top of page

Prof. Dr. Magdalena Cara; Një rruëtim në botën e Shkencës dhe Bujqësisë të qëndrueshme.

  • Mar 2
  • 9 min read



Prof. Dr. Magdalena Cara; Një Udhëtim në Botën e Shkencës dhe Bujqësisë të Qëndrueshme.


Hyrje 

Magdalena Cara është një studiuese dhe profesore e përkushtuar, që bashkon dije të thella shkencore me pasion për mësimdhënien dhe inovacionin në bujqësi. Ajo është një udhëheqëse që transformon sfidat komplekse të shkencës në mundësi për të kuptuar botën rreth nesh.

Për botën e bimëve dhe studimin e sëmundjeve të tyre në laborator:

Bota e bimëve është një univers i ndërlikuar ku çdo qelizë, virus apo kërpudhë flet një gjuhë të fshehtë natyrore.

Studimi problemeve fitosanitare të tyre është një udhëtim meditativ, që lidh njohuritë teknike dhe laboratorike me respektin për ekosistemet dhe ciklin e jetës.

Prof. Magdalena Cara shfaqet si një ure dijeje midis njohurive shkencore dhe harmonisë me natyrën. Përmes punës së saj, ajo na tregon se shkenca nuk është vetem një koleksion eksperiencash dhe të dhënash, por një mënyrë për të kuptuar lidhjen delikate midis jetës së bimëve, problemeve që ato kanë dhe mjedisit që na rrethon.

Prof. Cara përfundoi studimet e saj në Kimi, duke ndërtuar bazat e një kualifikimi që sot shtrihet mbi tre dekada. Që nga marrja e gradës Doktor Shkencash në vitin 2007, ajo ka kombinuar kërkimin shkencor me mësimdhënien, duke sjellë një qasje të thellë dhe reflektuese në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe sigurisë ushqimore.

Ekspertiza dhe kapacitetet e saj shtrihen nga diagnoza molekulare e patogjenëve bimorë me metoda si PCR dhe LAMP, deri tek studimet mbi mbetjet e pesticideve dhe ndikimin e tyre në shëndet dhe mjedis. Në këtë udhëtim, Prof. Cara ka bashkëpunuar me rrjete shkencore europiane e më gjerë, duke kontribuar në programe si ERASMUS, READ, ADRION, Horizon Europe, etj. Ajo prej 6 vitesh ka përfaqësuar Shqipërinë si anëtare e Komitetit Shkencor të Bashkëpunimi Evropian në Shkencë dhe Teknologji (COST), si edhe anëtare në panelet e Organizatës Evropiane dhe Mesdhetare për Mbrojtjen e Bimëve (EPPO) dhe Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), duke theksuar se kërkimi i njohurive të reja është gjithmonë një dialog midis teorisë dhe praktikës, midis njeriut dhe natyrës. Ajo prej disa vitesh është pjesë e Komisionit të Biologjisë, Bujqësisë, Veterinarisë pranë Akademisë së Shkencave si edhe drejton një grup kërkimor pranë Njësisë së NanoBalkan. 

Në projektet e saj më të fundit, ajo udhëheq iniciativa të avancuara si diagnostika me teknologjitë e gjeneratës së ardhshme (NGS, nanopore - MinION) dhe studime mbi zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, mjekësisë bimore dhe sigurinë ushqimore, duke kthyer çdo sfidë shkencore në një mundësi për të kuptuar më thellë ekosistemet që na ushqejnë. Publikimet dhe librat e saj, të shoqëruara me një kuriozitet të pandërprerë, reflektojnë një përkushtim që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe nënvizon rëndësinë e bashkëjetesës midis njeriut dhe natyrës.

