"Fjalori i Anglicizmave në Shqipe – Një Kontribut i Ri në Leksikografinë Shqiptare"
- Revista Prestige
- 47 minutes ago
- 6 min read

"Fjalori i Anglicizmave në Shqipe – Një Kontribut i Ri në Leksikografinë Shqiptare"
Hyrje e shkurtër: Gjuha është pasqyra më e gjallë e zhvillimeve shoqërore, kulturore dhe teknologjike të një kombi. Në epokën e globalizimit, ndikimi i anglishtes është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë gjuhëve, përfshirë edhe shqipen. Botimi i "Fjalorit të Anglicizmave në Shqipe" (2025), nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përbën një ngjarje të rëndësishme shkencore, pasi është fjalori i parë i këtij lloji në vendin tonë. Hartuar nga Kristina Jorgaqi dhe Irena Kapo Pata, ai dokumenton dhe analizon praninë e anglicizmave në shqipen bashkëkohore, duke ofruar një burim të vyer për studiuesit, përkthyesit, studentët dhe të gjithë ata që interesohen për zhvillimin e gjuhës shqipe. Ky vlerësim i Prof. Dr. Mimoza Kore nxjerr në pah rëndësinë shkencore dhe kulturore të kësaj vepre, e cila shënon një hap të ri në leksikografinë shqiptare.
FJALOR ANGLICIZMASH NË SHQIPE
Prof.Mimoza Kore..
“Fjalor ianglicizmash në shqipe” (2025), botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i hartuar nga Kristina Jorgaqi dhe Irena Kapo Pata i përket fushës së Leksikografisë së huazimeve, term i përdorur në liguistikën botërore, i cili me këtë tipologji botohet për herë të parë në vendin tonë. Ai vjen në një kohë kur trysnia e anglishtes si gjuhë e globalizmit është e pranishme jo vetëm në gjuhën shqipe, por në të gjitha gjuhët e pupujve të kulturuar, me kontakte në të gjitha sferat e jetës. Sot është e vështirë të gjesh komunitete njerëzore të izoluara. Në të gjitha fushat, si politikë, kulturë, ekonomi, sport etj., gjuha angleze, është gjuha e komunikimit, prandaj dhe ndikimet e saj në pothuaj të gjitha gjuhët e botës, ku më shumë e ku më pak, janë të shumta, veçanërisht në leksik, por edhe në strukturën gramatikore. Gjatë gjithë historisë së popujve, gjuhët me prestigj kulturor kanë ndikuar mbi ta. Edhe ky fjalor nuk mund të gjykohet jashtë kohës sonë, kur anglishtja është bërë lingua franca. Rrugët e vërshimit të anglicizmave janë të ndryshme e të shumta, si: mësimi i anglishtes më me prioritet nga gjuhët e tjera në shkolla, turizmi e mbi të gjitha komunikimi i gjerë nëpërmjet internetit.
Fredric W. Field’s, Linguistic Borroëing in Bilingual Contexts tregon edhe pse një gjuhë merr huazime:
Së pari, mbizotërimi kulturor i gjuhës nga marrim huazime;
Së dyti, nevoja për të plotësuar zbazëti leksikore në gjuhën marrëse;
Së treti, nevoja për të lehtësuar komunikimin e folësve të rinj, të cilët i njohin më pak format gjegjëse të vjetruara të gjuhës së tyre;
Së katërti, për të pasur, gjatë komunikimit, më shumë ndikim mbi të tjerët.
Fjalori i K. Jorgaqit dhe I. Patës priret nga një studim sqarues për gjithë punën e bërë nga autoret. Në të përshkruhet synimi që ka ky fjalor, burimet e mbledhjes së të dhënave si dhe jepen udhëzime se si duhet përdorur Fjalori. Në fjaloret e 80-ës apo të 2006-ës nuk e gjejmë termin, anglicizëm. Ky term ka një përdorim të ri në gjuhësinë tonë. Autoret, me sa duket, janë mbështetur në Fjalorin e termave të gjuhësisë, të vitit 1975 si dhe në praktikën e gjuhësisë botërore.
Në këtë Fjalor paraqiten anglicizmat që kanë hyrë drejtpërdrejt nga anglishtja britanike, por mbi të gjitha prej asaj amerikane, duke qenë se ShBA luan sot rolin parësor në arenën ndërkombëtare, megjithatë nuk është bërë ky dallim midis tyre në këtë Fjalor, por të gjitha prurjet shënohen me termin anglicizma.
Në fjalorët shpjegues që janë botuar në Shqipëri, anglicizmat kanë qenë të pakta, kjo sepse trysnia e anglishtes nuk ka qenë si në ditët e sotme, por besojmë janë anashkaluar disi edhe për shkaqe jashtëgjuhësore. Ky Fjalor që kanë paraqitur të dyja autoret ka karakter përshkrues (descriptiv) dhe paraqet gjendjen aktuale të anglicizmave të shqipes së sotme në Shqipëri, duke lënë mënjëanë ato që janë në përdorim në Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo te shqipja e diasporës. Sot ato janë bërë realitet në gjuhën tonë e po shtohen nga dita në ditë siç vëren prof. Xh. Lloshi, me të drejtë, globalizmi ka bërë që shqiptarët të zhyten në mjedisin e anglishtes
Autoret kanë vendosur disa parime shkencore sipas së cilave është përcaktuar se cilat lema të anglishtes duhet të hyjnë në Fjalor dhe cilat, jo. Kjo nuk është bërë në mënyrë subjektive “ne vendosim të jetë” apo “kjo nuk ka për të qenë”, por aty janë përfshirë fjalë dhe fraza që kanë hyrë drejtpërdrejt prej anglishtes pa ndërmjetësinë e ndonjë gjuhe tjetër. Kjo është përcaktuar nga tiparet formale të fjalës (shqiptimi, shkrimi, ana gramatikore).
