Laver Bariu – Artisti tabanit Përmetar që u bë Tingull i Kombit Në historinë e muzikës shqiptare ka emra që nuk shuhen kurrë.
- 21 hours ago
- 3 min read

Laver Bariu – Artisti tabanit Përmetar që u bë Tingull i Kombit
Në historinë e muzikës shqiptare ka emra që nuk shuhen kurrë.
Ata nuk mbijetojnë vetëm në nota, por në kujtesën e një kombi, në shpirtin e një gjuhe që flet përmes melodisë. Një nga këta emra është padyshim Laver Bariu – mjeshtër i gërnetës, frymë e gjallë e Përmetit, i cili me një klarinetë në duar dinte të fliste më bukur se çdo fjalë.
Ai nuk ishte vetëm një muzikant. Ishte urtësia e përvujtë që, pa bujë, pa zhurmë, ndizte gëzimin e çdo dasme, mallin e çdo kënge, hijeshinë e çdo valle. Në Përmet thonin:
“S’kishte gëzim ku të mos merrte pjesë Laveri” dhe kjo nuk ishte thjesht një shprehje, por një e vërtetë e ndjerë në çdo cep të luginës.
Më 21 maj 2025, në qytetin e luleve dhe dashurisë, u ngrit një statujë që nuk flet me fjalë, por me klarinetën që s’e ndau kurrë nga duart. Ajo statujë, vepër e skulptorit të ri Alem Toska, është më shumë se bronz, është një mirënjohje e përjetshme për një njeri që ktheu tingullin në kujtim të gjallë.
Iniciativa nisi nga Bledi Mane dhe kryetarja e Bashkisë së Përmetit, znj. Alma Hoxha, ndërsa dashamirës të shumtë të kulturës dhe muzikës dhanë mbështetjen e tyre me përzemërsi. Në mesin e tyre, festivali “Vjosart”, Laert Kasaj, Jona Dervishi, Gjergj Luca, familja Manushi dhe shumë të tjerë që zgjodhën ta nderojnë një nga më të mëdhenjtë e artit popullor.
Laver Bariu u lind më 2 maj 1929 në Përmet dhe u shua më 26 janar 2014, por fryma e tij mbetet e pashuar. I pajisur me dhuntinë e rrallë që nga fëmijëria, ai ndërtonte vegla nga degët dhe kallinjtë, derisa klarineta do të bëhej zëri i shpirtit të tij.
Ai ishte autodidakt, por muzika e tij tingëllonte si shkollë më vete. Në vitin 1951 themeloi Sazet e Përmetit, një formacion që do të bëhej ikonë kombëtare.
Një nga ndikimet më të thella në jetën e tij muzikore erdhi nga Feim Gajdexhiu, mjeshtër i njohur i gajdes dhe një figurë mitike për muzikën popullore shqiptare. Laveri e dëgjonte dhe e përvetësonte artin e tij me etje – kaba të gjata, melodi të qara, tinguj që dilnin nga dheu si zëra të lashtë. Ai e quante Feimin “burimi i parë” i frymëzimit të tij. Laveri ia doli të bashkonte teknikat e Feimit me zërin e klarinetës së tij, duke ngritur kështu një stil tërësisht origjinal dhe të përmetshëm.
Në vitin 1952 fitoi çmimin e parë në Festivalin e Parë Folklorik Kombëtar, dhe që nga ajo ditë nuk pushoi së ngjitur majat. Festivali i Gjirokastrës do të bëhej skena e tij natyrore, aty ku muzika e Laverit nuk ishte më vetëm për dasma, por për histori. Aty ku gjithë Shqipëria e njohu dhe e duartrokiti, duke e shpallur mbret të gërnetës popullore. Me paraqitjet e tij të paharrueshme, ai e bëri Përmetin simbol të një tingulli që rrënjët i kishte në tokë, por degët në shpirtin e njerëzve.
Ai krijoi hyrje këngësh, kaba përmetare, valle – duke u kthyer në themelues të një shkolle të tërë dhe në mësuesin e dhjetëra instrumentistëve që mësojnë edhe sot nga tingulli i tij.
Në vitin 1977, bashkë me Mentor Xhemalin dhe Çobanin, me kompozitor Aleksander Peçin performuan kolonën zanore të filmit antologjik “Gjeneral Gramafoni” të Viktor Gjikës – një kryevepër që vulosi përjetësisht artin muzikor të Shqipërisë. Në këtë bashkëpunim të rrallë, klarineta e Laverit dhe zëri i Mentor Xhemalit u bënë një trup i vetëm, një muzikë që përshkon thellësitë e shpirtit shqiptar. Mentor Xhemali, i madhërishëm në zë dhe përfaqësues i artit operistik, ishte mik, koleg dhe vëlla shpirtëror i Laverit "dy botë artistike që flisnin gjuhë të ndryshme", por që kuptoheshin në të njëjtin tingull: në tingullin e atdheut.
Laver Bariu u dekorua më 2001 me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe u shpall “Qytetar Nderi i Përmetit”, duke u bashkuar me kolosët e tjerë si Vëllezërit Frashëri, Odhise Paskali e Mentor Xhemali. Ai regjistroi disqe në Angli, Australi dhe Greqi; interpretoi me emra të mëdhenj si Behije Roçi, Ylli Zeqiri, Ardiana Daci, Donika Pecollari; dhe u bë yll i padiskutueshëm në çdo festival folklorik.
Por përtej sukseseve, Laveri mbeti i njëjti: i thjeshtë, i qeshur, i urtë. I apasionuar pas astronomisë dhe parapsikologjisë, me një shpirt kërkues e të lirë. Një njeri që, në heshtje, mbolli dritë dhe e shndërroi frymën në gjuhë të shpirtit shqiptar.
Sot, klarineta e tij nuk bie më në duart e tij
"por tingulli i saj akoma udhëton" nëpër dasma, festivale, kujtime dhe shpirtin e çdo shqiptari që dëgjon një kaba dhe thotë me mall:
“Ky është Usta Laveri.”