Prof. Cara ka publikuar një numër të konsiderueshëm artikujsh ne revista prestigjiose dhe të indeksuara në Scopus si: Plant Disease, Phytopathologia Mediterranea, Journal of Plant Pathology, Journal of Plant Diseases and Protection, Toxins, Proceedings of the National Academy of Sciences, Science of the Total Environment (PNAS), Sustainability, Cells, Crop Protection, Science of the Total Environment, Italian Journal of Agronomy, Journal of Electrochemical Science and Engineering, Journal of the Institute of Brewing, Journal of Animal and Plant Sciences, Acta Horticulturae, Biotechnology and Biotechnological Equipment. 



Magdalena Cara



Portret - Intervistë 

Intervistë: Liliana Pere – Prof. Magdalena Cara

Pyetje për Prof. Magdalena Cara



Pyetja 1:

Si ka ndikuar familja dhe vlerat e saj në zgjedhjen tuaj për të ndjekur një rrugë të jetës shkencore dhe përkushtimin ndaj botës së bimëve?


Familja ime ka qenë themeli i rrugëtimit tim drejt shkencës. Jam edukuar me respektin për punën, natyrën dhe dijen, të cilat më orientuan natyrshëm drejt shkencave natyrore dhe më pas drejt mbrojtjes së bimëve. Me kalimin e viteve, kjo zgjedhje u kthye në përgjegjësi. Në laborator, çdo analizë nga më të thjeshtat deri te PCR dhe më tej te teknologjitë moderne të sekuencimit – nuk ishte thjesht një rezultat, por pjesë e një zinxhiri të besueshëm njohurish. Shkenca kërkon saktësi, por edhe një lloj gjurmueshmërie të punës sonë: të dimë si prodhohen të dhënat dhe si ndikojnë ato në praktikë, në bujqësi dhe shëndetin e bimëve. 

Vlerat familjare më kanë dhënë këmbënguljen dhe qetësinë për të përballuar sfidat e kërkimit. Sot, një dimension po aq i rëndësishëm është edukimi i brezit të ri. Besoj se të rinjtë duhet të njihen herët me shkencën si mënyrë për të kuptuar botën, duke zhvilluar kuriozitetin dhe mendimin kritik.

 


Pyetja 2:

Kur reflektoni mbi tre dekadat e punës suaj, çfarë ju motivon më shumë: zbulimi i ri, zgjidhja e problemeve praktike apo ndikimi që mund të keni në shoqëri dhe mjedis?


Kur reflektoj mbi këtë rrugëtim të gjatë, kuptoj se motivimi im nuk ka qenë kurrë një element i vetëm. Zbulimi shkencor ka një bukuri të veçantë, por ai bëhet vërtet i vlefshëm vetëm kur lidhet me zgjidhjen e problemeve konkrete. Në fushën e mbrojtjes së bimëve, çdo rezultat laboratorik ka kuptim kur përkthehet në përmirësim të prodhimit, në mbështetje të ekonomisë dhe në rritje të sigurisë ushqimore. Ajo që më motivon më shumë sot është pikërisht kjo ndërlidhje midis shkencës dhe praktikës. Të dish që një analizë, një metodë diagnostike apo një projekt kërkimor mund të ndihmojë drejtpërdrejt fermerët në vendimmarrjen e tyre, të mbrojë kulturat dhe të reduktojë ndikimin në shëndet dhe mjedis, është një shtysë shumë e fortë. Fermerët janë hallka që lidh kërkimin shkencor me realitetin, dhe për mua është shumë e rëndësishme që puna ime të ketë vlerë konkrete për ta.

Shkenca nuk është vetëm njohuri, por përgjegjësi. Dhe kjo përgjegjësi është ajo që më ka mbajtur të motivuar gjatë gjithë këtyre viteve.


Pyetja 3:

Çfarë ka ndryshuar dhe përparuar më shumë në sektorin bujqësor shqiptar: teknologjia, edukimi apo ndërgjegjësimi mjedisor, dhe cilat janë sfidat më të mëdha që ende mbeten?


