top of page

Enika Abazi është një profesore dhe mendimtare shqiptare, e lindur në Tiranë, e formuar në një famil




ree


Enika Abazi


Rubrika: Personalitet që na tregon mëson


 dhe frymëzon


1. Portret

2.Intervistë.


Enika Abazi është një profesore dhe mendimtare shqiptare, e lindur në Tiranë, e formuar në një familje ku dija mbrohej si traditë dhe frymë. E diplomuar në Ekonomi në Shqipëri dhe doktoruar në marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Bilkent ne Turqi, ajo ndërtoi një profil akademik që bashkon analizën e thellë teorike me kulturën kritike të reflektimit.

Në rrafshin e mendimit dhe të hulumtimit, Enika Abazi lëviz si një udhëtare e mendjes dhe diplomacisë, duke ndërtuar ura midis universiteteve dhe institucioneve kërkimore, midis vendeve dhe kulturave. Ajo sheh dijen jo si një arkivë ngurtë, por si një rrjedhë të gjallë,  duke bërë nga çdo detaj akademik një hap drejt mirëkuptimit global.

Në vitet 1988-1991, si menaxhere e njësisë së burimeve njerëzore dhe materiale në Nënmarrjen e Pajisjeve Elektronike në Shqipëri, ajo ndërtoi strukturat që mundësuan funksionimin e harmonishëm të organizatës. Kjo përvojë i dha mundësinë të kuptonte rëndësinë e burimeve dhe planifikimit strategjik në çdo fushë të veprimit.

ree

Në vitet 1991-1999, si shefe e Departamentit të Marrëdhënieve Dypalëshe dhe Partneriteteve në Ministrinë e Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë dhe Tregtisë, ajo krijoi urat diplomatike midis Shqipërisë dhe botës. Kjo eksperiencë e mësoi rëndësinë e dialogut dhe negociatës, duke e formuar si një udhëheqëse të aftë në kontekste komplekse.


Në vitin 1994, si kërkuese shkencore në École des Affaires Européennes, Paris, ajo nisi rrugëtimin ndërkombëtar të hulumtimit të saj akademik. Ajo kuptoi se shkenca e politikës ndërkombëtare kërkon ndjeshmëri kulturore dhe përqasje analitike të hollësishme.

ree

Në vitin 2001, si kërkuese shkencore pranë COPRI, Kopenhagë, Enika zhvilloi analiza për paqen dhe konfliktet, duke reflektuar mbi mënyrat se si politika ndërkombëtare mund të ndikojë jetët njerëzore. Kjo përvojë i hapi horizontin për bashkëpunime ndërkombëtare dhe hulumtime të thella.


Nga 1996-1997, ligjëruese në Universitetin e Tiranës, dhe më pas 1997-2005 si asistent kërkimor dhe mësimdhënëse në Universitetin Bilkent, Ankara, ajo ndërtoi baza të forta pedagogjike dhe kërkimore. Përmes këtyre viteve, ajo mësoi se edukimi ndërkombëtar mund të jetë ura më e fuqishme për zhvillimin e një shoqërie.

ree

Në vitet 2005-2008, si pedagoge dhe kërkuese shkencore në Universitetin e Nju Jorkut, Tiranë, dhe bashkëpunëtore pranë Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, ajo integronte teori dhe praktikë. Ajo kuptoi se hulumtimi i thellë akademik mund të shërbejë si udhërrëfyes për politika të qëndrueshme.


Në vitet 2006-2007, si ligjëruese dhe më pas dekan themeluese në Universitetin Aleksandër Moisiu, Durrës, ajo ndërtoi një institucion të ri me standarde ndërkombëtare. Kjo përvojë e mësoi rëndësinë e vizionit dhe udhëheqjes për të ndikuar pozitivisht shoqërinë.

ree

Nga 2008-2013, në Universitetin Europian të Tiranës, dhe në periudha të tjera si ligjëruese dhe bashkëdrejtues e doktoraturës në Universitetin e Pizës (2007-2011), Enika hodhi themele për një hulumtim ndërdisiplinor dhe pedagogjik. Ajo kuptoi se çdo student dhe bashkëpunim shkencor është një mundësi për reflektim .


