë të fragmentuara. Akoma nuk kemi, një sistem të unifikuar kombëtar informacioni bujqësor, të koordinuar dhe të plotë në të gjithë hallkat e tij. Programi DART, i mbështetur nga FAO, bashkëpunimi më i ngushtë me UBT apo edhe platforma të tjera të lartpërmendura po luajne një rol mjaft pozitiv. Por, kjo është e pamjaftueshme në kushtet tona. Me gjithë përpjekjet e deri tanishme dhe shëmbujt pozitiv bashkëpunimi i QTTB-ve, AREBE-ve dhe grupeve te fermereve, ndonëse në leter institucional, nuk ka përgjegjësi dhe llogaridhënie midis tyre.
Shërbimi këshillimor publik në Shqipëri kërkon një transformim drejt një modeli pluralist “Extension -plus”. Por, duhet pranuar që ky model, nuk arrihet lehtë. Zbatimi i tij, do të kërkojë bashkëpunim ndër institucional, me ministritë përkatëse, pushtetin lokal, njësitë e arsimit, shëndetësisë, apo aktorë të tjerë, si dhe organizata të ndryshme, të interesuara për këto shërbime në zonat rurale.
Ndjej trishtim për fshatra të braktisur, por sidomos për fermerë të strapacuar. Jam lidhur me fshatin që ne moshën 21 vjecare, dhe kjo ndjenjë vetkuptohet. Le të shpresojmë që hapat e ndërmarra për mbështetje, të japin frytet e tyre.
Pyetja 3. Trashëgimia Shkencore dhe Publikimet.
Libri juaj “Memorja Shqiptare” dokumenton një shekull kërkimesh bujqësore; Bazuar në parimin që ju theksoni në botim “Lessons learned” si mund të përdoret kjo trashëgimi për të ndërtuar politika të qëndrueshme dhe programe edukimi për studentët?
Përgjigje:
Parimi “Lessons learned”, si dhe bindja se produkti publik, rrezikohet të humbasi dhe duhet të transmetohet, jo vetëm nëpërmjet kujtesës institucionale statike (arkivat zyrtare etj), por shumë më tepër, nëpërmjet Kujtesës dinamike (përvojës, natyrës së heshtur), janë dy shtyllat kryesore që më orjentuan, në këtë botim. Të ndërtosh politika dhe struktura të qëndrueshme duhet të hulumtosh arritjet dhe dështimet ndër vite. “Kujtesa institucionale” si një forcë dinamike na orienton për veprimet e ardhshme. Asgjë nuk ndërtohet në vakum dhe bazamenti ka shumë rëndësi për ngritjen e kateve. Ekspertë të kësaj fushe, sot në botë, flasin për një lloj amnezie institucionale.
Ky botim, nuk analizon dhe mat, aspekte tekniko-shkencore të kërkimit, në performancën prodhuese dhe as jetëshkrimin e qindra personaliteteve në fushën e bujqësisë. Kërkimi bujqësor është trajtuar në dimensionin institucional, si një sistem organizativ.
Përvoja në administratën publike, ka edhe një dimension etik: Akt përgjegjësie ndaj kujtesës sonë institucionale dhe detyrën për të transmetuar dijet. Transferimi efektiv i njohurive midis brezave është një imperativ strategjik. Për mënyrat e transmetimit të njohurive dhe konkluzioneve të këtij botimi, unë gjykova të ndjek rrugën e Leksioneve të hapura në disa Universitete, të cilat besoj se po priten me interes nga studentet dhe stafi akademik. Duke trajtuar edhe rëndësinë e respektimi të standarteve etike profesionale në administratën publike, këshilla ime për brezin e ri mbetet: Vlerësoni përvojën e paraardhësve, analizoni sukseset, pengesat dhe dështimet, përmirësoni, sillni ide të reja, ndani njohuritë tuaja me modesti, për të qënë profesionistë të ardhshëm, me integritet dhe vizion të qasjes profesionale.
Pyetja 4. Mentorimi dhe Arsimi
Si e shihni rolin e mentorimit akademik në formimin e brezave të rinj të agronomëve dhe kërkuesve shkencorë dhe cilat janë metodat më efektive për të transmetuar përvojën praktike dhe shkencore?
