top of page

Gjergj Fishta për nje Gjuhë te perbashket Shqipe. Shkëputur nga monografia dyvëllimshe “Gjergj Fishta" Prof.Shefkije Islamaj



ree

Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Gjergj Fishta (23.10.1871-30.12.1940)


Shefkije Islamaj


GJERGJ FISHTA PËR NJË GJUHË TË PËRBASHKËT SHQIPE

(Shkëputur nga monografia dyvëllimshe “Gjergj Fishta- Gjuha dhe stili I, IA, Prishtinë, 2012, f. 77-87)


Fillimi i shekullit XX shqiptarët i gjeti pa shtet, pa gjuhë të përbashkët e pa alfabet të përbashkët. Është koha e përthyerjeve të mëdha në tokat shqiptare. Krijimi i shtetit shqiptar më 1912 shtroi një varg çështjesh që lidheshin me funksionimin e shtetit të ri. Njëra ndër to qe nevoja për një gjuhë të përbashkët në shkallë kombëtare.

Çështja e gjuhës kombëtare nuk ishte vetëm një çështje simbolike, po ishte, sidomos, edhe çështje praktike, duke pasur parasysh nevojat e shtuara komunikuese që shtronte funksionimi i shtetit të ri shqiptar. Katër vjet para shpalljes së pavarësisë Kongresi i Manastirit zgjidhi problemin e alfabetit, në të vërtetë i bashkoi shqiptarët në një rrafsh shumë të rëndësishëm - të shkrimit të njësuar të shqipes, me çka çeli rrugë edhe për njësime të tjera, në radhë të parë për çështje të rëndësishme të gjuhës e të njësimit të saj.

Ngjarjet e dhjetëvjetëshit të dytë të shekullit XX do të forcojnë proceset e natyrshme konvergjuese gjuhësore. Shtysa që dha Kongresi i Alfabetit do të kurorëzohet me themelimin e me veprimtarinë e Komisisë Letrare të Shkodrës 1916-18 dhe me mbajtjen e Kongresit Arsimor të Lushnjës 1920, dy ngjarje këto të rëndësishme në hullinë e shumë përpjekjeve të ndërgjegjshme të shkrimtarëve e të intelektualëve të kohës për gjuhën shqipe.

Në të gjitha veprimtaritë para e gjatë tre-katër dhjetëvjetëshave të parë të shekulli XX, kur shoqëria shqiptare po jetonte një zhvillim të ndjeshëm, Gjergj Fishta ishte gjithnjë i pranishëm, në të vërtetë ai bëhet shumë ndikues në këto procese. Si delegat në Kongresin e Manastirit 1908 dhe si kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të shqipes, themelues e drejtues i revistës “Hylli i dritës” 1913, botues i gazetës “Posta e Shqypniës,” bashkëthemelues i Komisisë Letrare të Shkodrës 1916-1918, Gjergj Fishta zhvilloi veprimtari të gjerë praktike në shërbim të mbrojtjes e të lëvrimit të gjuhës shqipe. Duke ndjekur traditën e shkrimtarëve të Rilindjes, ai do të punojë me përkushtimin prej atdhetari të madh për ta çuar më tej punën e nisur prej tyre në fushë të gjuhës. Veprimtaria e tij në këtë fushë do të fillojë që më 1899 me themelimin e Shoqërisë letrare “Bashkimi”, qëllimi i së cilës ishte pikërisht ndërgjegjësimi i popullit për çështje të rëndësishme kombëtare, duke përfshirë këtu në rend të parë çështjen e gjuhës, të shkollës shqipe dhe botimin e librave shqip.

Si romantik i vonshëm ose si romantik realist, siç quhet nga disa studiues të letërsisë, Gjergj Fishta ndien me shumë për¬gjegjësi misionin e shkrimtarit kombëtar, “misionin e pionierit të lirisë, misionin e edukuesit politik, të apostullit, shpeshherë edhe rolin e politikanit” – do të thoshte më mirë e më saktë Eqrem Çabej për rolin e shkrimtarëve në periudhën e Rilindjes.(1) Dhe këtë mision Fishta përpiqet ta kryejë sa më mirë edhe në fushën e gjuhës, sepse, thotë ai, “ma i kjarti shej i kombsis asht njisija e gjuhës.”(2) E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe, në përgjithësi, veprimtaria e tij kombëtare do ta dëshmojë këtë.

