top of page

Portret i Prof. Dr. Vjollca Ibro, anëtare e Komisionit të Përhershëm të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë (KBBF) pranë Akademisë sëShkencave të Shqipërisë (ASHSH)

Updated: 3 days ago

     

ree

Hyrje

Portret i Prof. Dr. Vjollca Ibro, anëtare  e Komisionit të Përhershëm të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë (KBBF) pranë Akademisë sëShkencave të Shqipërisë (ASHSH)


Në fushën e dijes shqiptare, Vjollca Ibro është një emër që tingëllon me një qetësi të lartë shpirtërore, e njëkohësisht me një forcë bindëse akademike Si profesore, kërkuese dhe udhëheqëse e mendimit shkencor, ajo përfaqëson urtësinë që bashkon dijen me përulësinë — një frymë e rrallë që shndërron arsimin në art dhe shkencën në filozofi të jetës.

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku ajo ka kontribuar për më shumë se katër dekada, ajo ka ngritur ura midis brezash, duke mbjellë dije, që rriten si bimët që vetë studion. Çdo leksion i saj është si një frymë jete e re, ku shkenca nuk mësohet mekanikisht, por përjetohet me ndjesi e thellësi.


Profesor Doktor që nga viti 1999, me një rrugëtim që nisi që në vitet 1978 në Universitetin e Pekinit, RP e Kinës, ajo mishëron filozofinë kërkimin e ekuilibrit midis natyrës dhe njeriut, kështu, Vjollca Ibro e sheh botën e bimëve ashtu si edhe atë njerëzore — delikate, por të qëndrueshme.

 

E lindur më 20 qershor 1955 në Korçë, qyteti i dritës dhe kulturës, ajo e mori nga vendlindja dhe familja  pasionin për dije e elegancën e mendimit. Rrënjët e saj, si ato të një peme u ushqyen nga tradita.

ree

Në periudhën 1978–1987, ajo ishte asistente dhe pedagoge në Katedrën e Botanikës, ku filloi të ndërtojë themelet e një karriere të gjatë mësimore dhe shkencore. Vitet 1988–1990 e gjetën si zv/shefe në të njëjtën katedër, duke u bërë një figurë që përfaqësonte zërin e  grave në shkencë, në një kohë jo aq të lehtë për to.


Më tej, në vitet 1990–1994, ajo mori drejtimin e Katedrës së Bio-Fizio-Ekologjisë, ku hulumtoi me përkushtim raportin midis bimës dhe mjedisit, një temë që në thelb përfshin edhe raportin midis njeriut dhe natyrës. Në vitet 1994–1997, ajo vazhdoi të kontribuojë si pedagoge e Fiziologjisë, duke vazhduar me frymën e kërkimit më të thelluar në arsimin universitar.

Pas ngjarjeve të marsit 1997, Universiteti Bujqësor i Tiranës pësoi shkatërrime, djegje dhe grabitje, të cilat vunë në diskutim fillimine vitit akademik 1997-98 deri edhe vetë egzistncën e UBT. Kjo u evitua nga përpjekjet e të gjithëve dhe përkushtimi i veçantë i Prof. Vjollca Ibro, ngarkuar me detyrën e Rektores,  e cila për tre vjet drejtoi me kurajo dhe kolegjialitet rindërtimin dhe vazhdimin e veprimtarive mësimore dhe kërkimore në të gjithë fakultetet. 


ree

Nga viti 2000 deri në 2005, ajo shërbeu si Zv/Ministre e Bujqësisë dhe Ushqimit, duke u bërë një ndër të paktat figura akademike, që ndërthurin vizionin shkencor me përgjegjësinë publike. 

Nga viti 2005 e në vijim, ajo  punon Pedagoge e disa moduleve në Programe studimore si Shkenca Agronomike, Agromjedis dhe Ekologji, Agromekanizim të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit. Në këto vite Prof.  Ibro udhëheq doktoratura dhe master, këtë e bën jo vetëm me fjalë, por sidomos me shembullin e saj.

