top of page

Proff. Shefkije Islamaj –një mëndje një shpirt i palodhshëm i albanologjisë.



ree

Në horizontin e dijes shqiptare, rndriçon një drite, Proff. Shefkije Islamaj –një mëndje një shpirt i palodhshëm i albanologjisë. Ajo studion gjuhën; ajo zbërthen qenien e një kombi dhe ngjall identitetin në çdo rresht që shkruan.


Prof. Islamaj është forca e mendjes dhe qetësia e shpirtit;


Çdo libër i saj, si “Studime albanologjike” apo


“Gjuha dhe letërsia shqiptare:


Rrënjët dhe zhvillimet”


është një pasqyrë e thellësisë së historisë dhe bukurisë së shqipes.

Ajo është një titani i dijes, një arkitekte e kulturës, dhe një frymëzim i pakufishëm për studentë dhe studiues.


Çdo fjali e saj flet me autoritet, çdo analizë shpalos universin e fjalës shqipe.



Prof. Shefkije Islamaj është komunikim; ajo është qytet i shpirtit dhe harta e identitetit.

Çdo studim i saj është një fener që ndriçon të kaluarën dhe të ardhmen, dhe çdo fjali është një kujtesë se dijet e thella nuk shuajnë vetëm dritën e mendjes, por ndezin edhe flakën e shpirtit.

Ajo nuk lexon botën vetëm për të kuptuar fjalët, por për të kuptuar vetveten dhe kombin

Ajo ka kryer studime të thelluara mbi historinë e gjuhës, zhvillimin e saj dhe ndikimin e institucioneve arsimore në kulturën shqiptare.

Një nga kontributet më të rëndësishme të saj është studimi mbi Komisinë Letrare Shqipe (Shkodër, 1916–1918), ku analizon rolin e kësaj komisie në formësimin e gjuhës standarde dhe në praktikën arsimore të kohës.


Përmes këtij studimi, Shefkija ka nxjerrë në pah rëndësinë e angazhimit të institucioneve arsimore dhe kulturore për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Kontributet e saj akademike janë të pasura me analizë kritike, dokumentacion të detajuar dhe interpretim të qartë të ngjarjeve historike dhe gjuhësore.



lexoni studimin te plotë

i 109-të vjetorit të Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918).


KOMISIA LETRARE SHQIPE NË STUDIMET E GJUHËTARËVE SHQIPTARË


(Shkëputur nga libri im "Gjuha, gjuhëtarët dhe shkrimtarët", Instituti Albanologjik, 2017. f. 13-34)


Kërkesa e ngutshme për një gjuhë zyrtare, pas krijimit të shtetit shqiptar Më 1912, solli mbajtjen e një veprimtarie shumë të rëndësishme e shumë të nevojshme gjuhësore e kulturore, këtu e 100 vjet më parë, të quajtur Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). E nxitur edhe nga faktorë jashtëgjuhësorë, politik e shoqërorë dhe e realizuar nga studiues e intelektualë të shquar të kohës në krye me Luigj Gurakuqin e pasuar nga emra të çmueshëm të albanologjisë dhe nga emra të kuptimshëm që lidhen me krijimin e shtetit shqiptar si Luigj Gurakuqi, Luigj Naraçi, Mati Logoreci, Sotir Peci, Ndue Ndoc Paluca, Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Josif Haxhimima, Maksimiliam Lamberci, Ambroz Marlaskaj, Sali Nivica, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prendushi, Aleksandër Xhuvani, Rajko Nahtigali, kjo Komisi realizoi pritshmëritë e kohës dhe u bë institucion i rëndësishëm në rrugën e standardizimit të gjuhës shqipe.

Ata që njohin historinë e krijimit të shtetit shqiptar, në të vërtetë që njohin mirë rrethanat politike, shoqërore, kulturore, pra edhe gjuhësore të fillimshekullit ‘20, e dinë mirë ç’vështirësi paraqiste mbajtja e një veprimtarie të tillë në atë kohë dhe ç’detyra e kërkesa të rëndësishme shtronte e pritej të zgjidhte kjo veprimtari asokohe.

Akti i shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 si teksti i parë i qeverisë së posaformuar shqiptare u pasua edhe me institucionalizimin e gjuhës zyrtare një vit pas (1913), por edhe me përpjekjen që të niste puna jo vetëm në fushën e terminologjisë administrative e ligjore, ushtarake e të tjera, përmes krijimit të komisioneve përkatëse, po edhe me përpjekjen për zgjidhjen e çështjes së gjuhës zyrtare.

Tre vjet pas, në rrethanat e vështirësuara që solli Lufta e Parë Botërore, nisi punën Komisia Letrare Shqipe në Shkodër dhe mund të thuhet se gjuhëtarët shqiptarë e të huaj kryen detyrën e tyre ndërgjegjshëm e përgjegjshëm.

Roli dhe rëndësia e kësaj Komisie bashkë me Kongresin e Manastirit përçuan mesazhe e reflektime largvajtëse për proceset standardizuese të shqipes, që do të zhvillohen gjatë shekullit të kaluar. Ato hapën rrugën për vendime të rëndësishme të cilat do të ligjësohen më pas nga institucionet shtetërore, duke bërë që shqipja të ketë një variant standard me funksionin e një gjuhë zyrtare, “për më tepër, ajo funksionoi edhe në trevat e Kosovës, ku përcaktoi zhvillimet e mëpastajme pas përfundimit të Luftës II Botërore” (1).

Në këtë Komisi, ideja për ta bërë gegërishten jugore, përkatësisht elbasanishten, gjuhë të shtetit të ri zuri vend dhe u materializua me Ortografinë e miratuar në këtë Komisi, me ligjësimin e saj si gjuhë zyrtare nga Kongresi Pedagogjik i Lushnjës (shkurt 1921), fillimisht për shtypjen e teksteve mësimore, si dhe me një vendim që nxori kryeqeveria në vitin 1923, me qëllim “që të përdorej “gjuha zyrtare” në shkollë e administratë” (2).

Si u kuptua e si u trajtua kjo ngjarje e rëndësishme në studimet, trajtesat e në diskutimet e studiuesve gjuhësorë përgjatë këtyre njëqind vjetëve është temë mjaft e gjerë. Në këtë shkrim jemi përpjekur të paraqesim, në vështrim përgjithësues, trajtimin e Komisisë nga ana e studiuesve, si ngjarje e rëndësishme për proceset standardizuese shqipe të fillimshekullit ’20, por edhe për vetë rrjedhojat e kësaj ngjarjeje në zhvillimet që do të shënojnë historinë tonë të re kulturore, në përgjithësi, dhe gjuhësore, në veçanti.