Përcaktimi një gjuhë letrare për një komb gjithmonë ka paraqitur dhe paraqet çështje të vështirë e të ndërlikuar për t’u zgjidhur. Kjo ka qenë e vështirë edhe për shqiptarët. Faktorët jashtëgjuhësorë gjithmonë kanë luajtur e vijojnë të luajnë rol pothuajse vendimtar. Ndikimi i faktorëve politikë për zgjidhje të qëndrueshme gjuhësore, për rrethanat e fillimshekullit XX, ishte i pamundur, me gjithë ndërgjegjësimin e lartë, sidomos ndër intelektualët, se shqiptarëve u duhet një gjuhë e përbashkët shkrimi, se çështja e gjuhës së përbashkët dhe çështjet praktike gjuhësore ishin ndër detyrat më të ngutshme të kulturës shqiptare.

Ndërkaq dihet që, në kohën kur në hapësirën shqiptare shquhen qartë idetë për bashkimin kombëtar dhe për gjuhën e përbashkët letrare, në të vërtetë kur shquhen përpjekjet e ndërgjegjshme për krijimin e një gjuhe letrare, shumë gjuhë evropiane - frëngjishtja, gjermanishtja, spanjishtja, italishtja e të tjera, tashmë kishin një moshë të madhe standardizimi. Në gjendjen e ndërlikuar të çështjes së gjuhës letrare, që ka mbizotëruar në hapësirën e gjerë gjuhësore të shqipes, Shkodrës i përket një vend i veçantë. Shikuar historikisht, gegërishtja ishte bërë gjuhë e shkrimit në trojet veriore shqiptare, sikundër toskërishtja në pjesën jugore. Në të vërtetë “diglosia” ishte karakteristika kryesore e gjendjes gjuhësore në hapësirën shqiptare deri afërsisht në gjysmën e shekullit XX. Procesi historik ka ecur në të mirë të konvergjencës gjuhësore, që kishte pikëmbështetje të fortë gjuhën popullore.

Siç u pa pak më vonë, puna për krijimin e alfabetit doli më e thjeshtë dhe më e lehtë sesa puna për krijimin e një gjuhe të përbashkët, rrjedhimisht edhe çështja e pranimit të një zgjidhjeje të mundshme. Kjo është e kuptueshme: çështja e alfabetit është çështje teknike dhe zgjidhjet janë më lehtë të pranueshme, ndërkaq çështjet e gjuhës janë më të ndërlikuara, kjo vërtetohet pothuajse gjatë krijimit të çdo gjuhe letrare.

Tërësia gjuhësore, siç dihet, është krijim i përbërë, që përfshin shprehjen letrare e dialektet, por edhe sociolektet. Meqë gjuha nuk është krijim homogjen, ajo nuk mund të shfaqet si tërësi e njësuar. Teoria gjuhësore, prandaj, dallon larminë horizontale, të kushtëzuar nga faktet gjeografike, etnografike e politike, nga llojllojshmëria vertikale, ku përfshihet diferencimi midis grupeve të folësve në hapësirën e njëjtë, si edhe përcaktuesit relevantë sociologjikë që kushtëzojnë këtë larmi e këtë llojllojshmëri. Më tej, është pranuar nga teoria gjuhësore se sociolektet, rrjedhojë e shtresëzimit horizontal e vertikal, janë të gërshetuara ndërmjet tyre, prandaj gjuhën e individit e të mjedisit e bëjnë të shtresëzuar, të dalluar dhe të përbërë. Përbërshmëria e kësaj çështjeje del posaçërisht në rastin e shqipes, jo për çështjet thjesht gjuhësore, por më parë për arsye të kontekstit historiko-shoqëror nëpër të cilin ka kaluar populli shqiptar.