Në dekadën e fundit, sektori bujqësor shqiptar ka njohur përparim të dukshëm, veçanërisht në aspektin teknologjik. Modernizimi i serrave, zgjerimi i sistemeve të ujitjes me pika, mekanizimi i kulturave intensive dhe përdorimi i inputeve më të kontrolluara kanë rritur produktivitetin dhe cilësinë e prodhimit. Programet mbështetëse për bujqësinë kanë ndikuar ndjeshëm në këtë drejtim. Edukimi agro-mjedisor ka përparuar gjithashtu përmes projekteve ndërkombëtare dhe rritjes së bashkëpunimit akademik, por transferimi i dijes nga universitetet drejt fermerëve mbetet i kufizuar. Ndërgjegjësimi mjedisor është rritur në nivel diskutimi publik, por zbatimi praktik i standardeve të qëndrueshmërisë, përdorimi racional i pesticideve dhe kontrolli i tregut të inputeve ende paraqesin sfida. Ndër problemet më të mëdha që mbeten janë fragmentimi i fermave, kapacitetet e kufizuara institucionale, informaliteti në treg dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike. E ardhmja kërkon integrim më të fortë midis teknologjisë, shkencës dhe politikave publike.


Pyetja 4:

Në rrugëtimin tuaj të gjatë në mbrojtjen e bimëve, cili ka qenë momenti kur shkenca dhe intuita juaj filozofike janë takuar papritur, duke sjellë një zgjidhje që nuk prisnit?


Në rrugëtimin tim në mbrojtjen e bimëve, një nga momentet domethënëse ka qenë kur përballë një rasti kompleks diagnostik, arrita të izoloj nga një bime simptomatike më shumë se një patogjen kërpudhor. Në pamje të parë, të gjithë izolimet dukeshin kandidatë të mundshëm për shkakun e sëmundjes. Analizat molekulare konfirmuan identitetin e tyre, por kjo nuk mjaftonte për të përcaktuar etiologjinë reale. Pikërisht në atë moment, intuita ime më kujtoi se prania nuk është e barabartë me shkakun. U bë e domosdoshme kryerja e testit të patogjenicitetit në kushte të kontrolluara, e ndjekur nga ri-izolimi i patogjenit nga bima e infektuar artificialisht, duke përmbushur kriteret klasike të verifikimit shkak-pasojë. Vetëm njëri prej izolimeve riprodhoi simptomat dhe u konfirmua si shkaktari i vërtetë. Ishte një moment ku analiza laboratorike dhe reflektimi filozofik u takuan: shkenca kërkon prova, por kërkon edhe aftësinë për të mos u kënaqur me përgjigjen e parë. Studimi u publikua në “The journal Plant Disease, published by the American Phytopathological Society”. Aty kuptova se zgjidhja lind nga dialogu mes metodës rigoroze dhe intuitës që të shtyn të kërkosh më thellë.


Pyetja 5:

Si e shihni lidhjen midis diagnostikës molekulare të patogjenëve dhe ruajtjes së ekuilibrit natyror? A mund të themi se çdo analizë laboratorike reflekton harmoninë e biosferës?


Diagnostika molekulare e patogjenëve nuk është vetëm një mjet teknik për identifikimin e sëmundjeve, por një mënyrë për të kuptuar ndërveprimet e padukshme brenda agroekosistemit. Ajo na ndihmon të analizojmë marrëdhënien midis patogjenit, bimës pritëse dhe faktorëve mjedisorë, duke treguar se sëmundja shpesh është rezultat i një çrregullimi të ekuilibrit ekologjik dhe jo thjesht prania e një mikroorganizmi. Në këtë kuptim, diagnostika kontribuon në ruajtjen e stabilitetit të agroekosistemit, sepse mundëson ndërhyrje më të sakta dhe redukton përdorimin e panevojshëm të pesticideve. Megjithatë, çdo analizë laboratorike përfaqëson vetëm një fragment të realitetit biologjik. Harmonia e agroekosistemit kuptohet kur këto të dhëna interpretohen në kontekst ekologjik dhe përdoren me përgjegjësi për të ruajtur balancën midis prodhimit bujqësor dhe mjedisit.