E para që bie në sy kur gjurmojmë të dhënat bibliografike për këtë ngjarje është numri i vogël i studimeve për Komisinë Letrare Shqipe, dukshëm më i vogël në raport me numrin e studimeve që kanë objekt trajtimi Kongresin e Manastirit ose Kongresin e Drejtshkrimit. Arsyet? Arsyet kujtoj se duhet t’i kërkojmë jo në kontestimin e rëndësisë a të seriozitetit që ka shoqëruar këtë ngjarje, krahasuar me dy të tjerat, por më shumë këto arsye duhet t’i lidhim me rrjedhojat dhe zgjidhjet që ofruan ato, më në fund edhe për vetë pranimet e gjithëmbarshme, që kanë prodhuar ato në historinë e pranimit të një alfabeti e të një gjuhe të përbashkët për gjithë shqiptarët.

Studimet dhe artikujt e shqyrtuar për këtë trajtesë janë ndarë në dy grupe:


Studime e artikuj që kanë për objekt trajtimi vetë Komisinë Letrare Shqipe si ngjarje, historikun, vendimet dhe, sidomos, ortografinë dhe zbatimin e saj etj., dhe

Studime e artikuj që trajtojnë probleme të përgjithshme e të veçanta të gjuhës standarde shqipe të kohës, të proceseve standardizuese gjuhësore në përgjithësi, të cilat në një mënyrë a në një tjetër i referohen a lidhen edhe me Komisinë Letrare Shqipe.

Të grupuara kështu këto shkrime ndihmojnë që të vështrohet më mirë kjo ngjarje e rëndësishme historiko-kulturore dhe të nxirren përfundime me vlerë për rëndësinë e standardizimit tonë gjuhësor.

Nga materiali që kemi arritur ta shqyrtojmë del se shkrimet e grupit të parë janë dukshëm më të pakta sesa ato të grupit të dytë. E kuptueshme. E shikuar nga aspekte të ndryshme dhe e lidhur domosdoshmërisht edhe me çështje të tjera, në rend të parë me çështjen e një gjuhe të përbashkët për shqiptarët dhe për gjuhën standarde, kjo ngjarje është aktualizuar dhe do të aktualizohet pothuajse sa herë aktualizohen dhe trajtohen këto çështje dhe jo vetëm në përvjetorët shënues të saj dhe jo vetëm nga studiuesit gjuhësorë. Gjithmonë dhe gjithkund përcaktimi i një baze gjuhësore për krijimin e një standardi dhe rrjedhojat që mund të pasojnë nga zgjedhja e njërës apo tjetrës bazë mund të shtrohet e rishtrohet në kohë e në situata të ndryshme në jetën e një gjuhe standarde. Kështu ka ndo-dhur edhe në hapësirën tonë kulturore përgjatë gjithë shekullit 20.

Shkrimet dhe diskutimet për një gjuhë të përbashkët janë shpeshtuar shumë në vitet 30’ e ’40 ashtu sikur edhe shkrimet për gjuhën standarde të sotme në këta dy a tre dhjetëvjetëshat e fundit, të cilat kanë trajtuar e aktualizuar çështje të ndryshme të zhvillimit të saj, përfshirë standardizimin e vlefshmërinë e këtij standardi, por jo rrallë edhe kontestimin e saj, duke e sjellë e risjellë në vëmendjen e studiuesve dhe të lexuesve në përgjithësi shpesh edhe Komisinë Letrare Shqipe, duke shtuar kështu numrin e studi-meve, të artikujve e të trajtesave të ndryshme të cilat i kemi futur në grupin e dytë. Është plotësisht e kuptueshme dhe e natyrshme që edhe më tej të studiohen dhe të rimerren shkencërisht proceset standardizuese të gjuhës shqipe dhe në këto studime ta zënë vendin e vetë të çmueshëm në historinë e gjuhës standarde shqipe edhe Komisia Letrare Shqipe në Shkodër.

Çështjet që trajtohen në studimet e artikujt që kemi konsultuar lidhen me aspektin historik e infrastrukturor të Komisisë, me veprimtarinë saj pothuajse dyvjeçare, me rolin dhe rëndësinë e saj në zhvillimin e gjuhës, të letërsisë, dhe të arsimit, dhe, posaçërisht, me vendimet e saj, me ortografinë (pranimin a mospranimin, në të vërtetë zbatimin a moszbatimin e vendimeve të saj), si dhe me rrjedhojat për veprim¬taritë pasuese shkencore, letrare e arsimore sidomos në gjysmën e parë të shekullit ’20, por aktualizojnë edhe vlefshmërinë e saj në raport me ngjarjet e tjera dhe sidomos në raport me Kongresin e Drejtshkrimit.

Duke qenë se është e pamundur këtu të paraqiten kronologjikisht të gjitha ato që janë shkruar për Komisinë Letrare Shqipe në këtë rreth të gjatë kohor, kam qenë e detyruar të bëj një përzgjedhje që ka pasur parasysh karakterin e rëndësinë e këtyre studime a shkrimeve.

Kështu, në "Laime", që e botoi Komisia Letrare Shqipe, siç shihet në parafjalën drejtuar Kënduesvet, do të botohen të plota edhe "Parimet e rregullat mbi orthografin e gjuhës shqipe të shkrueme", mbi të cilat parime, “të shtueme e të përmirsueme”, janë themeluar nëntë rregulla, shoqëruar me lëndë konkretizuese me emërtimin "

Radhue fjalësh". Edhe për arritjet e tjera në këtë drejtim, që dalin nga mbledhjet e shumta të Komisisë, kemi raporte të plota për çështjet e trajtuara gjuhësore, për diskutimet e shumta që u zhvilluan, për pjesëmarrësit në secilën mbledhje si dhe për letrat dërguar Kryekomandës austriake. Shkurt në "Laime" do të botohen në të vërtetë procesverbalet e sintetizuara dhe kjo ka ndihmuar që opinioni i interesuar të informohet gjerësisht sidomos me rrjedhën e punës dhe rezultatet e arritura në 63 mbledhjet e saj (1.9.1916 - 22.5.2018). (3) Vendimet e Komisisë u botuan edhe në gazetën "Posta e Shqypniës", vjeti I, Shkoder, 1917, f. 4.

