top of page

Piktore, artiste pamore, dizajnere dhe sipërmarrëse kulturore. Jalldeze Mustafa

  • Feb 5
  • 6 min read



Jalldeze Mustafa

Piktore, artiste pamore, dizajnere dhe sipërmarrëse kulturore | Themeluese e Shkollës së Artit | Krijuese dhe Mentore :Jalldesëze Mustafa

Arti, sipas Jalldeze Mustafës, na mëson të dallojmë dritën brenda hijes dhe kuptimin përtej formës, ai është shkolla e ndjeshmërisë njerëzore. Aty mësojmë empatinë, durimin dhe aftësinë për të dëgjuar atë që nuk thuhet me fjalë. Jalldeze është jo vetëm një piktore, por një profesioniste e mirë arti dhe një dëshmitare e kohës së saj. Ajo nuk pikturon vetëm atë që sheh, por atë që ndjen dhe mban brenda, fragmentet e jetës me të gjitha ngjyrat e saj.

Rrugëtimi artistik i artistes është dëshmi se arti nuk është vetëm akt krijimi, por një formë qëndrimi ndaj jetës. Ai lind herët, rritet mes sfidash, hesht përkohësisht dhe rikthehet më i pjekur, duke mbartur brenda vetes historinë personale, kolektive dhe shpirtërore të një kohe të trazuar. Në këtë udhëtim, ngjyra nuk shërben vetëm si element vizual, por si gjuhë e brendshme për të thënë atë që fjala shpesh nuk arrin.

Fillesat dhe formimi familjar:

Rrugëtimi i saj në art fillon në moshën 10-vjeçare, në një ambient familjar thellësisht krijues.

 Ajo është fëmija i tetë nga nëntë fëmijë, e rritur në një familje ku profesionet dhe arti bashkëjetonin natyrshëm: dy arkitektë, tre piktorë (artistë), një inxhinier rrugësh, një stiliste dhe një mësues me arsim të lartë pedagogjik.

 Ky realitet familjar ndikoi drejtpërdrejt në ndërtimin e ndjeshmërisë së saj estetike dhe në mënyrën se si e percepton botën: si një strukturë ku forma, ngjyra dhe mendimi janë të pandara nga jeta e përditshme. Që në moshë të hershme, arti për të nuk ishte luks, por mënyrë komunikimi.

Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme, ajo aplikoi në Fakultetin e Arteve në Prishtinë gjatë viteve 1992–1993, në kohën e okupimit të arsimit në Kosovë, kur mësimi zhvillohej nëpër shtëpi për shkak të masave të dhunshme. Pranimi ishte jashtëzakonisht i vështirë: rreth 200 kandidatë vetëm në degën e pikturës, ku pranoheshin vetëm 3 studentë. Mospranimi nuk e ndali krijimtarinë e saj; përkundrazi, e forcoi bindjen se arti nuk ekziston vetëm brenda mureve akademike, por edhe në përditshmëri, në punë dhe në qëndresë.

Në vitin 1992, ajo filloi punën në Shtëpinë e Modës “Menakon”, pranë dizajnere Nadire Binak, shtëpia e parë e modës në ish-Jugosllavi e udhëhequr nga një dizajnere shqiptare. 

Kjo përvojë përfaqëson një etapë të rëndësishme të formimit të saj estetik, ku arti u ndërthur me disiplinën profesionale dhe konceptin e formës funksionale. Gjatë fundjavave, punonte pranë motrës së saj në sallonin e bukurisë, veçanërisht gjatë sezonit veror të dasmave. Këto përvoja i mundësuan pavarësi financiare dhe e mësuan se arti dhe puna nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por mund të bashkëjetojnë.

Në vitin 1998 u pranua në Fakultetin e Arteve, por situata në Kosovë ndryshoi rrënjësisht me fillimin e luftës në Drenicë.

 Udhëtimi i përditshëm nga Gjilani në Prishtinë u bë i pasigurt dhe studimet u ndërprenë. Në të njëjtin vit, ajo u martua në rrethana të vështira shoqërore. Gjatë bombardimeve u detyrua të largohet nga vendi dhe u strehoa përkohësisht në Zvicër. Me kthimin në Kosovë në fund të vitit 1999, krijoi familjen e saj dhe u bekua me dy djem, të cilët i rriti me dashuri dhe përkushtim në Kosovën e lirë.

