top of page

“Saimir Strati: Artisti i talentuar i Mozaikëve dhe Rekordmeni i Guinness World”


ree

ree

ree

ree


ree

Intervistë me Artistin e Record Guinness


“Saimir Strati: Artisti i talentuar i Mozaikëve dhe Rekordmeni i Guinness World”




Portret i shkurter i artistit – Saimir Strati

 Saimir Strati është një artist që ka arritur të bashkojë traditën dhe modernitetin përmes mozaikëve të tij unikë.

I lindur më 11 Prill në Tiranë në  Shqipëri.

Karriera e tij filloi duke restauruar mozaikë në vende arkeologjike të Bylisit, Amantias dhe Apolonisë, duke dëshmuar një lidhje të hershme me historinë dhe artin e lashtë.

Ai është gjithashtu anëtar i Shoqatës Britanike të Mozaikut Modern, duke përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor.


Veprat e tij artistike janë një eksplorim i pafund i materialeve dhe temave. Ai krijon vepra të jashtëzakonshme me materiale të zakonshme, duke ndërthurur të kaluarën me të tashmen dhe duke i dhënë jetë teknikave të vjetra dhe përbërjeve industriale të përditshme.


Frymëzimi i tij shpesh vjen nga muzika, siç tregon seria e mozaikëve “Katër stinët” bazuar në koncertin e Vivaldit, ku çdo stinë përfaqësohet nga një instrument i ndryshëm.

Veprat e tij shfaqin gjithashtu histori dhe legjenda, si në “Vajza e Detit” ku një vajzë transformohet në peshk për t’u ribashkuar me dashurinë e saj të largët, ose “Paqja”, ku fragmente pasqyrash reflektojnë mesazhin e paqes universale.


Strati është një rekordmen i Guinness World Records, duke nisur me portretin e Leonardo Da Vincit në vitin 2006 dhe duke vazhduar me mozaikë gjigantë që përdorin materiale të ndryshme, nga kruese dhëmbësh deri te kapëse teli dhe fasule.

Ekspozitat e tij filluan në vitin 1996 dhe kanë përfshirë qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, duke përfshirë SHBA dhe Muzeun “Believe it or Not”.


Saimir Strati është më shumë se një artist mozaikësh; ai është një artist me shpirt krijues, një reflektues i muzikës dhe legjendave, dhe një mjeshtër i durimit të pafund.

Mozaikët e tij nuk janë vetëm vepra arti, por pasqyra të shpirtit njerëzor dhe të mundësive të pafund të krijimit, duke na kujtuar se çdo material, qoftë i zakonshëm apo industrial, mund të shndërrohet në art të përjetshëm në duart e një vizionari.


Veprat e Stratit janë një dialog mes së shkuarës dhe së tashmes, ku materiali dhe ideja bashkohen në harmoni.

Çdo mozaik tregon se durimi dhe pasioni mund të bëjnë të zakonshmen të jashtëzakonshme, dhe se krijimtaria është një rrugë që kurrë nuk përfundon, ku çdo pikë materiali ka vendin e saj në mozaikun e jetës.


Vazhdojmë intervisten me artistin, Saimir Strati.




Revista Prestige / Intervistë 

– Saimir Strati - Liliana Pere.


Pyetje LP:

A është çdo copëz materiali dhe çdo ditë pune me pasion, një hap i heshtur që ndërton rrugën drejt përjetësisë — dhe a është një rekord në Guinness World Records thjesht dëshmia se një ëndërr e nisur me durim mund të bëhet zë që dëgjohet nga e gjithë bota?


Përgjigje SS:

Çdo ditë pune, për mua, fillon me një ritual të zakonshëm: vendos muzikë në studio dhe pres derisa muzika të ketë mbushur ambientin. Kjo është e vetmja mënyrë për të larguar heshtjen dhe për të gjeneruar idetë mbi veprën e artit në proces. Ky ritual është i vetmi i ngjashëm për çdo ditë, sepse gjithçka tjetër ndryshon, çdo ditë ka emocionin e vet, në varësi të veprës që po krijoj.

Rekordet Botërore Guinness, për mua, nuk kanë qenë qëllim në vetvete, thjesht një ëndërr e fëmijërisë, e realizuar si i rritur.


---


Pyetje LP:

A lind pasioni nga trashëgimia e gjakut apo nga një dritë e brendshme që ndez çdo fëmijëri — dhe a është familja dhe arsimi si toka ku rrënjët e artit rriten për t’u bërë trung që prek qiellin e ëndrrave?