Para se të shqyrtojmë disa nga shkrimet që janë botuar në revistat e kohës nga studiues të gjuhës shqipe, e konsideroj të rëndësishme për temën në trajtim, që të risjell në kujtesën tonë një letër të gjatë përgëzuese të Sali Nivicës me titull "Nevoja e nji Akademis Letrare", dërguar "Hyllit të dritës" me rastin e botimit të numrit të saj të parë, e cila u shkrua më 23. 3. 1914, kurse u botua shtatë vjet pas (4), po në "Hyllin e dritës", në të cilën, ndër të tjera, parathuhen qartë ato që do të bëhen përpjekje të realizohen në Komisinë e Shkodrës, pjesëmarrës në të cilën do të jetë edhe vetë ai, Sali Nivica, në 7 mbledhje të saj. Shqiptarëve u duhet një akademi, si shkruan ai në këtë letër, që do të vendosë për: “a) Një alfabet me nji palë shkrola; b) Nji Fjaluer t’thjeshtë e t’mbaruem në gjith skâjet teknikë; c) Nji gramatikë t’thjesht e të përbashkme a se shqype; dhe d) Përkthimin e veprave t’poetëve e filozëve të huej ma t’nzashëm”. Letra përfundon: “... me bâ m’u themelue me t’vërtetë nji këso ndërteset në Shqypnië e me u krye kto punë mbarë, unë kisha me besue qi mrekullijat, s’qenkshin sall për profitat, por i bakan edhe Shqyptarët.” Kjo letër përfush qartë kontekstin shoqëror-historik e kulturor të shqiptarëve dhe idealin e veprimtarëve të mëdhenj shqiptarë për gjuhën shqipe e për shtetin shqiptar.

Në vitet në vijim përpjekjet për një gjuhë zyrtare e për një ortografi të saj do të bëhen objekt shqyrtimi i studiuesve dhe i intelektualëve shqiptarë, shkrimet e të cilëve do t’i gjejmë të botuara në shtypin e kohës, si në "Posta e Shqypniës", "Hylli i dritës", "Albania", "Leka" dhe në vijim, sidomos në vitet ’30 e ’40 në gazetat e revistat "Shqipëri e re", "Demokratia", Minerva", "Përpjekja shqiptare", "Shkëndija", "Tomori", etj,, me autorë si Faik Konica, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Justin Rrota, Namik Resuli, Selman Riza, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Haki Stërmilli, Stavro Frashëri, Vangjel Koça e të tjerë. Në shkrimet e tyre u shtrua me ngulm sidomos kërkesa për një gjuhë të përbashkët letrare, por u trajtuan edhe probleme të ndryshme teorike-gjuhësore, probleme të kulturës së gjuhës, gjithnjë duke pasur referencë edhe Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër dhe ortografinë e saj, por pati edhe shumë shkrime polemizuese ndër vite, sidomos për mënyrën si duhet të zgjidhet çështja e një gjuhe të përbashkët shqipe.

Vlen të përmend se Faik Konica, që në numrin e parë të revistës "Albania", më 1897, pothuajse njëzet vjet para se të mbahej Komisia Letrare Shqipe, botoi shkrimin me titull “Për themelimin e një gjuhe letrare”, me vazhdime në disa numra vijues, ku artikulon qartë idenë e formimit të një gjuhe të përbashkët letrare. Edhe në shumë

shkrime të tjera me karakter gjuhësor, që ka botuar ndër vite në "Albania", po edhe në revista të kohës, ai shtron çështjen e formimit të një gjuhe të përbashkët letrare dhe të shkrimit të saj. E kuptueshme sepse për Konicën, siç do të thoshte Namik Resuli, “çështja kombësi dhe çështja gjuhë ishin të pashkëputura njëra nga tjetra” (5) , sepse siç do të thoshte Faik Konica “vetëm Shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë (të përbashkët); edhe andej vjen që kemi mbetur të ndarë nga tjetri, andej kanë rrjedhur aqë të këqia për neve të mjerët. Është nevojë e shtrëngim të hedhim themelin e nja gjuhës letrarishte; nevojë dhe shtrëngim të shkruajmë të gjithë sa jemi, p.t. “bora” jo ndryshe, Pa pastaj le të themi xbora, vora, çvora, kjo s’bën gjësendi.” (6)

Ndërkaq, tetë vjet më vonë Asdreni, po në "Albania" (7), në shkrimin që do të botojë këtu, shprehet se “… pasi të vendosim një alfabet të përgjithshëm, ndihet nevoja t’i jepet një drejtim edhe gjuhës, duke i bashkuar që të dy dialektet toskërishten dhe gegërishten…” .

Njëra ndër revistat ku u botuan një numër jo i vogël shkrimesh gjuhësore e që do të kenë pikë vështrimi e pikë referimi Komisinë e Shkodrës është "Hylli i dritës". Duke qenë se në kohën kur filloi punën kjo Komisi, tashmë kishte dy vjet që ishte ndaluar e pushuar së botuari revista "Hylli i dritës", shkrimet rreth gjuhës shqipe dhe drejtshkrimit të saj, të cilat vështrohen në kontekstin edhe të Komisisë Letrare dhe të rrjedhojave që solli ajo me vendimet e saj, do t’i gjejmë në numrat vijues të kësaj reviste brenda viteve ‘21-‘24, kur rinis botimi i saj "Hylli i dritës", dhe midis viteve ’30 dhe ’44, që njihet si periudha e tretë e botimit të saj, pas ndalimit të dytë.

Kështu në "Hyllin e dritës", që asokohe ishte njëra ndër revistat më të shquara e më të veçanta të publicistikës e të kulturës shqiptare, janë botuar mjaft studime, artikuj shkencorë gjuhësorë për historinë e gjuhës shqipe, për veprat e para të shqipes e deri për ngjarjet e rëndësishme kulturore siç janë Kongresi i Alfabetit, Kongresi Arsimor i Tiranës etj.; janë botuar, kështu, studime teorike e praktike gjuhësore, materiale leksikologjike e onomastike, shkrime kritike e polemizuese gjuhësore deri recensione për vepra e autorë të njohur të kohës, që mbajnë për autorë studiues e intelektualë të njohur të kohës, shqiptarë e të huaj, si: Eqrem Çabej, Norbert Jokli, Justin Rrota, Kolë Ashta, Pashkë Bardhi, Nikollë Gazulli, Pashko Gjeçi, Shtjefën Gjeçovi, Kolë Kamsi, Benedikt Dema, Prend Doçi, Nelo Dizdari, Injac Zamputi, Antonin Fishta, Filip Fishta, Kristo Floqi, Mithat Frashëri, Ernest Koliqi, Faik Konica, Georg Sted¬myller, Karl Gurakuqi, Henrik Bariqi, Fulvio Kordinjano, Donat Kurti, Mati Logoreci, Krist Maloki, Ambroz Marlaskaj, Mustafa Kruja, Ndre Mjeda, Osman Myderrizi, Filip Ndocaj, Ndoc Nikaj, Fan Noli, Bernardin Palaj, Gaspër Pali, Zef Pllumi, Rrok Zojzi, Vinçenc Prenushi, Lazër Shantoja, Gjon Shllaku, Marin Sirdani, Anton Harapi etj., natyrisht edhe vetë Fishta, i pari i "Hyllit të dritës". (8)

