Një Durrës tjetër nën ujë? Fakte mbi vendbanimin e lashtë hipotetikHipoteza e arkeologëve Hasan Ulqini e Moikom Zeqo qysh në vitin 1978
- Apr 23, 2024
- 6 min read
Updated: May 10, 2024



· Kështu e identifikuan 27 milje nga qyteti i sotëm kapedani Kapllan Rama dhe zhytësi konstruktor Thoma Berberi
· Hipoteza e arkeologëve Hasan Ulqini e Moikom Zeqo qysh në vitin 1978
Është folur shumë për qytetin e Durrësit të vjetër, i cili supozohet se ka zona të zhytura që ndodhen nën ujë. Duke mos pasur studime shkencore serioze të deritanishme, dhe ngaqë përpjekjet e kaluara kanë qenë janë mjaft të cekëta për shkak të kufizimeve teknike dhe monetare për kërkime në thellësi detare, kjo ka bërë që deri tani të kenë mbijetuar shtigje për shumë legjenda nënujore të këtij qyteti. Dëshmitë e kaluara të detarëve, por edhe deri foto të freskëta të kohëve të fundit, tregojnë se realisht ka në thellësi të detit një grumbull gërmadhash. Duke u nisur nga dimensionet dhe fotot e siguruara së fundi, dyshohet se mund të bëhet fjalë për një vendbanim nënujor.
27 MILJE LARG
Thjesht, nisur nga fakti se bëhet fjalë për një grumbull objektesh antike nënujore, rreth 27 milje detare nga porti i tij në veriperëndim të qytetit të Durrësit, vendbanimi i lashtë hipotetik ka një diametër të përgjithshëm rreth 6 milje. Këtu bazohemi se nuk mund të ketë qytet tjetër, nëse është vërtet një qytezë nënujore, përveçse Durrësi antik. Megjithatë nëse rezulton se është qytet, hipotezat mund të variojnë edhe me ndonjë emër tjetër, pasi distanca prej 27 miljesh nga Durrësi e mundëson një diversitet qytetesh në këtë rajon. Gjithsesi, Durrësi është një qytet, i cili ka pësuar shkatërrime nga disa tërmete si dhe ka pasur zhytje në zona të ndryshme të shkaktuara nga fenomeni i lëvizjeve eperogjenike të rajonit.
THOMA BERBERI
Kam pasur disa takime me zhytësin e njohur Thoma Berberin, i cili është edhe konstruktori i batiskafit të parë shqiptar, me të cilin në vitin 1975 arkeologu i shquar durrsak Moikom Zeqo ka realizuar edhe fotografitë e para të arkeologjisë nënujore shqiptare. Berberi më ka folur mbi kërkimet nënujore që ka bërë. Thomai ka realizuar me ekipin e tij dhe mjetet që i ka ndërtuar vetë, për zhytje dhe lundrim, edhe filmime të shumta në zonat e Durrësit. Thomai më kishte folur për një qytet nënujor, të konstatuar nga detarët dhe kryesisht mjetet e peshkimit, të cilëve u griseshin rrjetat në det. Nga kjo, tregonte Thomai, ata u detyruan që të marrin masa për të përcaktuar qartë terrenin e shtrirjes se “qytezës” misterioze. Për këtë ai vlerëson një nga kapitenet e peshkatoreve durrsake, Kapllan Rama, i cili ka bërë edhe hartën e shtrirjes nënujore të këtij qyteti hipotetik. Pasi kishim biseduar për këtë dhe me kishte treguar edhe hartën e përftuar nga miku i tij, ne u takuam dhe me vetë detarin. Rama, në bisedë e sipër, solli disa detaje mjaft interesante nga ekzistenca e këtij qyteti. Ai ndodhet rreth 150 m nën ujë. Në këto thellësi, tha Thomai, ende nuk janë bërë zhytje, ndërsa një sasi filmimesh nga ky terren ai i ka realizuar me robotin zhytës “ Erald”. Për këtë po sjellim edhe 2 foto, pamje të nënujshme në afërsi të vendbanimit të dyshuar, të shkëputura nga filmimi me kamerat e robotit nënujor.
EKZISTENCA E QYTETIT NËNUJOR
Peshkatarët janë të bindur se në pikat e përcaktuara prej tyre ndodhet një qytet i lashtë. Kapiteni i peshkatoreve Kapllan Rama tregon se ka mbi 32 vite përvojë jete në dete, ndërsa si kapiten, rreth 27 vjet. Në vitin 1991 ka punuar me mjete peshkimi te pajisura me teknologji moderne navigimi në Monopoli të Italisë. Ai thotë se atje ka filluar të punojë me GPS (global positioning system), kompjuter, radar etj, Pas një viti është kthyer në Shqipëri dhe ka punuar po si kapiten, po në peshkim. Ai tregon bllokun e shënimeve, ku ka hedhur, sipas tij, koordinatat e vendndodhjes se qytetit antik. Hap me kujdes bllokun me shënimet e hedhura, përvojë disavjeçare në lundrimet dhe periudhën e peshkimit. Kapllani thotë se kjo zonë njihet nga të gjithë peshkatarët si qyteti i mbytur. “Nuk mendoj vetëm unë, shumë kolegë, kapitenë peshkatoresh. Që në fillim të punës sime në këtë sektor, thoshin ‘po shkojmë ke qyteti “i mbyt”’. Ishte emërtimi që i bënin zonës që kam qarkuar me vija dhe që quhet nga kolegët si “Durrësi i Vjetër”. Duke qenë se kam lundruar shpesh saqë dhe kam krijuar hartën përkatëse në rrënojat e zonës nënujore, kjo ka bërë të jem mjaft i suksesshëm në peshkim në këtë zonë”. Rama flet hollësisht mbi koordinatat dhe kujton se, duke e njohur mjaft mirë fund-detin e zonës, lundronte duke bërë zigzage me anije; arrinte të shpëtonte paq rrjetat e peshkimit nga objektet e shumta që gjendeshin në atë zonë. Territori detar ishte i pasur me peshk dhe me gjera antike që dilnin nga fundi i detit. Eholloti tregon edhe për ekzistencën e fragmenteve të mureve antike. Në rrjetat e anijeve, sipas dëshmisë së tyre mbeteshin shpesh qypa, amfora, tulla dhe tjegulla të ndryshme si ato që ndodheshin në muret e kalasë së Durrësit si dhe deri kapitele mermeri.
