top of page

Prof. Dr. Drita Statovci: Një jetë në shërbim të dijes dhe kulturës.

  • Mar 3
  • 10 min read

Updated: Mar 5





 Portret - Intervistë me Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci


 Prof. Dr. Drita Statovci: Një jetë në shërbim të dijes dhe kulturës.


 Hyrje:


 Prof. Dr. Drita Statovci është një grua e shkelqyer, studiuese e devotshme dhe familjare model


Prof. Drita Është bija e etnologut të parë shqiptar në Kosovë, Profesor Kadri Halimi, me disa vepra shkencore të botuara. Është frymëzuar dhe formuar pranë tij.

Bashkëshorti i saj, Prof. Dr. Ejup Statovci, jurist, pedagog dhe shkencëtar me shumë studime shkencore të botuara dhe rektor i Universitetit të Prishtinës 1991–1997, nuk është në jetë.

Ka tri vajza të mrekullueshme: Anila Statovci, ekonomiste; Brikena Statovci, ing. e telekomunikacionit dhe informatikës; dhe Ardita Statovci, pianiste.



Me dijen, mirësinë dhe përkushtimin e saj, ajo ndërtoi një jetë ku shkenca, kultura dhe familja bashkëjetojnë në harmoni.


 1945 – Rrënjët e dijes.


 E lindur në Gjilan më 14 prill 1945, ajo u rrit në një familje ku etnologjia ishte frymë e përditshme. Çdo histori për të ishte një dialog me të kaluarën, një rrugëtim drejt kuptimit të së tashmes.


 1965–1969 – Universiteti i Prishtinës


 Diplomimi në Gjeografi i hapi sytë ndaj peizazhit si tekst kulturor dhe territorit si histori e gjatë. Si Fernand Braudel, ajo mësoi të lexojë malet dhe fushat si simbole të identitetit kolektiv.


 1971–1973 – Universiteti i Zagrebit


 Teza mbi Gjilanin e shihte qytetin jo vetëm si qendër rajonale, por si metaforë të ndërthurjes së ekonomisë dhe kulturës. Studimi i saj e bëri urbanistikën një narrativë të gjallë të jetës qytetare.


 12.03.1981 – Doktoratura në Zagreb


 Punimi mbi zejtarinë e ngriti mjeshtërinë në nivel simbolik dhe e tregoi si gjuhë të heshtur që ruan kulturën. Kjo u bë akt i përkushtimit ndaj trashëgimisë materiale dhe shpirtërore.


 1969–1977 – Institucionet e para


 Në Oda Ekonomike, Entin Krahinor dhe Institutin e Historisë, ajo ndërthurte kërkimin me shërbimin publik. Dijeni e saj ishte akt etik, një mënyrë për të formuar dhe pasuruar shoqërinë.


 1977–1989 – Instituti Albanologjik i Prishtinës.


 Ajo vendosi etnologjinë shqiptare në një bosht interpretues modern, duke i lexuar veshjet, ritet dhe objektet si kode identitare. Studimi i saj u bë një kujtesë vizuale e qytetërimit shqiptar.


 1994–2001 – Universiteti i Prishtinës


 Themelimi i Departamentit të Etnologjisë dhe Antropologjisë Kulturore ishte si ngritja e një laboratorri të kombit. Ajo krijoi një shkollë mendimi, duke formuar breza që shohin kulturën si art jetese.


 1995–2005 – Universiteti Shtetëror i Tetovës


 Ligjëratat e saj lidhën dijen mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kultura shqiptare u bë bazë e ndërgjegjes kolektive, një urë mes hapësirës dhe identitetit.


 2003–2013 – Profesorate BA & MA

 Në auditorët e saj, çdo objekt dhe tekst u kthye në performancë intelektuale.


  Ajo i jepte jetë njohurisë si një kuratore e kujtesës kolektive.


 2013–2017 – Universiteti i Prizrenit

 Trashëgimia trajtohej si kapital kulturor, një pasuri simbolike që ruan identitetin. Ligjëratat e saj kishin jehonën e gurëve të kalldrëmeve të qytetit historik të Prizrenit.