Në "Hyllin e dritës" janë botuar, pos të tjerash, mjaft shkrime të nxitura pikërisht nga vendimet që kishte nxjerrë e miratuar kjo Komisi, në veçanti me zgjidhjet e miratuara ortografike shtatëpikëshe. Kështu Ambroz Marlaskaj (9), pjesëmarrës në Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër, botoi në "Hyllin e dritës" më 1921 shkrimin me titullin 'Mbi orthografi të sotshme"(10). Shkrimi ka karakter kritik dhe duke marrë në vështrim ortografinë e miratuar në këtë Komisi sjell vërejtje të përgjithshme e të veçanta për disa nga rregullat e kësaj ortografie. Pas një analize të hollë dhe të argumentuar të disa problemeve të veçanta që lidhen me rregullat e ortografisë, ai i mëshon, ndër të tjera, edhe çështjes së përdorimit të disa tingujve dhe disa togjeve bashkëtingëllore (ë, mb, nd, ngj), çështjes së mbaresave foljore që u bashkëngjiten foljeve gjatë zgjedhimit, shpesh në përqasje me toskërishten, duke i dhënë rëndësi edhe etimonlogjisë. Mendimi i autorit, që mbështetet fort edhe në veprën e Kamardës, se ortografia duhet “të pëlqej me etimologji” përshkon gjithë shkrimin kritik Mbi orthografi të sotshme. Ndonëse, pra, edhe vetë pjesëmarrës në mbledhjet e Komisisë, Ambroz Marlaskaj shpreh qartë mospajtimin me disa nga zgjidhjet që ka ofruar kjo komisi: ”Parimet e zgjedhëne prejë Komisis literare, thotë ai, ende nuk janë asosh qi t’u përgjigjen nevojëve të gjuhës t’ynë, nuk po thamë plotsisht, por as kahë mâ të nevojshmet pikëpame. Ket mungesë e difto Komisija literare vetë në të IV & të parimeve të themelueme. Per me nzitë pra autoritet e ligjëshme qi t’u bien mbrapa këtyne mungesave kahë ana e nji ortografije t’arrsyeshme e të mjaftueshme, ka da me bâ do oroe mâ të nevojëshme mbi ortografin e Komisis literare shqype, do oroe, të cillat tuj u gjetë un në shkollë, ditë për ditë bien në sŷ edhe pa dashtë, në jetë praktike.” Artikulli përfundon me vërejtjen se rregullat e përgjithshme të gjuhës shqipe të përcaktuara prej Komisisë Letrare më 13 gusht 1917 “kanë nevojë të merren në dorë per së rì, per me bâ mâ të thjeshtë shkrimin e gjuhës.”(f. 24).

Justin Rrota, 13 vjet pas mbajtjes së Komisisë, më 1931, në “Hyllin e dritës”, botoi me pseudonimin Iris shkrimin "Rreth problemit të gjûhës letrare" (11), ku aktualizon krijimin e një gjuhe letrare të përbashkët, duke nënvizuar qartë vështirësitë që shoqërojnë krijimin e një gjuhe të përbashkët, sidomos për kontekstin politik, shoqëror e kulturor shqiptar. Prej këtij shkrimi dalin përfundime si këto: “Gjuha letrare nuk gjindet gadi në popull”; ajo “nuk krijohet prej letrarvet, por do të zgjidhet prej krahinavet të ndryshme të mbarë Shqypnís”; “Zgjedhë nji herë si themel djalekti i shqypes s’Elbasanit, qi shênjon qandrren e Shqypnís së soçme, e dá kështu në parim çashtja e fonetikës, âsht të bieremi tue luftue per njanin a tjetrin djalekt a nendjalekt të sa vise¬ve të ndryshme, banue prej shqyptarësh.”, për të vazhduar më tej: “Me kaq s’don me thânë se do t’a mârrim shqypen mbyllasyzash prej djalektit të zgjedhun; por do ta këqyrim t’i kundrojmë trajtat e shtrembta e të pahijshme me ato mâ të ruejtuna e mâ të rregullta e mâ të bukrat e ndonji krahine tjeter.”

Një tjetër autor, Donat Kurti, ka botuar, po në "Hyllin e dritës", shkrimin "Si ta shkruej?... (12) Shkrimi trajton në mënyrë përimtuese dhe qortuese disa mëdyshje gjuhësore në fushën e drejtshkrimit të disa trajtave të fjalëve që mbarojnë me el dhe er, err (gogel a goglë, vegel a veglë, Shkoder a Shkodrë (Shkoder/Shkoders a Shkodrë/ Shkodrës) etj., për të cilat mendon se janë rrjedhojë e zgjidhjes së pjesshme që ka dhënë Komisia Letrare Shqipe në Shkodër për këtë tip fjalësh. “Komisija e letrare e vj.1917-1918 në Shkodër, thotë autori Kurti, tuj parepâ këto mendime të ndryshme, po sidomos, si shprehet vetë (1), tuj dashtë m’u avitë me Toskë, s’bân tjetër veç lên qi seicilli të shkruej me mende të vet, pá e dá aspak çështjen”, për të vazhduar më tej: “A mirë – thotë (Komisia, SH.I.) - të shkruhet mas ethymologis Shkodrë; por nuk âsht krejt e paarsyeshme të shkruhet edhe Shkodër si mas shqyptimit, bile për lecim orthografije mund të shkruhet edhe Shkodr (2). Më diftoni, pyet autori i shkrimit, ç’u muer veshtë në kto të dame? Cillës ânë do t’i jepet arsye. Njéna nder kto trajta me deomos do të jetë mâ e përshtatuna natyrës së gjuhës e njiheri ma e arsyeshmja.” Për autorin më e drejtë është forma Shkoder dhe rrjedhimisht edhe format Shkoders e Shkodërn. Autori ka pikënisje shprehjen: “Po-pulli e bân gjuhën e jo gramatologu”.

