top of page

Vepra e Nelo Drizarit "Spoken and Written Albanian", si një kontribut gjuhësor e historik për mërgatën shqiptare të Amerikës Nga: Sokol Paja

Vepra e Nelo Drizarit "Spoken and Written Albanian", si një kontribut gjuhësor e historik për mërgatën shqiptare të Amerikës


Sokol Paja


Kryevepra studimore e Nelo Drizarit "Spoken and Written Albanian" është ndër kontributet më të vyera publicistike, shkencore, historike e gjuhësore që ish editori i "Diellit" ka lënë trashëgimi për shqiptarët e Amerikës dhe studiuesit e gjuhësisë e historisë kombëtare. Studimi në fjalë trajton përdorimin praktik të gjuhës shqipe, por edhe origjinën, lashtësinë dhe zhvillimin historik të shqipes, duke iu referuar studiuesve dhe albanologëve të huaj ku e paraqet gjuhën shqipe si një pasuri historike, kulturore dhe kombëtare.


Gazetari Nelo Drizari përfaqëson një ndër figurat më të shquara patriotike të mërgatës shqiptare të Amerikës në vitet 30 - 50-të. Gazetari i parë shqiptar i diplomuar për gazetari në Columbia University dhe profesor gazetarie dhe i gjuhës shqipe në këtë universitet, shkrimtar, studiues, gjuhëtar, piktor, romancier, poet, përkthyes e historian, Nelo Drizari ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme publicistike, atdhetare e mediatike.


Plejada e artë kombëtare e shqiptarëve të Amerikës me Sotir Pecin, Fan Nolin, Faik Konicën, Bahri Omarin, Kostë Çekrezin, Refat Gurrazezin, Nelo Drizarin, Qerim Panaritin, Peter Priftin, Athanas Gegajn, Xhevat Kallajxhiun, Eduart Liçon e Arshi Pipën ka krijuar themelet e mendimit kritik, politik, eseistik, gjuhësor e historik të kombit shqiptar. Kolosët e shqiptarizmës me veprintarinë e tyre kombëtare e komunitare dhe me veprat e tyre letrare, historike, kulturore e gjuhësore themeluan ndërgjegjen morale të kombit dhe skalitën shpirtin shqiptar. Ndër ta, një kontributor i spikatur ishte dhe Nelo Drizari.


Libri i tij "Spoken and Written Albanian"shërben si një manual praktik për të mësuar shqipen e folur dhe të shkruar, veçanërisht për studentët, mësuesit, udhëtarët dhe shqiptarët e diasporës duke trajtuar imtësisht lashtësinë dhe zhvillimin e saj ndër shekuj. Gazetari Nelo Drizari mbështetet në librin e tij në studime filologjike, historike dhe arkeologjike për të paraqitur argumentet mbi lashtësinë e gjuhës shqipe. Libri i Profesor Drizarit e lidh gjuhën me vazhdimësinë historike dhe identitetin e shqiptarëve duke përmendur figura të mëdha të kulturës shqiptare, ndër të cilët Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Aleksandër Xhuvani dhe Et'hem Haxhiademi etj.


Libri i Nelo Frizarit "Spoken and Written Albanian" paraqet dëshmi dhe qëndrime të studiuesve të huaj për gjuhën, historinë dhe prejardhjen e shqiptarëve si: J. G. von Hahn, Gustav Meyer, Norbert Jokl, Demetrio Camarda, Giuseppe Schiró, Holger Pedersen, J. D. Bourchier, John Cam Hobhouse, William Martin Leake, Richard Knolles, Mary Edith Durham, Joseph Swire, Jacques de Lavardin, Auguste Dozon, Louis Benloew, Antoine Meillet, George C. Marshall etj.


Ndër veprat kryesore të Nelo Drizarit përmendim: "Fjalor shqip – anglisht dhe anglisht – shqip", “Four Seas to dreamland”, “Xhek London dhe ëndrra e pamundur”, “Kopshti piktoresk i magjepsjes”, “Skenderbeu” etj. Ndërsa trashëgimia publiçistike e tij është e pasqyruar jo vetëm në gazetat dhe revistat shqiptare të Amerikës si “Dielli”, “Përparimi”, “Studenti”, por edhe në gazetat e revistat amerikane si: “The New York Times”, “Boston Globe”, “Brooklyn Eagel Magazine”, “Current History Magazine” etj.


Nelo Drizari ishte editor i Diellit nga maji i vitit 1937, deri në dhjetor 1939, kryetar i degës së Vatrës në New York më 1928, themelues i seksionit shqip te "Zëri i Amerikës", besnik i Mretit Zog, dishepull i Faik Konicës e bashkëpunëtor i Fan Nolit, kryetar i “Lidhja e Studentëve shqiptarë në Amerikë” e me mjaft kontribute të shquara kombëtare e komunitare.


Libri i Nelo Drizarit "Spoken and Written Albanian" për gjuhëtarët e historianët ka një vlerë të veçantë jo vetëm si kontribut intelektual e shkencor por edhe si dokument gjuhësor, historik dhe kombëtar i diasporës shqiptare në Amerikë.


Si editor i Diellit, Nelo Drizari dha një kontribut të madh publicistik e patriotik duke ngritur nivelin e gazetës Dielli, rritur dhe forcuar degët e Vatrës, kultivoi një gazetari si formë ndërgjegjësimi, edukimit kombëtar dhe të vërtetës historike, u fokusua te reportazhet e përkthimet, mbrojti çështjen shqiptare në opinionin amerikan dhe ndërkombëtar, promovoi e kultivoi interesin kombëtar e vlerat shqiptare dhe krijoi një lidhje shpirtërore mes kulturës shqiptare dhe asaj amerikane.


Veprimtaria e Nelo Drizarit është një shërbim i pastër profesional, kulturor e shpirtëror ndaj gjuhës, kulturës dhe çështjes kombëtare.


Sipas letërkëmbimeve e dëshmive të kohës Nelo Drizari u anëtarësua në Federatën “Vatra”, në qershor 1921. Deri në frymën e fundit u përpoq për Vatrën, Diellin e komunitetin shqiptar në Amerikë. Lindi në Drizar të Mallakastrës më 1902 dhe vdiq në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 1978. Karriera, veprimtaria dhe trashëgimia e çmuar e Nelo Drizarit frymëzojnë përjetë e mot breza patriotësh, studiuesish, gazetarësh e shqiptarësh. Emri i tij është i përjetshëm në plejadën e artë të kombit tonë.


Gazeta Dielli.Sokol Paja

 
 

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

© Revista Prestige 2023 - 2026

  • Facebook
  • Instagram
  • Pinterest
  • Twitter
  • LinkedIn
  • Whatsapp
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • Pinterest
bottom of page