top of page

Prof. Aurela Anastasi, me këtë vepër të shkëlqyer shkencore, sjell një rishikim të thellë të historisë kushtetue

  • Feb 22
  • 7 min read




#Prof.#AurelaAnastasi


Prof. Aurela Anastasi, me këtë vepër të shkëlqyer shkencore, sjell një rishikim të thellë të historisë kushtetuese shqiptare, duke evidentuar me argumente të pakundërshtueshme rolin themelor të Këshillit të Shtetit në formësimin e shtetit të së drejtës.

Së pari, ajo provon mbi bazë kërkimesh arkivore se Këshilli i Shtetit (1929) ka ushtruar realisht kontrollin e kushtetutshmërisë, duke e pozicionuar si pararendës të institucioneve moderne kushtetuese.

Së dyti, libri thekson fuqinë e parimit të ligjshmërisë – “Nuk ka taksë dhe as dënim pa ligj” – si një standard themelor që garantonte rendin juridik dhe kufizimin e pushtetit.

Së treti, trajtohet me thellësi raporti midis të drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, duke dëshmuar një qasje vizionare dhe të avancuar për kohën.

Një kontribut madhor që pasuron doktrinën juridike shqiptare dhe lartëson standardin e studimit kushtetues.



Prof. Dr. Aurela Anastasi



KËSHILLI I SHTETIT DHE E DREJTA KUSHTETUESE NË PERIUDHËN E MBRETËRISË SHQIPTARE (1928-1939).




Këshilli i Shtetit për mbrojtjen e së drejtës në Shqipëri (1929-1944)”, është botimi që një grup pedagogësh të Universitetit të Tiranës kanë sjellë me punimet e tyre mbi bazën e gjetjeve arkivore të vendimeve të Këshillit të Shtetit. Ai ka rëndësi për njohjen e traditave juridike të shtetit shqiptar, si dhe për të reflektuar edhe sot për drejtën në Shqipëri.  

Deri tani kemi njohur Gjykatën Kushtetuese të krijuar në vitin 1992, si organin e parë për kontrollin e kushtetutshmërisë së normave. Njohja me jurisprudencën e Këshillit të Shtetit, i krijuar në vitin 1929, na bën të rishikojmë sa kemi shkruar deri tani, pasi Ky Këshill duket të jetë organ i parë i shtetit shqiptar që ka ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së normave. Nga studimi i vendimeve dhe këshillimeve të tij, rezulton se Këshilli i Shtetit ka ushtruar shpesh kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera normative me dispozitat e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare (1928). Seksioni i administratës pranë tij, ushtronte veprimtarinë si një gjykatë e lartë administrative. Me jurisprudencën dhe praktikën e këshillimeve ky Këshill ka kontribuar në zhvillimin e të drejtës kushtetuese në shtetin shqiptar të pavarur. Ai vijoi veprimtarinë gjatë pushtimit fashist deri në vitin 1944, vit pas të cilit kishim humbur çdo kontakt me të. Në kuadër të këtij studimi, mundësohet njohja me disa nga vendimet dhe këshillimet e tij më të rëndësishme, mjaft nga të cilat kanë vendosur standarde kushtetuese që i rezistojnë kohës edhe sot. 

Ky punim është përqendruar tek sistemi normativ i kohës, duke analizuar jurisprudencën e Këshillit të Shtetit. Parimet kryesore të ndërtimit të sistemit normativ, ishin sanksionuar në dispozitat e Statutit Themeltar, por Këshilli i Shtetit i ka jetësuar ato. Gjejmë interpretime të parimit të Kushtetutshmërisë (sipas termit të sotëm), si dhe atij të ligjshmërisë. 

Parimi i Kushtetutshmërisë u sanksionua nga dispozitat e fundit të Statutit, i cili theksonte: Dispozitat e ligjeve që vijnë në kundërshtim me dispozitat e këtij Statuti, janë të pafuqishme). Megjithatë, jurisprudenca e Këshillit të Shtetit e vendosi në vendin e vet, si një parim shumë të rëndësishëm për ndërtimin e sistemit normativ. 

Parimi i ligjshmërisë afirmohej në disa dispozita të Statutit Themeltar të Mbretërisë. Këto nene janë interpretuar nga Këshilli, duke u mëshuar detyrimit të rregulloreve të dekretuara prej Mbretit dhe akteve të tjera nënligjore, për të qenë në përputhje me ligjet. Në mjaft raste është evidentuar  veçanërisht parimi i njohur “Nuk ka taksë pa ligj”, si dhe rezerva të tjera ligjore. 