Me gjithë vështirësitë, me gjithë kontekstin e përbërë historiko-shoqëror e socio-gjuhësor, shumica e lëvruesve të gjuhës shqipe të kohës, përfshirë këtu edhe Gjergj Fishtën, janë pajtuar për çështjen themeltare: shqiptarët duhet të kenë një gjuhë kombëtare dhe gjuha popullore duhet të jetë baza e gjuhës së përbashkët kombëtare. Në regjistrin e protokollit (3) të Komisisë Letrare të Shkodrës, më 11.12.1916, shkruan: “Zoti Atë Fishta thotë se të mbajturit e dy dialekteve mbas mendimit të zotit Kryetar (dr. Gjergj Pekmezi – Sh. Islamaj) vjen në kundërshtim me dishirin e Korpuskomandës e detyrës që kemi prej Statusit se ku janë dy d.m.th. qi nuk asht nji, prandaj kërkon se jo m’u marrë nji dialekt për bazë jose me përba nji gjuhë tuej e trajtue prej të gjith dialekteve.”(4)

Komisia Letrare e Shkodrës, me përpjekjen e një numri të madh intelektualësh të kohës, i dha rrugë të drejtë kësaj çështjeje. Pas shumë mbledhjesh, diskutimesh, debatesh, në të cilat mori pjesë aktivisht edhe Gjergj Fishta, elbasanishtja, si varianti më përafrues ndërmjet dy kryedialekteve të shqipes, u pranua si gjuhë letrare për shqiptarët. Me gjithë dallimet në pikëpamjet, kjo zgjidhje u duk më objektivja. Gjergj Fishta pati shprehur rezerva të mëdha. Pikëpamjet e tij për krijimin e gjuhës së përbashkët ishin të tjera. Për rrugën që duhej ndjekur në këtë proces, ai do të shkruante: “Afrimi ka për të qenë ma i plotë n’at gjuhë njite që andrrojnë disa, por ma kadalë, ma natyrshëm, ma me dobi tue u shkri në nji pasuni të përgjithshme pasunitë e veçanta, pa hupë asgja.”(5) Me gjithë mospajtimin, ai u pajtua me zgjidhjen e Komisisë. Mospajtimi i tij në fillim kishte arsyetim mungesën e një letërsie të zhvilluar në këtë dialekt. Pas arsyetimit të bërë në njërën prej mbledhjeve të para të Komisisë, se Konstandin Kristoforidhi është një përfaqësues i denjë i kësaj të folmeje, Gjergj Fishta ndërroi mendim: “Zoti Atë Fishta thotë se për në pastë dialekti i Elbasanit nji literaturë asht gadi të bashkohet me këtë mendim edhe tuej i paraqitun Zoti Gurakuqi shkrimet e Kristoforidhit atëherë Zoti Fishta pëlqeu plotësisht qi të merret për bazë dialekti i Elbasanit për gjuhë shkrimi.” (6)

Megjithatë, koha dëshmoi se Gjergj Fishta vijoi të kishte rezerva ndaj zgjidhjes që solli Komisia Letrare e Shkodrës. Në të vërtetë ai e braktisi atë vendim. Nga studiues të formimit të gjuhës letrare shqipe, për këtë arsye, Fishta është gjykuar shpesh si kundërshtar i njësimit gjuhësor të shqiptarëve. Por, a mund të quhet i tillë ai, kjo është një çështje që vijon të sillet në shkrimet tona gjuhësore. Duke e parë gjithanshëm veprimtarinë e tij gjuhësore, letrare e politike, megjithatë mbetet pyetja: si mund të shpjegohet mospërfillja që shprehu ai ndaj zgjidhjes gjuhësore të pranuar në Komisi, anëtar shumë aktiv i së cilës ishte? A mund të gjendet një shpjegim që do të sqaronte qëndrimin e tij mospërfillës ndaj elbasanishtes?

