Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1.100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Vjosa gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike
- Feb 22, 2024
- 4 min read
Updated: Jun 20, 2024


Lumi Vjosa është shpallur Park Kombëtar nga qeveria e Shqipërisë.
“Shpallja Park Kombëtar është kategoria e dytë e mbrojtjes që është shumë më e lartë se ajo që kishte më parë si Park Natyror.
Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar nënkupton se nuk do të lejohet asnjë ndërtim që cenon luimin, përfshirë këtu edhe hidrocentralet.
Lumi Vjosa, i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.
Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1.100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Vjosa gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60.000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.
Vjosa, një ndër të vetmit lumenj “të egër” në Evropë.
Disa opinione per lumin Vjosa.
Në një shkrim për ‘National Geographic”, gazetari Stefan Lovgren rrëfen për lumin Vjosa dhe impaktin që mund të shkaktojë ndërtimi i digave në këtë lumë.
Duke dalë nga një grykë malore aty pranë, lumi Vjosa rrezaton nëpër hapësirën e gjerë të zhavorrit poshtë këtij qyteti historik, të vendosur në kodër. Ujërat e tij me rrjedhje të shpejtë thurin një rrjet të çuditshëm kanalesh dhe përrenjsh. Ky është një lumë që shkon atje ku dëshiron.
Është gjithashtu imazhi i shumë lumenjve në Evropën Qendrore shumë kohë më parë, para se të ndoteshin, të ndërtoheshin diga apo t’u ndryshohej rrjedha. Sot, më shumë lumenj në Evropë janë ndryshuar apo vënë dorë mbi ta sesa në çdo kontinent tjetër.
Vjosa, e cila rrjedh e papenguar nëpër Shqipërinë e Jugut në Detin Adriatik, është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj evropianë që ende vazhdon të qëndrojë e egër. Kjo e bën atë shtysën kryesore për përpjekjet e ruajtjes edhe të lumenjve më të vegjël në të gjithë Ballkanin, të cilët gjithashtu mbeten relativisht të paprekur.
Megjithatë Vjosa, degët e saj dhe lumenjtë e tjerë të Ballkanit përballen me kërcënime të reja ndaj rrjedhave të tyre natyrore ndërsa zyrtarët në rajon po konsiderojnë propozimet për të ndërtuar më shumë se 3 mijë 400 hidrocentrale të reja atje.
Kritikët paralajmërojnë se zhvillime të tilla mund të kenë pasoja shkatërruese ekologjike për një nga rajonet më biodiversitare të Evropës.
“Vjosa është beteja kryesore për mbrojtjen e lumenjve me rrjedhje të lirë në Ballkan dhe më gjerë”, thotë Ulrich Eichelmann, CEO i OJF-së “Riverwatch”, një prej disa grupeve të ruajtjes që disa vjet më parë u bashkuan në një koalicioni i quajtur “Save the Blue Heart of Europe”.
Gjatë një bio-sondazhi të vitit 2017 – i kryer mes planeve për të ndërtuar dy diga në seksionin e mesëm të Vjosës – rreth 40 shkencëtarë nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania gjetën dhjetëra specie që shumë kohë më parë ishin zhdukur nga lumenjtë e rregulluar në Evropën Qendrore, përfshirë shumë insektet.
“Vjosa është bota e humbur e Evropës.” thotë Fritz Schiemer, një ekolog në pension nga Universiteti i Vjenës, i cili drejtonte sondazhin.
Krijesa të vogla dhe shumë të vogla
Një studim tjetër, këtë herë duke u përqendruar në dy degë kryesore të Vjosës, Shushicën dhe Bënçën, pjesë e një rrjeti lumenjsh të pacenuar që shtrihen tre herë më gjatë se vetë Vjosa.
“Është një shans për të studiuar lumenjtë në kushtet e tyre natyrore, gjë që nuk mund ta bëjmë më në pjesën më të madhe të Evropës”, thotë Schiemer.
Edhe pse pellgu i lumit është shtëpia e kafshëve karizmatike si rrëqebulli ballkanik, i cili ndodhet në rrezik zhdukjeje, biodiversiteti i tij më i pasur gjendet midis jovertebrorëve, ku insektet përbëjnë shumicën dërrmuese të specieve që jetojnë atje.
Afër fshatit Brataj, Anton Drescher qëndron në bregun me zhavorr të Shushicës, duke inspektuar një mur shkëmbi. Një potpuri me lule të egra kishte dalë nga çarjet e saj. Drescher, një botanist në Universitetin e Graz në Austri, identifikoi shumicën e tyre si specie tipike mesdhetare.
“Nuk mund të shihen këto lule dhe bimë, kështu të gjitha së bashku, në vende të tjera”, tha ai.
Të paktën 31 specie peshqish janë identifikuar në Vjosë, duke përfshirë disa lloje të rrezikuara, të tilla si Skadar, një krap i vogël endemik në Ballkan. Duket se lumi është bërë gjithashtu një strehë për ngjalat evropiane të rrezikuara në mënyrë kritike që vijnë nga deti.
“Ne shohim një bollëk peshqish detarë në pjesët e poshtme të lumit”, thotë Paul Meulenbroek, një ekolog peshqish në Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë.
Organizma të tjerë, të zakonshëm buzë lumit por shpesh të papërfillura, janë molusqet dhe veçanërisht kërmijtë, të cilët lulëzojnë në grumbuj të materialit organik të larë në brigjet e lumit. Ekzistojnë shumë pak të dhëna për këto krijesa të larmishme në Vjosë, thotë Michael Duda, një malakolog (zoolog i specializuar në studimin e molusqeve) në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës.
“Shanset janë që ne po humbasim specie që as nuk e dinim se ekzistonin”.
Çfarë rrezikohet
Vjosa ka një digë, të ndërtuar në fund të viteve 1980 afër origjinës së saj në Malet Pindus përtej kufirit në Greqinë veriore, ku lumi njihet si “Aoos”. Por, për pjesën tjetër të rrjedhës së tij prej 170 miljesh, ai rrjedh lirshëm përmes një mozaiku të peizazheve malore shqiptare që përfshijnë kanione dhe pjesë lumore të thurura më shumë se një milje të gjerë.
“Ajo që e bën Shqipërinë të veçantë janë pasuritë e saj biologjike”, thotë Mirjan Topi, një ornitolog, cili punon si guidë turistike në zonën e Vjosës dhe Nartës.
“Nëse ndërtohet aeroporti, një nga thesaret e mëdha të biodiversitetit, jo vetëm në Shqipëri por Evropë, do të humbasë”.
Një plan “mbrojtje”
“Vlera e lumit Vjosa garanton më shumë sesa përcaktimi i parkut natyror,” thotë Andrej Sovinc, nënkryetari i Komisionit Botëror të IUCN për Zonat e Mbrojtura.
Historikisht, zonat e mbrojtura janë projektuar për ekosistemet tokësore, jo lumenjtë që mund të përshkojnë ato.

Ndërsa disa parqe kombëtare evropiane janë emëruar pas lumenjve, ekziston vetëm një, Parku Kombëtar Danub-Auen në Austri, që mund të konsiderohet një park kombëtar lumor i vërtetë, pasi është i kufizuar në lumin Danub dhe habitatin e tij bregdetar. Por, ai park mbulon vetëm një pjesë të Danubit, i cili përndryshe është një nga lumenjtë më të modifikuar në Evropë.