Linda Lupi; Nje rrugetim i pasur me dije art e kulturè
- Feb 3
- 5 min read
Updated: Feb 22
Portret- Intervistë.





Linda ështe nje profesioniste e spikatur.
Linda Lupi.
Një rrugëtim i pasur me dije, art dhe kulturë.
Në rrugëtimin krijues të Linda Lupit, arti shfaqet si një gjendje mendore dhe shpirtërore, ku edukata, dija dhe ndjeshmëria bashkohen në një gjuhë të vetme.
Ajo lëviz natyrshëm mes artit vizual, medias dhe pedagogjisë, duke e kthyer çdo hap profesional në një plotesim dhe rritje.
Formimi i saj nis në Liceun Artistik “Naim Frashëri” në Vlorë që prej vitit 2005, aty ku shikimi edukohet të vërejë thellësinë dhe dora mëson disiplinën e formës.
Ky fillim i hershëm shënon kontaktin e parë me artin si thirrje, jo si profesion, duke i dhënë krijimtarisë së saj një bazë të ndjeshme dhe të qëndrueshme.
Studimet universitare në Torino, Itali, në profilin DAMS (Disiplina e Artit, Muzikës dhe Spektaklit), i hapën horizontin teorik dhe kritik, duke e vendosur artin në marrëdhënie me shoqërinë dhe mendimin bashkëkohor.
Më pas, studimet që prej vitit 2013 në degën e Pikturës/Multimedias në Universitetin e Arteve në Tiranë forcuan raportin mes idesë dhe materialit, mes konceptit dhe figurës.
Diplomimi në Master Shkencash në Shkenca Komunikimi dhe Marrëdhënie Publike Politike në Universitetin Europian të Tiranës e pasuroi më tej profilin e saj, duke e pajisur artin me vetëdije komunikimi dhe përgjegjësi publike. Në këtë pikë, krijimtaria nuk mbetet më vetëm personale, por merr dimension shoqëror dhe narrativ.
Angazhimi akademik si asistente pedagoge që prej vitit 2018, për gati pesë vjet në Universitetin e Arteve në Tiranë, e më pas si pedagoge e Fotografisë në Universitetin New York Tirana, e vendos Lindën në rolin e ndërmjetëses së dijes. Mësimdhënia për të nuk është transmetim, por dialog estetik dhe filozofik me brezat e rinj.
Paralelisht, prania e saj në media shndërrohet në një hapësirë kulturore të menduar me kujdes. Programi “Art Cult” në Euronews Albania, si autore dhe moderatore, krijoi një urë mes publikut dhe elitës artistike shqiptare, duke e trajtuar artin si nevojë shpirtërore dhe jo si luks.
Programi radiofonik “E Bukura Je Ti” zgjeroi këtë vizion, duke sjellë mbi 100 histori suksesi nga Shqipëria dhe diaspora. Fjala, në këtë kontekst, bëhet formë përcimi dhe mjet frymëzimi, një pasqyrë ku individi dhe shoqëria njohin veten.
Si artiste pamore, Linda Lupi ka ekspozuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, Turqi, Egjipt, Rusi dhe në SHBA, duke e vendosur veprën e saj në një dialog ndërkombëtar.
Pjesëmarrja në konkurse prestigjioze dhe çmimet e fituara për artin konceptual dëshmojnë një krijimtari që kërkon kuptim, jo thjesht vëmendje.
Kulmi simbolik i këtij rrugëtimi është ekspozita personale “E Kuqja”, e realizuar në nëntor të vitit 2025 në Gracie Mansion, rezidenca historike 300 vjeçare e Kryetarit të Bashkisë së New York-ut, me ftesë të z. Eric Adams. Këtu, ngjyra e kuqe shfaqet si energji, kujtesë dhe prani, një metaforë e fuqishme e identitetit dhe pasionit krijues.
Sot, Linda Lupi vijon të jetë pedagoge në Universitetin New York Tirana dhe moderatore e emisionit “Ora e Tiranës” në Top News, duke e mbajtur artin të lidhur me jetën publike dhe mendimin bashkëkohor. Krijimtaria e saj mbetet një hapësirë ku estetika dhe kuptimi ecin së bashku, si dy forma të së njëjtës dritë.
---------------------------------
E dashur Linda je e mirëseardhur ne Prestige.
Fillojmë intervistën.
Linda Lupi ~ Intervistë
Pyetje.
Si kanë ndikuar origjina familjare dhe rrugëtimi juaj arsimor në formimin e identitetit profesional, nga hapat e parë të edukimit deri te mënyra se si sot e konceptoni artin, median dhe mësimdhënien si përgjegjësi kulturore dhe shoqërore?