Me gjithë pranimin e vendimit të Komisisë që elbasanishtja të merrej si bazë e gjuhës së përbashkët letrare, u duk qartë se Gjergj Fishta do të shkelte vendimin e Komisisë dhe pranimin e tij. Ai vijoi të shkruante në të folmen veriperëndimore, por me një përpjekje për zgjerim të ndjeshëm të kufijve gjuhësorë të gegërishtes veriperëndimore, për të cilën ai, bashkë me shoqërinë “Bashkimi” e shoqërinë “Agimi”, u angazhua shumë që të fitonte si gjuhë e shkrimit në rrafsh kombëtar, duke arsyetuar sidomos me “filozofinë e estetikën” e saj dhe me trashëgiminë e pasur shkrimore të saj në shekujt pararendës, që nga botimi i librit të parë shqip e deri asokohe. Sipas tij, “hijeshija, njomsija, fjeshtsija, eleganca dhe përshtatsija” janë kriteret që duhet të merren për themel gjatë krijimit të një gjuhe letrare, duke qenë i bindur se të gjitha këto i ka gegërishtja veriperëndimore dhe si e tillë e meriton statusin e një gjuhe të përbashkët kombëtare. Edhe në diskutimet në Komisi për elbasanishten ai këmbëngulte në këtë parim: “Zoti Atë Fishta lypë qi përpara të caktohet puna d.m.th. pelqimi i dialektit t’Elbasanit si për bazë, se në fund baza e vërtetë e gjith’ e cilës gjuhë asht filozofija e estetika.” (7) Ndër shkrimet publicistike shquhen pikëpamjet e tij për “estetikën e gjuhës”, në të vërtetë e gjithë vepra artistike dëshmon se estetika gjuhësore zë vend qendror si në krijimtarinë e tij letrare ashtu edhe në pikëpamjet për gjuhën letrare.

Lidhur me normimin e kodifikimin e një standardi gjuhësor, Gjergj Fishta kërkonte patjetër mbështetjen e fortë në dialektet e ligjërimin popullor, por natyrisht kërkonte rregullsi e rreptësi për normën drejtshkrimore. Përcaktimi për gegërishten veriperëndimore sipas tij kishte shumë epërsi. Si gjedhe këshillonte letërsinë e shkruar, po sidomos letërsinë folklorike, sepse ajo e vetmja kishte ruajtur vijimësinë e krijimit në ligjërimin popullor dhe kishte pasur përherë prestigjin e duhur: “Edhe populli shqiptar, si t’gjith popujt tjerë, e ka ndi në vedi fuqin e pushtetin e fjalës, e prandej asht orvatë me e zhvillue e me hijeshue sa ma fort t’amblen gjuhën e vet kombtare. Kta e dishmon jo vetëm “folklora” e tij, qi asht ndër ma të bukurat e t’interesantshmet e Europës, por edhe monumentat letrarë qi të bijt e ktij populli kanë prodhue, e për të cillt ktu duem të bisedojm.” (8)

Përcaktimi që të folmet popullore duhet të përbëjnë bazën e gjuhës letrare për kushtet ekzistuese ka parakuptuar dy mundësi: që nga dialektet, si baza materiale gjuhësore, të krijohet standardi kombëtar ose standardi regjional. Gjergj Fishta parimisht është përpjekur për një gjuhë të përbashkët kombëtare për të gjithë shqiptarët, por në praktikë ka punuar që kjo gjuhë patjetër të jetë gjuha më e afërt dhe më e njohur për të – të jetë në të vërtetë gegërishtja veriperëndimore. Duke pranuar vetëm verbalisht zgjidhjen që dha Komisia Letrare e Shkodrës, ai dëshmoi se nuk ishte i gatshëm për “kompromise”, nuk ishte i gatshëm të braktiste dialektin e vet, në të vërtetë të folmen e vet. Në veprën letrare e publicistike gjuha e tij nuk është dialekti i përgjithshëm verior, po më shpesh një e folme shumë më e ngushtë. A mund të thuhet për këtë arsye se Gjergj Fishta ishte regjionalist, madje lokalist? Veprimtaria e tij në të mirë të gjuhës shqipe në përgjithësi, puna për krijimin e një alfabeti të përbashkët, ndihmesa brenda Komisisë, qëndrimet e shprehura në shkrimet publicistike për një gjuhë të përbashkët, debatet në organet e shtypit që drejtonte ai, provojnë të kundërtën. Atëherë si të shpjegohet “refuzimi” në praktikë i vendimeve të Komisisë Letrare të Shkodrës? A mund të kërkohen arsyet tjetërkund? A mund të thuhet se ishte kontradiktor në qëndrimet dhe veprimet?