 Vepra shkencore


 Nga monografia mbi zejtari (1982) te “Shije Kulturore” (2022), veprat e saj janë enciklopedi identiteti. Kontributi në Berg Encyclopedia of World Dress and Fashion vendosi kulturën shqiptare pranë studimeve globale.


 Si deputete dhe aktiviste e Lëvizjes së Pajtimit, ajo dëshmoi se intelektuali duhet të jetë zë etik në kohë sfidash. Kultura dhe politika për të janë përgjegjësi morale, një dialog i vazhdueshëm me shoqërinë.


 Prof. Dr. Drita Statovci mbetet figurë themeluese e etnologjisë universitare në Kosovë. Jeta e saj është një mozaik ku çdo vit dhe çdo institucion formojnë gurë të çmuar të ndërtesës së kulturës shqiptare.


 Një jetë ndërmjet shkencës dhe artit të kujtesës. Një emër i nderura do tè  mbetet dhe kujtohet nga historia..

------------------

E nderuara Prof. Drita jeni e mirëseatdhur ne Prestige.


Fillojme intervisten.


 Pyetje 1:

 Si e keni ndërthur jetën familjare me karrierën akademike dhe kërkimin etnografik, duke ruajtur ekuilibrin mes përgjegjësive personale dhe profesionale?



 Përgjigje 1:

 Për gruan dhe nënën posaçërisht, nuk është e lehtë të kordinojë dhe të ekuilibrojë mbarëvajtjen e familjes në njëren anë, ndërsa në tjetrën anë karrierën akademike, hulumtimet shkencore e profesionale etnografike në terren, hulumtimet kabinetike në bibliotekat tona dhe në  ato botërore, bërjen e shkencës së antropologjisë së kultures ose etnologjisë dhe punën e ndritëshme të pedagogut. Vërtetë jo! Dhe kur tani e shikoj këtë realitet nga distanca, them se vetëm dashuria e sinqertë për familjen, por edhe për punën profesionale që e bënë dhe që e zgjedhë vetë, të japin vullnet e force të tejkalohen e të koordinohen të gjithat. Prandaj ecin pandashëm familja në vend të pare, e përkujdesur e mbajtur tok bashkë dhe në anën tjetër përpjekja maksimale për ta njohur drejtë shpirtin e popullit, për ta njohur gjerësisht trashëgiminë kulturore e kombëtare me të gjitha elementet e saj dhe tani paraqitja në punë zyrtare si e kërkonin rregullat e kohës dhe krahas me të gjithë të tjerët. Sigurisht se kishte edhe sakrifica, nga unë, por edhe nga familja natyrisht. Megjithatë në familje mbretëronte harmonia dhe mirëkuptimi.


 Pyetje 2:

 Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur si grua, nënë dhe intelektuale në një shoqëri në zhvillim?


 Përgjigje 2:

 Duhet ta pranoj se po, kishte sfida gjatë punës time të pandërprerë për 51 vit. Kam filluar punën shumë e re, e prirur nga dëshira që ta ndihmoj familjen, meqë babain e kisha shkencëtar por edhe atdhetar e veprimtar, që disa herë e për disa vite u privua nga puna dhe u detyrua të mbaj burgime nga ish pushteti jugosllav, ndërsa nanën e kisha pa punë në ndonjë institucion. Sfidë ishte, fjala vjen përkujdesja dhe sigurimi i çerdhes për akomodimin e fëmijëve, sepse atë kohë nuk kishte qerdhe të mjaftueshme për fëmijë. Pastaj sa herë shkoja për hulumtime në terren për javë të tërë e më tepër, nana ime Kadrije kujdesej për fëmijët e mij, ndryshe nuk do t’ia dilja. Por edhe puna në terren kishte sfidat e veta, nuk kishte Instituti veturen e vetë, prandaj me autobus e pjesërisht ecje këmbë. Mirëpo, terreni kishte edhe befasitë e këndshme, ndonjëherë ndodhi jo edhe të mirëpritura. Mësoja realitetin tonë të kohës dhe gjendjen drejtpërdejtë në terren, por mësoja edhe trurin e mendësinë tonë, të popullit tonë. Më ka ndodhur të përshëndetem me fjalët: mirë se vjen bija e fisit, e kjo do mendje për ta kuptuar drejtë domethënien e mirëpritjes! Ose, atje në terren, drejtpërdrejtë në shtëpitë e tyre në fshatra të ndryshme, gratë thërrisnin njëra tjetrën: ejani oj gra, se kjo po flet sikur na-shqip, e kjo më bënte të kuptoj se më parë ato gra s’kishin pasur mundësi ta takojnë një hulumtuese të kombit të vetë, një shqiptare. Në qytete më thoshin: profesorka, ajo shkolla e nanës është më e mira! Pra, flisnin për edukatën që njeriu merrë që në fëmijëri! A nuk janë këto momente që të japin shtysë të punosh, e të punosh pa u ndalur! Nuk kam hetuar asnjëherë ndonjë pengesë pse isha grua, mirëpritesha ku do që punoja. Kjo ishte e bukura e hulumtimit të drejtpërdrejtë në çdo vend, në fshatra, në qytete, në institucione shoqërore etj.


