Në Nderim të Profesor dr. Arta Musaraj.Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji
- 5 days ago
- 3 min read

Në Nderim të Profesor dr. Arta Musaraj.Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji
(Një Homazh për një Dritë që nuk do të shuhet kurrë)
Prof. Dr. Arta Musaraj
(28 Gusht 1974 – 18 Maj 2025)
Momente prekëse sot…
Jeta sjell surpriza të dhimbshme.
Sot, shpirti i saj bujar, u shkëput e duket se e ka bërë diellin të mos ndriçojë si gjithmonë...
Zemra e saj, dikur e përkushtuar ndaj shkencës dhe kulturës, ka ndaluar së rrahuri...
Karriera e saj e shkëlqyer, u ndërpre parakohe, për fat të keq përfundon këtu.
Buzëqeshja e një nëne, bashkëshorteje dhe mikes sime më të mirë shuhet përgjithmonë!
Largohet sot prej nesh me shpirt dhe zemër, e mira, e shtrenjta, e pakrahasueshmja Arta Musaraj.
Largohet nga kjo botë, por trashëgimia e saj, jeta dhe vepra e saj e suksesshme do të vazhdojë të jetojë!
Ditë zie e dhimbje e thellë, ku lotët rrjedhin vetë për humbjen e mikes sime më të dashur!
Profesoresha Dr. Arta Musaraj, e njohur gjerësisht në botën akademike, lë pas një trashëgimi të pasur me vlera shkencore dhe njerëzore.
E vlerësuar shumë për kontributet në ekonomi, menaxhim dhe komunikim, sot e gjithmonë do të kujtohet jo vetëm si një akademike e shquar, por si një udhëheqëse vizionare që solli risi në mendësi dhe vlera humane. Misioni i saj në jetë bëri epokë!
Komuniteti akademik në Shqipëri dhe më gjerë pikëllohet sot për ndarjen e parakohshme të Profesoreshës Dr. Arta Musaraj, një studiuse e shquar, edukatore e përkushtuar dhe lidere vizionare, e cila do të vazhdojë të ndriçojë rrugët e brezave të ardhshëm.
Me intelektin e saj të jashtëzakonshëm, përkushtimin e palodhshëm dhe angazhimin e palëkundur, për etikën e shkelqyer profesionale, Prof. Musaraj ndërtoi një karrierë që ndërthurte rigorozitetin shkencor me vlerat humaniste. Kontributet e saj përfshijnë fushat e ekonomisë, menaxhimit dhe komunikimit, ku jo vetëm avancoi mendimin shkencor, por edhe mentoroi me bujari dhe pasion një numër të madh studentësh dhe profesionistësh brenda e jashtë vendit.
Prof. Musaraj ishte themeluese dhe Kryeredaktore e “Academicus” – Revista Ndërkombëtare Shkencore, një botim pionier në peizazhin akademik shqiptar, i njohur për qasjen ndërdisiplinore dhe për nxitjen e dialogut shkencor global. Udhëheqja dhe vizioni redaktorial i saj pozicionuan “Academicus” mes platformave të respektuara të mendimit shkencor në rajon dhe më gjerë.
Ndihmesa e saj la gjurmë të pashlyeshme, ku ndriçoi në disa role kyçe akademike:
• Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti Ismail Qemali, Vlorë.
• Rektore e Universitetit Pavarësia, Vlorë.
• Kryetare e Bordit Ndërkombëtar Redaktues të “Academicus”.
• Zv. Ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë (2013)
Meritat e saj akademike u njohën me shumë çmime dhe mirënjohje:
• “Qytetare Nderi e Qarkut Vlorë” (2013).
• “Nderi i Komunës Brataj” (2013).
• “Mirënjohja e Bashkisë Vlorë” (2012).
• “Protagoniste e Jetës Qytetare” (2010).
• Fituesja e Çmimit “Sokrates për Shkencën”, nga Akademia e Oksfordit, Mbretëri e Bashkuar.
Përtej arritjeve të saj profesionale dhe akademike, Arta Musaraj ishte thellësisht e admiruar për ngrohtësinë, elegancën dhe hpirtin e saj bujar e human. Ajo përfaqësonte kombinimin e rrallë të shkëlqimit intelektual dhe empatisë njerëzore, duke lënë pas jo vetëm një vepër shkencore të jashtëzakonshme, por edhe kujtime të çmuara në zemrat e kolegëve, studentëve, familjes dhe miqve.
Largimi i saj është një humbje e thellë për botën akademike, por ndikimi i saj mbetet i pashlyeshëm përmes institucioneve që ndihmoi të ndërtohen, vlerave që promovoi dhe njerëzve që i frymëzoi.
E nderojmë trashëgiminë e saj me respekt dhe mirënjohje të thellë.
Përtej figurës publike, ajo ishte një nënë e përkushtuar që rriti një vajzë të jashtëzakonshme me dashuri dhe forcë; një bashkëshorte e dashur, me një shpirt të rallë, optimizmi i së cilës na ka dhënë shpresë e frymëzuar për të besuar te më e mira; një bijë e kujdesshme e papërtuar e dy prindërve shembullorë; dhe një mike e besueshme, mbështetja dhe sinqeriteti i së cilës ishin të çmuara për shumë e nga shumë.
Trashëgimia e saj është e pasur dhe shumëdimensionale, një trashëgimi dijesh e suksesi, lidershipi që shkëlqeu gjatë gjithë veprimtarisë së saj. Arta Musaraj na mësoi se suksesi i vërtetë nuk vjen vetëm nga intelekti, por nga puna, këmbëngulja, nga zemra, integriteti dhe bashkëpunimi; nga angazhimi dhe besimi në forcat e aftësitë, për ta bërë botën më të mirë.
Mungesa e saj lë një zbrazëti të thellë, por vepra e saj mbetet e gjallë në jetë të jetëve. Shembulli i saj do të vazhdojë të frymëzojë të gjithë ata që e njohën në jetë dhe ata që do ta njohin nëpërmjet veprës që ajo la pas.
Sot unë lutem me shpresë,
që shpirti i saj të gjejë paqe të pafund!
Kujtesa e saj si një flakë e përjetshme
dhe vepra e saj të shkëlqejë përjetësisht!
Një lamtumirë nga zemra, e dashur Arta!
Lamtumirë profesoresha ime!
Mençuria jote mbolli fara që do të rriten përgjithmonë!
Shpirti yt ndriçoftë në gjithçka që ke mbjellë!
Qofsh e parajsës!
Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji