top of page

Rozina Sterkaj: Një profesioniste e mirë që shndërron dijen në art, dhe në mision qytetar e human.

  • Feb 5
  • 7 min read

Updated: Feb 9






Rozina Sterkaj: Një profesioniste e mirë që shndërron dijen në art, dhe në mision qytetar e human.

Jeta e Rozina Sterkajt është një udhëtim i ndërtuar mbi themele njerëzore të forta, ku arsimi, arti dhe humanizmi bashkohen në një filozofi të heshtur shërbimi.

Ajo përfaqëson tipologjinë e rrallë të njeriut që nuk e jeton profesionin si rol, por si fat të zgjedhur me vetëdije dhe dashuri.


“Një mësuese dhe shkrimtare nuk ndërton vetëm dijen, por edhe ëndrrat e fëmijëve.”

Fjala e Rozit nuk është vetëm letër, por urë që lidh edukimin dhe shpresën.

Ajo mëson krijojon, lë gjurmë që nuk shuhet kurrë, tregon fuqinë që ngre brezat me dije dhe art dhe shndrohet në dritë.

Perkushtohet me shpirt dhe pasion.

Me origjinë matjane, Rozina Sterkaj vjen nga një familje ku misioni për njeriun ishte mënyrë jetese: babai mjek dhe nëna infermiere, të dy pjesë e “bluzave të bardha”. Nëna e saj, e vlerësuar me titullin “Qytetare Nderi”, mbetet një figurë frymëzuese e sakrificës dhe dinjitetit, duke i dhënë Rozinës shembullin e parë të humanizmit aktiv.

Që në fëmijëri, Rozi u bë pjesë e festivaleve të këngës për fëmijë, aty ku skena u shndërrua në hapësirë ndjenje dhe vetëzbërthimi.

Ky kontakt i hershëm me artin nuk ishte një episod kalimtar, por fara e një shpirti krijues që do të shoqëronte gjithë jetën e saj.


Në vitin 2005, Rozina përfundoi studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, dega Mësuesi, duke kurorëzuar përkushtimin e saj ndaj arsimit. Diploma për të nuk ishte fund, por fillimi i një misioni pedagogjik me thellësi filozofike.


Sot, në Shkodër, ajo njihet dhe thirret me respekt si “Mësuese Rozi”, një emër që është bërë simbol dashurie dhe autoriteti moral. Edhe pse drejtoreshë shumë e suksesshme e një institucioni arsimor, ajo mbetet thelbësisht mësuese, duke e kthyer drejtimin në shërbim dhe pushtetin në përgjegjësi.

Me një karrierë të shkëlqyer në arsim, Rozina Sterkaj është dalluar për natyrën e saj inovative dhe krijuese, duke realizuar projekte mjaft të suksesshme.


Gjatë punës me nxënësit, ajo ka fituar mbi 15 çmime, nga të cilat 11 çmime të para, në nivele lokale dhe kombëtare, duke dëshmuar se arsimi, kur bëhet me pasion, prodhon madhështi.


Në fushën e botimeve, Rozina ka lënë gjurmë të spikatura si autore e dy librave:

“Të ëndërrosh mbi dysheme”, një vepër e frymëzuar nga realitetet e jetës dhe përvoja edukative;

“Treni i shkronjave të arta”, libër didaktik në ndihmë të nxënësve të klasave të para. Kjo e fundit u vlerësua si një nga librat më të bukur dhe më të shitur të vitit, duke u shndërruar në një udhërrëfyes të artë për fillimet e dijes.

Rozina Sterkaj u bë pjesë e antologjisë “Pena e Shkodrës 8” në vitin 2023, “Pena e Shkodrës 9” në 2024 dhe “Pena e Shkodrës 10” në 2025. Me këtë prani të vazhdueshme, ajo dëshmon se fjala e saj është pjesë organike e kujtesës letrare të qytetit.


Krijimtaria e saj u zgjerua edhe në dramaturgji, ku Rozina ishte autore dhe regjisore e dramës “Mirë se vini në këtë natë të madhe”. Vepra u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Folklorik në Shkodër dhe më pas fitoi po Çmimin e Parë në Festivalin Rajonal në Lezhë, duke konfirmuar forcën e saj skenike dhe estetike.


Në vitin 2024, ajo përfundoi Shkollën e Drejtorëve, duke zgjeruar horizontet e saj profesionale në drejtimin arsimor.


Ndërsa në vitin 2025, u përzgjodh si një nga 10 gratë me më shumë vlera të qytetit të Shkodrës, një nderim i dhënë nga lëvizja “Gratë që frymojnë vlera”, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në arsim dhe kulturë.

E martuar në Shkodër, Rozina Sterkaj është nënë e dy djemve, Kevit dhe Ari, të cilët përfaqësojnë vazhdimësinë e vlerave që ajo mishëron. Familja për të mbetet hapësira ku dashuria, edukimi dhe shembulli bashkohen në heshtje.

