Bylyre Jashari një figurë e ndritur e artit dhe trashëgimisë shqiptare qytetare nderi e Kolonjës.
- 2 days ago
- 2 min read
Bijë e një familjeje të shkëlqyer Kolonjare. Bylyre Jashari trashëgon një edukatë të lartë qytetare dhe arsimdashëse, vlera që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së saj artistike.
Ajo është jo vetëm një artiste e rrallë, por edhe një grua e zonja, e ditur dhe serioze, që ka ditur të ndërtojë me përkushtim familjen dhe figurën e saj në shoqëri.
Nënë shembullore e dy fëmijëve, Bylyreja mbetet simbol i fisnikërisë, përulësisë dhe kulturës.
Me duar arti që qëndisin traditën dhe me një zë bilbili që emocionon çdo zemër, ajo shndërrohet në flutur sapo nis vallen, duke përcjellë hijeshi, shpirt dhe elegancë në çdo interpretim.
Kolonja, eshtë trevë ku mendja, dija dhe tradita kanë ecur gjithmonë krah për krah mbetet një nga hapësirat më të pasura të kujtesës kulturore shqiptare.
Në këtë tokë, ku kënga është melodi e jetes që rrëfen; ku vallja është vetëm lëvizje, eshte dinamizëm dhe veshja tradicionale e kostumeve , identitet i qëndisur me kujdes brez pas brezi, pra arti ka gjetur gjithmonë njerëzit e tij më besnikë.
Në këtë mozaik të gjallë kulturor spikasin figura që nuk e kanë parë artin si profesion të kufizuar, por si mënyrë jetese dhe si mision ndaj trashëgimisë.
Një prej tyre është Bylyre Jashari, një nga figurat më të ndritura të artit dhe traditës shqiptare, emër që i ka dhënë zë e shpirt kulturës së Kolonjës dhe gjithë jugut të Shqipërisë.
E njohur me respekt dhe dashuri si “Bilbili i Kolonjës” dhe “Mbretëresha e Valles së Kënduar”, ajo ka përcjellë për më shumë se 45 vite emocion, krenari dhe identitet përmes këngës, valles dhe artit popullor.
Mësuese e nderuar muzike dhe artiste e shumëanshme, Bylyre Jashari ka lënë gjurmë të dukshme në edukimin artistik dhe në ruajtjen e kulturës popullore. Që në moshë të vogël u bë pjesë e këngës polifonike, ndërsa talenti dhe përkushtimi i saj u kurorëzuan ndër vite me çmime dhe vlerësime të shumta, mes tyre titulli “Qytetar Nderi i Kolonjës” dhe urdhri “Naim Frashëri”.
Ajo këndon me ndjeshmëri, interpreton vallen me elegancë dhe e përcjell traditën me një përkushtim që shkon përtej skenës apo klasës së mësimit. Bylyre Jashari nuk është vetëm artiste ,
ajo është një ambasadore e gjallë e traditës kolonjare.
Po aq e rëndësishme sa interpretimi i saj është edhe puna e heshtur e dorës dhe e zemrës: qëndisja dhe ruajtja e kostumeve tradicionale, si edhe kujdesi për çdo detaj të veshjes popullore, duke e kthyer atë në një ruajtëse të vërtetë të trashëgimisë jomateriale. Përmes interpretimit, vallëzimit dhe riprodhimit me mjeshtëri të kostumeve tradicionale, ajo vazhdon të ruajë dhe t’u përcjellë brezave thesarin tonë kulturor.
Në Kolonjën e mendjes së kthjellët, të dijes dhe të artit të gjallë, figura si Bylyre Jashari janë ura që lidhin të shkuarën me të tashmen, duke e mbajtur traditën jo thjesht të kujtuar, por të jetuar.
Figura të tilla mbeten krenaria jonë kombëtare dhe dëshmia më e bukur se tradita jeton përmes njerëzve që e duan, e mbrojnë dhe e përcjellin me shpirt.
Pergatiti:Liliana Pere.


