top of page

Violeta Kongo: Gazetarja, poetja dhe piktorja e talentuar, që shpreh botën e saj mes tingullit të ngjyrës.

  • Jan 29
  • 5 min read






Gazetarja, poetja dhe piktorja e talentuar, që shpreh botën e saj mes tingullit të ngjyrës

Portreti i artistes

Violeta Kongo është një nga figurat e dalluara të artit shqiptar bashkëkohor, e njohur si “Zonja e Shpirtit mbi Mëndafsh”, për aftësinë e saj të veçantë për të kthyer çdo pëlhurë mëndafshi në një univers të ndjeshëm dhe të meditueshëm. E lindur në Korçën e artit dhe kulturës, rruga e saj artistike u bë një udhëtim i brendshëm, ku çdo fjalë, ngjyrë dhe çdo lëvizje peneli është një reflektim i emocioneve dhe perceptimeve të tingullit të shpirtit. Violeta erdhi nga një mjedis ku fjala dhe ritmi i jetës përbënin shkollën e parë të perceptimit. Para se të përqendrohej në artin e pikturës, ajo ndërtoi bazat e saj profesionale si gazetare, duke punuar për dekada në Radio Televizionin Shqiptar, ku punoi edhe si folëse dhe drejtuese emisionesh. Ky dialog i hershëm me fjalën dhe ritmin e kohës e ndihmoi për t'i dhënë këtyre të fundit edhe një sens të brendshëm në harmoni me formën dhe ngjyrën, që sot buron në çdo pikturë të saj. Çdo ngjyrë është si një fjalë e fshehur, çdo linjë si një frymëmarrje e shpirtit.

Në një nga intervistat e saj ajo tregon se dashuria për pikturën nuk ka një datë lindjeje. Sepse që fëmijë e mban mend veten të humbiste përpara çdo pikture, të ndiente një dëshirë të pakontrollueshme për të vizatuar, të merrte lapsat për të zhgaravitur dhe eksperimentuar. Herë kënaqej dhe i ruante vizatimet si sende të çmuara, herë i griste e zhgënjyer. Ky pasion nuk e braktisi kurrë, megjithëse jeta i shtroi alternativa që shpesh nuk përputheshin me dashurinë e saj të vërtetë, siç ishte piktura.

Që adoleshente, Violeta filloi të punonte si folëse në Radio Tirana dhe Televizionin Shqiptar (RTSH). Paralelisht, ndoqi studimet për gjuhë-letërsi shqipe. Pas përfundimit të shkollës, vazhdoi të punojë në RTSH si gazetare, folëse, dhe drejtuese emisionesh. Ky institucion i artit dhe kulturës i shërbeu edhe si shkollë e madhe për të kuptuar rregullat e imazhit, formës dhe ngjyrës. Më pas, ajo drejtoi Teatrin Kombëtar të Kukullave, ku përvoja me skenografitë, modelet e kukullave dhe kostumet e afroi çdo ditë e më shumë me pikturën. Ajo gjithmonë mendonte se sapo të kishte pak kohë, gjëja e parë që do të bënte do të ishte blerja e bojërave dhe penelave. Violeta tregon se ngarkesa e madhe në punë si gazetare dhe redaktore në media të ndryshme, angazhimi familjar si nënë e dy djemve, po e mbante përkohësisht larg pikturës.

Por do të vinte një ditë që kohën do ta kish me tepri: Ishte koha e depresionit të madh të shqiptarëve. Bij që iknin nga sytë këmbët!...Mes tyre, edhe bijtë e saj! Qetësinë e shpirtit do ta gjente te piktura. Ngjyrat do të ishin streha e saj, shpëtimi i saj. Ndaj iu dha me mish e shpirt artit të pikturës. Piktura u bë për Violetën shoqëruese, duke i rikthyer jetën dhe frymëmarrjen. Piktura e saj e parë në vaj, realizuar në vitin 1997, është silueta e të birit, me një çantë në krah, i nisur diku mes qiellit dhe detit. Nuk dihet se ku. Kjo pikturë është e veçantë për Violetën, jo thjesht për vlerat piktorike, por sepse i duket sikur e ka pikturuar me lot. Që nga ky çast, ajo vendosi t’i kushtohej seriozisht pikturës. Ta kthejë pikturën nga pasion në profesion. Mjeshtri i penelit Adrian Devolli do të jetë shkolla e saj e pikturës. Ky artist e udhëhoqi në rritjen artistike, duke ia respektuar individualitetin e spikatur artistik. Janë bërë më shumë se njëzet e pesë vjet që piktura është kthyer në frymëmarrje për Violetën.