Në 1985, ajo qëndroi për specializim  në Institutin e Botanikës, Universiteti i Perugia-s, Itali. Në 1994, vijoi në Universitetin e Bonn-it, Gjermani. Në 1995, në Romë, në laboratorin “in vitro” të Frutikulturës, ajo ndërthurte kërkimin me artin e rigjenerimit. Në 1996, në Universitetin e Hohenheim-it, Stuttgart, ajo studioi raportin source/sink, një koncept që pasqyron dualitetin midis dhënies dhe marrjes — një metaforë e jetës që ajo vetë mishëron: jep dije, merr mirënjohje.

ree

Përveç kërkimit, ajo ka kryer trajnime të shumta ndërkombëtare: në IFDC për programim bujqësor, në GTZ për fuqizimin e universiteteve, në BOKU të Vienës për administrimin universitar, dhe në Hohenheim për menaxhimin akademik. Ajo është bashkautore në 5 libra, 5 tekste universitare dhe disa cikle leksionesh, si dhe mbi 130 botime shkencore dhe pjesëmarrje në konferenca kombëtare e ndërkombëtare.


Ka udhëhequr 3 doktoratura dhe mbi 40 mastera shkencorë, duke u bërë dritë udhëzuese për mendjet e reja. Në këtë mision, ajo pasqyron filozofinë e Wang Zhenyi-t, mësuar gjatë studimeve të saj universitare, e cila thoshte: “Të mësosh është të ndriçosh botën me dritën e brendshme.”


Ajo

ree

ka qenë Anëtare e Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë, drejtuese për grupin e punës të bujqësisë në negociatat për MTL dhe MSA në BE, antare e Shoqatës Europiane të Fiziologjisë së Bimëve, Shoqatës së Mbrojtjes së Mjedisit dhe Shoqatës së Bujqësisë Organike. Aktualisht, ajo është Anëtare e Komisionit të përhershëm të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe e Redaksisë  së Bujqësisë dhe Ekonomisë së fermës së Enciklopedisë Shqiptare në proces përgatitje.


Në thelb të shpirtit të saj kërkues, Vjollca Ibro i shikon kufijtë jo si pengesa, por si horizonte për t’u kapërcyer.


Figura e Prof. Dr. Vjollca Ibro është një simfoni e maturisë, dijes dhe urtësisë. Si një pemë që rritet ngadalë, por me rrënjë të thella,  duke na kujtuar se shkenca është më e bukur kur lind nga maturia dhe qetësia.

Pyetje 1: 

E nderuar znj.Ibro; Si matet ndikimi i një shkencëtari mbi shoqërinë dhe natyrën? Për ju Prof. Ibro, ndikimi nuk matet vetëm me botime, por me frymën tek studentët dhe komuniteti. A mendoni se vlerësohet ndikimi vetëm me statistika? 

Përgjigje: Faleminderit revistës suaj për mundësinë, që më jepni për të shprehur mendimet e mia lidhur me këto pyetje të mira dhe mjaft intriguese. 

Lidhur me pyetjen tuaj në se ndikimi i një shkencëtari mbi shoqërinë dhe natyrën vlerësohet vetëm me statistika, mendoj se statistikat nuk janë thelbi. Pa e nënvlerësuar rëndësinë e statistikave për vetë kërkuesin si edhe punëdhënsin e tij, gjithsesi ato ngelen statistika, të cilat maksimumi bëjnë të mundur rankimin e kërkuesve si edhe të institucioneve. Kërkuesit pedagogë kanë mundësinë dhe detyrën t’u përçojnë dijet dhe arritjet në shkencë studentëve dhe komuniteteve, të ndezin dhe mbajnë gjallë tek ta besimin te shkenca dhe e vërteta, dëshirën për ndryshim dhe përparim.


Pyetje 2: 

Si ka menaxhuar Prof. Ibro funksionet publike, studimet dhe jetën familjare njëkohësisht? Duke qenë Zv/Ministre, Rektore dhe pedagoge, ajo ka treguar se organizimi dhe përkushtimi e bëjnë të mundur harmoninë. Si keni mundur të balanconi profesionin menaxhimin dhe jeten personale me sukses? 

Përgjigje: 

Fjala sukses është relative, gjithmonë ka më shumë dhe më mirë. Me modesti ju them se, sa kam arritur, janë rezultat i punës pa orare dhe përkushtimit. Në familjen, ku jam lindur dhe rritur jam edukuar me parimin o mire, o fare (all or nothing). Kur pranon një punë (aq më tepër një post drejtues) është një përgjegjësi para opinionit, familjes, ndërgjegjes tënde… Fjala punë nuk shkon me fjalën gjasme.