Në vitet 2012-2014, si profesor i ftuar në Universitetin e Lillës, Francë, dhe më pas në Kolegjin Doktoral SESAM (2014), ajo zhvilloi mentorime për studentët dhe doktorantët ndërkombëtarë. Kjo periudhë e forcoi vizionin e saj për bashkëpunimin akademik si mjet për ndryshim global.

ree

Nga 2014-2015, si lektore me kohë të pjesshme në Sciences Po Rennes, Enika ndihmoi në krijimin e ura akademike midis Francës dhe Ballkanit. Ajo kuptoi se hulumtimi dhe mësimdhënia janë dy anët e së njëjtës monedhë të ndikimit.


Që nga viti 2015 deri sot, si ligjëruese në Universitetin e Lillës dhe kërkuese shkencore në Institutin e Kërkimeve të Paqes, Paris, dhe drejtuese e Pax Universitas, ajo ndërton ura reflektimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ky rol i lejon të shfaqë harmoninë midis dijes, pedagogjisë dhe ndikimit global,.



Intervista  Prof.Enika Abazi - Liliana Pere. 

E dashur e nderuar Znj Enika fillojmë intervisten.

1.Pyetje.

Si ka qenë rruga juaj akademike — nga Shqipëria drejt universiteteve europiane?


Përgjgje: 

Rruga ime akademike nuk është thjesht një listë diplomash dhe titujsh. Ajo ofron një peizazh emocioni dhe përballjesh në kërkim të vet-arritjes intelektuale, frymëzuar dhe mbështetur fort nga familja si fillim dhe me vonë edhe nga bashkëpunimi me Albert Doja, me të cilin do të ndaja edhe jetën. Nuk do ta quaja të lehtë këtë rrugëtim. Jam e shartuar nga historia. Jam produkt i edukimit të periudhës komuniste në Shqipëri, ku mbarova studime për "ekonomi të planifikuar" – një paradigmë që, ironikisht, po bëhej histori para syve të mi. Kur ra muri, jo vetëm muri i Berlinit, por edhe ai i sigurive tona intelektuale, e gjeta veten në një vakum të padëshiruar. Dijet që kisha marrë me mund, si gurët e një tempulli të shembur, nuk kishin më vlerë në një rend të ri që po lindte. Duhej të rifilloja nga zero. Tranzicioni nuk ishte thjesht një proces ekonomik; ishte një kërkim i dhimbshëm i vetvetes. U nisa në një lundrim nëpër kurse dhe studime pasuniversitare në anët e ndryshme të Evropës, duke u përpjekur të bëja një vend në botën e re që po lindte. Por, them me krenari që ja dola. Fati, ose ndoshta më shumë përkushtimi im, më nxiti të investohem në studimet e doktoratës, që u bë e mundur nga një bursë e Universitetit të Bilkentit. Atje, zgjodha një drejtim  të ri Studimet e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Doktora nuk ishte thjesht një gradë ishte një çelës që më hapi derën drejt një karriere të re akademike. Rrugëtimi ishte me plot të papritura. Çdo sfide vendoste një gur në identitetin tim të ri. Nga kërkimet shkencore në Danimarkë, mësova rigorozitetin e kërkimit shkencor; drejtimi i punimeve doktorale në Itali, më dha përvojën për tu bërë udhërrëfyese për të tjerët, mësimdhënia në auditoret e SHBA-së dhe Francës, me mbushën me ide të reja që lindnin nga shkëmbimi me mendje kureshtare. Sot, këtë rrugëtim nuk e shoh si një karrierë, por si një dëshmi të qartë dhe të prekshme të asaj se dija dhe përkushtimi, kur ushqehen me dashuri të pakushtëzuar, kanë fuqinë të rindërtojnë një jetë nga themelet. Nuk është thjesht për të mbijetuar, por për të lulëzuar, duke u bërë dikush krejtësisht e re.