Konstantin Konaj, shkrimet e të cilit i gjejmë shpesh edhe në faqet e "Hyllit të dritës", në kontekstin e diskutimeve për një gjuhë të përbashkët nxitur që në Komisinë Letrare të Shkodrës dhe aktualizuar shumë në vitet në vijim, boton artikullin "Bisedim gjuhe. Shinime te vogla"(13), në të cilin shfaq mendime interesante lidhur me krijimin e gjuhës letrare. “Gjuha e jonë letrare ka për t’u formuar, âsht e ditun dalkadalë e me kohë. Por kush do ta formojë? Populli vetë jo. Ky ep vetëm lândën e papunueme, e cila duhet gdhêndun, latue e limue qi të mundet me u bâmë pasuni e gjuhës letrare”, thotë autori, për të vazhduar me tej: “Asnji djalekt, as ai i Elbasanit qi nji kongres i posaçëm e ka pasë pamë me udhë të merret si bazë e gjuhës letrare, as djalekti gegë përgjithsisht e as toskërishtja, nuk âsht pa gabime ashtu siç flitet prej populli. Të gjitha djalektet t’ona kanë të mêtat e të plotat e tyne, kanë trajta të drejta e të shtrêmbta e prandej duhet të qortojmë e të ndreqim njâni tjetrin, jo vetëm për t’i shërby trajtimit të gjuhës letrare të përbashkët, por edhe për t’i bâmë vetë secili nji djalekt letrar, per të pasun nji tosknishte e nji gegnishte letrare, qoftë fati shqipes letrare qi do të quhet gjuha nnjishme e kombit t’onë, këto dy djalekte do të mbesin pak gjâtë damë prej shoqishoqit.”

Mendime si këto i gjejmë edhe në shkrimet e autorëve të tjerë të kohës, emrat e të cilëve i ndeshim në revistat e gazetat që botohen asokohe.

Me pikëvështrim të përafërt është shkrimi tjetër i Donat Kurtit me titullin "Sa ma pak rregulla" (14). Në shkrim, autori vë në spikamë rolin e shkrimtarëve në zhvillimin dhe në normëzimin e gjuhës përmes veprave të tyre, duke u ndalur posaçërisht në përdorimin e pjesoreve (pjestoren e tashme, pjestoren substantive, pjestoren adjektive, kështu i quan autori) duke i argumentuar qëndrimet e tij me shumë shembuj dhe me përdorimin e tyre praktik e drejtshkrimor. Autori shpreh në mjaft raste mospajtime me zgjidhjet e ofruara nga Komisia Letrare Shqipe.

Një shkrim-reagim tjetër i botuar në "Hyllin e dritës", i pa autor, me të njëjtin titull "Si ta shkruej?" (15), i cili mendoj se është i Konstantin Konajt, sepse në fund të shkrimit, njëjtë sikur edhe te shkrimi i tij "Bisedim gjuhe. Shinime të vogla", jepen shënimet: vendi Itali, data dhe shenjat ***: pra Itali, 23 kallnduer. Shkrimi është diskutim i nxitur prej shkrimit të parë të Donat Kurtajt me të njëjtin titull "Si ta shkruej?... "dhe shtron çështje të veçanta e të përgjithshme të ortografisë, duke pasur parasysh vendimet e KLSh-së. Pas një analize të konkretizuar me mjaft shembuj autori vë në diskutim çështjen e formave (varianteve) gjuhësore: qenë a kenë, gjysë, gjysmë a gjymsë, dëshirë, deshir a dishir, borë, dëborë, zborë, dvorë, vdorë a dorë, i pamë a i parë, i frymë a i fryrë, etj.), duke i dhënë epërsi anës fonetike, shoqëruar me sugjerimet se si duhet të veprohet kur të cak¬tohen rregullat drejtshkrimore. Autori, pos të tjerash, sjell edhe këtë mendim lidhur me çështjen që trajton: “... na Shqyptarët mâ të madhin mekat ndaj gjuhës t’onë e ndaj brezave e ardhshëm qi do t’ia lâmë trashigim, në qoftë se në shkrimin e saj biremi pas etymologjis. Gjuha e jonë, si gjuhë shkrimi, âsht tue u formue sot. Pra, duhet të marrë at trajtë qi i afrohet mâ fort fonetikës, edhe në qoftë se nuk mund ta trajtojmë nji shkrim qind për qind fonetik”. (16)

Po në "Hyllin e dritës" Zef M. Harapi ka botuar shkrimin me titull "Mbi perdorimin e grupit “mb” n’orthografi" (`7), ku trajton përdorimin e grupit bashkëtingëllor mb në gjuhën shqipe në gjithë shtrirjen e tij dhe në të dyja dialektet të dëshmuar mirë edhe në shkrimet e hershme shqipe dhe përgjatë gjithë historisë së saj, sikundër edhe për bjerrjen e saj në disa areale gjuhësore të ngushta veriore. Shkrimi i jep mbështetje të fortë zgjidhjes që ka sjellë në këtë pikë Komisia Letrare Shqipe, me ç’rast tërheq vërejtjen se: “nuk kanë tager do krahina të kufîjzueme t’i imponohen mbarë Shqypnís e Shqyptarvet ta humbin krejt mb-en, per të vetmen arsye pse e kanë bjerrë vetë”, sepse, mendon autori me të drejtë, bjerrje të tilla të tingujve të ndryshëm kanë ndodhur edhe në të folme të tjera shqipe, jugore e veriore.

Vlen të përmendet se është botuar edhe ndonjë shkrim qortues për shkrimtarët e të dy krahëve të shqipes për mospërfilljen që ua bëjnë ata vendimeve të Komisisë Letrare Shqipe në fushë të drejtshkrimit, sidomos në fushën e përkthimeve, që ishin gjallëruar sado pak në këtë kohë. Me këtë rast po përmend shkrimin e At Antonin Fishtës botuar në "Hyllin e dritës" me titull "Kush po na e shëmton gjuhën"(18), në të cilin autori tërheq vëmendjen edhe për gjuhën e gazetave, të të përkohshmeve, të teksteve shkollore, kurse qortimin e drejton më shumë kah shkrimtarët. Me shembuj konkretë nga tekstet letrare, autori i shkrimit paraqet shkelje të ndryshme të mospërfilljes së vendimeve të Komisisë, pra shkelje të normës drejt-shkrimore, po edhe të “normës” stilistike.

