top of page

Legjenda rrëqethëse për “Gurin e Qytetit” në Përmet: Nëna së bashku me foshnjën u hodhën nga ky gur


Përmeti është qytet në juglindje të Shqipërisë dhe qendër e njësisë administrative me të njëjtin emër Rrethi i Përmetit.

Në antikitet kjo zonë njohej me emrin Trifilia dhe qe pjesë e “Rajonit Melotid”. Sipas legjendës qyteti ka marrë këtë emër nga heroi i kohëve të lashta i quajtur Premt.

Karakterisitikë e qytetit është rritja e trëndafilave në lulishte dhe oborret e shtëpive të vjetra ndaj Përmeti, njihet ndryshe si Qyteti i Trëndafilave.

Guri i Qytetit

Guri i Qytetit ndodhet në qytetin e Përmetit, 250 metra mbi nivelin e detit. Ky gur konsiderohet si simboli i identitetit të qytetit, ai ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore.

Pra, një ndër destinacionet më tërheqëse të qytetit të Përmetit është edhe “Guri i Qytetit”, një masiv shkëmbor anës lumit Vjosë, 42 metra i lartë dhe 650 metra katrorë.

Sipas gjeologëve “Guri i Qytetit” është shkëputur nga mali i Dhëmbelit pas një tërmeti, kurse legjenda tregon ndryshe.

Legjenda për “Gurin e Qytetit”

Sipas legjendës Kryezoti i krahinës Premti, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar.Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. Ishte fundi i shekullit XIV kur ushtria e Sulltan Mehmetit pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit. Premti kishte vdekur dhe kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji, i cili kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji.

Një natë turqit mbërritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza. Turqit kërkuan çelësat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra mori në dorë djepin me djalin dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Në rrëzë të “Gurit të Qytetit”, gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra. Mbi gur ka disa shenja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit.

Pikë sinjalizimi

Mbi gurin e Përmetit ruhen rrënojat e një pike të lashtë me mjaft vlerë nga ana arkeologjike.

Fortifikimi, sipas arkeologëve, i përket shekujve IV – VI . Në rrëzë të shkëmbit ruhet edhe një trakt i periudhës antike, që nga teknika e përdorur përngjan me fortifikimet e shekullit të III para Krishtit e që ngrihen më tej edhe në luginën e Drinos. Sipërfaqja e shkëmbit ka dhuruar mjaft qeramikë që i përket antikitetit të vonë, por edhe mesjetës.

Sipas burimeve, ky fortifikim është përdorur si një pikë sinjalizimi për një garnizon ushtarak, i cili kishte nën kontroll luginën e Vjosës.Duke shfrytëzuar vendosjen e gurit dhe lartësinë e tij, kjo pikë ishte thelbësore për sigurinë e të gjithë zonës. Muret janë izodomike, me blloqe gëlqerori në trajtë katërkëndëshe, faqet i kanë të latuara dhe ballin e rrafshët.

“Qyteti i trëndafilave”, siç njihet ndryshe qyteti i Përmetit, vitet e fundit vijon të jetë në qendër të udhëtimeve të turistëve të shumtë vendas e të huaj, të cilët kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

E përgatiti: A. S.- ObserverKult


 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page