2. Pyetje:

Cili ishte momenti kur filluat të ndiheni jo vetëm studente, por kërkuese e mendimit kritik dhe pyetjeve të mëdha?

Pas përfundimit të doktoraturës fillova ta ndiej veten vërtet të formuar, në momentin kur nisa të shkruaja artikuj shkencorë mbi problematika të ndryshme që më kishin preokupuar prej kohësh. Shkrimi akademik dhe procesi i botimit në revista shkencore më mësuan se kërkimi nuk është vetëm një akt individual analize dhe argumentimi, por një dialog i hapur me të ngjashmit dhe botën. Çdo artikull është një përballje me veten dhe me të tjerët — fillimisht përmes komenteve të peer revieewers, e më pas nëpërmjet reagimeve të komunitetit akademik dhe të publikut të interesuar. Ishte një proces që të mëson të japësh e të marrësh, të pranosh kritikën si pjesë të rritjes dhe të ndjesh se dija fitohet jo vetëm duke kërkuar, por edhe duke vlerësuar. Në këtë rrugëtim, shkrimi i një artikulli të bën të rimendosh vlerat, arsyet dhe kufijtë e vetë dijes, të bën të ndjesh se kuptimi i vërtetë nuk përfundon me një diplomë — ai fillon kur guxon të flasësh me zërin tënd.



3. Si kanë ndikuar kujtimet nga fëmijëria dhe rrënjët familjare në mënyrën se si u formuat si njeri dhe si mendimtare?


Përgjigje.

Kujtimet e fëmijërisë janë për mua një thesar i çmuar, jo thjesht copëza kohe, por gjurmë të thella që kanë ndërtuar mënyrën se si e shoh botën dhe vetveten. Prindërit e mi, Safa dhe Safije — një koincidencë e bukur emrash që mbartnin të njëjtën rrënjë — ishin të përkushtuar që unë dhe motrat e mia të kishim një të ardhme të denjë. Babai, i prekur nga pasojat e regjimit, përsëriste një thënie që u bë si amanet: “Vetëm shkollën s’ta merr dot kush.” Ishte mënyra e tij për të më dhënë forcë dhe për të më mësuar se dija është mburoja më e sigurt kundër padrejtësive.


Nëna besonte me gjithë zemër se një vajzë duhet të jetë e pavarur. Ajo ma përçoi këtë bindje me fjalët: “Shkolla është byzylyk floriri.” Për të, arsimi ishte një dhuratë e shenjtë që i garantonte vajzës dinjitet dhe qëndrim të drejtë në jetë.


Fëmijëria ime ishte e mbushur me libra. Në çdo dhomë kishte rafte që frymonin histori dhe dije. Ishin librat e gjyshit tim, Osman Myderrizi — autor i Fjalorit të parë të shqipes (1954), studiues i letërsisë shqiptare me germa arabe dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar. Ai thoshte shpesh: “Nuk mërzitem hiç, se jetoj midis njerëzve të mençëm,” një fjali që ka mbetur si udhërrëfyes edhe në jetën time.


4.Pyetje:

 A ka pasur një ngjarje, një libër apo një figurë që ndezi për herë të parë brenda jush etjen për dije dhe për kuptim të thellë të jetës?


Pergjigje: 

Etja për dije nuk lindi nga një moment i vetëm, por nga një mozaik librash dhe përjetimesh që më rritën emocionalisht dhe shpirtërisht. U rrita midis faqeve të librave, ku humbisja e gjeja veten njëkohësisht. Secili libër më dha një dritare të re për të parë botën.

“Zemra” e De Amicis më mësoi të ndiej thellë për njerëzit, të njoh mirësinë dhe dhimbjen e tjetrit.