Një shkrim tjetër po për mospërfilljen e vendimeve të Komisisë është ai i Mark Harapit botuar në revistën “Leka”, me titullin “Pse gegnisht Manzoni”(19). Ky është një shkrim polemizues me Skënder Pirron dhe Kolë Ashtën, të cilët ndonëse lavdërojnë përkthimin e veprës së Manzonit në shqipen, tërheqin vërejtjen për mospërfilljen e ortografisë së Komisisë së Shkodrës si nga shkrimtarët e Jugut ashtu edhe nga ata të Veriut. Shkrimi është i gjatë dhe në të spikat përpjekja për të arsyetuar autorin. Ndër të tjera autori shkruan: “Ndër toskë janë shkrimtarë: Asdreni, Lasgush Poradeci, Mehdi F'rashëri, Lumo Skendo, Shefik Selenica, Sotir Papahristo, Mitrush Kuteli, Pika (Tasi Miho), Fan Noli, Çekrezi, Faik Konica, etj. Cili nder ta shkruena ka shkrue në giuhë zyrtare? Asnjêni. Vall pse? Edhè këjo punë do t'a ket at psehin e vet .....”, për të vazhduar më tej: “Po Dom Ndreu vetë cilën gjuhë ka përdorë ndër shkrimet? Cila vepër, cila poezi, a cila prozë âsht e shkrueme në gjuhë zyrtare? Të gjitha në shkodranishten ma të plotë” (20), për të vazhduar: “Porse vjeten 1917 Dom Ndre Mjedja ka kenë nji nder pjestarë ma të kënun të Komisis Letrare per ortografin e shqipes së shkrueme!... Në parathane qi kanë Rregullat e caktueme per ortografi, lexojmë: «këjo mënyrë shkrimi, e diftueme me anë t'atyne rregullave, do të ketë fuqi zyrtare edhe do të shtihet perdorimi i kësaj pa kurrnji jashtërregullim, në të gjitha aktet." Mendimi i përgjithshëm i autorit është se “Bashkimi i Tosknis e i Gegnis me nji giuhë shkrimi të përbashkët asht vertetë punë e madhe, Por mjetet do të jenë të pershtatuna. Ky bashkim do të vijë natyrisht, per ndryshej del «nji letere e dekun me dekret»” Mendoj se, ashtu siç del edhe nga ky shkrim kritik e qortues, për ligjësimin a mosligjësimin e vendimeve të Komisisë në punë të drejtshkrimit, rol të rëndësishëm kanë pasur pikërisht shkrimtarët e të dy krahëve gjuhësorë të shqipes.

Nuk është i vogël numri i atyre që do të shkruajnë në shtypin e kohës, prej kohës së zyrtarizimit të vendimeve të Komisisë e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, për çështje të ndryshme gjuhësore dhe sidomos për një gjuhë të përbashkët, për t’u intensifikuar sidomos pas krijimit më 1928 të Akademisë Letrare nga Ministria e Arsimit, e cila përbëhej prej studiuesve, filologë të njohur të kohës, si Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Karl Gurakuqi, Leonidha Naçi, Gaspër Beltoja etj., kur në shtypin e kohës iu bë jehonë e madhe kësaj ngjarjeje dhe kur u botuan numër i madh shkrimesh që problematizuan e riaktualizuan çështjen e njësimit të gjuhës zyrtare.

Një shtysë të madhe diskutimeve për gjuhën e përbashkët, me referim vendimet e Komisisë së Shkodrës, e dha mbajtja e Kuvendit të Parë Albanologjik të Institutit të Studimeve më 1.1.1935, në të cilën morën pjesë gjuhëtarët më të mirë të kësaj kohe: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Dhimitër Berati, Mati Logoreci, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Namik Resuli, Beqir Sinani, Anton Paluca, Gjergj Kokoshi (21). Në atë kuvend luajti rol, sidomos, referati i Mustafa Krujës me titullin "Mendime mbi trajtimin e gjuhës letrare" (22), që nxiti sidomos reagimin e Namik Resulit që do ta shprehë në shkrimin e tij të shumëpërfolur "Gegërishtja apo toskërishtja?" (23).

Numri i studiuesve që do të shkruajë gjatë kësaj kohe për një gjuhë të përbashkët gjithnjë duke pasur parasysh dhe Komisinë Letrare Shqipe dhe, posaçërisht, vendimet e saj, është shumë i madh. Shquajnë shkrimet e Aleksandër Xhuvanit (24), të Selman Rizës (25), të Ilia Dilo Sheperit (26),të Tajar Zavalanit (27), të Mustafa Krujës, ndër të tjera, edhe shkrimi i këtij të fundit "Kritikë e një kritike" (28), ato të Mati Logorecit (29), me theks të veçantë shkrimi i tij "Gjuha letrare", etj. Por, numri i atyre që do të shkruajnë për nevojën e një gjuhe të përbashkët zyrtare dhe për çështje ortografie është dukshëm i madh.

Prej vitit ‘48 e tutje sidomos gjatë vitet ’50 e ’60 të shekullit të kaluar do të zhvillohen shumë veprimtari që lidhen me gjuhën shqipe, njësimin e saj dhe, sidomos, që lidhen me hartimin e rregullave të reja të drejtshkrimit. Studiuesit kryesorë që shënojnë këto veprimtari, në të vërtetë që janë bartës të këtyre veprimtarive përgjatë viteve ’50 e ’60 janë Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Kostaq Cipo, Osman Myderrizi, Mahir Domi, Kolë Ashta, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Androkli Kostallari, Lirak Dodbiba, Zijaudin Kodra, Zihni Sako, Spiro Floqi, Jup Kastrati, Shaban Demiraj, Pashko Geci, etj. Janë këto veprimtari që do t’i paraprijnë mbledhjeve historike të kulturës shqiptare - Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe Kongresit të Drejtshkrimit (1972).

Në studimet e dhjetëvjetëshave në vijim, në studimet e studiuesve si Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Androkli Kostallari, Mehmet Çeliku, Tomor Osmani, Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Arshi Pipa, Bahri Beci, Kolec Topalli, Gjovalin Shkurtaj, Seit Mansaku, Rexhep Ismajli, Fadil Raka, Rahmi Memushaj, Isa Bajçinca, Miço Samara, Artan Haxhi, Tefë Topalli dhe të shumë të tjerëve, në studimet e tyre pra për gjuhën standarde shqipe, do të merren e rimerren shpesh edhe vendimet dhe ortografia e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, bashkë me rrjedhojat e saj në ngjarjet pasuese, që do të përcaktojnë rrugën e standardizimit të shqipes.