 Pyetje 3:

 Si mund dijenia dhe etnografia të shndërrohen në mjet për ruajtjen e identitetit dhe vetëdijes kolektive të një kombi?


 Përgjigje 3:

 Nga vetë fakti se etnologu, apo antropologu i kulturës bënë etnografinë e terrenit, hulumton kulturën materiale, shpirtërore, artistike ose shoqërore dhe të gjitha këto i fotografon, i inçizon dhe me studime të veta i bënë të flasin për vete, por edhe për të tjerët, na bindë se kështu vërtetë ruajmë identitetin dhe vetëdijen kolektive, ruajmë trashëgiminë tonë kulturore, ruajmë identitetin kulturor dhe kombëtar, kujtesën e mbajmë gjallë. Mbështetje e mirë më vijnë fjalët e humanistit dhe filozofit Elie Wiesel kur thotë se ”pa kujtesë nuk ka kulturë, pa kujtesë nuk mund të ketë qytetërim as shoqëri e të ardhme”! Ndërsa në një punim timin pata shkruar se trashëgimia kulturore ka vlera të veçanta, ajo të ushqen kulturalisht, emocionalisht, të mëson për kohën, i mëson të tjerët për ty dhe ty për të tjerët. Tradita është proces në lëvizje, por ajo të bën rrënjës, ta ngritë krenarinë dhe me sukses të vendosë edhe në modernitet, të mban me kohën!


 Pyetje 4:

 Sa e rëndësishme është të studjojmë trashëgiminë kulturore për të kuptuar të tashmen dhe për të ndikuar në të ardhmen e shoqërisë?


 Përgjigje 4:

 Sa po thash diçka për trashëgiminë kulturore. Po se kuptuam drejtë e thellësisht të kaluarën, nuk e kuptojmë as të tanishmen, prandaj edhe e ardhmja do të na vijë e cunguar, e pa kuptimtë, e pa shpjeguar, e trishtë, e pa definuar. Trashëgiminë e vendit e të popullit, të kombit duhet trajtuar me shumë seriozitet dhe ashtu do ta njohim vetvetën dhe të krahasohemi edhe me botën, me kulturat botërore. Trashëgimia kulturore na joshë, na thërret, por edhe na obligon. Pata shënuar në një studim timin për fushen e veshjeve popullore, por edhe tani po i lejoj vetës një simbolikë të veçantë dhe një krahasim disi me fushën e gjerë të artit muzikor. Trashëgimia kulturore është tepër e gjerë, është jeta e njeriut human dhe për natyrat e shumënduarshme të saj, dëshiroj ta shoh, ta perceptoj e ta trajtoj si një harmoni notash, tingujsh e nuancash tingullore, ritmesh e muzikalitetesh që vërtetë na joshin, na thërrasin, por edhe na obligojnë. Trashëgimia kulturore është mrekullia vetë.


 Pyetje 5:

 Si mund mjeshtëria tradicionale, zejtaria dhe kultura materiale të interpretohen etnografikisht si gjuhë që ruan kujtesën kolektive?