Si krijues me ndjenjë tejet të zhvilluar artistike e gjuhësore, si krijues i ngritur mbi themelet e krijimeve popullore, ai ishte i bindur se letërsia që krijonte nuk mund të kishte atdhe tjetër gjuhësor pos të folmeve veriperëndimore. Por, a mund të ishin motivet e këtij “refuzimi” motive thjesht krijuese, motive subjektive? Në këtë paragjykim mund të mbështeten edhe pikëpamje që i kemi lexuar e i kemi dëgjuar shpesh se “Lahuta e Malcis” nuk do të ishte kjo që është, po të mos shkruhej në gjuhën që është shkruar, në të vërtetë në dialektin. Për të vërtetuar pohimin tonë po sjellim një mendim të Gjergj Fishtës të shprehur në shkrimin me titull "Mbi gjuhë letrare të shtetit”: (9) “Edhe Dante Alighieri kur vuni dorë të shkruej veprën e padekshme të veten “La Divina Commedia”, mendoi me e shkrue në nji gjuhë të trajtuese prej katermdhetë dialektesh që njihte Italija aso kohe; me gjith kta vepra ngalliti e shkrueme në dialektin e Toskanës – në gjuhë t’auktorit. Merret vesht prej vedit se nji poet hyner, si Dante Alighier, nuk do të kishte mujtë me krijue vepren ma të madhnueshme qi m’je m’sod ke perftue mendja e nierit në nji gjuhë qi kurrkush s’e flitte, as kush folë s’e kishte kurr mbi kët botë. Kah pra mund të pritej se shi na – ashtu: m’kamë e në dorë, e ... si jemi na – do të krijojshim nji gjuhë të re; e se e mira e vendit e lypte qi shi kjo gjuhë të përdorej për gjuhë letrare në Shqypni! Mirë, po vendimi u muer, e çmimet e caktueme prej shtetit për auktorë ase edhe për vepra të tyne u dhanë vetëm njatyne qi shkruejshin në gjuhë letrare të re, e jo atyne që shkruejshin shqyp. E kështu ngeli hovi e aktivitetit letrar të vërtetë në Shqypni.” (10)

Në vijim po e plotësojmë mendimin tonë të shprehur më lart edhe me një të dhënë tjetër. Siç është theksuar, krijimtaria artistike e Gjergj Fishtës ka mbështetje të fortë folklorin gojor, ndërsa “Lahuta e Malcis” është mbështetur kryekëput te krijimet epike dhe, në përgjithësi, te gjedhet gjuhësore të folklorit, duke shfrytëzuar këtu jo vetëm leksikun, dialektizmat e krahinorizmat, por edhe format e ligjërimit me elementet përbërëse të rrafshit të përmbajtjes, të subjektit, të figurave, të fjalës, të kuptimit dhe, përgjithësisht, format e mjetet e ligjërimit popullor. Si e tillë kjo krijimtari mund të mendohet se do ta kishte më të vështirë ta ndërronte “atdheun gjuhësor”, në të vërtetë “të kornizohej” me ligje e rregulla drejtshkrimore. Në të mirë të këtij pohimi po sjellim mendimin e dialektologes së njohur Agnia Desnickaja: “Çështja e koinesë veriore përputhet me çështjen e koinesë epike. Mund të thuhet që këto janë dy faqe të një problemi.” (11) Ndërkaq, dihet se koineja epike kishte normën e saj dhe vështirë pranonte norma të tjera pa pësuar lëkundje, që do të prishnin më së paku rendin e strukturën e saj. Norma e koinesë epike, edhe në kohën e Fishtës, për shumë arsye që lidhen me kontekstin historik e shoqëror, vijonte të kishte qëndrueshmëri të madhe; kjo siguronte ruajtjen e saj edhe për një kohë. “Trajtat e koinesë epike, vijon Agnia Desnickaja, kanë ruajtur autoritetin e tyre normativ në tërësinë e viseve përtej Drinit gjatë disa shekujve, duke përfshirë edhe qytetin e Shkodrës me rrethe.”(12) Nëse pranojmë atë që thamë më lart, del vetvetiu se Gjergj Fishta nuk mund t’i lejonte vetes të bëhej rrënues i këtij prestigji shoqëror të përcjellë përgjatë shekujve, sidomos jo duke pasur parasysh veten klerik, shkrimtar, misionar, por sidomos malësor.