Në këtë kontekst patjetër se duhet të veçojmë studimet e Tomor Osmanit kushtuar Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër (30), botuar së pari më 2004 e ribotuar e plotësuar disa herë deri sot. Autori ka arritur që në mbështetje të studimeve të sotme dhe të dokumenteve shoqëruese të kësaj veprimtarie kulturore, si procesverbalet e mbledhjeve dhe të broshurës "Laime të Komisisë", botuar më 1918 nga KLSH-ja, të cilat janë përfshirë të plota në botimin e fundit të këtij studimit më 2016, të hartojë një monografi të rëndësishme për veprimtarinë e kësaj Komisie, duke saktësuar në mënyrë faktografike jo vetëm aktivitetin e saj, po edhe organizmin, mbështetësit, madje edhe financuesit e saj, kohëzgjatjen, bartësit dhe protagonistët kryesorë, si dhe pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet, numrin e mbledhjeve, diskutimet e tyre për gjuhën e përbashkët dhe për problemet e ndryshme drejtshkrimore, për hartimin e teksteve shkollore, për çështje terminologjike, deri edhe për diskutimet rreth zhvillimit të letërsisë shqipe. Vepra ka, pa dyshim, rëndësi të veçantë gjuhësore e historike.

Një tjetër monografi për Komisinë Letrare të Shkodrës është ajo e Sheremet Krasniqit (31).

Vlen të përmenden edhe studimet e Rexhep Ismajlit rreth proceseve standardizuese të shqipes. Si në veprën e tij "Gjuhë standarde dhe histori identitetesh" (2005) ashtu edhe në veprën Drejtshkrimet e shqipes - studime dhe dokumente (2005), po edhe në studime të tjera sigurisht ku trajton çështjen e gjuhës standarde, ai paraqet rrjedhën e zhvillimeve në fushën e standardizimit të shqipes në Prishtinë e nëTiranë duke ndriçuar aspekte të politikës dhe të planifikimit gjuhësor, të krijimi të gjuhës standarde e të statusit të saj në raport me variantet e tjera letrare dhe në raport me rrethanat e kushtet në kontekste të ndryshme politike, shoqërore e kulturore, duke e njohur lexuesin, njëkohësisht, me veprimtaritë kryesore dhe me protagonistë kryesorë të këtyre veprimtarive e në këtë mes edhe me Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër.

Me këtë rast e shoh të udhës se duhet të përmenden edhe këto vepra "Histori e shqipes letrare (1997), "Çështje të shqipes letrare" (1998) dhe "Normëzimi i shqipes nëpër shekuj" (2004) të Fadil Rakës, "Histori e gjuhës së shkruar shqipe" (1999) e autorëve Artan Haxhi e Tefë Topalli dhe "Histori e gjuhës letrare shqipe" (2000) të Miço Samarës, në të cilat i jepet vendi meritor Komisisë Letrare Shqipe, rolit dhe rëndësisë së saj në rrjedhën e përpjekjeve për një gjuhë të përbashkët shqipe dhe për një ortografi të njësuar për gjithë shqiptarët.

Në vitin 1996 në organizim të USH “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër u organizua një Konferencë shkencore në 80 vjetorin e Komisisë Letrare Shqipe, që është veprimtaria e parë shkencore për këtë ngjarje të rëndësishme historike-gjuhësore. Në Konferencë u lexuan 12 kumtesa që ndriçuan e vlerësuan shkencërisht këtë ngjarje, kurse materialet e saj u botuan një vit pas.

Sivjet (2016) në 100 vjetorin e KLSH-së u mbajtën: në Shkodër, në qershor, një konferencë ndërkombëtare në të cilën morën pjesë një numër i madh studiuesish; në Prishtinë, në gusht, u mbajt një tryezë në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare; dhe, po kështu, në Prishtinë, në shtator, në organizim të Institutit Albanologjik, u mbajt një konferencë shkencore, materialet e së cilës u botuan në revistën "Gjuha shqipe", 3/2016, IA, Prishtinë.

Në përfundim mendoj se këtë shkrim duhet ta përmbledh me një mendim të përgjithshëm që del nga shumica e studimeve, e trajtesave dhe e artikujve të studiuesve shqiptarë që kanë objekt shqyrtimi Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër dhe veprimtarinë e saj shumë të rëndësishme për gjuhën shqipe dhe për shkrimin e saj, e ai mendim është: Komisia Letrare Shqipe në Shkodër nuk mund të shikohet e shkëputur jashtë kontekstit gjuhësor e letrar e jashtë kontekstit kohor e hapësinor, sepse siç thotë studiuesi i njohur Xhevat Lloshi, ajo ka një parahistori dhe një histori gjuhësore e letrare dhe, po shtoj, ka edhe një pashistori gjuhësore e letrare. Ajo e ka nisur standardizimin edhe kodifikimin e shqipes së shkruar, për çka duhet të konsiderohet institucion i rëndësishëm historik e kulturor dhe rrjedhimisht edhe institucion kombëtar historik me rëndësi shumë të madhe sepse ravijëzoi procesin e pashmangshëm standardizues të shqipes - bashkimin tonë gjuhësor si përbërës qendror i njësisë sonë kombëtare.

Kërkesa e ngutshme për një gjuhë zyrtare, pas krijimit të shtetit shqiptar, solli mbajtjen e një veprimtarie shumë të rëndësishme gjuhësore e kulturore, këtu e 100 vjet më parë, të quajtur Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). E nxitur edhe nga faktorë jashtëgjuhësorë, politik e shoqërorë dhe e realizuar nga studiues e intelektualë të shquar të kohës në krye me Luigj Gurakuqin e pasuar nga emra të çmueshëm të albanologjisë dhe nga emra të kuptimshëm që lidhen me krijimin e shtetit shqiptar si Luigj Gurakuqi, Luigj Naraçi, Mati Logoreci, Sotir Peci, Ndue Ndoc Paluca, Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Josif Haxhimima, Maksimiliam Lamberci, Ambroz Marlaskaj, Sali Nivica, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prendushi, Aleksandër Xhuvani, Rajko Nahtigali, kjo Komisi realizoi pritshmëritë e kohës dhe u bë institucion i rëndësishëm në rrugën e standardizimit të gjuhës shqipe.

Ata që njohin historinë e krijimit të shtetit shqiptar, në të vërtetë që njohin mirë rrethanat politike, shoqërore, kulturore, pra edhe gjuhësore të fillimshekullit ‘20, e dinë mirë ç’vështirësi paraqiste mbajtja e një veprimtarie të tillë në atë kohë dhe ç’detyra e kërkesa të rëndësishme shtronte e pritej të zgjidhte kjo veprimtari asokohe.

Akti i shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 si teksti i parë i qeverisë së posaformuar shqiptare u pasua edhe me institucionalizimin e gjuhës zyrtare një vit pas (1913), por edhe me përpjekjen që të niste puna jo vetëm në fushën e terminologjisë administrative e ligjore, ushtarake e të tjera, përmes krijimit të komisioneve përkatëse, po edhe me përpjekjen për zgjidhjen e çështjes së gjuhës zyrtare.