Jam përpjekur që, krahas punës të kem në vëmendje familjen, dy fëmijët dhe bashkëshortin. Ata më kanë mirëkuptuar dhe mbështetur. E di, që edhe iu kam munguar apo mosplotësuar sa do të dëshiroja. Përpiqem t’i shlyej tani, me dy mbesat e dashura. 


Pyetje 3: 

Znj Ibro; 

Çfarë na mëson studimi i bimëve për ciklet e jetës së njeriut? Çdo bimë që Prof. Ibro studion tregon sfidat dhe mundësitë për rritje. Cikli i natyrës pasqyron jetën tonë. A mund të shohim tek natyra modelin e jetës njerëzore? 

Përgjigje

Pyetjen tuaj, po ta kem kuptuar drejt, do ta riformuloja: a shëmbëllen jeta njerëzore me modele të natyrës? Njeriu, Homo sapiens, është një nga shumë gjallesat e planetit Tokë. Si i tillë, është vetë pjesë e natyrës me qënien, fiziologjinë dhe sjelljet e tij në komunitet. Duke qënë gjallesa me inteligjencën më të zhvilluar (këtë e themi ne njerëzit për veten tonë, a na konsiderojnë të tillë gjallesat e tjera?!), ai ka studjuar dhe “kopjuar” shumë nga strukturat, dukuritë dhe proceset e përsosura gjatë evolucionit për miliona dhe mijra vjet te gjallesat e tjera, përfshi edhe bimët. 

Po qëndroj te bimët! Idea se edhe bimët janë gjallesa është pranuar më vonë dhe me vështirësi. Kjo ndodhi vetëm pasi u pranua se lëvizja nuk përfshin vetëm atë lokometrike, me zhvendosje, si ajo e ligjit të Njutonit. Edhe bimët lëvizin, edhe pse jo si kafshët dhe njeriu, ato kanë shumë lloj lëvizjesh, rritja është një nga format e lëvizjes së tyre.  Gjatë rritjes, p.sh. drurët e një pylli ndërtojnë kurorat dhe rizosferat e tyre “në konkurencë” për dritën, ujin dhe jonet minerale, por edhe “në harmoni”, pa hijezuar njeri- tjetrin (parimi toka dhe dielli janë e të gjithëve dhe për të gjithë). Në shumë raste, kanë gjetur mënyra bashkjetese (simbiozat) me parimin “na nëm” me “ndarje punësh” me “përfitim reciprok”.

Formimi i farës dhe procesi i mbirjes janë dy shembuj të tjerë, ku përfshihen “përkujdesja” e bimës “mëmë” për lindjen dhe sigurinë në mbarërritjen e “të vegjëlve” të saj. Le të kujtojmë “përkujdesjen” që farat të shpërndahen, të mbijetojnë nga rreziqet e infeksioneve të ndryshme, faktorët mjedisorë ekstremë apo kullotja. Sipas rastit farat vishen nga jashtë me shtresa mbrojtëse (nga lagështia, kalbja, zjarret…) apo ndihmëse (për shpërndarjen nga uji, era, kafshët…). Kështu, shtresa e frutit që rrethon farat, me ngjyra, aroma dhe shije na gënjen dhe shndërron edhe ne njerëzve në shpërndarës të tyre. Kujtoni rolin e paketimit dhe të reklamës në marketing! 

Procesi i zhvendosjes së asimilateve sipas new raporti source/sink, ku fuqia e sink përcakton edhe alokimin dhe partitimin e asimilateve, është një “model i përsosur” për hartimin dhe ndarjen e buxhetit, sipas fuqisë asimiluese. 

Kështu mund të vazhdoja me dhjetra shembuj, që ngjajnë apo vlejnë për të gjetur përdorim në jetën e një njeriu apo komuniteti njerëzor.



Pyetje 4: 

Si lidhet kimia e bimëve me të kuptuarit e njeriut dhe natyrës? Analizat tregojnë lidhje mes bimëve dhe mjedisit, dhe mes njeriut dhe natyrës. Shkenca dhe filozofia bashkohen në çdo reagim. A mund të mësojmë për jetën nga formula (më mirë sjelljet) e bimëve? 