Përgjigje SS:

Familja, për mua, është akoma më e rëndësishmja në jetë. Nuk kam pasur trashëgimi për mozaikun në familjen time. Prindërit e mi më edukuan të jem i palekundur. Babai im, ushtarak, më këshillonte: “Çdo gjë që fillon, duhet ta përfundosh.” Kjo është disiplinë, ndërsa nëna, ekonomiste në profesion, më kultivoi estetikën në gjithçka — sjellje, veshje, etj. Për këto u jam mirënjohës.

Fëmijëria ime ka qenë e mbushur me vizatime, piktura dhe instalacione të ndryshme. Kurioz për çdo fenomen dhe me dëshirën për ta realizuar sipas mënyrës time, kjo më krijoi një vetëbesim që më ndjek çdo ditë të jetës. Në një fare mënyre, kjo më çlironte nga pyetja e zakonshme e çdo fëmije: “Çfarë do të bësh kur të rritesh?”

Arsimi artistik ka qenë një drejtpeshues i rëndësishëm në krijimtarinë time. Mozaiku si zhanër i artëve pamore kërkon njohuri në vizatim, pikturë, skulpturë, geometri, fizikë dhe kimi. Ishte një kohë e rëndësishme eksperimentesh pa fund.


---


Pyetje LP:

A mund të flasë heshtja e një materiali më thellë se fjalët e një njeriu, nëse dora që e prek është e mbushur me shpirt?


Përgjigje SS:

Shkrimtari Nobelist Saramago, për nder të të cilit kam realizuar në Portugali Rekordin Botëror Guinness me tapa vere, shkruan: “Ka disa gjëra që nuk shprehen me fjalë.” Keshtu janë edhe materialet që na rrethojnë; ato qëndrojnë në heshtje derisa dikush t’i prekë dhe t’i japë jetë.

Një nga meloditë që më ka motivuar vazhdimisht është “Shqipja e Andeve”. Kjo melodi nuk është realizuar me vegla tradicionale apo moderne muzikore, por thjesht me disa kallamë natyrore të prerë në dimensione të ndryshme. Magjia nuk qendron te instrumenti, por tek fryma dhe shpirti i artistit.


---


Pyetje LP:

A është mozaiku një mënyrë për të treguar se çdo fragment i vogël, i shpërndarë në botë, ka një vend të shenjtë në një tërësi më të madhe?


Përgjigje SS:

Mozaiku është si dashuria: nuk mund të quhet i tillë vetëm me një pjesë ose element.

Është muzikë dhe poezi. Kudo rreth nesh ekzistojnë notat muzikore, por duhet kompozitori ti vendosë në pentagram dhe të krijojë muzikë. Po ashtu, ekzistojnë germat, por duhet poeti t’i vendosë në rend dhe të krijojë poezi.

Kudo rreth nesh ekzistojnë mijëra materie, por duhet një artist t’i bashkojë dhe të krijojë mozaik.


---


Pyetje LP:

A është koha një artist i padukshëm që krijon bashkë me ne, ndërsa vendosim një gur pas tjetrit, pa e kuptuar se vepra rritet bashkë me ne?


Përgjigje SS:

Koha, për një artist, është eksperiencë. Çdo sekondë, minutë apo orë është një pjesë mozaiku për të gjithë. Artisti evidentohet nëpërmjet veprave që krijon. Çdo vepër është një mentor i jashtëzakonshëm, por vetëm kur punon për të krijuar një vepër arti. Puna është padyshim shumë e rëndësishme kur ndërthuret me pasionin. Pasioni, ose mos fillo. Dëshira për të krijuar është vetëm fillesa, pra një moment, ndërsa puna e vazhdueshme me pasion e shfrytëzon kohën dhe të çon në pafundësi.


---


Pyetje LP:

Nëse çdo material ruan një kujtim, a është çdo mozaik një mënyrë që njerëzimi të mos harrojë vetveten?


Përgjigje SS:

Mozaikët e zbuluar të antikitetit, duke filluar nga ata që janë realizuar 5000 vite më parë në Persi, dhe më pas të periudhave helene, romake, bizantine, na tregojnë historinë e njerëzimit.

Mozaiku është art elitar. Statusi i një vendi apo personaliteti caktohej dhe vazhdon të caktohet nga sa mozaikë cilësorë posedon.

Jemi me fat që edhe në Shqipëri, pjesë e Mesdheut, kemi mozaikë të mrekullueshëm si në Apoloni, Butrint, Bylis, Antigone, Arapaj, Lin etj., duke përfshirë mozaikun “Bukuroshja e Durrësit”, një perlë e vërtetë për studiuesit e mozaikut botëror.


