Cila ishte Ofelia e vërtetë e Hamletit ?
Tragjedia që stigmatizoi William Shekspirin dhe e frymëzoi për heroinën më tragjike. Ofelia e Shekspirit është një nga figurat më të famshme dhe më tragjike të letërsisë botërore. Ka frymëzuar një numër artistësh dhe ka angazhuar dhjetëra studiues. Deri vonë, të gjithë besonin se ishte një person fantastik, krijuar nga William Shekspir. Megjithatë, sipas zbulimeve të fundit, Ofelia mund të ketë qenë e bazuar në një person të vërtetë që shkrimtari njohu. Historiani Steven Gan gjeti një raport mjeko-ligjor të vitit 1569, i cili i referohet mbytjes së një vajze trevjeçare. Vajza u mbyt në një liqen në zonën Stratford-upon-Avon, ku u lind dhe u rrit William Shekspiri. Emri i saj ishte Jane Shekspir, dhe për shkak të sinonimeve, historianët supozojnë se ishte një e afërm e shkrimtarit, ndoshta kushërirë e tij. Vogëlushja Jane mblidhte lule në brigjet e liqenit kur u pengua dhe ra brenda. Raporti thotë: "Për shkak të mbledhjes së disa luleve të caktuara që quhen «yellowe boddles» që rriten në brigjet e këtij liqeni në Upton, Jane Shakespeare ditën e 16 Qershorit, rreth orës 8, pas mesditës, papritmas dhe aksidentalisht ra në liqen dhe u mbyt. Aty vdiq menjëherë. Lulet e lartpërmendura ishin shkaku i vdekjes së Jane". Heroina e Shekspirit, Ofelia, gjithashtu mbante lule në duar kur ra në ujë dhe e tërhoqën poshtë rrobat e saj të rënda. Sigurisht Ofelia ishte më e madhe, në moshë martese, pasi do të martohej me Hamletin, por historianët besojnë se shkrimtari u frymëzua nga tre-vjeçarja Jane. Shekspiri u lind në 1564, rreth 30 km nga liqeni ku u mbyt vajza. Shkrimtari ishte pesë vjeç kur Jane vdiq dhe mund të ketë dëgjuar diskutime të familjes rreth mbytjes. Në rast se ishte e afërm, humbja e saj do ta ketë prekur edhe më shumë. Katherine Hamlet. Brigjet e lumit Avon. Një tjetër "Muzë" e mundur e Shekspirit është Catherine Amlet, e cila u mbyt në 1579, një dekadë pas Jane. Vajza ra në lumin Avon, duke mbushur një shtambë me ujë. Vdekja e saj u konsiderua nga bashkëkohësit e saj si vetëvrasje, pas një zhgënjimi erotik. Shekspiri do ishte adoleshent dhe me siguri do ta kujtonte një histori të tillë tragjike. "Mallkimi" i Ofelisë. Një nga ilustrimet më të famshme të heroinës shekspiriane është tabloja e piktorit John Everett Mile. Vepra përfundoi në 1852 dhe u ekspozua në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër, ku mori kritika të shkëlqyera. Por kryevepra nuk u krijua pa sakrifica. Mile përdori një modele të vërtetë për Ofelinë, Elizabethën "Lisa" Sidol. Donte të kapte me përpikmëri absolute trupin e Ofelisë që plluskonte në ujë dhe kështu që vendosi modelen në një vaskë. Për të mbajtur ngrohtë ujin, kishte ndezur qirinj nën vaskë. Por Mile punonte papushim, të paktën dhjetë orë në ditë dhe qirinjtë shuheshin dhe uji ftohej. Pas ditëve të "acarta", Sidol u sëmurë dhe një ditë humbi ndjenjat nga hipotermia në ujë. Jeta imitoi artin dhe Sidol gati sa nuk pati të njëjtin fund tragjik me heroinën që aktronte. Sidol jetoi, por "mallkimi" i Ofelisë e ndoqi nga pas. U sëmurë rëndë me pneumoni dhe pati probleme shëndetësore deri në vdekjen e saj të parakohshme në moshën 32 vjeçare. K.E