Një aspekt tjetër i jurisprudencës së Këshillit të Shtetit, shprehet përmes raportit që vendos jurisprudenca e tij midis të drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare. Këshilli i ka vendosur marrëveshjet ndërkombëtare në rend të barabartë me ligjet duke theksuar se, “Detyrimet e marra nga Shteti Shqiptar kundrejt një shteti tjetër mbi bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare, nuk mund të ndryshohen me një ligj të brendshëm, sa kohë që kjo marrëveshje është në fuqi.” 


Mbi bazën e jurisprudencës së Këshillit të Shtetit, evidentojmë konkluzione dhe mësime që mund të jenë të vlefshme edhe për sot. Mbi bazën e kësaj analize evidentojmë konkluzione dhe mësime që mund të jenë të vlefshme edhe për sot. Gjithashtu, bazuar në jurisprudencën e Këshillit të Shtetit, aktet normative, ligjore e nënligjore, si dhe aktet ndërkombëtare, mund t’i vendosim në hierarkinë e normave sipas piramidës së Hans Kelzenit. Në ndryshim nga hierarkia që është sanksionuar sot në nenin 116 të Kushtetutës së Shqipërisë, Këshilli interpretoi se konventat ndërkombëtare kanë fuqi ligjore dhe jo mbiligjore. Megjithatë, ai argumentoi qartë se nuk mund të ndryshohen me ligj detyrime që lindin nga marrëveshjet ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Kjo e përafron më shumë jurisprudencën e tij me sanksionimin e sotëm kushtetues. 


Në vijim po trajtojmë disa vendime të arsyetuara nga Këshilli i Shtetit, të cilat na japin mesazhe edhe për realitetin sot. 


Në Vendimin nr. 652, datë 10/3/1931 Këshilli i Shtetit mori në shqyrtim shkresën e Ministrisë së Arsimit për të kërkuar mendim mbi projekt-rregulloren për argëtimet dhe shfaqjet publike. Rregullorja u shqyrtua paraprakisht nga seksioni i Administratës. Mbi këtë mendim, si dhe në bazë të raportit justifikativ të paraqitur nga Ministria e Arsimit, arsyetoi dhe vendosi Mbledhja e Përgjithshme e Këshillit. 


Pikësëpari Këshilli vështroi pajtueshmërinë e Rregullores me Statutin Themeltar të Mbretnis’. Ai iu referua nenit 78 të Statutit që sanksiononte: “Mbreti ka të drejtë të dekretojë rregullore që shpjegojnë mënyrën e zbatimit të ligjeve; këto rregullore nuk mund të përmbajnë dispozita të reja që nuk i përfshin ligji”. Mbi këtë bazë Këshilli theksoi se “rregulloret nuk mund të përmbajnë dispozita të reja që nuk i përfshin ligja. Në fakt, kjo rregullore nuk mbështetet në asnji ligj të caktueme dhe importon në legjislatën shqiptare dispozita krejt të reja.” 

Nga përmbajtja e përgjithshme e aktit, Këshilli theksoi se rregullorja parashikon masa drakoniane, nga të cilat mund të rezultojë mbyllja njeri pas tjetrit e teatrove dhe kinemave të Shqipërisë. Këshilli theksoi se ndalimet dhe obligimet e vendosura në rregullore janë shumë të mëdha. Krijohen komisione mbi komisione për shqyrtimin e  filmave, në të cilat rolin kryesor e luajnë komisarë të policisë dhe xhandarmërisë, njerëz që nuk mund të kenë asnjë farë kompetence në këtë pikë. Madje, ai vinte në dukje se rregullorja parashikonte një degë qeveritare, Drejtorinë e Sigurisë Publike, e cila nuk ekziston fare në vendin tonë. Për më tepër, ajo përmban dispozita ndëshkimore të reja të paparashikuara me ligj. Mbledhja e përgjithshme e Këshillit theksonte se projekt rregullorja në fjalë është në kundërshtim me nenin 78 të Statutit Themeltar, për arsye se përmban dispozita të reja ndëshkimore të cilat nuk mund të bëhen veçse me ligj.


Këshilli vendosi  “... të mospasunit vend për shqyrtimin e  rregullores dhe kthimin e saj Kryesisë së Këshillit Ministruer.” 