Por, a mund të argumentohet kështu qëndrimi i Gjergj Fishtës ndaj zgjidhjes gjuhësore të Komisisë? Sigurisht jo. Po ta pranonim një qëndrim të tillë, si do të shpjegohej që aq artistikisht flasin shqip Homeri, Virgjili, Horaci, Epi i Gilgameshit, Shekspiri e deri veprat letrare më të reja të gjuhëve botërore, ndërsa dihet se mospranimi i elbasanishtes nga ana e tij nuk rrok vetëm "Lahutën", por edhe shkrimet e tjera letrare, si edhe ato publicistike?

Prirja që edhe vetë prestigji i koinesë veriore të zgjeronte kufijtë jashtë viseve malore, duke fituar rëndësi shoqërore në territor sa më të gjerë, është më se e dukshme. Kjo shihet qartë edhe në përpjekjet e ndërgjegjshme të Gjergj Fishtës, si në veprën letrare, ashtu edhe në veprimtarinë shoqërore, që t’i sigurojë asaj vijimësinë e këtij prestigji a të kësaj rëndësie shoqërore. Ai do të glorifikojë shpesh gjuhën e pararendësve të tij, të Pjetër Budit, të Pjetër Bogdanit e të shkrimtarëve të tjerë të traditës letrare veriore. Për veprën e Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetvet” ai thotë: “Në kët veper të ma të madhit shkrimtarit t’onë të bindë jo vetëm naltsija e argumentit e hapsija e dijes e e njoftimevet të tija, po edhe pastrija e gjuhës, hijeshija e thanjevet, përshtasija e fjalvet, ritmi e ndërtimi estetik i periudhave, në mëndyrë qi vepra, posë se dijenike, ashtë edhe letrare në kuptim të vërtetë të fjalës.” (13) Kjo ndoshta mund të shpjegojë dhe të arsyetojë “jodisiplinën gjuhësore” në krijimtarinë e tij letrare ndaj standardit të pranuar në Komisinë Letrare. Po si ta shpjegojmë këtë “jodisiplinë” në shkrimet e tij publicistike? Mospajtimi i Gjergj Fishtës me zgjedhjen e Komisisë Letrare, me gjithë pajtimin në parim dhe pjesëmarrjen e tij në hartimin dhe miratimin e rregullave drejtshkrimore, siç e provojnë procesverbalet e mbledhjeve të Komisisë, mund të shpjegohet me pakënaqësinë e tij për zgjedhjen e bazës gjuhësore, në të vërtetë atë të së folmes së Elbasanit. “Pajtimi” i tij, si duket, solli vetëm pranimin verbal. Pakënaqësinë e tij për këtë zgjedhje ai e shprehu disa herë dhe në raste të ndryshme. Në shkrimin me titull “Gjuha kombtare” ai shkruan: “Tue lanë m’anesh arsyet psikologjike, kulturale, morale, etnike etj., mbas mendimit t’onë njana nder arsye ma të para të ktij fenomeni të pakëndshëm asht: ndryshimi i pikpamjevet të shqyptarvet mbi caktimin e njanit a tjetrit dialekt për gjuhë letrare në Shqypni. Ndokush intelektualsh kompetenta shqyptarë e shum do funkcjonarë, kompetencet mjaft relative, të dyshimtë, e jo të gjith e gjithmonë per interesa gjuhsije a estetike ... paraqiten, edhe mendimi i tyne u pëlqye, qi per “gjuhë letrare” t’u zgjidhte jo ndonji nder dialekte të Shqypnis qi mund të kisht ndo’i leteratyrë të veten, por një gjuhë qi të ngallitte prej shkrimit njani m’tjetrin të djalektevet gegë e toskë, nen emnin bizantin “Gjuhë e Elbasanit”; punë kjo, të thuesh, krejt e pamundshme per kerrçik t’onë.”(14)

