Asdreni " Himni që tund malet" “Prej lufte veç ai largohet, që është lindur tradhëtor, se i tillë nuk nderohet, po përbuzet gjithnjë ndër shokë.”
- 4 hours ago
- 3 min read


Asdreni " Himni që tund malet"
“Prej lufte veç ai largohet,
që është lindur tradhëtor,
se i tillë nuk nderohet,
po përbuzet gjithnjë ndër shokë.”
Fjalët e Asdrenit nuk janë vetëm vargje poezie. Janë kushtrime. Janë zëra që nuk njohin kohë. Nuk janë vetëm për burrat, janë për gratë, për nënat, për rininë, për gjithë një komb që kërkon të ngjallet. Nëpër to fryn një erë solemniteti, një mall për Atdheun, dhe një forcë që të tund shpirtin ashtu si stuhitë tundin malet.
Aleksandër Stavre Drenova, i njohur me emrin letrar Asdreni, ishte rilindës, poet, mendimtar, filozof i lirisë dhe frymëzues i të pathyeshmëve.
Ai nuk i këndoi vetëm flamurit, por edhe karakterit, nderit, vetëdijes, dhe vetë shqiptarisë. Vargjet e tij janë kolona të përjetshme të ndërgjegjes kombëtare. Ai është i pari që guxoi të shpallë me zë të lartë kush është burrë, jo ai që jeton gjatë, por ai që vdes me nder dhe jeton me dritë.
“Kush është burrë nuk frikohet,
po vdes, po vdes si një dëshmor;
kurrë armikut nuk i dorëzohet,
por lufton der’ sa të marrë nder.”
Asdreni lindi në fshatin Drenovë të Korçës, më 11 prill 1872, në një familje me rrënjë të thella shqiptare. Ishte i biri i Stavrit, një burrë me ndjenja të ndritura kombëtare ; dhe që në fëmijëri njohu hijet e pushtimit dhe mungesën e dritës shqipe. Humbja e hershme e të atit e ndau nga një jetë e qetë, por e bashkoi me një tjetër rrugë: rrugën e shpirtit të atdheut.
Kur Shqipëria s’mund të ofronte shkollë në gjuhën shqipe, ai mori rrugën e mërgimit drejt Bukureshtit në Rumani. Jo për të ikur , por për t’u përgatitur e për të kthyer diçka më të madhe. Aty kreu shkollën e mesme dhe më vonë studimet universitare për shkenca shoqërore, filozofi dhe letërsi. Në Rumaninë e kohës gjendeshin qendra aktive të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shoqata, biblioteka, shtypshkronja, gazeta. Në Bukuresht, ai u bë pjesë e shoqërisë “Drita” dhe më pas “Shqipëria”, duke u rrethuar nga figura si Jani Vreto, Naim Frashëri, Kristo Dako, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Mit’hat Frashëri, Ismail Qemali. Ishin vëllezër mendimi dhe shpirtërorë, që i dhanë Asdrenit frymë për t’u bërë ai që njohim sot.
Në mërgim, ai nuk u ndje kurrë i huaj. Rumani ishte tokë mikpritëse, por në zemrën e tij, Shqipëria ishte gjithmonë vendi i përjetshëm. Poezia e tij nuk ishte strehë personale, por dritare ku frynte ajri i lirisë për një popull të tërë. Asdreni i dha zë jo vetëm flamurit , në vargjet e tij morën frymë qyteti dhe fshati, gratë dhe burrat, nxënësit dhe mësuesit, të rënët dhe ata që s’kishin lindur ende.
Veprat më të njohura të tij janë:
“Rrezë Dielli” (1904),
“Ëndrra e lotë” (1912),
“Psallme Murgu” (1930),
dhe shumë poezi e shkrime publicistike që shtrihen në kohë e ndikim.
Kush është burrë na thotë ai , " nuk matet me vite" por me qëndresë. Me dritë. Me besnikëri ndaj nderit. Është ai që nuk largohet nga lufta për të drejtën. Asdreni vetë ishte një burrë i tillë , jo me armë në dorë, por me fjalën si dritë që ndizte zemra.
Në fund, ai nuk jetoi i pasur. Nuk kishte pasuri. Por la pas një trashëgimi që sot ndriçon ndër libra, ndër këngë, ndër zemra. Himni që tund malet, jo thjesht burrat, por gjithë shpirtin e kombit shqiptar.
Shqipëria është mëmëdhe i krenarisë, në të ka një qoshe të shenjtë, nje zë që u bë hymn, që mban emrin Asdreni.