Në këtë rast, shohim mbrojtjen e parimit kushtetues sipas të cilit rregulloret dalin në bazë e për zbatimin e ligjit. Rregulloret dalin në bazë e për zbatimin e ligjeve. Ato nuk mund të përmbajnë dispozita të reja që nuk i përfshin ligji. Por, nga leximi i vëmendshëm evidentojmë edhe mbrojtjen e parimit të përgjithshëm “Nuk ka dënim pa ligj”. 


vendimin nr. 837, datë 10 IX.1931, Këshilli i Shtetit mori në shqyrtim projektdekretin Mbretnuer për mbartjen e një fondi prej 6000 franga Ari, nga fondi rezervë e Ministrisë së Financave për blerjen e Pikturës me Helmetën e Skënderbeut. Në këtë rast, Këshilli i Përgjithshëm, në mënyrë unanime, u shpreh se projekti i paraqitur ishte i papranueshëm, pasi në bazë të ligjit “Mbi Administrimin e Pasunis dhe te Kontabilitetit te Pergjitheshem te Shtetit”, mbartja e një fondi nga fondi rezervë mund të kryhej vetëm në rast nevoje të paparashikuar. Në këtë rast, Këshilli nuk konstatoi një nevojë të tillë. Prandaj vendosi se, projekti i paraqitur ishte i papranueshëm, pasi në bazë të ligjit, mbartja e një fondi nga fondi rezervë mund të kryhej vetëm në rast nevoje të paparashikuar. Në këtë rast, Këshilli nuk konstatoi një nevojë të tillë.


Në vendimin e tij nr. 129, date 9 v 1934, Këshillit të Shtetit i ka ardhur për konsultim një shkresë nga Ministria e Brendshme që kërkon mendim për lejet e qenve të stanit. Ajo thekson se ka parë të nevojshme regjistrimin e tyre me qëllim parandalimin e përhapjes së tërbimit, dhe pajisjen me leje të barinjve mbi bazën e komunave. Por, disa prefektura pyesin nëse duhet të vendosin pullën e taksës mbi këto leje? Sa parashtron shkresa u shqyrtua në dy sesione të Këshillit të Shtetit, seksionit të drejtësisë dhe seksionit të Administratës. Mbi bazën e mendimit të shprehur prej tyre, Mbledhja e Përgjithshme arsyetoi çështjen dhe dha mendimin në emër të Këshillit të Shtetit. 


Këshilli arsyeton se, ligji Për Bashkitë (1922) vendos që të regjistrohen qentë që mbahen në shtëpi për luks, për gjueti, si dhe qentë e stanit. Por vetëm të parët dhe të dytët do të pajisen me leje kundrejt taksës (2 franga ari). Në vitin 1926 me ndryshimet e kryera në këtë ligj u parashikua që taksa për qentë e shtëpisë për luks të shkonte10 franga ari. Kurse, qenve të barinjve u jepej leje pa pullë e pa taksë. Këshilli arsyeton se akti me të cilin detyrohen komunat të regjistrojnë dhe të pajisin me leje qentë e barinjve, është një akt me karakter administrativ dhe nuk ka karakter të përgjithshëm. Pra nuk përbën një ligj. Këshilli thekson se në bazë të Statutit Themeltar, pa një autorizim ligjor nuk mund të prelevohet (vendoset) asnjë taksë. 


Për sa më sipër, Këshilli vendosi që të japë mendimin si vijon: “…lejet që do t’u jepen staneve, ose barinjve, ose shtëpiakëve për qentë e shtëpisë nuk i nënshtrohen ndonjë takse komunale ose fiskale as taksës së pullave.” Barinjve u jepet leja të mbajnë qentë e stanit pa pullë e pa taksë. Ministria nuk mund të nxjerrë akte që vijnë në kundërshtim me ligjin. Nuk ka taksë pa ligj. 


 “Nuk ka taksë pa ligj” është një nga aspektet më të rëndësishme të parimit të ligjshmërisë, një standard i fituar që nga aktet e para kushtetuese. Ai është sanksionuar shprehimisht në Statutin Themeltar të Mbretnis’. Në bazë të tij, Këshilli i Shtetit këshilloi Ministrinë përkatëse se nuk mund të nxjerrë akte që të kushtëzojnë lejet për mbajtjen e qenve të stanit nga barinjtë, kundrejt taksave, pasi kjo vjen në kundërshtim me ligjin për Bashkitë. Ky qëndrim është i njëjtë me raste të tjera të ngjashme. 


Ky rast është i vlefshëm sot për të reaguar, në radhë të parë, për masat që duhet të merren nga institucionet vendore për mbrojtjen e higjienës së mjediseve nga ndotjet e kafshëve. Më tej, ka nevojë për masa për të garantuar mbajtjen e tyre. 

 

Prof. Aurela Anastasi

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page