Në lemat që nuk janë përfshshirë në Fjalor janë: kalket prej anglishtes, krijimet “hibride” si dhe pseudoanglicizmat. Këto të fundit iu kanë sjellë jo pak vështirësi autoreve, sepse shpesh të përbëra nga dy fjalë të anglishtes, pasqyrimi i tyre në Fjalor mund të “mashtrojë” lehtë këdo, p.sh. infopoint (angl.information center/point); rekordmen (angl. record holder). Përcaktimi i tyre kërkon nga hartuesit e fjalorit njohjen mirë të anglishtes, por dhe përcaktimin drejt të burimit të fjalës në gjuhën shqipe, i cili në rastet e mësipërme dhe të ngjashme me to vinë të përshtatura nga një gjuhë tjetër dhe jo drejtpërdrejt nga anglishtja. Në Fjalor nuk janë përfshirë as fjalë të krijuara brenda shqipes me njësi të anglishtes, por që nuk ekzistojnë në të, si drogëmen etj. Ndërkohë janë paraqitur zëra si përshtatje të anlgicizmit në gjuhën tonë, në të cilat tema është e anglishtes dhe prapashtesa e gjuhës shqipe, si: aksesoj, aksesim; hakeroj, hakerim etj.
Një tjetër kriter i vendosur prej autoreve është mënyra e të shkruarit të anglicizmave, sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes apo si trajta e shkruar e anglishtes. Autoret nuk i janë përmbajtur normës, por shembujt i kanë paraqitur sipas dendurisë së përdorimit në gjuhën tonë, prandaj gjejmë në fjalor për të njëjtën fjalë, paraqitje shkrimore të ndryshme, krahas audiokonferencë edhe videoconferencë; kargo dhe cargo; klub dhe club. Ka raste kur ka fituar shkrimi si në gjuhën tonë dhe nuk paraqitet varianti i anglishtes: kros (< angl.cross), kursor (< angl.cursor). Kjo vjen për shkak se huazimet e reja prej anglishtes ende nuk janë integruar mirë në shqipe dhe përdoruesit e tyre janë të dyzuar.
Përkrah çdo anglicizmi është vendosur në kllapa edhe shqiptimi i tyre në gjuhën tonë që në disa raste për të njëjtën fjalë mund të gjejmë në Fjalor më shumë se një rast, psh: account / ëkáunt / akáunt /akánt, duke pasqyruar gjendjen reale të përdorimit të fjalës.
Në Fjalor nuk janë përfshirë edhe disa kategori të caktuara fjalësh, si terma nga fusha të ndryshme dhe shumë specifikë, ndërkombëtarizma, emra të përveçëm markash, institucionesh, por vetëm fjalë që kanë një përdorim të përgjithshëm dhe që njihen nga shumica e folësve të shqipes.
Çdo lemë është shoqëruar me sqarimin përkatës kuptimor që në shumë raste është më shumë se një, duke u shënuar në paragrafë më vete me shifër arabe si dhe duke treguar pjesën e ligjëratës që i takon. Kur sqarohen kuptimet shoqërohen edhe me një shënim të fushës së përdorimit si: mjek., inform.,sport etj e po kështu shoqërohen me shembuj të qartë në disa fjali.
Qëmtimin e anglicizmave hartueset e tij e kryen kryesisht në burime elektronike, në fjalorët e mëparshëm vendas dhe të huaj. Vështirësia e vjeljes së tyre vjen për shkak të mungesës në gjuhën shqipe të një korpusi elektronik kombëtar, siç ekzistojnë në gjuhë të tjera. Megjithatë ky boshllëk u kompesua nga shfrytëzimi i korpuseve të internetit (web-it). Burimet e folura janë shfrytëzuar më pak.
Në këtë Fjalor nuk janë përfshirë në mënyrë të shterueshme gjithë lemat prej anglishtes në gjuhën tonë, çka do të ishte praktikisht e parealizueshme.
Mendojmë se nuk ka qenë e lehtë hartimi i këtij Fjalori, jo vetëm si i pari në vendin tonë i këtij tipi, por edhe për shkak të vështirësisë së përzgjedhjes së kritereve që do të zbatoheshin, përcaktimi i burimit të origjinës së fjalës, mënyra e të shkruarit etj.
Gjuhëtari gjerman Manfred Görlakn në veprën e tij A Dictonary of Eurepean Anglicism (Oxford, 2001) shprehej se për gjuhën shqipe ishte mbështetur në studimet e Nuhi Veselit dhe Ismail Mehmetit. Tashmë Fjalori i K. Jorgaqit dhe I. Patës mund të konsultohet nga studiues të huaj e mbi të gjitha ai do t’iu shërbejë për përdorim e referencë përkthyesve, leksikografëve e leksikologëve, studentëve dhe të gjithë të interesuarve për praninë e anglicizmave në gjuhën e sotme shqipe.
Për të gjitha sa më sipër thamë, natyrën e veçantë si i pari Fjalor i këtij tipi në gjuhën tonë, punën e mire e rigoroze të të dyja autoreve, vlerësojmë se ky Fjalor do të sjelle risi dhe kontribut të vyer ne gjuhësinë tone. Suksese autoreve!
Prof.dr. Mimoza KORE