Jam një vajzë e lindur dhe e rritur në qytetin e bukur të Vlorës. Jam rritur me respekt për dijen, punën dhe ndjeshmërinë njerëzore, vlera që më kanë udhëhequr natyrshëm drejt artit. Një qytet që më ka frymëzuar shpesh në krijimtarinë time, mëngjeset e hershme me rrezet e para të diellit buzë detit, ujin kaltër kristal dhe dallgët e larta që përplasen në shkëmbinjtë e Nestor Jonuzit, Skënder Kamberit, Agim Sulajt…
Në këtë Vlorë u formova artistikisht deri në përfundimin e studimeve në Liceun Artistik për pikturë/skenografi. Më pas, rrugëtimi im arsimor vazhdoi drejt Italisë, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri, në Tiranë. Ky udhëtim më ka formësuar një identitet profesional që sot më lejon të komunikoj me publikun përmes artit, medias dhe mësimdhënies, si mjete të fuqishme komunikimi me ndikim të drejtpërdrejtë shoqëror dhe kulturor.
Pyetje.
Si ndryshon kuptimi i artit kur ai kalon nga hapësira personale në atë publike dhe mediatike, duke marrë një rol edukues dhe formues?
Në momentin që arti del nga intimiteti i studios dhe hyn në hapësirën publike, ai pushon së qeni vetëm një përjetim personal. Nuk është më dialog vetëm me veten, por me tjetrin, me publikun; bëhet mesazh. Janë copëza shpirti që vendosen në arenën mediatike, ku arti fiton një dimension të ri. Sfida është ta afrosh artin tënd me publikun, pa ia hequr shpirtin.
Pyetje.
A e shihni median si një aleate të edukimit kulturor apo si një sfidë që kërkon vazhdimisht ekuilibër mes thellësisë dhe aksesueshmërisë?
E shoh median si një aleate të fuqishme të edukimit kulturor, por edhe si një sfidë njëkohësisht. Sepse media ka fuqinë të frymëzojë, të edukojë dhe të ndërtojë shije kulturore, por duhet përdorur me kujdes, që të ruhet përmbajtja dhe të kuptohet nga të gjithë, që të mos krijoj deformime shoqërore. Ekuilibri nuk është një formulë fikse, por është një proçes i vazhdueshëm.
Pyetje.
Çfarë roli ka mësimdhënia në ndërtimin e mendimit kritik dhe të vetëdijes kulturore tek brezat e rinj?
Mësimdhënia është një nga format më të drejtpërdrejta të ndikimit kulturor tek të rinjtë. Nuk ka të bëjë vetëm me transmetimin e njohurive, por me formimin e mendimit kritik të tyre, aftësinë për të pyetur, për të reflektuar dhe për të ndërtuar qëndrime. Studentët kanë nevojë për hapësirë dialogu, për të nxitur mendimin e tyre, jo vetëm për leksione të imponuara.
Pyetje.
A është edukimi për ju një proces i vazhdueshëm formimi personal dhe profesional, apo një etapë që përfundon me arsimin formal?
Për mua edukimi nuk përfundon kurrë. Arsimi formal është vetëm një strukturë fillestare. Por formimi i vërtetë ndodh përmes përvojës, reflektimit, leximit, gabimeve dhe dialogut të vazhdueshëm me botën që na rrethon.
Pyetje.
Si ruhet integriteti intelektual dhe etik në ndërthurjen e artit me median dhe komunikimin publik?
Integriteti ruhet duke qenë besnik ndaj vlerave personale dhe duke mos e trajtuar publikun si konsumator pasiv kalimtar.
Pyetje.
Në ç’masë përvoja profesionale ndikon në mënyrën se si transmetohet dija dhe përgjegjësia kulturore?
Përvoja profesionale i jep dijes kontekst dhe besueshmëri. Është ajo që të mëson se teoria pa praktikë mbetet e brishtë, ndërsa praktika pa reflektim nuk ka kuptim. Përvoja profesionale ndihmon të flasësh me përgjegjësi dhe vetëdije të plotë.
Pyetje.
A formon më shumë një pedagog përmes dijes teorike apo përmes shembullit dhe qëndrimit personal?
Patjetër që dija teorike është e domosdoshme, por qëndrimi, etika dhe shembulli personal është forma më e fortë e mësimdhënies.
Pyetje.
Si e përkufizoni raportin mes profesionalizmit dhe misionit kulturor në një shoqëri në ndryshim të vazhdueshëm?
Pyetje.
Për mua, këto dy elementë duhet të ecin së bashku, sidomos në një shoqëri që ndryshon shpejt dhe ka nevojë për orientim kulturor.
Pyetje.
Kur arti, media dhe mësimdhënia bashkohen në një rrugëtim të vetëm, a shndërrohen ato në një formë shërbimi ndaj shoqërisë?
Absolutisht po. Kur arti, media dhe mësimdhënia bashkohen në një rrugëtim të vetëm, ato nuk janë thjesht mjete për komunikim apo edukim, por funksionojnë si tre dimensione që i përkasin një frekuence të lartë. Nuk janë thjeshtë një formë shërbimi ndaj shoqërisë, por në thelb ky bashkim është një forcë që përçon energji mendore dhe shpirtërore në ngritje të shoqërisë.
©️ 2023–2026
Liliana Pere
Founder. Publisher. Researcher.Author
Prestige Magazine.
Albumi fotografik.


