“Fëmijët e sotëm” i Nesinit më mësoi përgjegjësinë në moshë të vogël.

“Bubi kaçurrel” i Bushakës më frymëzoi me shpirtin e tij të lirë, plot guxim e kureshtje.

“Cipolino” i Rodarit më dha forcën të kundërshtoj padrejtësinë.

“Djemtë e rrugës Pal” të Molnárit më mësuan sakrificën e pastër.

Këta libra, këta personazhe, ushqyen tek unë një ndjeshmëri të thellë për botën dhe një dëshirë për ta kuptuar jetën në mënyrë më të gjerë, më të drejtë dhe më të njerëzore. Aty lindi kuptimi i parë i dijes — jo vetëm si njohje, por si ndjenjë, si drejtësi dhe si mundësi për ta bërë botën më të mirë.


5.Pyetje: ka një ide filozofike, një autor, apo një koncept që e ka tronditur mënyrën se si e kuptoni botën?


Përgjigje:

Ideja që më ka tronditur në mënyrën se si e kuptoj botën është “Miti i Sizifit” i Albert Kamysë.

 Para se të përballesha me këtë ese të gjatë, për mua suksesi dhe qëllimi kishin një kuptim të drejtë, linear — një varg arritjesh që të çonin drejt një pike kulmore, ku gjithçka merr kuptim. Camus e përmbysi këtë mënyrë të të menduarit. Sizifi, i dënuar të ngjisë përditë një gur në majë të malit, vetëm që ai të rrokulliset sërish poshtë, është heroi absurd. Ai e njeh kotësinë e detyrës së tij, por pikërisht në vetëdijen për këtë absurditet qëndron madhështia e tij. Nuk është dënimi që e bën Sizifin tragjik, por ndërgjegjja e tij për të — dhe zgjedhja për të vazhduar megjithatë.  Ky lexim më mësoi se e vërteta nuk është një realitet i gatshëm që pret të zbulohet, por diçka që ne vetë e ndërtojmë me këmbëngulje dhe vendosmëri, përmes përpjekjes për t’i dhënë kuptim botës, edhe kur ajo duket pa kuptim. Brenda absurdit gjendet, paradoksalisht, një liri e thellë: çlirimi nga nevoja për “përgjigje të gatshme”. Në këtë kuptim, Camus më bëri të kuptoj se jeta merr vlerë jo sepse ofron kuptime një here e përgjithmonë të dhëna, por sepse na lejon t’i krijojmë vetë ato — përmes përvojës, zgjedhjeve dhe guximit për të vazhduar të ngjisim “gurët tanë” çdo ditë. Dhe pikërisht aty, në këtë përpjekje të pafundme, qëndron bukuria e jetës.


6.Pyetje:

Si e përjetuat drejtimin e institucioneve te larta akademike në Shqipëri ? Çfarë mbetet si përvojë nga drejtimi i Universitetit te Durrësit, UET ?


Përgjigje:

Në maj të 2006-s, nisa një udhëtim të pazakontë. Konkurrova dhe fitova të drejtën të punoja për themelimin e një Fakulteti të ri të Ekonomisë dhe Shkencave të Administrimit në Universitetin e Durrësit Aleksandër Moisiu. E nisa karrierën si Dekane pa asnjë fakultet ekzistues, por me detyrën të krijoja gjithçka nga zero, duke përfshirë dhe rekrutimin e ekipit. Angazhimi ishte i pamatshëm. Çdo ditë ishte një kapitull i ri: gjetja e stafit mësimor dhe administrativ, përshtatja e ndërtesës buzë detit, hartimi i programeve të reja të studimit, krijimi i logos së universitetit, regjistrimi i studentëve të parë, apo ndërtimi i bibliotekës dhe laboratorëve. Çdo detaj ishte një shtysë përpara, e mbushur me një shpresë të thellë se po ndërtoja diçka të qëndrueshme dhe të denjë për të ardhmen. Kjo fazë ishte e papritur dhe më intensivja në karrierën time, një përzierje e përditshme aventure, frymëzimi dhe sfidash. Lodhja ishte e madhe, por ajo zhbëhej plotësisht nga një ndjenjë e thellë vetë-përmbushjeje. Pas netësh pa gjumë dhe përpjekjesh të palodhshme, fakulteti hapi dyert për studentët e parë. Ishte një moment plot emocione, dëshmi e fuqisë së një vizioni për një të ardhme më të mirë. Kjo përvojë më mësoi më shumë për veten time, për vlerën e këmbënguljes dhe fuqinë transformuese të një ideje. Më frymëzoi më së shumti mënyra se si të rinjtë e pranuan institucionin si një hapësirë ku talenti dhe potenciali i tyre mund të lulëzonte. Themelimi i këtij fakulteti mbetet një nga pikat kulmore të jetës time profesionale. Vazhdova këtë udhëtim edhe në UET dy vjet më vonë, ku përjetova të njëjtin vrull krijues, por këtë herë e përballova me më shumë përvojë dhe besim.


7.Pyetje:

A mund te ekzistoje një universitet i lire në një shoqëri të politizuar? Ku e sheh vendin e akademikut në një sistem që shpesh nuk e duron pyetjen?


Përgjigje:

Një universitet i lirë në një shoqëri të politizuar nuk është një paradoks. Një universitet i tillë është një hapësirë ku dija nuk dorëzohet dhe mendimi nuk pranohet të deformohet. Vendin e akademikut në këtë relitet e shoh si një front të mendimit të lirë dhe kritik brenda një shoqërie që nuk e duron pyetjen. Akademiku nuk është thjesht një transmetues i dijes, por një njeri që guxon të vëzhgojë, të sfidojë, të pyes dhe të kërkojë të vërtetën, edhe kur ajo nuk është e rehatshme për pushtetin apo opinionin publik të politizuar. Në një sistem të tillë, roli i tij nuk është i lehtë: kërkon kurajo, këmbëngulje dhe ndonjëherë durim të pafund për të mbajtur hapësirën e diskutimit të hapur. Por pikërisht aty qëndron fuqia e akademikut — në aftësinë për të krijuar një ambient ku dijet, pyetjet dhe dialogu kritik mund të lulëzojnë, duke i kujtuar shoqërisë se progresi nuk lind nga heshtja, por nga kureshtja dhe sfidimi i së keqes.


8.Pyetje:

Çfarë ju shtyu të largoheni nga Shqipëria? A ishte një largim i dhimbshëm apo një zgjidhje për vazhdim të natyrshëm?


Përgjigje:

Jam larguar nga Shqipëria disa herë që pas rënies së regjimit komunist, kryesisht për qëllime kualifikimi dhe zhvillimi profesional. Por largimi për në Lillë ishte ndryshe. Me bashkëshortin tim, Albert Doja, nuk kemi ndarë vetëm jetën familjare—ne kemi ndarë një rrugëtim të tërë, të ndërthurur mes dashurisë, punës dhe pasionit për të bërë gjëra të vlefshme. Lidhja jonë nuk ka nisur thjesht si dy njerëz që gjetën njëri-tjetrin, por si bashkëpunëtorë që ndanin të njëjtat ide dhe kërshëri intelektuale. Disa nga punimet që kemi botuar nuk janë thjesht bashkëpunime akademike.


Kur Albert u emërua profesor i universiteteve në Universitetin e Lillës, rrugëtimi ynë mori një kthesë të re. Nuk ishte vetëm një hap i rëndësishëm në karrierën e tij, por edhe një ftesë e heshtur që dëshmonte se jeta jonë, pavarësisht ndryshimeve, do të vazhdonte bashkë. Pa hezitim, unë iu bashkova—jo vetëm sepse vendi i im ishte pranë tij, por sepse Lillë u bë një hapësirë e re ku ne vazhduam të ëndërronim, të punonim dhe të krijonim së bashku.