Përgjigje:

Jeta e gjallesave studjohet nga disiplina e Fiziologjisë (gr. fizios =natyrë; logos =teori). Për t’i shkuar sa më në imtësi shpjegimit të proceseve jetësore (bimë, kafshë, njeri), do të duhet të zbresësh gradualisht nga niveli makroskopik në atë mikroskopik, qelizor, subqelizor dhe deri atë molekular (kimik). Dhe, pikërisht, shpjegimi në nivel molekular është ai që realizon Biokimia. Në këtë nivel, jeta funksionon gati njësoj te të gjitha gjallesat. Makromolekulat dhe lëndët e tjera organike dhe inorganike janë pothuajse të njëjtat. Në një kuptim, përbërja e organizmave të gjalla dhe transformimet lëndore brenda tyre janë kimi e pastër. Njeriu ka ende shumë për të zbuluar, kuptuar dhe përdorur nga lidhjet, që egzistojnë në nivel molekular mes bimëve dhe njeriut. Jo vetëm tek të ushqyerit, por edhe në mjaft pika të tjera të përbashkëta si tek enzimat, pigmentët, antioksidantët etj.


Intervista.

Pyetje 5

E dashur Prof Ibro;

Çfarë na mëson rezilienca e bimëve ndaj stresit abiotik? Si bimët që përshtaten, njeriu zhvillon durim dhe forcë. Prof. Ibro tregoni se sfidat janë mundësi për rritje. A mund të shohim çdo sfidë njerëzore si mundësi? 

Përgjigje:

Ndryshimet klimatike kanë nxjerrë në rend të ditës thellimin në studime, për të kuptuar ndikimin e çdo stresori abiotik si i nxehti, thatësira, kripëzimi,  ngricat... mbi gjallesat, me theks të veçantë bimët, që janë  burim shumë i rëndësishëm ushqimi për popullsinë botërore në rritje. Përveç kësaj, studimet edhe me  përfshirjen e bioteknologjisë, synojnë të gjejnë mekanizmat molekularë, përgjegjës për tolerancën ndaj streseve të ndryshëm biotikë dhe abiotikë. Lidhur me sa më lart, prej vitesh kemi bashkpunime të frytshme te drithrat me kolege nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, të Universitetit të Tiranës. Mes mekanizmave  efikasë janë   edhe ato të memory resilence. Pra të rizgjimit të mekanizmave  të tolerancës të fituar gjatë kalimit të mëparshëm të një stresi. Përsa u takon analogjive me njeriun, kjo më kujton stërvitjen, kalitjen është termi më pranë aklimatizimit, që e bëjnë njeriun të përballojë me sukses goditjet nga streset e ndryshme ambientalë (i ftohti, i nxehti, lartësia etj.) Kalitja kërkon, vërtet, durim dhe vullnet. Pa këto të fundit, sfidat, të çfardo lloji, është pothuajse e pamundur t’i përballosh. Ajo shprehja popullore, vështirësitë të bëjnë më të fortë, e ardhur nga përvoja, nuk është pa bazë shkencore.


Pyetje 6:  

A është kultivimi një bashkëjetesë midis njeriut dhe natyrës? Punimi i tokës tregon kujdes dhe respekt për ambientin. Prof. Ibro e sheh bujqësinë si art të harmonisë?  

