top of page

Sopranoja Inva Mula, pianisti Genc Tukiçi dhe violinisti Olen Cesari koncert në “Porto Palermo Festival”

Sopranoja Inva Mula, pianisti Genc Tukiçi dhe violinisti Olen Cesari koncert në “Porto Palermo Festival”






07:33 | 07/08/2024


Sopranoja Inva Mula, pianisti Genc Tukiçi dhe violinisti Olen Cesari koncert në “Porto Palermo Festival”

Nga Julia Vrapi


Tre artistë të mirënjohur, sopranoja Inva Mula, pianisti dhe kompozitori Genc Tukiçi dhe violinisti Olen Cesari dhuruan një koncert të veçantë në “Porto Palermo Festival”. Festivali këtë vit vjen me një program të pasur artistik, që ndërthur muzikën dhe performancat dhe ka pjesë të tij artistë shqiptarë dhe të huaj. Mbrëmja e katërt u përmbyll në kalanë e Ali Pashë Tepelenës me një performancë artistike të papërsëritshme nga sopranoja e mirënjohur Inva Mula, pianisti dhe kompozitori i mirënjohur Genc Tukiçi dhe violinisti virtuoz Olen Cesari në koncertin “Shtigjet e dashurisë”. Më herët për koncertin reagoi dhe pianisti Genc Tukiçi, që publikoi disa momente nga provat. “Sonte për recitalin e Invës “Shtigjet e dashurisë” në Porto Palermo Festival”, shprehej ai.


Nga festivali thuhet se alkimia e tyre në skenë, e kultivuar me vite bashkëpunimi dhe përkushtimi të thellë, i fali publikut një përvojë drithëruese dhe të mbushur me tinguj që prekin shpirtin. “Programi muzikor, mjeshtërisht i përgatitur nga artistët, përfshiu interpretime të këngëve shqiptare dhe të huaja në gjuhë të ndryshme. Siç shprehen edhe vetë artistët, “Muzika nuk ka pasaportë, është ndërkombëtare”, thuhet për koncertin. Një emër i skenave të mëdha botërore, violinisti Olen Cesari ka zgjedhur një monument të trashëgimisë kulturore për festivalin, që ka në vëmendje jo vetëm promovimin e trashëgimisë, por këtë vit dhe mbrojtjen e mjedisit. “Porto Palermo Festival” këtë vit mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe edicioni i katërt i festivalit nisi me një thirrje domethënëse të artit për mjedisin.


Artistët në festival


“Porto Palermo Festival” në edicionin e katërt këtë vit bën bashkë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj. Si në të gjitha edicionet e kaluara edhe drejtuesi i “Porto Palermo Festival” violinisti i njohur Olen Cesari edhe këtë edicion interpreton me violinën e tij për të pranishmit. Festivali këtë vit zhvillohet në 12 mbrëmje për publikun dhe më herët pjesë e këtij edicioni të katërt të Porto Palermo Festival, u bënë artistët Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, pop-artisti i mirënjohur Mattheë Marston, i cili performoi nën shoqërinë e bass-istit shqiptar Ron Gjura, bateristit italian Stefano Corrias.


Më tej festivali vijon me artistët Carlos Paz, Manuela Villa, Dren Abazi, Lavinia Mancusi, Blue Bird Band, Gaz Paja and Friends, etj. Kalaja e Porto Palermos ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshet. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor. Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë. Kalaja e Porto Palermos është një monument i trashëgimisë kulturore e ndërtuar në një gadishull midis Himarës dhe Qeparoit, ku prej disa vitesh është vendi që po zhvillohet dhe festivali muzikor.

0 views
bottom of page