top of page

Papa Françesku feston sot 88-vjetorin e lindjes, Edhe 100 vite plot shendet i urojme Papa Françeskut🙏

Papa Françesku feston sot 88-vjetorin e lindjes, urime nga e gjithë bota

Papa Françesku mbush sot 88 vjeç. Është ditëlindja e 12-të, që feston në Vatikan, që nga koha e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Nga e gjithë bota mbërrijnë vazhdimisht urime me dashuri të madhe.


Më 17 dhjetor, Papa Françesku mbush 88 vjeç. Në Vatikan arrijnë urime nga mbarë bota, edhe nga bota shqiptare. Personalitete të të gjitha fushave e njerëz të thjeshtë i drejtojnë Papës urime zyrtare e personale, të shkruara e të pashkruara, që shpesh kanë formën e lutjes.


Sot Ditëlindja e . Atit tè Shenjtë Jorge Bergoglio, i lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires,


Kanë kaluar 88 vjet nga ai 17 dhjetor i vitit 1936, kur në Buenos Ajres të Argjentinës, u lind Jorge Mario Bergoglio. Bir emigrantësh piemontezë, kur ishte fëmijë thoshte se kur të rritej, do të bëhej kasap. Ishte i apasionuar pas këngës dhe e kishte zakon të dëgjonte çdo javë në radio një emision me muzikë lirike, së bashku me të ëmën dhe me vëllezërit. I ati i mësoi rëndësinë e punës. Vërtet, Papa i ardhshëm bëri punë të ndryshme dhe u diplomua si teknik kimik.


Thirrja e Zotit


Por horizonti më i rëndësishëm i jetës së tij është, pa dyshim, feja në Zotin, ushqyer nga gjyshja, Rosa Margherita Vassallo. Në vitin 1958, Jorge Mario Bergoglio hyri në noviciatin e etërve jezuitë. Në atë periudhë, qe e rëndësishme për fenë e tij një infermiere, murgesha Cornelia Caraglio, e cila i shpëtoi jetën, duke e bindur mjekun t’i jepte dozën e duhur me antibiotikë, për të kuruar bronkopolmonitin. Këtë “grua të mirë, të guximshme, aq sa të diskutonte edhe me mjekët”, 3 marsin e kaluar, Papa Françesku e falenderoi publikisht, gjatë takimit me një delegacion infermierësh.


Meshtaria


Në vitin 1969, Bergoglio u shugurua meshtar. Atë ditë, gjyshja i dha një letër, që e kishte shkruar për gjithë nipat e vet. I riu Jorge Mario e ruajti në librin e lutjeve. Në të shkruhet: “Paçi një jetë të gjatë të lumtur. Por, nëse ndonjë ditë, dhimbja, sëmundja, ose humbja e njerëzve të dashur do t’ju shkurajojnë, kujtohuni se një psherëtimë para Tabernakullit, ku është martiri më i madh e më mbretëror e, një vështrim drejt Marisë, që rri në këmbët e kryqit, mund të pikojë një sumbull balsami edhe mbi plagët më të thella e më të dhimbshme”.


Kryeipeshkëv i Buenos Ajres


Në vitin 1973, atë Bergoglio u emërua epror provincial i jezuitëve të Argjentinës. Më 1992, e gjejmë kryeipeshkëv të Buenos Ajresit, primat të Argjentinës. Në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, Papa Gjon Pali II e krijoi kardinal. “Sot paradite – pohoi shenjti i ardhshëm Vojtila, në atë rast – Roma ‘katolike’ shtrëngohet rreth kardinajve të rinj, në një përqafim të ngrohtë, me vetëdijen se po shkruhet një faqe tjetër e rëndësishme e historisë së saj dymijëvjeçare”. Ishte preludi i një faqeje tjetër historike: asaj, që në vitin 2003, e shkroi vetë Papa - i pari, ardhur nga Amerika; i pari, jezuit.


Zgjedhja në fronin e Shën Pjetrit


Pas dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, kardinali i atëhershëm erdhi në Romë për Konklavin. Por fati nuk i kishte lënë vetëm diskutimet për mënyrën e mbarështimit të Kishës nga një papë i ardhshëm. Më 13 mars 2013, ai vetë u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, si “Papë i ardhur nga fundi i botës”.


“Koha është superiore në krahasim me hapësirën”: ky pohim i Papës Françesku, në Nxitjen e tij të parë apostolike “Evangelii gaudium”, flet qartë për vitet e para të papnisë së tij. Për Jorge Mario Bergoglio-n - Papa i parë jezuit, i pari nga Amerika Latine, i pari që mori emrin e shën Françeskut dhe, i pari i kohëve moderne, që u zgjodh pas dorëheqjes së paraardhësit të tij – “hapësira kristalizon proceset, ndërsa koha projekton drejt së ardhmes dhe na shtyn të ecim me shpresë”. Ja pse ky konceptim i kohës bëhet çelës për të kuptuar papninë aktuale, që realizohet në dy mënyra: njëra progresive dhe tjetra rrethore. E para është ajo, që bën të mundur “fillimin e proceseve”; ndërsa e dyta, është përmasa e takimit dhe e vëllazërimit.


Në këto kohëra ku mbarë njerëzimi vuan dramën e dhunës, ne mblidhemi rreth Teje, Ati i Shenjtë, duke të kërkuar prej Zotit paqen në botë. Ky është mesazhi i urimit tonë për Papën Françesku me rastin e 88-vjetorit të lindjes. Ne besojmë se kjo mund të jetë dhurata më e mirë nga besimtarë e mbarë botës. Të jemi artizanë të paqes së bashku me Ju për të përballuar kulturën e luftës, urrejtjes, injorancës.

6 views
bottom of page