top of page

Papas Antonio Belluci figure poliedrike qè bèri shume pèr kulturèn Arbèreshe dhe shqiptarèt.

  • Jun 22, 2024
  • 4 min read

Updated: Jun 23, 2024


Papas Antonio Belusci (Belushi)Papas Antonio Belusci (Belushi)


KISHA


In memoriam: në kujtim të Papas Antonio Belushit


Prof. Domenico Morelli kujton Papas Antonio Belushin (Antonio Bellusci, 1934-2024), figurë poliedrike, që bëri shumë për arbëreshët dhe për kulturën shqiptare në Itali e përtej saj. Ndërroi jetë më 20 qershor 2024. Krahas angazhimit baritor, Zoti Ndon i ka kushtuar gjithë kohën e vet mbrojtjes, promovimit dhe vlerësimit të trashëgimisë arbëreshe. Duket se dëshira e tij më e madhe ishte të rilidhte arbëreshët e shpërndarë nëpër botë.


R.SH. – Vatikan


Domenico Morelli


Zoti thirri pranë vetes Papas Antonio Bellusci-n (Zotin Ndon). Figura unike e priftit të Eparkisë së Lungros (Ungra në arbërisht), studiues i traditës, përhapës i gjuhës dhe i kulturës arbëreshe e mbi të gjitha mik i të gjithë atyre, që patën fatin ta njohin. Veprimtaria e tij në Eparki u karakterizua nga përkushtimi i thellë dhe puna baritore në të gjitha bashkësitë ku shërbeu.


Vërtet, ai thirrej gjithmonë për të ndërmarrë veprimtari misionare në rast vështirësish. Kështu, në Santa Sofia d’Epiro (Shën Sofia në arbërisht) në çastin e zgjerimit të famullisë, ose në San Costantino Albanese (Shën Kostandini i Arbëreshëvet), ose në Falconara (Fallkunara), ku kishte detyrën e rëndë të famullitarit në një bashkësi, që po i kthehej ritit grek. Së fundi, në Kozencë, ku rindërtoi një famulli dhe një bashkësi arbëreshe.


Tipari kryesor i apostullimit të tij ishte afërsia e madhe me njerëzit, problemet e të cilëve i kuptonte, sepse ai vetë vinte nga një familje e përvuajtur, por me frikën e Tënzot. Për këto arsye, është vlerësuar gjithmonë nga ipeshkvijtë dhe nga meshtarët e dioqezave të tjera.


Krahas angazhimit baritor, Zoti Ndon i ka kushtuar gjithë kohën e vet mbrojtjes, promovimit dhe vlerësimit të trashëgimisë arbëreshe. Duket se dëshira e tij më e madhe ishte të rilidhte arbëreshët e shpërndarë nëpër botë, prandaj, u bë udhëtar i palodhur, që nga viti 1965 deri më 1990 kreu misione të ndryshme në Greqi, në vendet arbërore (kështu i quan ai në punën e tij kërkimore "studime ndër arbërorët e Helladës), si edhe në vitin 1987, gjatë një vizite organizuar nga Bureau pour les langues moins repandues të Komisionit Evropian.


U miqësua me arbëreshët e Gjermanisë, të SHBA-ve dhe të Zvicrës, të cilët e donin fort. Këto udhëtime, këto kërkime, që përfshijnë regjistrime këngësh dhe vjershash, si edhe burime origjinale, dokumentohen në vepra dhe tekste të rëndësishme për antropologët dhe etnologët. Qëllimi ishte të gjallëroheshin e të bëheshin të dukshme dëshmitë gjuhësore e kulturore të arbëreshëve të shpërndarë nëpër botë.


Në veprimtarinë e tij të gjatë në famulli, pranë kishës përuroi qendra kulturore, duke zhvilluar edhe një punë intensive kërkimore etnografike e përhapëse të informacionit të mbledhur, duke i dhënë shtysë realizimit të revistave si "Vatra Jonë", “Dita jonë” dhe "Lidhja".


Bujaria e tij e shtyu të mirëpresë vëllezërit e tij shqiptarë, në ikje nga vendlindja. Kjo ndjeshmëri u vlerësua: presidenti Berisha i dha nënshtetësinë shqiptare në vitin 1994. Përveç kësaj, institucionet më të larta kulturore në Shqipëri i dhanë çmime të panumërta. Autor i botimeve të shumta, i vlerësuar me çmime prestigjioze edhe nga Republika e Kosovës, u nderua me Qytetarinë e Nderit nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.