9.Pyetje:

Çfarë do të thotë të jesh pedagoge dhe kërkuese në një mjedis akademik ndërkombëtar krahasuar me realitetin shqiptar?


Përgjigje.

Për mua, mjedisi akademik e kam parë gjithmonë si një ambjent unik, ku të mendosh, të kërkosh dhe të debatosh janë mënyra për të kuptuar dhe sfiduar realitetin. Ky ambient nuk njeh kufij gjeografikë. Në thelb, ne jemi një bashkësi njerëzish të ndarë nga distancat, por të bashkuar nga një ideal i përbashkët: kërkimi i së vërtetës përtej interesave të ngushta dhe kufijve të pushtetit. Gjithmonë do të ketë pengesa që e shtrembërojnë këtë mjedis. Por thelbi i tij mbetet i pandryshuar: kërkimi për liri mendimi dhe ndriçim të mendjes.


10.Pyetje:

A është e mundur të ndërtohet ende një marrëdhënie e vërtetë mes mësuesit dhe studentit në këtë bote të shpejtë dhe të shpërqendruar?


Pergjigje.

Marrëdhënia midis profesorit dhe studentit në botën e sotme është një dinamikë komplekse dhe në zhvillim të vazhdueshëm, e ndikuar thellësisht nga teknologjia, shndërrimet sociale dhe filozofia moderne e arsimit të lartë. Sot, marrëdhënia mes profesorit dhe studentit nuk është më vertikale, ku profesori është burimi i pamohueshëm i diturisë dhe studenti një enë e zbrazët në pritje që të mbushet me dije. Sot ajo funksionon si një partneritet i bazuar në ndërthurjen e dy modeleve: modeli horizontal, ku profesori është udhërrëfyes dhe këshilltar, dhe studentët pjesëmarrës aktiv, që së bashku kontribuojnë në krijimin e njohurive, dhe modeli hapësinor, ku komunikimi vazhdon edhe jashtë aulës përmes këshillimit akademik, orientimit profesional dhe ndërtimit të rrjetit të karrierës. Është një marrëdhënie që, kur funksionon si duhet, është transformuese për të dyja palët, duke i shtyrë kufijtë e të kuptuarit dhe duke krijuar një mjedis ku dija nuk transferohet, por krijohet së bashku.


11.Pyetje:

Cilat janë disa nga studimet tuaja më të dashura apo me sfiduese që ndihen ende të gjalla brenda jush?


Pergjigje.

Studimet e mia më të dashura dhe të rëndësishme në karrierën time akademike e intelektuale janë disa por këtu po i referohem veç tre prej tyre, secila me një objekt dhe një horizont të veçantë kërkimi, por që në thelb lidhen me njëra-tjetrën përmes temës së përbashkët të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe vendit të Shqipërisë e Kosovës në sistemin ndërkombëtar e rajonal.


Çështja e Kosovës dhe studimi i saj në kuadrin e qasjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare,


Përfytyrimet ndërkombëtare mbi Ballkanin dhe ndikimin e tyre në politikat ndaj rajonit, si dhe integrimi europian i Shqipërisë, sfidat dhe hendeku që ndan vendin nga Evropa.


Interesi im për çështjen e Kosovës është i lidhur ngushtë me mënyrën se si ajo është trajtuar në teorinë dhe praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë drejtim, më tërheq veçanërisht analiza e mënyrës se si konceptet e sovranitetit, vetëvendosjes dhe ndërhyrjes ndërkombëtare janë aplikuar në rastin kosovar, sidomos gjatë periudhës së luftës së viteve 1998–1999. Kosova përfaqëson një laborator të rrallë për të kuptuar ndërthurjen midis realpolitikes, normave ndërkombëtare dhe dinamikave rajonale të sigurisë. Interesohem të kuptoj në ç’mënyrë përfytyrimi ndërkombëtar i Kosovës ndikon ende në statusin e saj politik, në proceset e njohjes e integrimit në strukturat euroatlantike.