Gjergj Fishta e ka ditur mirëfilli se asnjë krijim i gjuhëve letrare kombëtare, kurrkund dhe kurrë, nuk mund të bëhet pa marrëveshje dhe pranim të epërsive, pa “flijime”. Për shqiptarët, asokohe, zgjedhja e elbasanishtes si gjuhë e përbashkët e shkrimit ishte zgjedhje fatlume, duke pasur parasysh se paraqiste brezin gjuhësor që lidhte të dy kryedialektet dhe, rrjedhimisht, ishte lehtësisht më i pranueshëm e praktikisht më i zbatueshëm. Edhe para mbajtjes së Komisisë Letrare të Shkodrës, gjithnjë duke pasur parasysh konvergjencën gjuhësore dhe pozitën qendrore gjeografike, elbasanishtja është parë si zgjidhja më e mirë për të ardhmen e përbashkët gjuhësore të shqiptarëve. Edhe Hani, albanologu i shquar gjerman, vite më parë kishte sjellë përfundimin se “gjuha shqipe e përbashkët duhet kërkuar në qendër të Shqipërisë së Mesme, atje ku s’mund të bëhet një ndarje e prerë mes gegërishtes e toskërishtes e ku elementet e dy dialekteve afrohen e përzihen.”(15) Përcaktimi i të folmeve skajore të cilitdo dialekt si bazë të gjuhës letrare për gjithë shqiptarët do të kishte gjasa fare të pakta për t’u pranuar në cilëndo kohë, sidomos jo pa pjesëmarrjen aktive të shtetit, i cili do të përcaktonte, pos të tjerash, edhe politikën gjuhësore që do të rrokte sidomos zbatimin e saj. Gjergj Fishta këto i ka ditur mirë, por, si duket, i shtyrë nga motive jashtëgjuhësore nuk e ka pranuar zgjidhjen e Komisisë Letrare të Shkodrës. Bashkimin gjuhësor të shqiptarëve ai e mendonte më shumë si prirje vetërregulluese brendagjuhësore: “T’a ngulin mirë në mend inteligjenca jonë se njinija e gjuhës asht fryt i nji mundi të padam, ndoshta i shum breznive... Të punojmë t’i apim ma të madhin zhvillim dialekteve, kur të merrijme me pasë nji numër të mjaftueshëm veprash klasike, ka me folë puna vet.”(16) – thekson Fishta, duke përcaktuar më qartë qëndrimin e vet lidhur me krijimin e gjuhës së përbashkët letrare.

Pavarësisht prej qëndrimit ndaj vendimit të Komisisë për elbasanishten si bazë të gjuhës së përbashkët për shqiptarët, pavarësisht pse e gjithë letërsia e publicistika e krijuar prej tij ka përcaktues gjuhësor gegërishten veriperëndimore, herë më të ngushtë e herë më të gjerë, pavarësisht mosgatishmërisë për “sakrificë” e për “lëshime pe”, Fishta ka provuar se është ndër veprimtarët dhe krijuesit e mëdhenj artistikë. Edhe duke mos u ndarë nga e folmja e vet krahinore, ka zgjeruar ndërgjegjshëm bazën dialektore të gegërishtes veriperëndimore, duke i dhënë asaj pamje më asnjanëse e kjo do të thotë më pak shkodranishte e më shumë gegërishte veriore.