Rikthimi në pikturë dhe aktivizimi artistik (2015):

Në vitin 2015, kur fëmijët tashmë ishin rritur dhe kishin mbështetjen e njëri-tjetrit (me diferencë pesëvjeçare), ajo iu rikthye profesionit të saj – pikturës. Dëshira e kahershme për të përfunduar Fakultetin e Arteve u realizua, tashmë e shoqëruar me pjekuri jetësore. 

Që nga viti 2015, ajo u bë pjesëmarrëse aktive në shumë ekspozita në Kosovë dhe më gjerë. Në veprat e saj, fjalët shpesh mungojnë, sepse ngjyrat flasin më shumë: e verdha si dritë dhe shpresë, portokallia dhe e kuqja si energji, jetë dhe ekzistencë universale.

Në filozofinë e saj artistike qëndron mendimi i Dantes, se një vepër që është estetikisht e bukur, por moralisht e zbrazët, nuk e përmbush qëllimin e saj. Për këtë arsye, çdo pikturë e saj mbart një mesazh të lidhur drejtpërdrejt me realitetin dhe jetën e përditshme.

Ekspozita, humanizmi dhe kulmi ndërkombëtar (2015–2025):

Ajo ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita kolektive dhe ndërkombëtare, përfshirë:

2015 – Swiss Diamond, ekspozitë humanitare “T’i ndihmojmë fëmijët me kancer”

2016 – Galeria “Memet Pasha”, Hamami i Prizrenit

2017–2018 – “17 Shkurti”, Galeria e Arteve, Ferizaj

2018–2025 – Ekspozita mbarëkombëtare “Flaka e Janarit”, Gjilan

2023 – Galeria e Arteve Pejë, “Gruaja Krijuese Shqiptare”

2023 – Karavani Artistik Mbarëkombëtar “Artisti për Artistin” (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Shqipëri)

Në vitin 2025, në Cyrih, piktura e saj u shit në ankand humanitar për 1000 €, shumë e cila iu dhurua grave të prekura nga kanceri në Kosovë. Ekspozita personale më domethënëse u realizua më 28.11.2025 në Ambasadën e Kosovës në Stokholm, me titull “Tinguj dhe Ngjyra – 14 reflektime të Nënë Terezës”, në bashkëpunim me dy flautiste dhe me përkrahjen e MKRS-së, në shënim të 115-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Projekti u mikprit edhe nga Ambasada e Vatikanit dhe Ambasada e Shqipërisë në Stokholm.

Kuratori, edukimi dhe e ardhmja (2025–2026):

Në vitet 2023 dhe 2024, ajo ishte kuratore e projektit “Thirrem edhe mua”, në kuadër të Tetorit Roz në Gjilan. Në vitin 2026, fitoi sërish projektin e Tetorit Roz, i cili do të realizohet si simpozium artistik me konceptin “Ngjyrat shërojnë”. Në vitin 2025, hapi shkollën e saj të artit, ku punon me fëmijë nga mosha 6 vjeç e lart, duke i udhëhequr në hapat e parë të krijimtarisë.

         --------------------------- 

Intervista

E dashur Jalldese  jeni e mireseardhur ne prestige pèr intervistè 

Fillojmè.

Pyetja 1:

Çfarë përfaqëson vendlindja, familja dhe Kosova për ju, dhe sa ka ndikuar në formimin si njeri dhe artiste?

Vendlindja, familja dhe Kosova janë rrënjët e mia shpirtërore dhe artistike. Ato më kanë formuar si njeri dhe si krijuese, duke më mësuar vlerën e qëndresës, dashurisë dhe identitetit. Përmes historisë, sakrificës dhe traditës, kam ndërtuar ndjeshmërinë time artistike dhe mënyrën se si e shoh botën.

Pyetja 2:

Si do ta përshkruanit Kosovën në një pikturë sot: si kujtesë, si plagë apo si shpresë?

Pèrgjigje.

Kosova për mua është një përzierje mes kujtesës, plagës dhe shpresës. Është një vend që mban brenda dhimbjen e së kaluarës, por edhe forcën për t’u ringritur. Në pikturat e mia, ajo shfaqet si një hapësirë emocionale ku bashkëjetojnë plagët dhe drita e së ardhmes.