 Përgjigje 5:

 Shumë thjeshtë. Kujtesa jeton e vepron bashkë me ne, por duhet pasur aftësi që ta njohim e përdallojmë. Si do të ndodhte UÇK-ja po s’patm traditë e kujtesë. Aty ishim bashkë, burrat në front e me pushkë në dorë, ndërsa gratë mbanin mirë, aq sa ishte e mundur, fëmijët dhe shtëpinë dhe në mënyra të mundshme vetëm për to, ndihmonin luftëtarët e UÇK-ës, ndihmonin luftën çlirimtare. Dhe, kur njohim dhe interpretojmë mjeshtëritë popullore, zejtarinë dhe kulturë materiale etnografikisht dhe pastaj krijojmë antropologji të kultures, realisht interpretojmë, dekodojmë dhe shpjegojmë e kuptojmë gjuhën që ruan kujtesën kolektive. Këtë edhe e kemi detyre e nderë.


 Pyetje 6:

 Cili është roli i intelektualit-etnograf në shoqëri: thjesht studiues apo edhe aktor moral dhe social?


 Përgjigje 6:

 Hëëëm, të gjitha nga pak. Etnologu intelektual është edhe etnograf edhe antropolog i kultures. Ky është roli i tij. Për të pasur sukses shpesh here duhet ta tejkalojë vetvetën, në terren me bujkun që mbjell arën, me magjetoren që gatuan ushqimin, me mjeshtrin që krijon artefakte të mrekullueshme argjendore filigraniste, me nxënës të shkollës që meson zellshëm, me fëmijën që luan lirshëm, pra ku do që gjendet, i detyrohet fare natyrshëm nivelit përkatës dhe të qenit tepër i sinqertë e social. Vetëm kështu e fiton besimin dhe rezulton suksesi në hulumtime e në bërje të shkencës.


 Pyetje 7:

 Si mund një departament universiteti të kthehet në një laborator të kombit, ku dijenia dhe kultura bashkëjetojnë për të formuar ndërgjegjen kolektive?


 Përgjigje 7:

 Në këtë distancë kohore ndjej satisfaksion dhe jam e lumtur që u mundova tej mase për themelimin e Departamentit Etnologji dhe Antropologji kulturore pranë Fakultetit Filozofik, i cili vazhdon punën me sukses edhe sot. Nuk ka ndjesi kënaqësie më të madhe se kur sheh rezultatet e punës vetanake që ke bërë për ta jetësuar një dëshirë, një domosdoshmëri për shoqërinë tonë, por edhe një ideal të caktuar-në rastin tim themelimin e Departamentit Etnologji dhe antropologji kulturore në vitin 2001. Më parë s’kishim studime të tilla në trojet shqiptare, ama askund. Këtu në Departamentin e Prishtinës, të Fakultetit Filozofik, punojnë së bashku një staf i zellshëm antropologësh të rinj, disa madje ish-studentë që i përcolla deri në titullin dr. shkence, madje edhe jasht vendit tonë. Në këtë Departament mësohet për t’u bërë antropolog, por jo vetëm antropolog, edhe më gjerë si gazetarë, analist, udhëheqës turistik, hulumtues në kompanitë kompjuterike e tj., pastaj, këtu realizohen performanca, realizohen ekspozita etnografike, ose të profileve të përzgjedhura, këtu realizohen projekte të guximshme për fusha të ndryshme shoqërore, qoftë kjo për kulturë natyrash të ndryshme ose për tematika të ndërgjegjës kolektive në veçanti. Këtu kolegialiteti është në nivel për t’u lavdëruar, andaj ka rezultate të prekshme, të këndshme, frytdhënëse dhe serioze. Këtu bashkëpunojnë mësimdhënësit me studentët, por edhe me bashkëpunëtorë të terrenit dhe anasjelltas dhe fare pa komplekse, madje të gjithë janë të moshave të ndryshme, por janë autentik, shprehin mendime e ndonjë herë edhe emocione, por qëllimin e kanë një e të pa ndarë – të gjithë punojnë për dije e për ndriçimin e trashëgimisë kulturore. Vallë, nuk i ngjan kjo një laboratori?!


 Pyetje 8:

 Si mund trashëgimia kulturore të trajtohet si kapital simbolik, që ruan jo vetëm objektet dhe njohuritë, por edhe shpirtin dhe identitetin e një kombi?