Rozina Sterkaj është një figurë unike: grua me shpirt të madh, e shoqëruar nga një altruizëm i theksuar, mësuese e palodhur, krijuese e pasionuar dhe humaniste e përkushtuar.

Me vizionin e saj inovativ dhe përkushtimin e pashoq, ajo mbetet një emblemë e vërtetë e Shkodrës dhe një frymëzim i qëndrueshëm për brezat që vijnë.


Figura e Rozina Sterkajt është ndërthurje harmonike mes dijes, artit dhe përkushtimit njerëzor – një mësuese që ka ditur ta kthejë profesionin në mision, krijimtarinë në shërbim dhe drejtimin në përgjegjësi morale.

Në këtë intervistë, ajo vjen jo vetëm si drejtuese institucioni, shkrimtare dhe autore, por si një zë reflektues mbi arsimin, kulturën dhe rolin e njeriut në formimin e së ardhmes. Fjala e saj rrjedh qetë, por me thellësi, duke mbartur përvojë, ndjeshmëri dhe vizion.


Fillojme intervistën.


E dashur Rozina je e mireseardhur ne Prestige.


Fillojmë intervisten.


PYETJA 1

Duke qenë e lindur nga një familje e bluzave të bardha, me një baba mjek dhe një nënë infermiere të vlerësuar si “Qytetare Nderi”, sa ka ndikuar kjo origjinë familjare në formimin tuaj shpirtëror dhe në zgjedhjen për ta jetuar arsimin si mision dhe vazhdimësi vlerash?


Përgjigje:

Të rritesh mes bluzave vërtet të bardha do të thotë të mësohesh herët se njeriu është gjithmonë më i rëndësishëm se profesioni. Nga prindërit e mi mësova se shërbimi ndaj tjetrit është forma më e pastër e dinjitetit njerëzor. Nëna ime, e vlerësuar si “Qytetare Nderi”, më dha shembullin e njeriut shumë human, zemërgjerë, e cila fëmijët që lindnin nga duart e saj, nëse lindnin distrofe, nuk lejonte kurrë të shkonin në inst. distrofik por i sillte në shtëpi dhe kujdesej për ta derisa fëmija të arrinte peshën e duhur dhe më pas t’ia dorëzonte nënës. Arsimi për mua u bë vazhdimësi natyrale e këtij misioni. Siç thoshte Albert Schweitzer, shembulli është gjuha më e fortë e edukimit.


PYETJA 2

A mendoni se profesioni i mësuesit është një thirrje e brendshme apo një zgjedhje e vetëdijshme që ndërtohet me kalimin e kohës, dhe kur e kuptuat për herë të parë se arsimi ishte rruga juaj?


Përgjigje:

Në fakt, në atë kohë nuk kishim shumë alternativa zgjedhjeje; mjaftonte të merrje një bursë që të shkolloheshe. Fakti që po vazhdoja shkollën, në një farë mënyre, më lumturoi pa menduar gjatë për profesionin, por gjatë rrugës arsimi m’u shndërrua në një thirrje të brendshme. E kuptova shumë herët se dija merr kuptim vetëm kur ndahet. Çdo fëmijë që më shikonte në sy më mësonte përgjegjësi dhe përulësi. Duke patur parasysh vleren e madhe te arsimit ndihem edhe e privilegjuar qe jam pjese kontribuese .


PYETJA 3

Si ka ndikuar kontakti juaj i hershëm me artin dhe skenën, që nga fëmijëria, në mënyrën se si sot ndërtoni marrëdhënien me nxënësit dhe procesin edukativ?


Përgjigje:

Retrospektiva më nxit t’i marr nxënësit për dore për t’i ngjitur në skenë, duke pasur parasysh dy gjëra: mirënjohjen për ata që besuan tek unë dhe sa e lumtur isha kur e preka skenën në fëmijëri. Këtë emancipim kulturor e shpirtëror përpiqem ta transmetoj sot tek ata që kanë nevojë për një dorë dhe për dikë që të besojë në aftësitë e tyre. Skena më dha guximin të flas me zemër dhe të dëgjoj me vëmendje. Në klasë përpiqem të krijoj atmosferë, jo thjesht disiplinë. Siç thoshte Aristoteli, edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës është i paplotë.


PYETJA 4

Në një epokë ku dija shpesh matet me shpejtësi dhe rezultate, si e ruani ju dimensionin human dhe filozofik të edukimit në punën tuaj të përditshme?


Përgjigje:

Çdo nxënës për mua është një univers, jo një numër. Humanizmi ruhet përmes dialogut dhe dëgjimit. Filozofia hyn në klasë përmes pyetjeve që hapin mendjen, përmes bisedave dhe dashurisë që u fal nxënësve, duke mos ndaluar kurrë së injektuari humanizmin si vlerë supreme për njeriun.


