top of page

Mes frikës dhe pranverës – “Pallati i Ëndrrave”

Titull:

🌸 Mes frikës dhe pranverës – “Pallati i Ëndrrave”



Në këtë fragment, Kadare paraqet konfliktin e Mark-Alemit mes frikës dhe dëshirës për jetën. Lulet e bajames simbolizojnë pranverën, shpresën dhe lirinë, ndërsa Pallati i Ëndrrave simbolizon shtypjen dhe izolimin. Edhe pse i trembur nga pushteti, ai nuk arrin ta largojë vështrimin nga bukuria e natyrës. Lotët në fund tregojnë zgjimin e ndjenjave dhe mallin për një jetë të lirë. Përmes simboleve dhe kontrastit, Kadare kritikon regjimin totalitar që i mohon njeriut lirinë dhe humanitetin.


Pjese nga libri Pallati i endrave i Ismail Kadare.


Në karrocë rrinte, zakonisht, në thellësi të ndenjëses, në hije, ku sytë e kureshtarëve, me të cilët rruga ishte mbushur përherë, nuk e gjenin dot. Ashtu u ul edhe atë ditë, megjithatë, pas një copë rruge, e ndjeu se tërheqja e dritares ishte më e fortë se kurrë. Diçka kishte atje jashtë, që e joshte fuqishëm. Më në fund, kundër zakonit, e afroi kokën dhe, nëpërmjet avullit të lehtë që sajoi frymëmarrja e tij mbi qelq, pa se po kalonin përskaj Parkut Qendror. Paskan çelur lulet e bajames, mendoi me mallëngjim. Deshi të tërhiqej në çast në thellësi të karrocës, ashtu siç kishte bërë gjithmonë, sa herë që diçka e kishte ndjellë përjashta, por s’mundi të lëvizte

dot. Çeljen e motit, ngrohjen e reve, lejlekët dhe dashurinë, ai i kishte ditur që ishin aty, dy hapa larg, por kishte bërë sikur s’i kishte parë, i trembur se mos ato e nxirrnin nga magjepsja e Pallatit të Ëndrrave. I qe dukur se ishte strehuar aty pikërisht për t’u mbrojtur dhe, në çastin kur i joshur prej jetës do të dilte nga ai strehim, pra në çastin e tradhtisë, trullosja do të merrte fund dhe pikërisht atëherë ata do të vinin ta merrnin, kur era të frynte kundër Qyprillinjve, ja, në një fund pasditeje të tillë, ashtu si Kurtin, ndoshta më qetësisht, për ta çuar atje prej nga nuk kthehej më askush.

Ai i mendoi të gjitha këto, megjithatë nuk e largoi fytyrën nga dritarja. Një degë bajameje të lulëzuar do t’ia porositja qysh tani gdhendësit për varrin tim, mendoi.


Ndonëse me pëllëmbë të dorës e fshiu avullin mbi qelq, vështrimi i mbeti prapë i turbullt, plot përthyerje dhe rrëzëllime. Atëherë e kuptoi se i kishte sytë me lot.


I. Kadare “Pallati i ëndrrave”, 1984

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

© Revista Prestige 2023 - 2026

  • Facebook
  • Instagram
  • Pinterest
  • Twitter
  • LinkedIn
  • Whatsapp
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • Pinterest
bottom of page