 Përgjigje 8:

 Po zonja Pere, ju me vetë pyetjen e pohoni këtë realitet. Antropologu dhe linguisti amerikan R. Keesing kishte një teori që thotë se kultura është trashëgimi e sjelljeve simbolike të mësuara (të trashëguara) që i bënë njerëzit qenie humane. Megjithëse kjo teori ka evoluar dhe ka edhe interpretime të tjera, baza disi mbetet e njëjtë. Më bëhet se folëm qartë e mirë për trashëgiminë kulturore, madje si identitet dhe si pasuri, dhe për shpirtin e identitetit kombëtar. Objektet e traditës ruhen e paraqiten për të tjerët në muzeume, simbolika e tyre flet vetë, identiteti vjen nga puna dhe mendësia e popullit, ndërsa studimet e antropologur të kulturës i jetësojnë të gjithat në shkrime. Me komentet e mia, nuk dëshiroj ta prish këtë bukuri.


 Pyetje 9:

 Cili është mesazhi juaj për gratë, zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës, në kuadër të dijes, kulturës dhe angazhimit shoqëror?


 Përgjigje 9:

 Së pari, të shprehem shlirë se fare s’e kemi idenë për fatbardhësinë që jetojmë në Kosovën e lire me një popull të mrekullueshëm. Së dyti, s’e keni fare idenë sa shumë duhet punuar, sa shumë sinqeritet e punë të ndershme duhet dhënë për vendin, për atdheun. Gruaja në çdo kohë ka mbajtur shtëpinë e familjen, ajo është ruajtëse dhe bartëse, transmetuese ndër më të mirat e trashëgimisë e të identitetit kulturor, por edhe pranuese e risive në jetën shoqërore. Gruas nuk i pengoi aspak organizimi i vjetër shoqëror, që dikur kishte rregullat dhe normat e veta dokesore-zakonore të pashkruara, me të cilat rregullohej tërë jeta shoqërore e që për gruan ishin jo gjithherë të favorshme. Gruaja shqiptare ka mbajtur kulturën gjallë. Sot bëjmë jetë të mileniumit të tretë, madje në kohë të globalizimeve. Shoqëria po se po që duhet të ndihmojë, por se gruaja duhet të tregojë vullnet e force për dije e për angazhime pa u stepur asnjëherë. Sami Frashëri që moti pat vërejtur se kombet e zhvilluara nuk arrijnë përparimin duke i lënë vajzat pa shkollë…, arsimi i tyre është themeli i së ardhmes. Po komentova më tutje, druaj se e prishi bukurinë e kësaj thënie epokale.


 Pyetje 10:

 Çfarë është për ju Kosova dhe si e shihni rolin e saj në zhvillimin kulturor dhe akademik të breznive të ?


Pergjigje 10.

Kosova është vendi, është atdheu im që më dha tabanin kombëtar shqiptar, vendi ku fitova edukimin bazë dhe prej nga vazhdova më tutje. Çajupi do të këndonte: “Mëmëdhe quetë toka//Ku më ka rënuër koka//Ku më ka dashur’ mem’ e atë…”. Sot, Republika e Kosovës mund të bëjë shumë për kuadrot tona të reja, për bashkëpunimin me botën akademike e për krahasueshmërinë me botën përgjithësisht. Po të më pyetni pse, duhet të them se tani jemi të zotë në shtëpinë tonë, ndërsa mundësitë e bashkëpunimit në këto rrethana të reja shoqërore dhe ekonomike janë të pakufishme. Por, secili individ, natyrisht përfshirë edhe vetën time, me ndërgjegjësimin dhe punën e vetë individuale mund dhe duhet të ndihmojmë shumë në këtë këndvështrim e për shoqërinë tonë. Secili brez ndërton epokën e vetë.



Ju faleminderit Znj Liliana Ju dua.


Ishte nder per mua Prof. Drita te intervistoja nje grua me profil te lartë akademik e qytetar.

Shume respekt e inspirim.




© Liliana Pere.

Idepedent Researcher.

Prestige Magazine.2023-2026







 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page