PYETJA 5

Çmimet dhe vlerësimet e shumta që keni marrë me nxënësit tuaj, a i shihni më shumë si sukses personal apo si dëshmi të fuqisë së bashkëpunimit dhe besimit te potenciali i fëmijëve?


Përgjigje:

Çmimet i shoh si dëshmi të fuqisë së bashkëpunimit. Ato nuk janë suksese personale, por fryt i besimit të ndërsjellë. Fëmijët lulëzojnë kur ndihen të vlerësuar dhe të dëgjuar. Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur zemrat e tyre të vogla rrahin nga lumturia, përveçse janë rritur artistikisht apo shkencërisht deri në nivelin e sfidës. Nxënësit e shkollës sonë janë përgjithësisht fëmijë të prindërve të thjeshtë, të baballarëve muratorë dhe të nënave që punojnë në shërbime që në orën 5 të mëngjesit. Kur ia dilja që ata të triumfonin përballë fëmijëve të aktorëve, pedagogëve, biznesmenëve e politikanëve, lumturia ishte e dyfishtë.


PYETJA 6

Si bashkëjetojnë brenda jush mësuesja, drejtuesja dhe krijuesja letrare, dhe a ka momente kur këto role bien në konflikt apo plotësojnë njëra-tjetrën?


Përgjigje:

Këto role brenda meje nuk përplasen, por dialogojnë. Mësuesja më mban pranë fëmijëve, drejtuesja më mëson përgjegjësinë, krijuesja më mbron nga rutina. Ka momente tensioni, por arti gjithmonë ndërmjetëson. Drejtimi pa ndjeshmëri do të ishte i ftohtë. Harmonia lind nga balanca mes tyre.


PYETJA 7

Në librat tuaj, veçanërisht në “Të ëndërrosh mbi dysheme”, realiteti dhe ëndrra ecin paralelisht. A mendoni se edukimi duhet të ushqejë më shumë realitetin apo ëndrrën e fëmijës?


Përgjigje:

Edukimi duhet të ushqejë ëndrrën që e bën realitetin të përballueshëm. Një fëmijë pa ëndrra është një shpirt i frenuar. Në librat e mi, realiteti dhe ëndrra ecin bashkë sepse kështu ecën jeta. Shkolla duhet të jetë vendi ku ëndrra nuk qortohet. Siç thoshte Victor Hugo, e ardhmja quhet mundësi.


PYETJA 8

Teatri dhe dramaturgjia kërkojnë guxim dhe ekspozim emocional. Çfarë ju shtyu të sillni këtë formë arti në jetën tuaj profesionale dhe çfarë filozofie përcillni përmes skenës?


Përgjigje:

Pamundësia ekonomike e nxënësve, por edhe njëfarë aftësie personale, bëri që të prek dramaturgjinë, duke mos dashur t’u mohohej e drejta për të konkurruar edhe fëmijëve tanë përballë talenteve të tjera të shkollave të Shkodrës dhe mbarë rajonit. Përmes dramaturgjisë nxënësit mësojnë empatinë dhe guximin. Teatri është shkollë karakteri. Siç thoshte Shakespeare, e gjithë bota është një skenë.


PYETJA 9

Si drejtoreshë dhe lidere arsimore, si e përkufizoni autoritetin: si pushtet formal apo si përgjegjësi morale ndaj komunitetit edukues?


Përgjigje:

Gjithmonë e kam menduar se karrigia nuk të bën njeri, por të jep një rreze më të gjerë veprimi e ndikimi, e lum kush shpërndan rreze pozitiviteti e dobie. Drejtimi për mua është përgjegjësi morale, jo pushtet formal. I njoh mirë kornizat e lidershipit demokratik dhe jam përpjekur që në asnjë situatë të mos i kapërcej. Kam pasur parasysh që ditën e parë të jem një dëgjuese e mirë, të jem e drejtë dhe të vë veten nën lëkurën e gjithsecilit në çdo situatë, duke qenë e përgjegjshme. E kam kuptuar se autoriteti i vërtetë lind nga përgjegjësia.


PYETJA 10

Duke qenë një grua, nënë, mësuese dhe krijuese, çfarë mesazhi filozofik do t’u përcillnit brezave të rinj për kuptimin e suksesit dhe trashëgiminë e vërtetë që lë njeriu?


Përgjigje:

Suksesi nuk matet me pozita, por me gjurmën që lë te njerëzit. Trashëgimia më e madhe është karakteri dhe dashuria që jep. Të jesh njeri i mirë është arritja më e lartë. Balanca mes jetës dhe profesionit është një art i vështirë, por nëse ia del, do të kesh vlerësimin dhe vetëvlerësimin maksimal.




Faleminderit.Znj.Liliana për intervisten.


Faleminderit ju e dashur Rozi.



© 2023–2026 Liliana Pere – Founder. Publisher. Researcher. Author


Prestige Magazine

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page