Përgjigje:   Njeriu, si pjesë e vetë natyrës, ka qënë në bashkëjetesë dhe në harmoni me të deri sa doli nga pylli dhe shpellat. Kur shpiku dhe përdori vegla dhe armë për gjueti dhe punimin e tokës, filloi edhe prishja e harmonisë. Edhe pse energjia diellore, uji dhe dioksidi i karbonit janë të mjaftueshëm për fotosintezën e bimëve, nevojat për ushqim të popullsisë botërore, që rritej vazhdimisht, nuk mund të plotësoheshin me ushqimin në natyrë. Pikërisht, hapja dhe punimi i tokave, fillimi i kultivimit të bimëve, shënoi fillimin dhe zgjerimin e veprimtarive bujqësore. Këto u shoqëruan me përfshirjen e teknologjive   intensive, plehrimet kimike, aplikimin e pesticideve, herbicideve… Pra, në se fillimisht flitej për një bujqësi natyrore, bujqësia e sotme konvencionale, është larguar shumë nga ajo natyrore. Në këtë mënyrë edhe harmonia dhe bashkjetesa e njeriut me natyrën janë cënuar rëndë. Dhjetvjeçarët e fundit, në botë por edhe në Shqipëri, kanë filluar dhe janë rregulluar në legjislacion përpjeke për të zhvilluar bujqësi organike apo biologjike, si një përmbledhje veprimtarish bujqësore në harmoni dhe etikë në ruajtjen e burimeve natyrore dhe shëndetin e njeriut. Një grup kolegësh, 28 vite më parë, themeluam Shoqatën Shqiptare të Bujqësisë Organike. Mua, më qëlloi që të drejtoja edhe grupin e punës për hartimin, për herë të parë në vendin tone, të Ligjit Mbi Bujqësinë Organike, gjë të cilën e veçoj, krahas të tjerave, si një nga arritjet e punës sime në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit gjatë viteve 2000-2005.


Pyetje 7:

Si zhvillohet dashuria për tokën dhe bimët? Dashuria lind jo vetëm nga përvoja dhe përkushtimi, siç tregon Prof. Ibro. Vëzhgimi, prekja nga afër krijon dashuri, respekt dhe përgjegjësi. A mund të mësohet respekti për natyrën përmes arsimit?

Përgjigje: Pyetje shumë e mirë! Mendoj se respekti dhe dashuria për natyrën iu mëkohet fëmijëve, qëkur fillojnë të mësojnë fjalët e para dhe më pas gjatë gjithë stadeve të rritjes së tyre. Prindërit, vazhdimisht, do të duhet t’iu tërheqin vëmendjen fëmijëve të shohin bukuritë e pejzazheve të lindjes dhe /apo perëndimit të diellit, pamjen e fushave dhe maleve në të katër stinët e vitit. Shkolla ka një rol të pazëvendësueshëm. Programet shkollore e përmbajnë këtë mundësi në lëndët e botanikës, biologjisë, gjeografisë, leximit dhe letërsisë. Kush nga ne nuk ka ngelur i mahnitur nga ekskursionet në pranverë, kur ka parë gjelbërimin e grurit nëpër fusha me ndonjë lulekuqe nëpër të. Si mund të harrohen pemtoret e mollëve, kumbullave, qershive… të lulëzuara në pranverë, po vjeshta e artë me pemët plot fruta ngjyra ngjyra, portokalla, hurma e ftonj…Kur fëmijët i ushqejmë, duhet t’iu flasim për natyrën, bimët dhe kafshët. Ndodh, që një fëmijë 9 vjeçareje të mos e dijë ende, se orizi është produkt i bimës së orizit, por kujton se prodhohet në fabrikë si makaronat! Më fal, se u zgjata me këto përfytyrime dhe po e mbyll me dëshirën, që të lind gjatë udhëtimeve, për të recituar vargjet e Naimit “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë, fushat e gjera me lule që iu kam ndër mend ditë dhe natë…”

Pyetje 8: Si pasqyrojnë ciklet biologjike etikën dhe marrëdhëniet njerëzore? Studimet tregojnë se ekuilibri dhe drejtësia janë parime morale. Prof. Ibro përdor këto njohuri për të udhëhequr studentët. A mund të mësojmë drejtësinë dhe ekuilibrin nga natyra?

Pëgjigje:  Ekuilibri dhe drejtësia janë parime morale të shoqërisë njerëzore, ose më saktë duhet të jenë. E them këtë, se për fat të keq, nuk është gjithmonë kështu, as mes njerëzve si individë dhe as mes shteteve. Jetojmë në shekullin e 21, kur teknologjitë, si ajo e informacionit, bioteknologjia dhe automatizimi (përfshi inteligjencën artificiale) kanë arritur maja të paimagjinuara më parë, dhe megjithatë mijëra njerëz vazhdojnë të vriten, në luftra, ku nuk funksionon logjika dhe jo më etika. Miliona fëmijë në vit (shifrat janë tronditse) vdesin nga uria, pa arritur të rriten! Ku është drejtësia njerëzore?! Në natyrë, mes gjallesave, tek bimët në veçanti (shëtisni në një vresht, arë me grurë, por sidomos në një pyll), spikatin ekuilibri dhe harmonia. Secila bimë e përmbush ciklin e saj jetësor, pra rritet, riprodhon dhe lë pasardhës, në harmoni me individët e tjerë bimorë për rreth. Bima ndan token, ajrin dhe dritën drejtësisht sipas specifikave të masës vegjetative, që ndërton dhe mënyrave të pjalmimit dhe riprodhimit. Këto modele jetese dhe bashkjetese duhet të na shërbejnë si bazë për ndërtimin e marrëdhënieve njerëzore, ku parimi moral më i lartë të jetë drejtësia në kuptimin e gjerë të saj.


