"Sikur të pyetesha” – Shefkije Islamaj.
- Revista Prestige
- Jun 22
- 4 min read

"Sikur të pyetesha” – Shefkije Islamaj.
Poezia “Sikur të pyetesha” është një himn i dashurisë për jetën, vendlindjen dhe familjen. Autorja ndërton një reflektim të thellë mbi ekzistencën, duke pyetur veten nëse do të zgjidhte përsëri të njëjtën jetë po t’i jepej mundësia. Përmes përshkrimeve të pasura të natyrës, tokës, qiellit dhe cikleve të jetës, ajo shpreh lidhjen e pandashme me botën ku u rrit. Vargjet mbartin nostalgji të ngrohtë për fshatin, shtëpinë e fëmijërisë dhe traditat familjare. Në qendër të poezisë qëndrojnë prindërit, të cilët paraqiten si burimi i dashurisë, edukimit dhe sakrificës. Gjuha është e pasur me figura poetike dhe detaje etnografike që i japin autenticitet dhe emocion. Përsëritja e pyetjes “po të lindja sot?” forcon karakterin meditativ të krijimit. Në fund, përgjigjja e autores është e qartë: ajo do ta zgjidhte sërish të njëjtën jetë, me të njëjtat rrënjë dhe të njëjtët njerëz. Poezia është një dëshmi e fuqishme e mirënjohjes, identitetit dhe dashurisë së përjetshme për origjinën.
Poezi nga shefkije islamaj
Nje koment 10 rreshte
SIKUR TË PYETESHA
Sikur të pyetesha
nëse do të zgjidhja prapë
këtë timen jetë,
këtë ajër e këtë frymëmarrje,
sa të thellë aq të lehtë,
të shkruar a të parashkruar,
diku e dikur,
kushedi se kur,
nën këtë kupë qielli
mbushur kaltërsi e dritë dielli,
të shtrirë në të pafundmin
horizont e hapësirë
të gjerë e të lirë,
të veshur me re
të bardha e ngjyrë gri,
që reshin pikla
e rrebeshe shi,
breshër e borë,
murrlan e stuhi,
në kohë e pakohë,
si dje e si mot,
po të lindja sot?
Sikur të pyetesha
nëse do të zgjidhja prapë
këtë diell të zjarrtë
që lind e perëndon,
dritëson e verbon,
ngroh e përvëlon,
jep e merr jetë,
dhe këtë hënë
ndriçuese e mashtruese,
që dritën e diellit
vjedh ditën
e natën ia fal tokës
e qiellit,
rrethuar me yje
dritëshkëlqyese,
që lindin e shuhen,
vallëzojnë e ndrisin,
befas shkëputen,
qëllimshëm, kot,
po të lindja sot?
Sikur të pyetesha
nëse do të zgjidhja prapë
këtë tokë fushore
e kodrinore,
shkëmbore e ranore,
të shkriftë e të butë,
shterpë e pjellore,
që thahet e përthahet,
e prapë gjallësohet,
që jep e merr jetë,
dhe këta lumenj
të turbullt e të kthjellët,
që rrjedhin bjeshkëve
turrshëm e gjarpërueshëm
luginave e
tokave të bukës,
që ujisin e freskojnë
fushë e vërri,
çmenden e vërshojnë,
shtëpi e katandi
e prapë qetësohen,
qetas zbuten e tërhiqen
në të tyrin shtrat e kufi,
pa pyetur mua, as ty,
si t’ishin zemëruar
keq e fort,
po të lindja sot?
Sikur të pyetesha
nëse do të zgjidhja prapë
të lindja në atë fshat kodrinor,
që shtrihet shpat më shpat,
pa përroskë, jaz, lumë e shtrat,
që dielli e pushton
anëpëranë,
që gruri i piqet në natë
me yje e gjysmëhanë,
në atë të voglën shtëpizë
përdhese, ngjitur për toke
si të ishte kërthizë,
ngritur në truall të pjerrët,
përballë kullës së gurtë
e shtatlartë,
ndërtuar me mjeshtëri
nga duart e plasaritura
e gishtagjatë të tim gjyshi
e stërgjyshi,
me mure të forta e çati
rrasash të lëmuara me butësi,
me oxhaqe e frëngji,
ku s’të ndalej zjarri i oxhakut,
as sofra e konakut,
në dimër me acari e duhi,
në verë me vapë e puhi,
në odën derëhapur
shtruar me kashtë,
mbuluar me qilima e sixhade
për mysafirë,
udhëtarë e shtegtarë,
ku lindte fjala e urtë,
e ashpër, e nxehtë
ku gatuhej mendimi i fshehtë,
që merrte formën e rrotullave,
ku mbështillej duhani
e tymi shkonte fjollë,
ku pihej kafja sade
e ndihej era në oborr,
që prej kohësh
s’i gjen më dot,
po të lindja sot?
Sikur të pyetesha
nëse do të zgjidhja
të dilja në dritë
e të shkëputesha
nga ani e kërthiza amë
në atë dhomë të vogël
dritëpake,
me mure të holla,
zbardh me gëlqere,
mbushur me erë ftoi
e mokthi varur në mur,
në dritë llambe me vajgur,
me një dorë ashkla,
që kërcisnin mes tre gurësh
oxhaku të nxirë sterrë,
në atë shtrat druri,
mbi të leshtën shtrojë,
sjellë me pajën nusërore
ku lëshova zërin e parë
tepër të hollë,
në çarçaf veku të bardhë
me bojë alli e të verdhë ar,
mbështjellë me vnela
endur nga duart valë
me të ngrohtat fjalë,
nga imja shenjtorja nënë,
që jetën m’ka falë,
në muzg, në një të hënë,
hëna e re ende pa dalë,
në një fundtetor,
që po mbyllte kokëkërrusur
bereqetin e hollë vjeshtor,
po të lindja sot?
Sikur të pyetesha
nëse do të zgjidhja prapë
prindërit e mi,
që moti të ndjerë,
që më kanë ngjizur
me aq dashuri
në të tyren rini,
të parën ndër shtatë fëmijë,
të babës e nënës,
që prehen qetas
pranë njëri-tjetrit
majë kodrinës,
nën hijet e dendura
të lisave të moçëm
shtatlartë,
që shpërndajnë fllad
e era tund e përkund
kurorat e tyre dimër e verë,
qëkur e përherë,
ah, prindërit e mi,
të pashoqët e mi,
të dhembshurit e mi,
të fortët e të ashprit,
mendjelartët,
që flisnin më shumë
me heshtjen se me fjalën,
që qortonin me shumë
me sy se me thuprat,
që s’njihnin hatërmbetjen
asnjë ditë,
të gatshëm të jepnin jetën
çdo ditë,
për tonën dritë,
po të lindja sot?
Sikur të pyetesha,
sot e mot
përgjithmonë
do të përgjigjesha:
në këtë jetë,
në këtë rruzull,
në këtë tokë,
nën këtë qiell
në atë dhomëz
e në atë shtëpizë,
sot e përgjithmonë
do të doja të isha e tyre,
e kësaj bote
e kësaj toke,
e këtij qielli
e këtij dielli,
dhe po e këtyre
prindërve të mi,
sot e deri në përjetësi,
dhe nëse do të rilindja
përsëri e përsëri,
do të kisha të njëjtin
mall e përmallim
dhe po këtë të shtrenjtën
të pamatshmen,
timen dashuri,
të kthyer në shenjtëri.
Maj 2026