Një tjetër fushë studimore që e konsideroj thelbësore është ajo e përfytyrimeve ndërkombëtare të Ballkanit, ose mënyra se si rajoni është imagjinuar, përshkruar dhe kategorizuar nga fuqitë e mëdha. “Ballkani” ka qenë për një kohë të gjatë një konstrukt diskursiv, shpesh i ngarkuar me konotacione negative, prapambetje apo konfliktualitet. Studimi i këtyre përfytyrimeve, ndërthurja e analizës diskursive me atë politike, më ka lejuar të eksploroj marrëdhënien midis imazhit të krijuar për Ballkanin dhe trajtimit që ai merr në arenën ndërkombëtare. Përmes këtij këndvështrimi, mund të kuptohen më mirë stereotipet e qëndrueshme dhe barrierat simbolike që ende ndikojnë në marrëdhëniet midis Evropës “perendimore” dhe Evropës “juglindore”.


Fusha e tretë që më ka tërhequr është ajo e integrimit evropian të Shqipërisë dhe analizës së faktorëve që vazhdojnë të mbajnë një hendek të dukshëm midis vendit dhe standardeve të Bashkimit Europian. Studimet nuk kufizohet vetëm në aspektin institucional të reformave, por edhe në dimensionin socio-politik dhe kulturor të procesit të europianizimit. Më intereson të shqyrtoj se si diskursi i integrimit është bërë pjesë e identitetit politik shqiptar, shpesh më shumë si projekt aspirativ sesa si realitet i konsoliduar. Po ashtu, kam dashur të kuptoj pse, pavarësisht retorikës pro-evropiane, Shqipëria mbetet ende e ndarë nga Evropa përmes problemeve strukturore si korrupsioni, dobësia e institucioneve, mungesa e shtetit të së drejtës, etj.


Në tërësi, këto tri fusha studimore formojnë një trekëndësh analitik që më kane ndihmuar të shoh marrëdhënien midis rajonit tonë dhe botës më gjerë — midis përfytyrimit dhe realitetit, midis aspiratës dhe kufizimeve, midis identitetit politik dhe pushtetit ndërkombëtar. Ato përbëjnë për mua jo vetëm tema studimore, por edhe mënyrën e të kuptuarit më thellë të historisë dhe të ardhmes së hapësirës shqiptare e ballkanike brenda rendit ndërkombëtar bashkëkohor.


12.Pyetje:

Çfarë është dija për ju sot? Një instrument, një mision apo një mënyrë për të jetuar me ndershmëri?


Përgjigje:

Dija nuk është vetëm instrument, as vetëm mision — ajo ofron kuptimin për botën. Si instrument, ajo na jep mundësinë të kuptojmë, të ndërtojmë e të transformojmë realitetin. Si mision, na thërret të kërkojmë të vërtetën edhe kur ajo është e pakëndshme. Por përtej këtyre, dija është një mënyrë jetese: një përkushtim i brendshëm në kërkimi të kuptimit, të dyshimit dhe të respektit për kompleksitetin e botës. Të jetosh me dijen do të thotë të mos pranojsh lehtë as të njohurën, as të rehatshmen — por të jetosh me pyetje, me kureshtje dhe me integritet. Në këtë kuptim, dija për mua është forma më e lartë e ndershmërisë njerëzore.


13.Pyetje:

A ka më vend për intelektualin në një bote që gjithnjë e më pak dëgjon dhe më shumë reagon?


Pergjigje.