Gjatë gjithë jetës, u thellua në studimin e ngjarjeve të Eparkisë, për të cilën botoi Historinë, me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të saj. Bibliografia e tij është e gjerë dhe përfshin botime etnografike dhe kërkime të thelluara historike.


Puna e tij u kurorëzua në bibliotekën “A. Bellusci” të Frascineto-s (Frasnita), të cilën e themeloi vetë. Krahas mijëra vëllimeve me tema albanologjike dhe shpirtërore greko-bizantine, aty gjenden të gjitha botimet e tij, dokumentet e punës kërkimore dhe një arkiv i rëndësishëm personal.


Me largimin e Zoti Ndon për në shtëpinë e Atit Qiellor, Eparkia humbet një nga shtyllat e saj.


Të gjithë arbëreshët dhe shqiptarët në mbarë botën humbin një mik të apasionuar.


Jemi pranë në lutje me ata që e donin


I përjetshëm është kujtimi yt, vëlla i dashur.





Nga Instituti per Arberesget

At Antonio Bellusci

Lindi më 15 shtator të vitit 1934 në Frasnitë (Frascineto) të krahinës së Kozencës (Kalabri). Kreu studimet për filozofi dhe teologji në Universitetin Pontifik Gregorian të Romës më 1962. Shërbeu si famullitar në fshatrat arbëreshe të Shën Kostandinit në vitet 1965–1973 dhe Fallkunarë në vitet 1973–1979. Prej vitit 1979 deri në 2000 shërbeu si famullitar në kishat arbëreshe të Kozencës dhe prej vitit 2000 në Kastrovilari. Ka botuar disa libra, si: “Canti sacri tradicionali albanesi” (Këngë fetare arbëreshe), 1971; “Argalia ndër tekstet origjinale arbëreshe”, 1977; “Magia, miti e credenze popolari” (Magji, mite dhe besime popullore), 1983; “Dizionario fraseologico degli Albanesi d’Italia e di Grecia” (Fjalor frazeologjik i Arbëreshëve të Italisë dhe të Greqisë), 1989; “La pastorizia - Ricerca etnografia tra gli albanesi di Frascineto”, Kozencë (Blegtoria - hulumtim etnografik te Arbëreshët e Frasnitës), 1991; “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, 1994, 2005; “Antologjia Arbëreshe”, 2003, si edhe një varg artikujsh studimorë. Themeloi dhe drejtoi revistën e parë arbëreshe në krahinën e Bazilikatës “Vatra jonë”, në vitet 1966–1970. Në vitin 1980 themeloi revistën periodike “Lidhja”, organ i Shoqatës kulturore-shoqërore “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu” në Kozenca. Shkrimet e kësaj reviste janë në gjuhën letrare shqipe si dhe në të folmet arbëreshe, si dhe në gjuhën italiane. At Bellusci krijoi bashkëpunim me arbëreshët kudo ku ndodhen në botë, si dhe ka qenë pjesëmarrës në shumë veprimtari shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.

Studiuesi dhe prifti arbëresh, Antonio Bellusci është nderuar nga komuna e Çiftit me titullin Kalorës i Skënderbeut (Cavaliere di Skanderbeg). Një titull i dhënë në shenjë mirënjohjeje për punën dhe përgjegjësinë në kontribuimin e ruajtjes së identitetit arbëresh.


Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) ka botuar në vitin 2020, librin “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe” të prof. Bellusci-t, shkruar në bashkëpunim me autoren Ornela Radovicka, të cilin e gjeni në faqen online.

 PRESTIGE

Wellcome ne Revista Prestige.

Wellcome ne Revista Prestige.

Revista "Prestige" është një platformë e njohur  kulturore promovuese për arritjet sinjikative  të individëve në fusha të ndryshme. Duke pasur në fokus cilësinë dhe ekselencën, kjo revistë ofron përmbajtje që frymëzon dhe informon lexuesit,

Revista Prestige është rritje e vetedijes, me eksplorimni ne te gjitha fushat , ofron ekspertizën në krijimin dhe promovimin alternativat e AI duke i alternuar me publicitetin dhe kreativitetin. Revista ka 100 faqe te perditesuara.

Ndirevistprestige@gmail.comhmon ne ruajtjen e balancave te jetes me ato profesionale dhe ploteson pontecialin tuaj me nje thesar njohurish. Revista shfaqet si një thesar njohurish  encikloprdike.


© Revista Prestige 2023 - 2025

I'm always looking for new and exciting opportunities. Let's connect.

http://revistprestige.wixsite.com/prestige

© Revista Prestige 2023 - 2025

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2025

bottom of page