Përpjekja që gjuhët popullore të ngrihen në shkallën e gjuhëve letrare ka qenë e pranishme në shumë gjuhë dhe kjo ka krijuar për shumë dekada probleme të natyrave të ndryshme. Baza e papërcaktuar mirë ka qenë arsyeja e lëkundjeve, e jonjëjtësisë dhe e joparimësisë, sidomos në rrafshin e drejtshkrimit. Vështirësi të ndryshme janë shfaqur edhe në procesin e ndarjes së gjuhës letrare nga shtresat dialektore, përkatësisht gjatë konsolidimit, pavarësimit dhe zhvillimit të saj sipas rregullsive të reja të përcaktuara. Edhe në gjuhën e Fishtës, edhe pse thjesht dialektore, madje shpesh krahinore, dalin mjaft probleme në fushën e drejtshkrimit. Ndryshe si mund të shpjegohen joparimësitë e shumta drejtshkrimore në veprën e tij letrare dhe publicistike.

Rruga e formimit të gjuhës letrare shqipe ka kaluar nëpër vështirësi të shumta. Jeronim de Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë shembulli më i spikatur i përpjekjeve që gjuha letrare të ketë për themel ligjërimin popullor. Përpjekjet e tyre dhe të shumë lëvruesve të shqipes do të paraprijnë dhe do të përgatisin truallin për mbajtjen e Komisisë Letrare të Shkodrës, ndërkaq kjo Komisi bëri përpjekjen, deri atëherë më serioze, për krijimin e një gjuhe të përbashkët kombëtare, duke e çuar më tej procesin e konvergjencës gjuhësore të shqipes dhe duke i hapur rrugë një vargu ngjarjesh me rëndësi ndër to edhe Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, që solli përfundimisht më 1972 njësimin gjuhësor të shqiptarëve, në të vërtetë ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarët në shekullin XX.


F U S N O T A T


1. Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, Tiranë 1996, f.79.

2. Gjergj Fishta,”Estetikë dhe kritikë”, Tiranë 1999, f.95. Përgatitur nga Persida Asllani.

3. Protokoli i KLSH-së është botuar i plotë në monografinë e Tomor Osmanit “Komisia Letrare shqipe në Shkodër (1916-1918)”, Shkodër 2004.

4. Tomor Osmani, po aty, Protokoli, f. 176.

5. Cituar sipas Nuri Gokaj, “Pikëpamje të Gjergj Fishtës për gjuhën letrare shqipe”, “Studime Shqiptare” 6, Universiteti i Shkodrës, Shkodër 1997, f.85.

6. Tomor Osmani, po aty, Protokoli, f.177.

7. Tomor Osmani, po aty, Protokoli, f.177.

8. Gjergj Fishta, “Estetikë dhe kritikë”, f. 95.

9. Gjergj Fishta, Mbi “gjuhë letrare të shtetit”, “Hylli i dritës”, 1930, f. 12.

10. Gjergj Fishta, “Estetikë dhe kritikë”, Tiranë 1999, f. 99.

11. Agnia Desnickaja, “Çështja e koinesë së Veriut në kuadrin e përgjithshëm të historisë së gjuhës shqipe”, “Gjurmime albanologjike”, VIII, IA, Prishtinë 1978, f. 101-102.

12 Agnia Desnickaja, po aty, f. 106.

13. Gjergj Fishta, “Nji atentat shurdhë”, “Hylli i dritës”, 12, 1930.

14. Gjergj Fishta, “Estetikë dhe kritikë”, f. 99.

15. Cituar sipas Artan Haxhi - Tefë Topalli, “Histori e gjuhës së shkruar shqipe”, Shkodër 1999, f. 182.

16. Cituar sipas Nuri Gokaj, “Pikëpamje të Gjergj Fishtës për gjuhën letrare shqipe, në “At Gjergj Fishta”, Studime 6, Shkodër, 1996, f. 85.

 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© Revista Prestige 2023 - 2025

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page