top of page

Një rilindas i kohës sonë. nga Çapajev Gjokutaj.

  • Apr 27
  • 2 min read




Një rilindas i kohës sonë


Rexhep Qosja nuk ishte thjesht një studiues i letërsisë, as vetëm një penë e mprehtë krijuese, por një figurë që e shndërroi kulturën shqiptare në një projekt emancipues. Ai e pa letërsinë jo si arkiv të së shkuarës, por si një forcë gjeneruese të identitetit kombëtar, duke e lidhur me nevojat e kohës dhe me sfidat e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, Qosja është një rilindës modern: një mendimtar që riktheu frymën e rilindjes në kohën tonë si për të na rikujtuar se çështjen kombëtare nuk e kemi zgjidhur akoma përfundimisht.


Qosja e konceptoi letërsinë shqipe si një unitet kulturor, përtej ndarjeve fetare apo gjeografike. Në veprat studimore ai ndërtoi një narrativë ku shkrimtarët e së kaluarës nuk ishin vetëm autorë, por gurë themeli të vetëdijes kombëtare. Ky vizion e bën atë pasues të drejtpërdrejtë të rilindësve, por në një kontekst modern.


Ashtu si rilindësit e shekullit XIX, Qosja nuk ngurroi të polemizonte. Në shumicën e herëve debatet ku merrte pjesë dhe jo rrallë edhe printe, nuk ishin përplasje personale, por përballje paradigmatike e programore. Polemika për Qosen, ishte një formë e mendimit kritik, një mënyrë për të mbajtur gjallë frymën e lirisë së mendimit.


Rexhep Qosja e përdori gjuhën shqipe si armë efikase dhe si instrument të shenjtë. E shkroi me mjeshtëri, e përdori si mjet ndikimi dhe e shndërroi në instrument emancipimi. Për të, gjuha ishte rrënja e identitetit shqiptar, një frymë që ngadhënjen mbi çdo ndarje fetare apo ideologjike. Kjo e lidh drejtpërdrejt me rilindasit, të cilët e panë gjuhën si themel të kombit.


Qosja nuk u kufizua në studime, krijimtari letrare dhe publicistike. Ai ishte pjesë e delegacionit të Rambouillet më 1999, duke e lidhur kështu krijimtarinë intelektuale me veprimtarinë e mirëfilltë politike në dobi të Kosovës dhe të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Për të kultura dhe politika ishin dy fusha të pandara sepse ishte i bindur që emancipimi kombëtar do të çalonte keqas pa kontributin e të dyjave. Edhe në këtë aspekt ringjalli dhe praroi frymën e rilindasve.


Amaneti i tij për një varrim të thjeshtë, pa fjalime e pa ceremoni shtetërore, është pasqyrë e filozofisë së tij: të jetojë e të veprojë për të mirën e kombit pa bujë, por me principialitet dhe qasje të ashpër kritike “ndaj sundimtarëve dhe pushteteve të tyre”. Ceremonitë vlerësuese dhe monumentet që e lartësojnë dhe e përjetësojnë, gjenden në veprat që na la.

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page