Pyetja 6:

Teknologjitë e reja si NGS dhe MinION kanë transformuar mënyrën se si kuptojmë mikrobotën e bimëve. Si mund të bashkëjetojë përparimi teknik me respektin etik ndaj natyrës?


Teknologjitë si NGS dhe MinION kanë revolucionarizuar mënyrën se si e kuptojmë mikrobotën e bimëve, duke na lejuar të analizojmë jo vetëm një patogjen të izoluar, por të gjithë komunitetin mikrobial që ndërvepron me bimën. Kjo qasje e re na ka treguar se sëmundja shpesh është rezultat i një çekuilibri ekologjik dhe jo thjesht prania e një mikroorganizmi të vetëm. Sa më i thellë bëhet kuptimi ynë për këto ndërveprime, aq më i saktë dhe më i matur duhet të jetë reagimi ynë.

Përparimi teknik mund të bashkëjetojë me respektin etik ndaj natyrës nëse përdoret për të reduktuar ndërhyrjet e panevojshme dhe për të mbështetur zgjidhje më të qëndrueshme. Diagnostika e avancuar duhet të çojë drejt trajtimeve të targetuara, uljes së përdorimit të pesticideve dhe forcimit të mekanizmave natyrorë 


Pyetja 7:

Në botën ku çdo pesticid dhe substancë biologjike ndikon në mjedis, si vendosni për balancën midis produktivitetit bujqësor dhe kujdesit për ekosistemet?


Në një sistem bujqësor modern, balanca midis produktivitetit dhe mbrojtjes së ekosistemeve nuk është vetëm një zgjedhje midis dy ekstremeve, por një proces i vazhdueshëm vlerësimi shkencor dhe ekonomik. Çdo pesticid apo substancë biologjike duhet analizuar përmes raportit rrezik–përfitim, duke marrë parasysh jo vetëm ndikimin mjedisor, por edhe qëndrueshmërinë ekonomike për fermerin. Diagnostika e saktë, pragjet ekonomike të dëmit dhe parimet e menaxhimit të integruar të dëmtuesve (IPM) janë thelbësore për të ndërhyrë vetëm kur është realisht e nevojshme.

Megjithëse biopesticidet përfaqësojnë një alternativë më miqësore me mjedisin, ato ende mbeten relativisht të kushtueshme për shumë fermerë shqiptarë, çka e bën tranzicionin drejt praktikave më të gjelbra gradual dhe sfidues. Prandaj, balanca arrihet duke kombinuar efikasitetin agronomik, mbrojtjen e ekosistemit dhe realizueshmërinë ekonomike. Produktiviteti afatgjatë nuk mund të shkëputet nga shëndeti i tokës dhe biodiversiteti, por as nga aftësia e fermerit për të përballuar kostot. Qëndrueshmëria reale ekziston vetëm kur këta tre faktorë ecin së bashku.


Pyetja 8:

Nga eksperienca juaj në rrjetet evropiane (COST, EPPO, EFSA, Horizon Europe), çfarë keni mësuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar kur natyra nuk njeh kufij?