Përgjigje:
Një vizion ambicioz i UBT-së, është Qendra Rajonale e Ekselencës deri në 2030, siç parashikon strategjia “UBT-BOKU”. Po ashtu, Universitet i Korçës, aspiron të forcojë rolin e tij në Ballkan dhe më gjërë, përmes kërkimit dhe programeve inovative. Megjithatë, shpopullimi rural dhe emigrimi i të rinjve, zvogëlojnë numrin e studentëve potencialë, duke vënë në presion serioz të ardhmen e këtyre universiteteve. Lidhjet me tregun e punës mbeten të dobëta, pavarësisht iniciativave si platforma GRADUA apo përpjekjeve të mëdha që vet Universitetet po bëjnë në vazhdimësi. Një staf akademik mjaft i përgatitur, ndonëse mundësite e praktikave në terren për studentet, janë të pakta. Nga ana tjetër, Vaakumi i njohurive të një brezi që del ne pension, ka një kosto të heshtur. Duhen politika fleksible për të transmetuar njohuritë dhe ruajtur vazhdimësinë. Tensionet ndërgjeneracionale mbeten një sfidë. Mentorimi i ndërsjellte, shërben si një urë lidhëse midis brezave të ndryshëm. Ideja që të gjithë të jenë njëkohësisht mentorë dhe të mentoruar, i riu dhe i moshuari, mësojnë në mënyrë efektive nga njëri-tjetri. Duhet të kalojmë ndër breza, stafeta mënçurie dhe përvoje.
Pyetja 5. Zhvillimi Rural dhe Barazia Gjinore
Cilat masa konkrete mund të merren për të fuqizuar gratë në zonat rurale?
Përgjigje:
Gratë rurale janë shtylla e heshtur e zhvillimit të qëndrueshëm, bartëse të dijes tradicionale dhe aktore të pazëvendësueshme në ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë, socialë dhe mjedisorë. Zëri i grave rurale duhet të dëgjohet dhe potenciali i tyre, të mbështetet me politika të drejta, mundësi reale dhe akses në dije e inovacion. Por, mbi të gjitha, është e domosdoshme që vetë ato të besojnë në fuqinë dhe vlerën që përfaqësojnë. Strategjitë, takimet, studimet janë të shumta, por zgjidhjet dhe premtimet shpesh, mbeten pezull. ANRD, “Rrjeti shqiptar për zhvillimin rural”, prej vitesh po advokon në strukturat shteterore për mbështetjen e grave në zonat rurale. Mekanizmat efektive, që problematikat serioze, të përcillen atje ku duhet dhe dëgjohen, janë pjesa më e vështirë, por edhe produkti i gjithë përpjekjeve tona.
Pyetja 6. Menaxhimi i Projekteve Ndërkombëtare
Cilët janë faktorët kritikë për suksesin e projekteve në bujqësi dhe si ruhet qëndrueshmëria e tyre?
Përgjigje:
Mbështetja e donatorëve ka qenë një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin bujqësor dhe rural në vëndin tonë. Në udhëtimin e gjatë të vendeve në tranzicion, pritshmëritë shpesh, ndeshen me realitete të ndërlikuara. Edhe tek ne, projektet e mbështetura nga donatorë, veç arritjeve të rëndësishme, janë përballur ndër vite, me një sërë sfidash, që dëmtojnë potencialin e projekteve. Nga përvoja ime administrative dhe analizave të ndryshme nga ekspertë, tri shtylla kryesore ku këto problematika manifestohen ndër dekada, janë: zbatimi, drejtimi dhe sidomos qëndrueshmëria.
Kujtesa institucionale, shpesh e brishtë, sjell mungesë informimi dhe koordinimi mes donatorëve, duke rezultuar në nisma të mbivendosura apo kontradiktore, që humbasin ndikimin e tyre. Matja e dobët e impaktit, lë pas një mjegull mbi atë çfarë është arritur realisht, në mjaft raste drejtimi nga persona jo të aftë , dhe sidomos, pa -qëndrueshmëria, pas largimit të mbështetjes nga donatorët, janë problemet kryesore që lypset të kihen në konsideratë për të ardhmen.
Megjithatë, bashkëpunimi ndërkombëtar ka shënuar një mbështetje të fuqishme dhe ka sjellë një trashëgimi të çmuar për bujqësinë shqiptare, duke i pajisur institucionet dhe komunitetet, me eksperiencë, rritje kapacitetesh humane dhe infrastrukturore, për të ecur përpara.
Ju faleminderit për intervistën.
Faleminderit shumë ju znj.Liliana.