Në një botë që gjithnjë e më pak dëgjon dhe gjithnjë e më shumë reagon, intelektuali e gjen veten në një pozitë të vështirë, por jo të panevojshme. Roli i tij nuk është më ai i zërit që udhëzon turmat, por i mendjes që rikthen reflektimin. Edhe pse zëri i arsyes shpesh humbet në zhurmën e rrjeteve sociale dhe emocioneve kolektive, pikërisht aty lind nevoja për intelektualin — si kujtesë kritike, si zë që nuk përshtatet me reagimin e shpejtë, por e sfidon atë me thellësinë e mendimit.


14.Pyetje:

Si mund të mbetet i lire mendimtari në një kohë të mbushur me ideologji të padukshme dhe rrëfime të parafabrikuara?


Përgjigje.

Intelektualët historikisht kanë shërbyer si arkitektët kryesorë të ideologjive. Përmes analizës sistematike të strukturave shoqërore, sistemeve ekonomike dhe organizatave politike, ata zhvillojnë kornizat koherente të mendimit që më vonë bëhen ideologji. Zhvillimi i teorisë komuniste nga Karl Marksi, artikulimi i parimeve liberale nga John Locke dhe kontributet e Simone de Beauvoir në ideologjinë feministe, të gjitha e demonstrojnë këtë rol krijues. Çdo ideologji ofron një version të thjeshtuar të realitetit. Vlera e saj varet nga aftësia për të zgjidhur probleme reale pa shkatërruar liritë themelore të njeriut. Kontributet intelektuale më të qëndrueshme shpesh dalin nga ruajtja e këtij tensioni krijues. Ky akt balancues përfaqëson si barrën ashtu edhe privilegjin e punës intelektuale.


15.Pyetje:

Çfarë mesazhi do të jepnit për të rinjtë shqiptaret që kërkojnë rrugën e tyre përmes pasigurisë, emigrimit dhe mungesës së busullës?


Përgjigje.

Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë që kërkojnë rrugën e tyre mes pasigurisë dhe emigrimit është i thjeshtë: duajeni atdheun. Dashuria per atdheun nuk është një ndjenjë romantike, por vetëdije dhe përkatësi. Siç thoshte Kennedy: “Mos pyesni çfarë bën atdheu për ju, por çfarë mund të bëni ju për atdheun.” Edhe nga larg, dashuria për vendin mund të kthehet në kontribut, në energji krijuese dhe në përpjekje për ta bërë Shqipërinë më të drejtë e më të denjë. Vetëm kështu mund të rindërtojmë shpresën dhe besimin se Shqipëria nuk është thjesht një vend për t’u lënë pas, por një vend për t’u rikthyer dhe për të ndërtuar. 


16.Pyetje:

Çfarë do t’i thoshit vetes suaj 20-vjecare nëse do ta kishit përballë sot?


Vetes sime 20-vjeçare do t’i thosha: shiko të shkuarën me qartësi, jo me gjykim — sepse çdo rrugë që dikur dukej e pamundur, sot është bërë pjesë e udhës sate.


17.Pyetje:

Së fundi, pas një jete të përkushtuar dijes dhe lirisë së mendimit – çfarë mbetet për ju si thelb dhe trashëgimi shpirtërore?


Përgjigje.

Trashëgimia shpirtërore që mbetet është të mos ndalem kurrë së kërkuari, së dyshuari dhe së ndriçuari — sepse aty qëndron dinjiteti dhe të qenit të vërtetë me veten. Në fund, më shumë sesa çfarë kam mësuar, rëndësi ka si kam menduar, si kam mbrojtur të drejtën për të menduar ndryshe dhe si kam ruajtur ndershmërinë intelektuale përballë kompromiseve të kohës. Dija është një udhëtim që më ka çuar drejt përulësisë — sepse sa më shumë kupton, aq më qartë e shoh pafundësinë e asaj që ende nuk di. 



Faleminderit per intervisten znj liliana.


Ju faleminderit ju , e dashur e nderuar Prof Enika.


 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

© Revista Prestige 2023 - 2025

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page