---


Pyetje LP:

A mund të jetë arti më i fuqishëm pikërisht kur lind nga materia më e zakonshme — si një ëndërr që lind nga një gjë e vogël, por e vërtetë?


Përgjigje SS:

Madhështia qëndron te thjeshtësia. Një material, sado i zakonshëm të jetë, ka nevojë për shpirt dhe përkushtim. Duke u vendosur një pas një, me dashuri dhe harmoni midis secilit element, krijohet një vepër e admirueshme.

Artisti mund të fillojë një vepër arti bazuar në një nga ëndrrat e tij, por është shumë e rëndësishme që kjo vepër të kthehet në një ëndërr për të tjerët, për t’u parë nga artdashësit, edhe një herë të vetme.


---


Pyetje LP:

Kur arti thyen pasqyrat, a na tregon më shumë për botën rreth nesh apo për fytyrën tonë të brendshme?


Përgjigje SS:

Arti është mënyra më e sinqertë e komunikimit. Bazuar në historinë e artit, artisti duhet të krijojë individualitetin e tij. E shkuara duhet të jetë motiv për të ardhmen.

Krijimi i një individualiteti bashkëkohor nuk do të thotë të ilustrosh kohën kur jeton. Ilustrimi në vetvete është art, por arti nuk është vetëm ilustrim.

Të komunikosh nëpërmjet krijimit të veprave të artit me sinqeritet, për atë që ndjen, pa frikë nga diskriminimi apo vetë-diskriminimi, sjell liri shpirtërore.


---


Pyetje LP:

A është çdo rekord i thyer në të vërtetë një përpjekje për të mos lejuar kohën të fshijë zërin e një artisti?


Përgjigje SS:

Guinness World Record është enciklopedia më e madhe botërore e regjistruar. Të jesh pjesë e kësaj enciklopedie është një privilegj.

Unë jam regjistruar 11 herë në GWR për mozaikët më të mëdhenj në botë, më shumë se çdo artist tjetër në histori. Nga 11 rekordet e mia, 8 prej tyre janë kategori të reja, një përfshirje e padiskutueshme në historinë botërore. Kjo është krenari që dua ta ndaj me të gjithë shqiptarët, edhe pse në Shqipëri nuk më është dhënë mundësia për ti ekspozuar.


---


Pyetje LP:

A është më i gjallë një art që lind nga dora dhe shpirti sesa ai që lind nga mekanika e ftohtë e teknologjisë?


Përgjigje SS:

Arti është shpirt dhe mendoj se teknologjia nuk mund t’i afrohet kurrë.

Për arsyen pse vendosa të realizoj Rekordin tim të parë Botëror Guinness: Leonardo Da Vinci, i realizuar me gozhde industriale.

Teksa dëgjoja lajmin se falë teknologjisë mund të riprodhohej Mona Lisa në cilësi të lartë, mendja ime u mendua: “Da Vinçi e gozhduan…”. Patjetër, teknologjia mund të riprodhojë gjithçka, por shpirtin dhe gjenialitetin jo!

Nëpërmjet artit tim jam në “luftë” me teknologjinë që përpiqet të industrializojë artin, por nuk ka arritur të industrializojë shpirtin. Ndihem fitimtar sepse në shpirt jam artist dhe nuk tundohem nga elektronika apo inteligjenca artificiale.


---


Pyetje LP:

Nëse një mozaik është një botë më vete, a është artisti krijuesi i një universi të vogël ku çdo fragment merr frymë?


Përgjigje SS:

Të krijosh është hyjnore. Veprat e artit janë dëshmia reale për çdo artist. Ato flasin për historinë, emocionet, ndjenjat, dashurinë dhe sekretet e artistit, edhe kur ai nuk ndodhet fizikisht.


---


Pyetje LP:

A mund të jetojmë si një mozaik — copëza të ndryshme që vetëm kur bashkohen marrin kuptim të plotë?


Përgjigje SS:

Jeta është si një mozaik, por mozaiku është i pavdekshëm.

Sa herë realizoj një mozaik, çdo pjesë që vendos ia dedikoj një miku. Kjo është mënyra ime për të shprehur dashurinë dhe respektin për të gjithë miqtë dhe artdashësit e artit tim.


Ju faleminderit për intervistën.





© 2024–2025 Liliana Pere – Founder. Publisher. Researcher. Author

Prestige Magazine

All rights reserved.










 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page