Tre vjet pas, në rrethanat e vështirësuara që solli Lufta e Parë Botërore, nisi punën Komisia Letrare Shqipe në Shkodër dhe mund të thuhet se gjuhëtarët shqiptarë e të huaj kryen detyrën e tyre ndërgjegjshëm e përgjegjshëm.

Roli dhe rëndësia e kësaj Komisie bashkë me Kongresin e Manastirit përçuan mesazhe e reflektime largvajtëse për proceset standardizuese të shqipes, që do të zhvillohen gjatë shekullit të kaluar. Ato hapën rrugën për vendime të rëndësishme të cilat do të ligjësohen më pas nga institucionet shtetërore, duke bërë që shqipja të ketë një variant standard me funksionin e një gjuhë zyrtare, “për më tepër, ajo funksionoi edhe në trevat e Kosovës, ku përcaktoi zhvillimet e mëpastajme pas përfundimit të Luftës II Botërore” .

Në këtë Komisi, ideja për ta bërë gegërishten jugore, përkatësisht elbasanishten, gjuhë të shtetit të ri zuri vend dhe u materializua me Ortografinë e miratuar në këtë Komisi, me ligjësimin e saj si gjuhë zyrtare nga Kongresi Pedagogjik i Lushnjës (shkurt 1921), fillimisht për shtypjen e teksteve mësimore, si dhe me një vendim që nxori kryeqeveria në vitin 1923, me qëllim “që të përdorej “gjuha zyrtare” në shkollë e administratë”.

Si u kuptua e si u trajtua kjo ngjarje e rëndësishme në studimet, trajtesat e në diskutimet e studiuesve gjuhësorë përgjatë këtyre njëqind vjetëve është temë mjaft e gjerë. Në këtë shkrim jemi përpjekur të paraqesim, në vështrim përgjithësues, trajtimin e Komisisë nga ana e studiuesve, si ngjarje e rëndësishme për proceset standardizuese shqipe të fillimshekullit ’20, por edhe për vetë rrjedhojat e kësaj ngjarjeje në zhvillimet që do të shënojnë historinë tonë të re kulturore, në përgjithësi, dhe gjuhësore, në veçanti.

Fusnotat


Xhevat Lloshi, "Zgjidhje që i qëndruan kohës në shërbim të kohës", në përmbledhjen “Akademia jubilare me rastin e 40 vjetorit të Kongresit të drejshkrimit”, Universiteti ”Fan Noli”, Korçë, 2012, f. 27.

Xhevat Lloshi, po aty, f. 27.

3.Tomor Osmani, "Komisia Letrare Shqipe në Shkodër 1916 -1918", Shkodra Daily, 2.6.2014 (internet).

Hylli i dritës, vj. i II-të, 1921, nr. 5, f. 41-52.

Namik Resuli, "Faik Konitza në qindvjetorin e lindjes", “Jeta e re” 3, 1995, f. 367.

Faik Konica, "Për themelimin e një gjuhe letrare", sipas Namik Resulit: "Faik Konitza në qindvjetorin e lindjes", “Jeta e re”, 3, 1995, f. 367.

“Albania” 4, 1905.

8 Shih Shefkije Islamaj: “Hylli i dritës” dhe gjuha shqipe", botuar në përmbledhjen 100 vjet të revistës “Hylli i dritës”, “Studime” 22, USH “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 2015, f. 34 dhe në librin Shefkije Islamaj, "Gjuha – teksti dhe konteksti", IA, Prishtinë, 2014, f. 33.

Sipas Tomor Osmanit, Ambroz Marlaskaj ka marrë pjesë në dhjetë mbledhje të Komisisë nga gjithsej 63, sa janë mbajtur e protokoluar sipas Procesverbalit të KLSH-së, që fillon më 1 shtator 1916 dhe përfundon më 22 maj 1918 e që ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Tomor Osmani, "Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918)", Shkodër, 2012, f. 163-228.

At Ambroz Marleskaj, "Mbi orthografi të sotshme", “Hylli i dritës” 3, 1921, f. 48; “Hylli i dritës” 2, 1922, f. 19.

Iris (Justin Rrota), "Rreth problemit të gjûhës letrare",“Hylli i dritës” 3, 1931, f.1; J. Rrota ka botuar në “Hyllin e dritës” në rrethin kohor 1921-31, në vazhdime, studimin e rëndësishëm jo vetëm për kohën "Rreth gramatologjisë shqype".

12, At Donat Kurtit, "Si ta shkruej? ...," “Hylli i dritës” 1, 1931, f. 8.

Konstantin Konaj, "Bisedim gjuhe. Shinime te vogla", “Hylli i dritës” 4, 1931, f. 23.

At Donat Kurti, "Sa ma pak rregulla", “Hylli e dritës” 4, 1932, f. 9.

Konstantin Konaj, "Si ta shkruej?", “Hylli i dritës” 2, 1931, f.12.

Konstantin Konaj, po aty, f.12.

Zef M. Harapit, "Mbi perdorimin e grupit “mb” n’orthografi", “Hylli i dritës”, 2, 1932, f. 17.

At Antonin Fishta, "Kush po na e shëmton gjuhën", “Hylli i dritës” 1, 1933, f. 15.

Mark Harapi, "Pse gegnisht Manzoni", "Leka" vj. xv. 1943 – xxj. n. vj. qershor 1943, Shkodër, f. 181.

Mark Harapi, po aty, f. 19.

Jup Kastrati, "Konvergjenca gjuhësore nga Komisia Letrare te Kongresi i Drejtshkrimit,". "25-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit", 1972-1997, Tiranë, 2000, f. 61.

Mustafa Kruja, "Mendime mbi trajtimin e gjuhës letrare", “Shkëndija”, nr. 2, gusht, 1940, f. 5.

Namik Resuli, "Gegërishtja apo toskërishtja?", “Shkëndija” 1, 1939.

24.Aleksandër Xhuvani, "Dy antologjijat shqipe", 1936.

Selman Riza, "Tri monografina albanologjike", Tiranë, 1944.

Ilia Dilo Sheperi, “Dielli” dhe gramatika", “Demokratia”, 1928.

Tajar Zavalani, "Prishësit e gjuhës", “Minerva”, 1933.

Shpend Bardhi (Mustafa Kruja), "Kritikë e një kritike", “Përpjekja shqiptare”, 1938.

Mati Logoreci, "Gjuha letrare", “Tomori” 26 .7. 1940.

Tomor Osmani, "Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918)", 1997, 2009, 2012, 2016, USH, Shkodër.

Sheremet Krasniqi, "Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës (1916-1918)", Prishtinë, “Rozafa”, 2004.

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page