Pyetje 9:

“Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale të bujqësisë në vendin tonë? Në cilin stad ndodhet sot ky sektor dhe cilat janë sipas jush elementet kryesore që duhet të merren parasysh për zhvillimin e tij të mëtejshëm?”

Në dy tre dakadat e fundit, sektorit të bujqësisë në vend i kanë ndodhur ndryshime thelbësore.  Një  pjesë e tyre ishin rezultat i kalimit nga ekonomitë bujqësore të kolektivizuara, me drejtim të centralizuar, me pak mekanizim dhe shumë punë krahu, në fermat private shumë të vogla dhe me dhjetra probleme të menaxhimit, prodhimit dhe tregtimit të produkteve. Gradualisht, duke u ambientuar si gjithë  sektorët e tjerë në vend, me rregullat e ekonomisë së tregut, edhe bujqësia tashmë ka mjaft zhvillime pozitive. Mes tyre mund të përmend specializimin për produkte me të cilat dalin në treg, eksportojnë apo kontraktojnë me agropërpunuesit. Fermat, sidomos ato që lidhen me pemtarinë apo prodhimin e perimeve në sera janë mekanizuar dhe automatizuar. Shembuj të tillë ka me dhjetra në Lushnjë, Divjakë, Fier, Berat, Elbasan, Korçë e Tiranë. Sidoqoftë, ka ende shumë për të bërë  sidomos lidhur me mbështetjen e prodhuesve dhe zhvillimin rural në tërësi.  Sektori, ndërkaq vuan edhe nga dukuri të reja siç janë pakësimi forcave të punës, plakja e popullsisë në zonat rurale etj.    


Pyetje 10:

“Çfarë mesazhi do të kishit për studentët e Fakultetit të Bujqësisë, të cilët janë e ardhmja e këtij sektori, 

Përgjigje: 

Më lejoni, të shpreh që në fillim entuziazmin tim lidhur me suksesin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, UBT, i cili e nisi këtë vit akademik me kurikula të njehsuara me universitetin BOKU të Vienës  në të gjithë programet e studimit. Duke e njohur nga afër BOKU, një  nga universitetet më të mirë për shkencat jetësore në Europë, unë jam shumë e lumtur për mundësinë që kanë vajzat dhe djemtë shqiptarë për të patur një diplomë të njejtë me simoshatarët e tyre evropianë.   Studentëve, që kanë zgjedhur të diplomohen në Programet e ndryshme që ofron UBT, të evidentuar dhe mbështetur me bursa si programe prioritare nga Qeveria, dëshiroj t’iu them se kanë bërë zgjedhjen e duhur. Programet e studimit në UBT lidhen direkt me jetën dhe nevojat e përditshme të njerëzve për ushqimin dhe mjedisin. Me punën tuaj ju do të keni mundësi t’ua bëni jetesën më të mirë dhe më të garantuar.  Në këto 47 vite, nga koha kur fillova punë në këtë institucion të arsimit të lartë, më i rëndësishmi në vend për bujqësinë, mjedisin, veterinarinë dhe ushqimin, kam punuar me 45 breza studentësh, që e nisnin shkollën disi me dyshime, por kur vinte koha e diplomimit, përpara kisha të rinj, vajza dhe djem plot dije, krenarë për çfarë kishin arritur dhe besimplotë për kapërcimin e sfidave që i prisnin. 


Ju faleminderit znj. Ibro per intervisten.

Faleminderit  ju znj.Liliana.




© 2024–2025 Liliana Pere – Founder. Publisher. Researcher. Author

Prestige Magazine

All rights reserved.







 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page