Nga përvoja ime në rrjete si COST, EPPO, EFSA dhe në projektet Horizon Europe, kam kuptuar se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është vetëm shkëmbim njohurish, por edhe përfaqësim i përgjegjshëm i kapaciteteve kombëtare. Shqipëria, si pjesë e këtij sistemi, nuk është thjesht përfituese, por kontribuese aktive në ndërtimin e standardeve dhe qasjeve të përbashkëta.Natyra nuk njeh kufij, dhe për këtë arsye as përgjigjja ndaj rreziqeve fitosanitare nuk mund të jetë lokale. Ajo që kam sjellë nga eksperienca ime është pikërisht kjo qasje: integrimi i metodave të avancuara diagnostike, forcimi i gjurmueshmërisë së të dhënave dhe përafrimi me standardet evropiane, duke i përshtatur ato në kontekstin shqiptar. Këto rrjete më kanë mësuar se ndikimi real nuk vjen vetëm nga kërkimi, por nga aftësia për ta lidhur atë me politikat, sistemet rregullatore dhe ndërtimin e kapaciteteve. Përmes këtij angazhimi, roli ynë shkon përtej laboratorit — bëhemi pjesë e një arkitekture evropiane që synon siguri ushqimore, mbrojtje të biodiversitetit dhe reagim të koordinuar ndaj sfidave globale.Në këtë kuptim, bashkëpunimi ndërkombëtar është edhe një mënyrë për të pozicionuar Shqipërinë si një partner serioz dhe kompetent në shkencë.

Pyetja 9:

Publikimet dhe librat tuaj janë një thesar dijesh mbi sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e bimëve. Si mund të bëhet shkenca një dialog me shoqërinë dhe jo vetëm një depo informacioni?


Shkenca bëhet dialog me shoqërinë kur del nga kufijtë e laboratorit dhe komunikon në mënyrë të kuptueshme, të hapur dhe të përgjegjshme. Publikimet shkencore janë thelbësore për komunitetin akademik, por ato nuk mjaftojnë për të ndikuar drejtpërdrejt te fermerët, konsumatorët apo politikëbërësit. Për ta kthyer shkencën në dialog, duhet përkthim i dijes në gjuhë të thjeshtë, aktivitete informuese, trajnime në terren dhe përfshirje aktive e komunitetit në diskutim. Kur fermeri kupton pse një analizë laboratorike është e rëndësishme për rendimentin e tij, apo kur konsumatori kupton lidhjen midis sigurisë ushqimore dhe praktikave bujqësore, shkenca pushon së qeni abstrakte. Dialogu kërkon gjithashtu dëgjim. Shoqëria ka shqetësime reale për pesticidet, mjedisin dhe shëndetin, dhe roli i shkencëtarit është të ofrojë fakte, por edhe të kuptojë kontekstin social dhe ekonomik. Shkenca nuk duhet të jetë vetëm një depo informacioni, por një urë midis njohurive dhe vendimmarrjes. Ajo fiton vlerë të plotë kur kontribuon në zgjidhje praktike, të qëndrueshme dhe të ndërtuara në bashkëpunim me komunitetin.

Pyetja 10:

Në vizionin tuaj për bujqësinë e qëndrueshme dhe sigurinë ushqimore, si mund të ndërthuren inovacioni, përgjegjësia mjedisore dhe ndjeshmëria estetike ndaj jetës që na rrethon?

Në vizionin tim për bujqësinë e qëndrueshme, inovacioni nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për të ndërtuar sisteme prodhimi që respektojnë ciklet natyrore dhe garantojnë sigurinë ushqimore afatgjatë. Teknologjitë moderne, nga diagnostika molekulare te sistemet inteligjente të monitorimit, duhet të përdoren për të rritur saktësinë e ndërhyrjeve, për të reduktuar humbjet dhe për të minimizuar ndikimin në tokë, ujë dhe biodiversitet. Përgjegjësia mjedisore kërkon të mendojmë përtej rendimentit të një sezoni dhe të investojmë në shëndetin e agroekosistemit. Ndjeshmëria estetike ndaj natyrës plotëson këtë vizion, sepse një agroekosistem i balancuar nuk është vetëm produktiv, por edhe shprehje harmonie. Kur teknologjia udhëhiqet nga etika dhe respekti për jetën, bujqësia bëhet jo vetëm prodhim, por edhe kujdes afatgjatë për shënderin dhe mjedisin.


Intervistoi: Liliana Pere.

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page