“Të udhëtosh me pikturën do të thotë të përjetosh një mori të pafund emocionesh, të jetosh me ankthin për t'u takuar dhe lidhur me diçka hyjnore, që lëviz mes frikës dhe guximit, duke përqafuar të panjohurën dhe duke respektuar intuitën. Eshtë një rrugëtim drejt një bote ku çdo gjë është e mundur. Në këtë rrugëtim jeta ime ka rifituar rregullin e vet.” - Kështu do të shkruante ajo në banerin e një prej ekspozitave personale në vitin 2017.

Nga biseda me të mësojmë se ngjyra është instinkt. Para fillimit të çdo vepre, është ngjyra që e udhëheq, është ajo që e ngazëllen. Mjeshtri Devolli do të shkruante në një nga albumet e saj: “Tek kundron tablotë e Violetës kupton se kemi të bëjmë me një pikturë të emocionit të fortë dhe të çastit, por njëkohësisht të mbajtur dhe përpunuar gjatë brenda një kuadrati, ku zgjidhen dy gjëra esenciale, siç është disonanca maksimale dhe, brenda kësaj disonance, harmonia dhe ekuilibri i ngjyrës.”

Violeta tregon se kur fillon të punojë, zakonisht nis me një ide, por gjatë procesit gjithçka mund të ndryshojë: forma, imazhi, vetë ideja. Shpesh i nënshtrohet emocionit të çastit dhe parandjenjës, e cila shërben si shenjë paralajmëruese për sfidat e jetës. Në veprat e saj mbi kanavacë vërehet shpesh një lloj zymtësie që, sipas saj, janë reflektim i jetës së pasigurt, plot pikëpyetje, dhimbje dhe vendime të gabuara. Gjë që mund të injektojë një lloj deprimimi, por pikërisht, loja me ngjyrën e nxjerr jashtë kësaj gjendjeje duke kriuar një dialog me shprtin. Botën e saj artistike nuk e përkufizon lehtë me fjalë; ajo është gjithmonë në kërkim të diçkaje që nuk mund ta emërtojë, por që dëshiron të jetë kumbuese. Për këtë arsye, ajo iu dha me mish e shpirt pikturës dhe shpesh i bashkangjit edhe fjalën dhe poezinë, duke krijuar një tjetër mënyrë komunikimi. Pasi edhe poezia është një tjetër dashuri e hershme e saj.

Ekspozita dhe prezantime artistike në vite:

• “Soul on Silk” — Strasbourg, Pallati i Europës (2019), është ekspozita ndërkombëtare, që shënoi ngjarjen më të rëndësishme të veprimtarisë artistike të Violetës, e cila do të fillonte të komunikonte me publikun në vitin 2013:

• "Kjo jam unë", Ekspozitë personale në teknika të ndryshme.

• "Akuarel mbi mëndafsh" në Muzeun Kombëtar, viti 2015, e para ekspozitë e kësaj materjeje në vendin tonë.

• "Notturno", viti 2017, në teknika të ndryshme.

Pjesëmarrëse në ekspozita të tjera kombëtare si kontribuese:

• "Berat 2012"

• "Portret"(Tiranë 2013)

• "Dy paleta" (Tiranë 2018)

Ajo është anëtare e grupimit artistik MURI, i krijuar para gjashtë vjetësh me pjesëmarrjen e disa artistëve të mirënjohur, grupim i cili ka performuar në disa qytete të vendit si: Tiranë, Vlorë, Berat, Fier.

Violeta Kongo është jo vetëm piktore, por një artiste që fton kundruesin ta ndjejë veprën si një realitet të përjetshëm dhe të brendshëm. Vlera e artit të saj është lidhja e ngushtë që krijon me kundruesin nëpërmjet mesazhit. Stili i Violetës është një filozofi vizuale, ku mediumi dhe emocionet ndërthuren si meloditë e një poezie:

Mëndafshi është sfondi delikat ku rrjedhin ngjyrat si lumë i qetë, duke krijuar një ndjesi pa kohë.

Kontrasti i ngjyrave të ngrohta dhe të buta fton shikuesin të përjetojë jo vetëm pamjen, por dhe ndjenjën.

Teknika e veçantë e pikave dhe lëvizjeve të lehta të penelit prodhon një energji të brendshme që pulson në çdo sipërfaqe.

Secila prej këtyre punimeve është një reflektim i jetës së brendshme, një urë midis shpirtit të artistes dhe botës së jashtme.

Në çdo ekspozitë, mëndafshi nuk është thjesht material, por horizont meditativ për shpirtin.

Arti i Violetës vlerësohet për ndikimin e tij emocional, për ndjeshmërinë dhe mënyrën se si shikuesi ndjen çdo vepër si një realitet të brendshëm.

Suksesi dhe kenaqësia me e madhe e saj është rezonanca që krijon te secili që përjeton artin: një përvojë e ndritur e një bote shpirtërisht të bukur...




Violeta Kongo është nje Piktore shqiptare


 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page