Pyetja 3:

Nëse e ardhmja e Kosovës do të ishte një pikturë, si do të ishte?

Përgjigje.

E ardhmja e Kosovës do ta përfytyroja si një pikturë simbolike dhe ekspresive, ku ngjyrat e forta përfaqësojnë energjinë e rinisë, ndërsa format e lira simbolizojnë lirinë dhe kreativitetin e brezave të ardhshëm.

Pyetja 4:

Si e ka ndikuar përvoja e luftës dhe migrimit në gjuhën tuaj artistike?

Përgjigje

Përvoja e luftës dhe migrimi ka thelluar ndjeshmërinë time emocionale dhe më ka dhënë një zë më të fuqishëm artistik. Lufta  më ka mësuar të shpreh dhimbjen, mallin dhe shpresën përmes formës dhe ngjyrës, duke e kthyer artin në një formë shërimi.

Pyetja 5:

Çfarë roli luan ngjyra si gjuhë emocionale në veprat tuaja?

Përgjigje

Ngjyra për mua është gjuhë e shpirtit. Ajo shpreh atë që fjalët nuk mund ta thonë. Çdo ngjyrë bart emocione, kujtime dhe gjendje të brendshme, duke krijuar një dialog mes veprës dhe adhuruesit te artit.

Pyetja 6:

A mendoni se arti ka përgjegjësi morale ndaj shoqërisë?

Përgjigje

Po, arti ka një përgjegjësi morale. duhet të reflektojë realitetin, të ngrejë vetëdijen dhe të promovojë vlera njerëzore si paqja, drejtësia dhe respekti. Arti nuk është vetëm estetikë, por edhe zë i ndërgjegjes.

Pyetja 7:

Si e shihni rolin e artistes grua në hapësirën kulturore sot?

Përgjigje

Artistet gra sot janë zëra të fuqishëm të ndryshimit.Ne  sfidojnë stereotipet dhe krijojnë hapësira të reja për shprehje. Roli i tyre është thelbësor për një kulturë më të barabartë dhe me gjithëpërfshirëse.

Pyetja 8:

Çfarë do të thotë për ju të punoni me fëmijë dhe breza të rinj?

Përgjigje

Të punosh me fëmijë dhe të rinj është një përgjegjësi dhe një privilegj,janë burim frymëzimi dhe shprese. 

Përmes artit, përpiqem ti ndihmoj të zbulojnë talentin, vetëbesimin dhe zërin e tyre.

Pyetja 9:

Cilat janë projektet tuaja më të afërta dhe çfarë kërkoni të eksploroni përmes artit.

Përgjigje

Projektet  me te aferta,jan te fukusuar ne punen me femije dhe ne zhvillimin e talentit te tyre,

Permes krijimtaris se femijeve ,te rritem edhe vet si artiste , dhe bashk me  femijet te krijojm ne hapsir frymezuese ku te perfshihen edhe femije me nevoja ndryshe ne boten e artit.

Aktualisht kam edhe nje projekt personal ,por nuk do zbuloj dua tja le kohes kur te vjen momenti.

Pyetja 10:

Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni përmes artit për kulturën dhe rininë?

Përgjigje

Mesazhi im tek te rinjet ,por edhe te teg grat dhe vajzat e moshes se mesme është që arti ta kuptojn si  një formë lirie dhe force. Përmes tij,  mund të ndërtojnë identitetin e tyre, të ruajnë kulturën dhe të krijojnë një të ardhme më të ndritshme. Arti është urë mes brezave dhe kohërave.por edhe terapi e shpirtit.

Ju faleminderit znj. Liliana per intervisten

Faleminderit ju e dashur.

Portret- Intervistë.



 REVISTA  PRESTIGE

Revista Prestige është një platformë dixhitale kulturore dhe edukative që ofron info të thella dhe të larmishme nga te  gjitha fushat.
Ajo prezanton, nderon, kujton dhe promovon figura të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një urë lidhëse mes teknologjisë, inteligjencës dhe kujtesës njerëzore.

REVISTA PRESTIGE është anëtare e platformes akademike  ACADEMIA EDU me mbi 15,770 universitete dhe 270 milion anëtarë e studiues.
 

© 2024 Prestige Blog. All Rights Reserved.

Photo_1723755330850.png

© Revista Prestige 2023 - 2026

bottom of page