DËSHMIA E KAPITENIT
Kapllan Rama: “Ky qytet është rreth 27 milje në veriperëndim të Durrësit, duke u nisur nga Porti. Diametri i përgjithshëm i qytetit nënujor është rreth 6 milje, dimensione këto të përcaktuara qarte nga mjete teknike bashkëkohore, me të cilat ishin të pajisura mjetet detare. Në këtë zonë janë të rrallë kapitenet që gjuajnë, vetëm njohin mirë zonën nënujore. Se është zonë që u dëmtohen rrjetat atyre që s’e kanë përvojën e lundrimit mbi qytetin antik. Ky privilegj për të gjuajtur në këtë terren u ka përkitur kryesisht kapitenëve Ramazan Bulku, Fiqiri Estrefi dhe Petrit Dragja. Atje gjuhej peshk i egër, dental me shumicë. Dhe kjo ngase nuk ishte zonë e dëshiruar gjuetie nga peshkarexhat”. Në hartën operative të kapitenit Rama janë shënuar edhe dy anije të mbytura, ndoshta gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndodhen të zhytura në të dy antipodet e qytetit nënujor. Sipas tij, duke i u referuar aparaturave ehollot, anijet janë rreth 4 m mbi nivelin e rërës së fund detit, ndërsa gjatësia e tyre varion rreth 80-100 m.
HASAN ULQINI PER QYTETIN ANTIK
Arkeologu dhe studiuesi i vjetër durrsak Hasan Ulqini, në shkrimin e tij “Zbulimet e para nën det” (revista “Ylli”, nr. 1, 1978), ribotuar në vëllimin “Edhe Krisht edhe mëkatar” (Durrës, 2006, revista “DYRRAH”) ka shkruar rreth zonës, ku vijnë fotot e para të nënujshme të qytetit antik: “Burimet e shkruara tregojnë për tre tërmete të tmerrshme dhe për ujët e detit që përmbyti një pjesë të qytetit të lashtë të Durrësit e që herë pas here “ndërroi vendin”. Pleqtë e moçëm rrëfejnë një legjendë për muret nën ujë të Currilave (plazhit në afërsi të Durrësit). Arkeologu freng Hezei tregon për një sondazh të kujdesshëm që ka bërë në këta shkëmbinj nënujorë me anijen "La Biche", por pa rezultat. Ka kaluar gati një shekull nga ajo kohë, kur ky arkeolog bëri këtë sondazh dhe kjo thënie e pleqve të moçëm ka prekur përsëri fantazinë e arkeologëve të rinj.
Dhe vërtet, disa qindra metra larg molit të vogël të Portëzës, (pranë vendit ku derdhet hidrovori), janë ndeshur gërmadha të një vendbanimi të lashtë, fragmente muresh të ndërtuar me gurë të mëdhenj poligonalë prej shtufi dhe të vendosur njëri mbi tjetrin pa asnjë lloj lidhje. Ç'janë këto mure? Tani për tani është e shpejtë të japësh një mendim të saktë. Fakti që brenda kuadratit të tyre ka me dhjetëra tjegulla të lashta me forma të ndryshme, të bën të mendosh për një vendbanim, pjesë e qytetit të përmbytur, (por dhe për një port të lashtë me magazinat e veta). Gjithashtu, fakti që gjatë këtij bregdeti valët herë pas here nxjerrin në breg fragmente solenesh (tjegulla të lashta) të bën të mendosh për një shtrirje të gjerë të këtij vendbanimi (apo porti). Studimet e kujdesshme do të zbërthejnë çdo gjë në të ardhmen. Thënia e pleqve të moçëm po bëhet diçka e afërt, e kapshme.
Ka edhe një thënie tjetër. Këtë nuk e tregojnë pleqtë, por peshkatarët. Rreth dhjetë milje larg bregut, në vijë të drejtë me Bishtin e Pallës deri në afërsi të Kepit të Rodonit, është një zonë e tërë që ata e quajnë “qyteti”. Rrjetat e hedhura këtu herë pas here kanë nxjerrë dhe objekte të lashtësisë: amfora, solene, fragmente arkitektonike etj”. Vendet, që u referohet shkencëtari Ulqini, janë në afërsi të qytetit të dyshuar si Durrësi i lashtë nënujor.
Tekstet e fotove:
1. Harta satelitore e vendndodhjes së “Durrësit të Vjetër”
2. Fletorja e kapedanit Kapllan Rama me koordinatat e vendndodhjes së Durrësit të Vjetër
3. Pllaka 1 nga qyteti antik, nxjerrë nga filmimet e robotit zhytës “ Erald” të Thoma Berberit
4. Pllaka 2 nga qyteti antik, nxjerrë nga filmimet e robotit zhytës “ Erald” të Thoma Berberit
5. Kapedani Kapllan Rama
6. Kapedani Kapllan Rama dhe zhytësi konstruktor Thoma Berberi
7. Kopertina e librit të Hasan Ulqinit “Dhe Krisht dhe mëkatar”
/ versioni në agjencinë e lajmeve “Dyrrah” redaktuar nga th. m./Nga Mark Brunga
